Tirana do të festojë nesër Pavarësinë e Kosovës

Histori & Fakte | admin | 16.02.13 | 22:45

Bashkia e Tiranës do të organizojë ditën e nesërme, duke nisur nga ora 11.00 deri në orën 20.00 aktivitete kulturore përgjatë rrugës “Murat Toptani”. Këngëtarët më të mirë, grupet më të suksesshme do të performojnë nesër, në 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Të gjithë qytetarët e Tiranës që duan të festojnë nesër Pavarësinë e Kosovës do të kenë mundësi të shijojnë muzikën më të mirë të vendit dhe të huaj. Drejtori i Drejtorisë së Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Tiranës, z. Arben Skënderi ka bërë të ditur sot axhendën e aktiviteteve dhe artistët pjesëmarrës,si njofton Gazeta 55.

“Pesë vjet më parë kombi shqiptar festonte Pavarësinë e Kosovës dhe ja, pesë vjet më pas, kjo datë e shënuar po afron. Nesër, data 17 është festa e të gjithë shqiptarëve e jo vetëm e Kosovës. Bashkia e Tiranës ka vendosur ta festojë dhe këtu, në një formë shumë të hareshme, shumë të gëzueshme. Festojmë të gjithë qytetarët, gjithë artëdashësit, me këngëtarët që siç e shikoni jemi sëbashku këtu! Gjatë gjithë ditës, që nga ora 11.00, tek rruga pedonale e deri në orët e para të mbrëmjes do të ketë aktivitete nga më të ndryshmet, një koncert madhështor me Juliana Pashën, Vedat Ademin, Valon Shehun, Marselën, me grupin NA dhe shumë të tjerë. Do të jetë cirku i Tiranës që do na dhurojë një spektakël të magjishëm e do të kemi shumë surpriza të tjera për qytetarët e Tiranës, në mënyrë që kjo festë të ndihet në mbarë trojet shqiptare. Sigurisht që festa nesër do të jetë e përqendruar në Kosovë. Bashkia e Tiranës, Tirana, kryeqyteti ynë që e ka mbështetur dhe gjithë ky komunitet këtu duhet që patjetër të vijë të festojë me ne! Nesër është një ditë e shënuar, ndaj kjo ditë duhet mbajtur mend dhe ne duhet të mblidhemi të gjithë, për ta festuar sa më hareshëm” – u shpreh z. Skënderi.

Përfaqësues të grupit NA kanë falënderuar Bashkinë e Tiranës, e cila u dha mundësi që nesër të festojnë me qytetarët e Tiranës këtë ditë të madhe për kombin shqiptar.

“Edhe ne si artistë jemi të kënaqur. Të festojmë së bashku këtë ditë! Është një event i rëndësishëm si për shqiptarët e Kosovës por gjithashtu edhe për shqiptarët e Shqipërisë, është një çështje që e kemi ndjekur të gjithë me shumë zemër. Ne do të japim kontributin tonë, në mënyrën më të natyrshme që na vjen e që është muzika“

“Ne jemi shqiptarë të Kosovës e nuk mund të jemi në Kosovë për ta festuar nesër, kështu që e falënderoj shumë Bashkinë, për organizimin e këtij eventi nesër, për të festuar Pavarësinë e Kosovës“.

Bashkia e Tiranës fton të gjithë qytetarët të festojmë së bashku nesër, 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen