Botë virtuale

Analiza & Komente | admin | 09.12.10 | 18:30

Shumica e miqëve të vjetër janë përnda nëpër botë. Dikush ka pothuej njëzet vjet që asht largue: ka shkue burrë i fortë e i bukur e tash asht mplakë. Shumë prej tyne, mbasi kanë punue për vite në mërgim, më shkruejnë se janë në pension: dikush ka pësue infarkt, dikush një sëmundje tjetër. Nuk besoj se u ka ardhë e keqja nga puna e randë, po nga shpirti i plasun.

Disa të tjerë iken ma vonë tek fëmijtë, shpirtplasun këtu, në Atdhe, shpirtplasun atje, në dhé të huej. Mesazhet e tyne janë ma të ngrysuna. Pa punë, pa pension, barrë për fëmijtë mundqarë, prind të heshtun e të piklluem, si gjithë prindtë që u randen fëmijëve.
Këta shkruejnë ma rrallë, shumë rrallë. Këtyne po, ma mirë që nuk ua shoh sytë: kushedi ç’perde e randë do t’ua ketë zanë vështrimin.

Komunikojmë. Asht koha e internetit, një botë virtuale.
Po sytë më mungojnë. Vështrimet. Vetëm fjalë, fjalë, fjalë …
Shkruejnë. Ndonjeni ban edhe pyetje. Kur më bajnë pyetje, gjendem ngusht. Unë e di ç’përgjigje presin ata. Po nuk kam si t’u ushqej më kot iluzionet. Ata andërrojnë Atdheun të lulëzuem. E unë, si t’u them? Edhe pse nuk ua shoh sytë, jo, nuk mundem me i rrejtë.
Ma mirë ata që nuk pyesin. Tashti besoj e morët vesht edhe ju të tjerët: Ju lutem, mos pyesni, më bani të ndjehem ngusht.

Nga Norvegjia më thonë se asht ftohtë. E di. Kam ba pak gjeografi. Më thonë se asht ftohtë, sepse nuk duen të më thonë shumëçka tjetër. As pse ka pësue infarkt. As pse ka ditë që nuk e shikon të vetmin bashkatdhetar që e ka në të njejtin qytet. Asht ftohtë, më shkruen. Si t’mos e besoj.
Nga Australia më shkruejnë se edhe atje shqiptarët zihen mes veti, nuk kanë punë me vendasit. Mes vetit: sherr i madh.

Nga Italia, një mik i vjetër, që ka qenë disa vjet në Burgun e Burrelit, më jap këshilla se si mund të ndërtohet shteti i së drejtës dhe ankohet se nuk ban dot operacion prostatet: kushton shumë shtrejt. E pyes diçka për Berluskonin. Nuk më kthen përgjigje. Tri herë e kam pyetë, po nuk më asht përgjegjë, më shkruen vetëm se çfarë duhet të bajmë që të ndërtojmë shtetin e së drejtës. Ç’hyn Berluskoni këtu?!

Një mik tjetër, prej shumë kohe në Amerikë, me këshillon t’i bind shqiptarët se asht ma mirë të mesojsh tjetrin si zihet peshk, se sa t’i falish një peshk. E ka ba kaq për vete kjo thanje e urtë, sa me kanë folë edhe shumë të tjerë se kambëngulë edhe me ata t’i bindin shqiptarët të veprojnë në këte mënyrë: kështu ban Amerikani.
E pyeta një herë  për luftën në Irak. A do të ketë fund një ditë. Nuk më ktheu përgjigje.
Një mjeke në Francë asht e zemrueme me ata që shkruejnë keq për Shqipninë në frëngjisht. E pyes: Shkruejnë ma keq se sa na për vete? Jo jo, më thotë, deri aty jo.
 Komunikojmë.

 Po fjala vjen e shurdhë pa vështrim.
 Më ka marrë malli t’i shoh miqtë në sy.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen