Dhuna – ky kancer i shqiptarëve

Arkivi | admin | 09.12.10 | 18:34

Daniel Gazulli 

Isha i shtruem në nji Klinikë të huej, po mendja fluturonte Atje, përtej deti. Ja, do të kalonin disa ditë, ndoshta disa muej, e unë do të shërohesha. Po Vendi ynë, kur, kur do të shërohet Ai? Cila asht sëmundja e tij ma e randë që nuk ban përpara?
 Mbas disa ditësh porosita një fletore e penë.
 Kështu lindën këto shënime në formë mozaiku, pa kurrëfarë synimi të trajtoja deri në shtjerrim këte temë, po ashtu, si më vinin në mend, e t’ia paraqes lexuesit që t’i gjykojmë bashkë.
 
 Dhunë: kudo, në familje, në shkollë, në punë; dhunë në politikë e në media – agresivë deri në folunën e zakonshme – gjykime të ashpra, denigruese, nervozizëm, mungesë vullneti me kërkue e me pranue rrugë e forma bashkjetese qytatare. Jo i dhunëshmi arrihet deri atje sa përçmohet pikërisht për këte vlerë të tij të paçmueshme (shih, bie fjala, paqësorin e Atdhedashësin Doktor Ibrahim Rugova, sa baltë asht hedhë  kundër tij); i dhunëshmi, përkundrazi, “hosanohet” (si bie fjala pushtetarët tanë).

 Nëse e vë theksin në këto shënime veçan mbi politikën e median, kjo ndodh pse të këqijat që mund të vijnë e po vijnë prej tyne kanë përmasa rrënuese për damin që sjellin. Ato janë të ngërthyeme me njena tjetrën e te dyja bashkë përbajnë bazën e dhunës në Vendin tonë.

 Një media që nuk ballafaqon dy mendime të ndryshme – aty edhe krejt të kundërta – mbi nji temë, kryen nji shërbim të keq, kurse nji media që ofron si model nji shëmtim – i çfarëdolloji qoftë – kryen një krim. E në mediat tona, jo për paaftësi professionale, ndeshim përditë shëmtime të tilla. Dikush do të vinte theksin tek vulgarizmi i saj, i kthyem në vlerë, apo tek paditunia shembullore e jo pak prej politikanëve, gazetarëve apo opinionistave (si po i quejnë), çka asht krejt e vërtetë, por kjo do të ishte e keqja ma e paktë. Dhuna e vërtetë asht ajo e vetëdijshmja, e qëllimshmja, e mbrapshta.

 Nuk po shkëputemi dot nga dhuna e miteve, të të gjitha llojeve, e pseodoluftëtarëve, e pseudoartistëve, e pseudove në përgjithësi, të ngritun në piadestal gjatë diktaturës. Një shembull i thjeshtë: Askush nuk flet e shkruen për një poet brilant si Fatos Arapi, ndërkohë që lakohen mëngjes e darkë ata që i krijoi artificialisht diktatura e për të cilët vazhdohet të derdhen tonelata bojë e orë e orë transmetime radiotelivizive. Kush kujtohet për të shkëlqyeshmin Martin Camaj, për të madhin Jakov Xoxa?
 
 E mirë. Unë që për formim personal e traditë familjare jam antimonarkist (pra një sistemi monist), do të doja t’u kujtoja “atyne zotnive që rrinë në shkam”, si thonte Fishta, se fashizmi, nazizmi e komunizmi ishin diktatura të pastërta, prandaj kurrësesi nuk mund të quhen monizem e të përpiqen të mbajnë ende mbi kreshtën e dallgëve mitet e diktaturës, shpesh herë zotnues të titullit të shpërdoruem “Nderi i Kombit”. A nuk asht kjo nji dhunë e pastër mbi viktimat e komunizmit?

 Askush nuk paraqet nji program politik, ekonomik e social zhvillimi. Përkundrazi, predikohet vetëm urrejtje, smirë vërbuese, babëzitje që nuk njeh kufijë, dëshprimi i shumicës së popullsisë shikohet si mundësi për të nxjerrë përfitime politike nesër, prandaj edhe ushqehet me çdo mjet. Për fat të mirë populli ynë arrin ta kapërcejë frikën që përpiqen t’i kallin politikanët e mediat me guxim e squtësi.
 Ata që përpiqen të mbjellin kudo dëshprim e frikë, shëtisin poshtë e nalt Vendit e mbledhin duartrokitje e ovacione mashtruese (shpesh edhe të montueme, si asht ba zakon t’ua servirin tashma në videokaseta TV-ve, që do të duhej t’i refuzonin me neveri). Këta Don Kishotë as e njohin thjeshtësinë e përulësinë (kujtoni përulësinë emblematike të të madhit Eqrem Çabej), po mbjellin erë e korrin furtunë.

 Politikanët tanë hiqen se janë në gjendje të japin gjykime për gjithçka; ata nuk kuptojnë, e nuk kanë si të kuptojnë diçka krejt të thjeshtë: kufizimet e tyne nga pikëpamja njerëzore, kufizimet e tyne të skajshme kulturore, veçan në kulturë qytetare e morale.
 Asht evidente, asht vërtet diçka që nuk ka nevojë të vërtetohet, se njerëzit e politikës e të mediave bajnë gjithçka të duken dhe asgja për të qenë. Ju mendoni se një politikan lexon nji libër, nji monografi me vlera shkencore, që të mund të rritet intelektualisht? Po ç’i duhet atij të rritet intelektualsiht?! Kush ia ka kërkue? A nuk kanë ba udhë të paditunit e të nënshtruemit, kurse ata që kanë dashtë të ishin dikush, ata që u përpoqen të kishin sadopak personalitet, përfunduen jashtë rrethit vicioz të politikës? Gazetarët? Veçan gazetarët televizivë. A nuk i keni dëgjue kur flasin, si i ndërtojnë frazat sa as vetë nuk e marrin vesh ç’kanë thanë? Të lexojnë libra? Përse? Që të gabojnë mandej e të mos thonë ato që i kanë porositë me thanë?
 Ky asht brumi me të cilin gatuhen sot politika dhe mediat.
 
 Përse në këtë shkrim ndalem, pra, kryesisht tek politika dhe media? Përgjigja asht e thjeshtë: prej tyne varet nji botë afariste e mbështetun shumëçka mbi krimin e që politikanët dhe mediat janë reciprokisht nënprodukt i njenës palë ndaj tjetrës. Joqë asht e kotë të flitet për nji afarizëm të kriminalizuem nëse ma së pari nuk shëndoshen me themel politika dhe mediat.

 Po jo vetëm politika e media.
 Ashtu si ata, drejtësia asht një tjetër nënprodukt i frikshëm i botës politike e që media sa e përkëdhelë ndonjëherë. Nëse do të gjykoheshin ata që përbajnë sot sistemin e drejtësisë për shkelje flagrante të ligjit e korrupsion, vështirë të ngelnin të lirë ma shumë se dhjetë përqind e gjykatësve.

 Mjeksia, kjo organizatë e stërmadhe kriminale (e njëherësh krejt e pakualifikueme), asht e tillë pse gjen mbështetje tek bota e kalbun e politikës.
 Arsimi, sidomos ai privat, nuk respekton as parimet bazë të edukimit: fëmijtë e të rijtë nuk mësojnë nga librat, po nga mjeshtrat (mësuesit) e tyne. Po nga kush do të mësojnë, kur vetë “mjeshtrit” janë të padijtun deri ne kufijtë e të pabesueshmes e të paskrupull deri në imoralitet? Në shkollat shtetnore notat varen nga pjesëmarrja në famëkëqijtë “kurse private”, me fjalë të tjera nga paratë që “vjelin” mësuesit nga nxanësit e trembun. Nga shkollat private, sidomos nga Universitet private, studentët shkojnë të padijtun e dalin edhe ma të pakulturuem. Sa për përgatitje shkencore as bahet fjalë. Njoh “universitarë” që nuk dijnë të shkruejnë pa gabime as emnin e vet. E Universitet private kanë mbi pa kursim, si bunkerët.

 E gjithë bota e sotme, e ashtuquajtun e intelektualëve, ka një shkëputje të frikëshme nga rrajët. Joqë, gati gati e konsiderojnë arkakike kërkimin e lidhjeve me rrajët. Po sjell një shembull të thjeshtë që më ka ndodhë me një “intrelektual” me origjinë nga Skrapari pak muej ma parë.
 Tue u përpjekë të shtjelloja idenë se Luftën Antifashiste e bani populli shqiptar, kurse PK vetëm sa e shfrytëzoi ate për interesa të saj e në shumë drejtime  në interesa të atëherëshme të Beogradit, ai reagoi rrëmbyshem, si gjithë lloji i tij, që as lodhet të të kundërshtojë me argomenta, po me etiketime.
 Atëherë u zhvillue në mes nesh kjo bisedë:
 – A e di ti Hajredin Kondin e Tomorrit? – i them.
 – E kam dëgjuar – përgjigjet shpërfillës.
 – Jo, Hajredin Kondin nuk mjafton “ta kesh dëgjuar”, atë duhet ta dijsh. Se ky Hajredin Kondi, mor djalë, rrinte si shqipojë atje shpateve të Tomorrit dhe u thonte turqëve: “Suz, ju, zhaba, atje në Berat! Këtu jam Zot unë!”. Po përsëri kishte nji marak të madh. Kishte marakun ky i bukuri Hajredin Kondi që çunat nuk dinin “të këndonin” shqip. Nuk ishte i kamun, megjithatë, bani si bani, dhe më 1905 mori udhën e Bukureshtit që të blinte Alfabetarë për çunat, që të mësonin “të këndonin” libra shqip.
 Pak muej si doli turku, ra një ditë në Berat të blinte ndonjë metër beze për gra e kalamaj se po afrohej pranëvera. Atje mori vesh se Mali i Zi kishte rrethue Shkodren. U kthye në shtëpi pa humbë kohë, mori disa fishekë hua tek fqinjët, se nuk kishte me se t’i blinte, dhe u gatit të nisej për në Shkoder. Kur u kthye në darkë në shtëpi i vëllaj, Muhameti, e gjet të rrethuem me armë e me fishekë. I tregoi se çfarë po ndodhte në Veri. “Jo, – i tha i vëllaj – kjo është rradha ime”. Dhe u nis që me natë për në Shkodër ku luftoi për katër muej bashkë me luftëtarë të tjerë. Katër muej askush nuk e dinte nëse ishte gjallë apo kishte përfundue tek të shumtit i bukuri Muhamet Kondi.
 Kur më 1939 ra zija e fashizmit në Shqipni, si ishte në nderin e Kondëve, mori armën në krah e u bashkue me luftëtarët e lirisë Avniu, djali i Muhametit.
 Nuk i tha “Partia” më 1905 Hajredin Kondit të shkonte deri në Bukuresht e të blinte Alfabetarë për çunat. As Muhametit të shkonte në Shkodër e të kthehej me plagë. As Avniut, nuk i tha “Partia”, po atdhetarizmi i bukur i Kondëve, të ngjeshte armë e të luftonte kundër fashizmit. Ja, këte bani pseodohistoria që ke mësue ti, u hoq shqiptarëve shpirtin liridashës që e kanë tregue në mijëvjeçarë, aq sa jemi ndër të paktë popuj të lashtë që flasim ende gjuhën tonë”.
 Kështu i thash “intelektualit” nga Skrapari, që nuk ngurroi të ma bënte pyetjen trashamene:
 – Po ju, nga i dini këto?
 – Sepse Shqipninë, more djalë, e kemi të paktë e të vuajtun, prandaj duhet ta duem edhe ma shumë. Po që ta duem, duhet ta njohim, duhet “ta dijmë”, jo ta “kemi dëgjuar”.
 
 Mirëpo media vazhdon të megafonojë me zadhënësit mjeranë të kohës që përendoi, ata, të ricikluemit, rrënimtrarët, të dhunëshmit. Tash e parë ajo njolloset nga shkrime e intervista të Ramiz Alisë, N. Xhuglinit etj.
 
 Po jo vetëm politika e media.
 Nji shfaqje flagrante e dhunës ndaj qytnimit në përgjithësi e bashkësisë në veçanti janë të ashtuquajtunat “ndërtime pa leje” – që Shteti nuk vonon e i përligjë. Si mund të shpërfillen me heshtje ndërtimet mbi zonat arkeologjike disamijëvjeçare, ato pothuaj zhytë në det tue u heqë dhunshëm hapsina pushuesëve, buzë lumejve etj.? Në Lezhën time, bie fjala, nuk ke mundësi as të shëtitësh ma në Kodër të Kështjellës, pse rrugët e lashta me dymbëdhjetë portat e famëshme, janë nderpre nga ndërtime të paligjëshme, nga kopshtije e gardhiqe, ashtu si iu hoq barbarisht qytetit mundesia për të pasë shetitoren buzë Drinit (si ishte edhe në planin rregullues të qytetit) pse disa “zëngjinë të rijë” kanë shtri hekur e beton për bar-restorantet e tyne vulgare. Ka edhe ndërtime të tilla ligjërisht të miratueme nga institucionet kompetente, nga Komuna e Bashki, deri tek Qeveria, cilado ka qenë ajo.

Une e di, por nuk kam fakte. Pronë e kujt janë gazetat, TV, kujt i shërbejnë, si shërbejnë, si bertasin per liri fjale – çka nënkupton “shpif e vill vner kundër kundërshtarëve të padronëve të mi, shpif e vill vner, si diçka do te mbesë, dikush do të na besojë se mbrojmë të drejtat, liritë” e prralla si këto? Pronë e kujt janë, pra? Si e thash, unë e di, po nuk kam fakte. Atëherë nuk më mbetët tjetër veç të them: Zot, mos na hiq lirinë e fjalës! Do të ishte shumë e trishtueshme, rrënuese për kombin tonë, të cilit iu hoq kjo liri e shejtë për 45 vjet.  Por, ama, lirinë për të thanë të vërtetën, në mbrojtje të interesave të kombit, jo lirinë për t’u shërbye “padronëve”, veçan atyne të ricikluemëve. Nëse liri fjale quhet ajo e Abdi Baletave në momologjet e tij të pështira, që kanë pafytyrësinë të hedhin baltë deri mbi Heroin Kombtar, Gjergj  Kastriotin, atëherë mjerë liria e fjalës e mjer na me te!

Thonte Anton Harap se “fanatizmi asht antifetar”. Tashti, shteti ynë, për t’u heqë respektues ndaj besimeve, ka shpallë kund nja njëzet ditë në vit festa fetare zyrtare, në vend që të ishin vetëm dy: Bajrami i Madh dhe Krishtlindjet. Jo vetëm kaq, por nëse festat, fetare a jo qofshin, bien të shtunë apo të djelë, atëherë bahet pushim të hanën, bile edhe të martën. Kjo asht dhunë shtetnore, që më privon të drejtën të shërbej e të shërbehem si gjithë Europa, ku pushim bahet vetëm ditën e festës, pavarësisht kur bie ajo, të shtunë, të djelë apo të ejtën.
Invazionet klerikale në jetën shoqnore, veçan në Kosovë e Maqedoni, janë gjithashtu jo rrallë me përmbajtje të elementëve të dhunës me rrjedhoja negative të pallogaritëshme. Për këte nuk ngurrohet aspak të flitet tue fallsifikue në thelb Kuranin dhe Ungjillin. Këta klerikë harrojnë se Naimi i madh na pat mësue se “dielli lind andej nga përendon” e se Pashk Vasa na la vargun monumental “Feja e shqiptarit asht Shqiptaria”. Ja pra, ku kthehemi përsëri tek Anton Harapi, se “fanatizmi asht antifetar, për rrjedhojë antishoqnor, për rrjedhojë antikombtar”. Besimi i vërtetë, i mirëfilltë, i pastër, predikon dashuninë dhe faljen, jo dhunën e urrejtjen. Besimi duhet të jetë nis e sos shërbim ndaj njeriut, sidomos ndaj ma të dobtëve.
 Shumë klerikë, të besimit të krishterë qofshin apo muslimanë, predikojnë frikën. Them se aty ku fillon frika ndaj Zotit, pushon edhe besimi në të. Pa hy në çeshtje drejtpërdrejt fetare, se do të ishte nji zgjatje e pavend, dua të kujtoj se institucionet fetare, e përsëris, të çdo besimi qofshin, duhet të udhëheqin e shoqnojnë besimtarët drejt mirësisë, jo të përpiqen t’i nënshtrojnë e t’i kërcënojnë ata me ndëshkime hyjnore apo toksore, si po ndodh ndër ne, veçan në disa vise, ku klerikët po përdorin gjithë agresivitetin e tyne, aty edhe forma korruptive krejt të amoralshme, për të nënshtrue apo keqpërdorë besimtarët tue ndikuar jashtë çdo tagri mbi jetën shoqnore e politike të Kombit.

Dhuna në familje: burrë/grua, prind/vajzë, deri edhe tek djalë/nanë, apo vëlla/motër, janë shfaqje pothuej të përligjuna në një mendësi jo rrallë të mbështetun edhe nga pseudoklerikë, deri tek organet e drejtësisë. Mjafton të lexosh dy-tre vendime divorci të Gjykatave tona dhe do ta kuptosh menjëherë se në gjykimin e “njerëzëve të drejtësisë” peshojnë fare pak Kodi Civil e ai i Familjes, sa për ilustrim “juridik”, po mirëfillit pjesa arsyetuese e vendimit mbiztrohet nga mendësia barbare e gjykatësit, e trashëgueme nga gjyshi apo nga mjedisi rrethues shpërfillës ndaj të drejtave ma elementare të grave.

Çfarë dinë burrat shqiptarë për kujdesin e mirërritjen e të porsalindunve? Asgja ose pothuej asgja. E pra ato që fëmija mëson në vitet e para të jetës (sidomos në 3-4 vitet e para), nuk mund ta mësojë kurrëma gjatë jetës. Po na jemi kaq shpërfillës ndaj edukimit të ma të vegjëlve (detyrë që kujtojmë se u përket ekskluzivisht nanave), sa qendrimi ynë inaktiv e shpesh edhe agresiv, nuk asht tjetër veçse dhunë e pastër ndaj të mitunve. Përse të çuditemi atëherë nëse përditë shohim fëmijë pothuej të traumatizuem apo të rijë e sidomos para të rije pothuaj të çorientuem? 

 Padurimi (rrëmbimi, gjakngjehtësia).
 Me konceptin padurim shpesh herë duhet të nënkuptojmë edhe ndonjë vuejtje personale. Por na durimin (dhe padurimin) e kemi të dy llojeve e që të dy të papranueshëm:
 – Durojmë padrejtësitë e shtetit e përgjithësisht të institucioneve, deri, ndonjëherë, në poshtnim, ndërkohë që duhej të ishte e kundërta, t’i kontestonim ata, natyrisht, jo me dhunë, por me mjetet ma civile e ma paqësore të mundëshme;
 – Padurimi ynë asht emblematik, nevrastenik, arrogant në marëdhanje me individë të tjerë; e pra duhej të ishte e kundërta: të ishim të paqtë, të përpiqeshim me u marrë vesht – aty edhe në zgjidhjen e ndonjë konflikti të fortë interesash – të dinim me falë qendrimin, ndoshta, të qortueshëm të të tjerëve.

Pra, jo vetëm politika e media, por shumëçka, vetiu, rrjedh prej tyne.
Ka qenë e trishtueshme për mue kur një djalë i mirë, 21-vjeçar, më tha se do të kishte dashtë të fitonte Edi Rama, jo për rrjeshtim politik, jo jo, por sepse do të donte që në krye të shtetit të ishte nji nga Jugu e jo nga Veriu. Dhe këte, e përsëris, e thonte një 21-vjeçar! E njoh, e due, pse në thelb asht djalë i mirë, po nën trysninë rrënuese të politikës PD – PS, Jug – Veri, arrin deri në paragjykime të tilla të pabesueshme, veçanariasht kur bahet fjalë për një të ri. Kur i thash se për mue do të ishte njëlloj që kryeministri të ishte nga Saranda apo Dibra, nga Permeti apo Shkodra, ai vazhdonte të kambëngulte se do të kishte dashtë që kryeministri të ishte nga Jugu. Nuk ka dyshim se një mendësi e tillë nuk asht tjetër veçse rezultat i dhunës në politikë.
M’u kujtue dom Gjon Gàzulli. Në nji fletore të trashë kujtimesh me titull “Njizet fytyrat ma në shej të kohës teme”, edhe pse ai ishte prift, dymbëdhjetë prej këtyne “fytyrave ma në shej” janë muslimanë; edhe pse ai ishte nga Sapa (Zadrima), gjashtë ishin nga Jugu, dy nga Shqipnia e Mesme e tre nga Kosova. Kurse nji djalë i ri sot … Zot na shpëto nga mbjellja e një urrejtjeje të tillë të vërbër!
 
 Urrejtja, smira, babëzitja dhe dëshprimi janë sëmundjet ma të randa që mund të prekin shpirtin tonë. Prej tyne mund të zanë fill nji seri veprimesh të dhunëshme jo thjeshtë individuale, por shpesh edhe me përmasa kombtare.
 Mjekojmë edhe nji bith a nji premje me brisk rroje, por nxisim urrjtjen, frenojmë gëzimin për mbarësinë e tjetrit, ushqejmë smirën, predikojmë ligj e drejtësi, por nuk i vemë fre krimit që vjen prej babëzitjes; egzaltohemi edhe nga nji premtim mashtrues, bjemë pre e dëshprimit edhe për zhgënjimin nga nji miqësi në facebook. Të gjitha këto i hapin jo nji shteg të ngushtë dhunës, po e lëshojnë ate si një prrue malor mbi të mbjelalt mbas nji shiu të gjatë e të të rrëmbyeshëm. Këto nuk mësohen në libra, nuk mësohen në Kishë e as në Xhami; këto mësohen në kontaktin e përditshëm me të afërmit pa paragjykime e mbrapamendime e atëherë nuk do të ketë ma shteg dhuna. Këtu fillon edhe ndalimi i shkatrrimit e po këtu hidhen themelet e nji të ardhmeje me pamje ma njerëzore.

 Nuk jam as mund të jem predikues, sepse më mungojnë në radhë të parë ato virtyte që duhet të ketë predikuesi. Ato që i them e i shkruaj i kam marrë në radhë të parë nga gabimet e mia në jetë, ashtu sidhe përpjekja e papreme për t’u ndreqë, për t’i përmirësue, për t’u rritë në pikëpamje njerëzore.
 Kur e pyetën një herë një plak të urtë nga Kashnjeti se ku e kishte marrë gjithë ate urtì, ai u përgjegj thjeshtë: Kam nxjerrë mësime nga marrëzitë e të tjerëve. Sigurisht, Paluca (si quhej kashnjetori i urtë) kishte nxjerrë mësime edhe nga marrëzitë e të tjerëve, por në radhë të parë nga një bashkësi ku fjala kishte shumë peshë, prandaj, para se me e nxjerrë, të gjithë mateshin mirë.
 Në rastin tonë tema që shtrohet asht e thjeshtë: Nga do të nxjerrin mësim të rijtë shqiptarë, nga mëngjesi deri kur flejnë në mes të dhunës, veçan asaj politike dhe mediatike?

 Përse në shënimet e mia duket sikur hidhem degë më degë? Sepse dhuna nuk asht harmonike, ajo asht pikërisht kështu, si një mozaik i ndërpremë nga damtimet e shekujve. Në mes dhunës së individit në shtëpi (ndaj gruas apo së bijës), kemi buzëqeshjet në mjediset publike, sjelljen prej “xhëntëlmëni”. Por e gjitha asht e gënjeshtërt, sepse ai që asht i dhunshëm në familje, nuk mund të mos jetë i dhunshëm në Kuvend apo në Qeveri, apo në mbledhjet e kryesisë së partisë së tij (Më lejoni që kësaj radhe fjalën “parti” ta shkruej me “p” të vogël, se kemi një jetë që Atdhe e shkruejmë me “a” të vogël – për turp, sepse kështu thanë gjuhëtarët – kurse “parti” me “p” të madhe – përsëri për turp, sepse kështu thonin gjuhëtarët).
 Pra dhuna, kjo dukuni tragjike e jetës shqiptare, nuk mund të shfaqet në një vend e në nji tjetër jo. Nji i dhunshëm në shtëpi, si e thamë ma parë, nuk ka si të mos jetë i dhunshëm në Qeverisjen e Vendit. Nëse atje nuk e shfaq haptas, këte e ban nga frika, pse asht burracak. Të dhunshmit gjithçka mund të jenë, por jo trima. 
 Veç të tjerash ata, të dhunëshmit, nuk kuptojnë nji gja fare të thjeshtë. Ajo, dhuna pra, heret a vonë do të kthehet kundër tyne. Çdo iluzion tjetër “fitimtar” nëpërmjet dhunës asht i rrejshëm. Sa për ilustrim po marrim tre personalitete historike botnore, emblematikisht të dhunshëm: Stalinin, Hitlerin e Musolinin. Ngadhnjimi i tyne ishte sa çel e mbyll sytë, mashtrues, kurse balta e historisë mbi ta do të jetë e përjetëshme.

Njerëzit, pothuej të gjithë, do të donin t’u rrinin sa ma larg institucioneve, të mos kishin punë me ta. Përse? Sepse tek ato nuk gjejnë drejtësi, përplasen me korrupsionin ma të paskrupull. Si mund të jetë ndrysh ma i dhunshëm shteti se sa tëhuajtja e shtetasve të vet?

Tek na nuk egziston as si mendësi institucioni i pajtimit të interesave të kundërta, qofshin ato në mes privatëve, në mes privatëve dhe shtetit, apo institucioneve në mes tyne. Pajtimi i interesave të kundërta as që tentohet, përkundrazi, të gjithë janë të gatshëm për përplasjen e mundëshme, përplasje e tillë që duhet të çojë në asgjasimin e njenes palë. Arrihet deri atje sa të ndjehen krenar kur e arrijnë këte, pra poshtnimin e tjetrit. A nuk asht kjo nji dukuni që e ndeshim përditë, sidomos në politikë e media?

Dështimet tona të njimbasnjishme në këto 20 vjet nuk mund të kenë kurrë si shkak faktorin e jashtëm.  Politikanët tanë shpesh ngjajnë me ata të 30 vjetëve ma parë, kur çdo faj ua hidhnim imperializmit dhe revizionizmit. Mungon vullneti me pa të metat tona që sjellin këto dështime. Jo se mungojnë aftësitë për nji gja të tillë, janë gjana aq të thjeshta për t’u kuptue, por si do të pranojmë se fajtorë jemi vetë, ku dhe përse?
Pra, në vend që t’i shtrohemi analizës,  për çdo kritikë serioze e të mirëfilltë, përgjigja asht agresive, deri në cilësime “si motit”: anmik i Vendit

           Nuk më asht aspak e vështirë të kuptoj se jeta shoqnore në Përendim nuk asht fushë me lule. Si e ka thanë Çërçilli, me sarkazmën e tij emblemartike, “kapitalizmi asht sistemi ma i keq që njoh, me përjashtim të komunizmit, nazizmit e fashizmit”. Pra, asht e kuptueshme, tue qenë i tillë, nuk mund të shmangej dhuna as atje, sado e sofistikueme apo e kamuflueme të jetë. Por, gjithësesi, dhuna asht gjithmonë nën shënjestrën dhe mbikqyrjen e shoqnisë, që nuk lejon kapërcimin e kufijve të rrezikshëm për bashkësinë. Përkundrazi, tek na dhuna asht sistem dhe e mbështetun fort në dy kambë: Kamba e parë, ajo ma e fuqishmja, asht binomi pushtet-media dhe gjithë bota rreth tyne; kamba e dytë, shpresojmë përditë e ma pak e fuqishme, asht kultura e mangët qytetare e ndërthun kjo me mendësi arkaike të trashëgueme nga pushtimi i gjatë osman, por edhe të risjella kohët e fundit nga elementë e grupe që shpresojmë të mos gjejnë lehtësisht terren në Vendin tonë.  

             Ajo që më shqetëson asht se këto dukuni negative gjejnë strehë dhe jehonë në media. Nuk janë të pakta e as të parandësishme TV e gazeta që servirin dhunën si vyrtyt, e mbështesin ate me të gjitha format e mjetet.
             Tek ne lajmi asht i kushtëzuem nga interesi i këtij apo i atij elementi apo grupi. Norma se fakti asht i barabartë për të gjithë, kurse interpretimi individual, në mediat tona asht krejt i shpërfillun. Lajmi krijohet, stiset, me ose pa porosi, por në interes të dukshëm, e shpesh haptas kriminal, në të mirë të këtij apo atij e në dam të shoqnisë.
              Shikoni përzgjedhjen e të ftuemëve, gati gjithmonë të njetit. Ata janë në 95 % të rasteve njerëz të lidhun me diktaturën apo klasën kriminale të organizatave të ndryshme. Edhe ai 5 % që mund të ftohet “jashtë radhëve”, përbahet kryesisht nga tipa “babaxhanë”, pak të aftë, lehtësiht të manipolueshëm nga gazetarë të pamoral. Aq e vërtetë asht kjo, sa asht krijue përshtypja (absolutisht e gabueme), se njerëz të aftë mund të gjenden vetëm në lukuninë e ishdiktaturës.
Nuk ka pse të humbasim kohë e të flasim për randësinë e mediave, veçan në vende të porsadala nga diktatura. Por kur programi i tyne, djallzisht i studjuem, shtrihet jo vetëm në lamin e politikës së përditëshme, aq të mërzitëshme, por edhe në fusha të tilla si historia apo gjuhësia, atëherë nuk mund të themi se dhuna mediatike asht ma pak arrogante se dhuna politike, e mbulueme me sllogane “demokratike” dhe “europiane”, por me mendësi thjeshtë bolshevike.

Dhuna asht arma e të dobtëve, atyne që nuk janë në gjendje të kuptojnë çfarë do të thotë përkushtim, përvujtësi, atyne që nuk janë në gjendje t’i thërrasin intelektit, atyne që nuk janë në gjendje të kuptojnë se me mjete e rrugë paqësore mund të arrihen rezultate të paimagjinueshme krahasue me ato që arrihen me ato të forcës së dhunëshme. Pushteti moral (shpirtnor) i individëve paqësor qendron mbi çdo lloj force të dhunëshme. Para Çabejt të përvuejtë edhe “komisarët” ma arrogantë e agresivë ndjeheshin të çarmatosun. Nëse edhe shkelqimi i Çabejt nuk ia mbush mendjen ndokujt, atëherë le të kujtojmë Jezusin e Sokratin, që edhe me flijimin e jetës, prej ma se 2000 vjetësh vazhdojnë të fitojnë ndaj dhunës.
Gandhi, i madhi, asht figura moderne ma përfaqësuese e antidhunës. Madhështinë e tij nuk mund ta vejë askush në dyshim. Mirëpo, kur aty-këtu, në Europë e përtej, filluen ta cilësonin Rugovën “Gandhi i Ballkanit”, disa shtrembënuan buzët e nuk ngurruen të hidhnin edhe baltë mbi të, po nuk kaloi shumë kohë e, për kë ka mend në krye e sy në ballë, nuk asht e vështirë të kuptohet se balta që hodhën mbi Rugovën asht kthye dyfish e ka ra mbi ata që u përpoqën me dëshprim të njollosnin pacifistin e madh.

Nuk jetojmë në kohë heroike e as biblike të shkojmë në kryq si Krishti, që sfidoi perandorinë ma të fuqishme të kohës në mbrojtje të së vërtetës pa ngritë as dorën të mbrohej nga dhuna e përbindëshme e Pilatit romak mbi të.
Por edhe përgjigja e dhunëshme, qoftë edhe vetëm verbale, nuk gjen asnjë justifikim dhe pjell sërishmi dhunë në seri, pra shkatrrim të pashmangshëm, pikërisht kur kemi aq shumë nevojë të ndërtojmë, ma parë se ura mbi lumej, ura mirëkuptimi në mes nesh, ose të paktën të mos përdorim dhunën kundër njeni tjetrit me shpresën e rrejshme të fitimtarit.  
Sot propagandohet me të madhe se nuk asht koha e idealistëve dhe parimorëve, por e pragmatistëve. Nuk besoj se një pragmatist realizon nji jetë ma të suksesëshme se nji idealist me parime të moralshme.
Pikërisht në pseideologji të tilla pa kurrëfarë themeli siç asht pragmatrizmi, i çon njerëzit në veprime shpesh herë kriminale – pra sërishmi shfaqet në skenë dhuna. Këte teori e praktikë e kanë ba veçanarisht të tynen disa afaristë “të suksesëshëm”, që për realizimin e qellimit, nuk ndalen para asgjëje. Po të duem, marrim si shembull afaristin famëkeq të Gërdecit, po ai nuk asht i vetmi dhe ka shumë të ngjamë as “ma pragmatisti”. Delijorgji, nuk ka dyshim, ka pasë lidhje kriminale me segmente të politikës, si i thonë fjalës, këndej e andej detit. Por ka edhe nga ata që nuk kanë “lidhje”: Ata i kanë në dorë segmente të fuqishme të politikës e pothuej gjithë mediat.
Grindjet në mes politikanëve mediokër, që quhen debate politike, nuk kanë pikë vlere dhe vetëm sa çorjentojnë njerëzit e thjeshtë. Janë të tjerët, ata që ndoshta as duken në media e as bajnë debate, që vendosin. Vetëm iluzionistë mediokër mund të mendojnë se ky apo ai politikan, kjo apo ajo parti, mund të ndryshojë diçka. Sa kohë që politika e gjitha nuk do të ndryshojë me themel, sa kohë pra që politika e gjitha – pozitë e opozitë – nuk do të ikë nji herë e mirë nga kthetrat e mafies financiare, sa kohë që media do të jetë ma pak e lirë se të burgosdunit ordinerë, çdo ndryshim i pritshëm iluzionues, do të shndrrohet në zhgënjim. 

Ku qendron, simbas meje, mëkati themelor i mediave? Të thuesh apo të shkruejsh diçka të papëlqyeshme për shumicën, diçka në thelb të gabueme, nuk asht dhunë. Dhuna e vërtetë, e dënueshme, qëndron në programe a shkrime qellimsiht të dhunëshme, me fjalë të tjera, të damshme për kundërtshtarin pa asnjë bazë ligjore, etike e sidomos morale. Pse, si kam pasë rast ta them edhe herë tjetër, e drejta morale qëndron mbi çdo të drejtë, mbi të drejtën ndërkombtare, kushtetuese, penale, civile adminsitrative e kështu me radhë. Ja që, gazetari ynë, qellimisht shpërfill ma së pari të drejtën morale e kjo asht dhunë e pastër.

Shqiptarët shpesh herë ndjehen të poshtnuem nga arroganca e politikës, nga dhuna e medias, nga institucionet në përgjithëasi e të çdo lloji, por si për mrekulli – një mister i vërtetë – kurrë të mundun. Ata vazhdojnë përpjekjet e tyne nëpërmjet një udhe kalvar për triumfin e së vërtetës e të të drejtës. Po këto përpjekje duhet të zane fill me përpjekjet me shmangë dhunën në çdo qelizë të jetës shqiptare.
Na sot nuk mund ta kemi vështrimin drejt majave të Himalajave, përkundrazi, vështrimi ynë tash për tash rrokë vetëm majat e kodrave. Duhet të mësohemi të arrijmë së pari këto maja të ulta, mandej ta hedhim vështrimin drejt majës së Tomorrit, ku ka selinë Dodona, mandej të mësyjmë Sharrin e Korabin.

Ja, këto ishin pra ato mendime mozaik që më vinin në mend ndërsa isha i shtruem në një Klinikë të huej. Nëse lexuesi asht i nji mendje me mue dhe heshtë, qendrimi i tij do të ishte i fajshëm. Por edhe nëse nuk asht në nji mendje me mue dhe heshtë, përsëri qëndrimi i tij asht i fajshëm: le të thotë ku e kam gabim. Pse asht e drejta ime edhe të gaboj, por nuk asht e drejtë e askujt me heshtë, sakohë që punët shkojnë kështu si shkojnë.

Ajo që fajson median pa asnjë mundësi përligjjeje asht fakti se pothuaj kryekëput u përkshtohet thashethamave “të pallatit”, me fjalë të tjera, “zënkave” mediokre,  të shtiruna, të pamoralshme të politikanëve e në mes politikanëve.
Mediat injorojnë pothuej krejtësiht skamjen e nji pjese të konsiderueshme të popullsisë, sidomos asaj rurale, ndërsa nji pjesë tjetër fare e vogel pasunohet në mënyrë marramendëse, jashtë çdo logjike të ekonomisë së tregut lirë, pra, natyrisht, kriminale.
Sa herë kohët e fundit më kanë ardhë sërishmi në mend vargjet e Çajupit:

  Ca kanë sa s’dinë ç’kanë,
  Ca s’kanë as të hanë.

Media asht shpërfillëse ndaj rritjes së frikëshme të papunësisë dhe mjaftohet me shifrat në përqindje e të rrejshme të Institutit të Statistikës, ashtu siedhe për tregues të tjerë. Të vjen ndër mend se si 25 vjet ma parë merrnim “çmime ndërkombëtare” për mirëushqimin e popullit (nga ndonjë grup marksist-leninist) kur ishim në kulmin e një vorfnie rraskapitëse.
Media anashkalon, ose e përmendë në kronikat e zeza e simbas një skenari të përgjithshëm me interes politik, shëndetësinë. Shërbimi parësor shëndetësor as që egziston. Kualifikimi i personelit mjeksor asht në një shkallë tejet të ultë. Strukturat private mjeksore, nji lloj rrjeti mafioz i legalizuem nga shteti, grumbullojnë vetëm pasuni për pronarët e tyne të paskrupull, as mjekë, jo ma njerëz. Pa pasë frikë se gaboj, e them me dhimbje se mjeksia asht kthye në nji organizatë të stërmadhe kriminale, krejt e kundërta e asaj që duhej të ishte. (U kërkoj ndjesë atyne mjekëve të paktë që ruejnë ende etikë e deontologji professionale e njerëzore, askush nuk e ka me ta). Po media nuk ka kohë të merret me te, sepse i duhet të përgatisë kronikat për lyemjen e tabelave të basketbollit në një kopësht fëmijsh në Tiranë. (Në mos ua dërgojnë të parapërgatituna në videokasetë edhe këto).
Them media heshtë, sepse asgja tjetër nuk e ka forcën denoncuese të saj, jo se nuk ka përgjegjësi shteti, ai, dihet, asht ma së pari përgjegjës (me gjithë dyshimin nëse egziston shteti i mirëfilltë tek na apo jo).

Krenaria kombëtare qendron në ruejtjen e gjuhës, të traditave ma të mira, tek mendjet e ndrituna, jo tek ata që triumfuen mbi të tjerët me gjak. Në historinë tonë, qoftë ate të shkrueme e si të thuesh zyrtare, por edhe në trashigiminë gojore (folklor) himnizohen sot e kësaj dite figura që në rrethana të caktueme historike kanë qenë të detyrueme të përdorin edhe dhunën tue përdorë pikërisht himnizimin e mjetit (pra dhunës) e jo qellimin (fisnik, kur ka qenë fjala për mbrojtjen e lirisë apo të lirive).
Nji figurë e tillë e diskutueshme, që erdh me gjak në pushtet (aty edhe tue përdorë bjellogardistët e Wrangelit), nuk ka si të përligjet, në mos tjetër, për vrasjet pa tager të figurave brilante si Avni Rrustemi, Hasan Prishtinën e Luigj Gurakuqin. Mirëpo, nji shpurë e tanë historianësh e politikanësh, ose e anashkalojnë këte dhunë, ose, çka asht ma keq, e përligjin.
E solla këtë shembull jo për një pozicionim personal historik, aq ma pak për të rikorigjue historinë – le ta bajnë këte historianët që trajtojnë drejtërdrejt këte periudhë, por për të kujtue se një figurë e dhunëshme se Ahmet Zogu, mendoj unë, asht tepër larg asaj që po na riparaqitet. Pra, nuk mund të bahemi përsëri “bard” të dhunës, si ishin poetët “revolucionar” që “hosanonin” diktaturën.

Pa dashtë me prekë nji plagë të randë që do të dojë kohë të shërohet, siç asht martirizimi i Kosovës veçanarisht në periudhen e fundit Milosheviçiane e deri në ndërhymjen e NATO-s, himnizimi e deri idhullizimi i disa viktimave të barbarisë serbe as shpjegon drejt atë periudhë historike, as u rritë nderet e meritueme qoftë herojve, ashtu edhe viktimave të barbarisë sllave. Asht krijue nji hendek i pavend në mes të ramëve që në atë periudhë ishin afër pushtetarëve të sotëm dhe mija e mija të ramëve të tjerë në vite e në dhjetvjeçarë, që pothuej janë degdisë në anonimë.
Një mistifikim i tillë nuk bahet për nder të të ramëve, por për përfitime politike të pushtetarëve të sotëm në Kosovë.
  Edhe përpjekja me ballafaque e deri kundërvu negativisht martirizimin e atyne që ranë me armë në dorë me figurën madhore të Rugovës, që u flijue mija herë shpirtnisht, ka qenë një përpjekje rrënimtare në themelet e ngrihinës së re të Kosovës, për nji shtet vërtetë të lirë, shtet i së drejtës, me përpjekje të të gjithëve së bashku për ta realizue nji gja të tillë.. Nuk më duket se gabohet Albin Kurti kur shpreh shqetësimin se Kosova nuk asht ende plotësisht e lirë. Joqë, edhe nji liri pa drejtësi do të kishte shumë pak vlerë. Qofsha i gabuem, por më duket se ngrehina e drejtësisë në Kosovë (jo thjeshtë institucioni jurudik) asht prej qerpiçi, jo shkamb i gdhendun si janë kullat tona të bukura.
Kjo vjen, si e thash, edhe nga personalizimi i historisë me qellim sundimi e përfitimesh të gjithëfarëllojshme, deri në babëzi.

Ankonë, Klinika “Villa Isea”
Tetor, 2009

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen