BE-ja heq vizat për Shqipërinë e Bosnjën

Arkivi | admin | 08.11.10 | 18:53

Foto

Rrjedhimisht, qytetarët e këtyre dy vendeve nuk do të kenë nevojë për viza për të udhëtuar në vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

Vendimi u miratua sot pas një diskutimi mjaft të gjatë të ministrave. Po ashtu u miratua edhe një deklaratë, me të cilën vihet në theks mundësia për rivendosjen e vizave, në rast se ndonjë vend anëtar e sheh të arsyeshme, duke u thirrur në keqpërdorimet e liberalizimit të vizave.

Vendimin në Bruksel e shpalli Sesilia Malmstrom, komisionare e BE-së për çështje të brendshme.

„Vendimi i sotëm është me të vërtetë ditë historike për popujt e Bosnjës dhe Shqipërisë“, tha Malmstrom.

Sido që të jetë, sipas vendimit të sotëm, qytetarët e Shqipërisë dhe ata të Bosnjë-Hercegovinës prej mesit të dhjetorit do të gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë në zonën Shengen, që do të thotë qëndrim deri në tre muaj, me qëllime turistike dhe pa mundësi që të vendosen për të jetuar në vendet e BE-së apo për të punuar.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë ritheksuar edhe një herë nevojën që këto dy vende të vazhdojnë të informojnë publikun për rregullat e zbatimit të liberalizimit të vizave dhe t’i sqarojnë atij se çfarë mund të bëjë e çfarë nuk mund të bëjë në këtë aspekt.

Sipas burimeve të Bashkimit Evropian, pritet që menjëherë pas publikimit në fletën zyrtare, vendimi të hyjë në fuqi. Në këtë drejtim përmendet mesi i dhjetorit, por më saktësisht kjo datë pritet të jetë 15 dhjetori, meqë fleta zyrtare e BE-së botohet një ditë më herët, më datën 14.

Sot ka pasur mjaft reagime për mospërfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Urlike Lunaçek, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka thënë se vendimi i sotëm për heqje të vizave për Bosnjën dhe Shqipërinë është një vendim shumë pozitiv, porse ai ka mbetur nën hijen e izolimit të Kosovës.

Mirëpo, përfaqësuesi i Komisionit Evropian për çështje të brendshme, Mikele Çerkone, ka thënë se Kosovës asnjëherë nuk i është premtuar se do t’i jepet udhëzimi për liberalizimin e vizave. Ai ka rikujtuar se Komisioni Evropian kërkon nga Kosova përmbushjen e disa kushteve, ndërsa Kosova nuk i ka përmbushur ende ato.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen