Historia e Skënderbeut ndryshohet: Ai nuk luftoi me pushtuesit Osman

Histori & Fakte | admin | 11.02.13 | 23:42

Me korrigjimet e Komisionit të Ministrisë së Arsimit, Skënderbeu nuk luftoi pushtuesin, por Perandorinë Osmane.

Autorët e teksteve shkollore kundërshtojnë mënyrën e korrigjimit të librave të historisë në raport me këtë Perandori, pa konsultim të tyre. Këtë veprim e cilësojnë “punë në arën e huaj”. Komisioni arsyetoi se nuk e kishte detyrim që të konsultonte autorët e librave të deritashëm të historisë.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, nuk luftoi “… kundër pushtuesit gjakatar osman”. Ai në librat e ri të historisë do të përshkruhet si udhëheqës që luftoi kundër një perandorie, e cila nuk ishte e egër siç ishte transmetuar në librat e vjetër historik, raporton gazeta “Jeta” në Kosovë.
Me ndryshimet e bëra nga Komisioni për rishikimin e teksteve shkollore në librat klasave fillore e të mesme, prej fillimit të vitit të ri akademik, do të mësohet se “…Skënderbeu ka luftuar kundër Perandorisë Osmane.”

Tekstet janë kontrolluar një nga një e fletë për fletë për të parë nëse ndonjë këngë, vjershë a varg, lartëson tej mase Skënderbeun në dëm të Perandorisë Osmane. Për këtë çështje, të enjten u debatua edhe në emisionin “Jeta” në Kosovë.
Historiani Shkelzen Raça i arsyeton ndryshimet. Në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Korrigjimin e teksteve shkollore, ai tha se ndryshimet janë bërë në ato raste kur është vërejtur gjuhë e urrejtjes. Por, Frashër Demaj, historian e autor i teksteve të librave të deritanishme të historisë, theksoi se korrigjimet janë bërë nga persona që nuk kanë shkruar asnjëherë tekste shkollore.
“As ju z. Raca nuk keni shkruar tekste. E si i korrigjoni tekstet e të tjerëve, madje pa i pyetur e konsultuar”,- tha Demaj. “Librat janë pronë intelektuale. Me këtë keni hyrë në arën të huaj.” Demaj tha se tekstet e historisë të ciklit parauniversitar nuk janë të përkryer, por ndryshimet nuk mund të bëhen pa bazë shkencore.
Emrat e anëtarëve të komisionit nuk u bënë të ditur asnjëherë deri kur gazeta “Jeta” në Kosovë publikoi për herë të parë detaje të punës së tyre në muajin dhjetor. Avni Rexha, zyrtar i Ministrisë së Arsimit i cili në komision kishte rolin e sekretarit, tha se nuk kanë qenë të detyruar t’i njoftojnë autorët e teksteve. “Nuk e kemi pasur detyrim t’iu ftojmë”,- tha ai.
Ndërkohë, gazeta “Jeta” në Kosovë ka siguruar rekomandimet që ka bërë komisioni dhe ato në pjesë të madhe i referohen periudhës së Perandorisë Osmane në trojet shqiptare. Fjalë si “dhunë” dhe “vrasje” ishin zëvendësuar me fjalët “pushtim” dhe “burgosje”.
Frashër Demaj tha se këto zëvendësime termash ndërrojnë të vërtetën historike. “Nëse shikohet me vëmendje kryengritja e viti 1910 shihet së është djegur Kaçaniku, Ferizaj dhe i gjithë Karadaku. E si të quhet kjo? Absolutisht nuk bën të hiqet fjala dhunë” , tha Demaj.
Por, Avni Rexha nga Ministria e Arsimit tha se korrigjimet tashmë janë dërguar në instancat përkatëse. “Divizioni i plan-programeve do ta shikojë raportin e komisionit dhe do t’i ftojë autorët e teksteve për t’i konsultuar dhe marrë vendimet e mëtutjeshme”,- tha Rexha.
Korrigjimet janë bërë dy vjet pas vizitës së Kryeministrit të Turqisë në Kosovë, Recep Tayyip Erdogan. Zyrtarët turq nuk reshtën së kërkuari ndryshimet e historisë sa herë që vizitonin Kosovën. Kjo ka ndodhur edhe gjatë vizitës në Kosovë të ministrit të Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu, dhe atij të arsimit, Omer Dinçer.

newsalbania

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen