Fishta-Vetëdija e kombit shqiptar

Arkivi | Zef Prenka | 13.12.10 | 21:00

 Në 50-vjetorin e vdekjes së Poetit –
 “ … fatzeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty”.
                     Gjergj Fishta ne vdekje te Avni Rrustemit.
Përjetim

Ishte dhejtori i vitit 1990, dhjetori i shpresave, i frikës, i kërcënimeve, i vorfnisë së skajshme; ishte ai muej kur shqiptarët shikonin një rreze shprese, por edhe dhambët kërcënues të diktaturës, që kishte gjithë mjetet e dhunës ende në duert e saj.
Binte 50-vjetori i vdekjes së At Gjergj Fishtës, të mohuemit, të përbaltuemit, mëkatarit e deri tradhëtarit. Ishin rritë tre breza pa e njohë vepren e tij, e të bindun se ishte fjala për një tradhëtar të madh, për një anmik të kombit e sa nofka të tjera njollosëse.
Po ishte 50-vjetori i vdekjes së tij dhe mendova se kishte ardhë koha që populli ynë të mësonte të vërtetën.
Iu drejtova disa shkrimtarëve, poetëve, kritikëve, mësuesëve të letërsisë që të organizonim një Konferencë në këtë përvjetor të shënuem.
Përgjigje ishte e njëjtë: “Më vjen keq, nuk e njoh, nuk kam lexue asgja prej tij”.
Që një pjesë nuk kishte lexue asgja prej tij, duhej besue, pse me lexue një vepër të Fishtës mund të të kushtonte dhjetë vjet burg. Të tjerët nuk ishin çlirue ende nga frika që diktatura i kishte futë në palc popullit shqiptar.
Po unë isha i vendosun ta mbaja atë Konferencë. U gjet vetëm një njeri i gatshëm të bashkpunonte. Ai nuk ishte njeri i artit. Ishte shofer. Por nuk e kishte fshehë kurrë se ishte adhurues i Fishtës. Për ma tepër dinte përmendësh gjithë Lahutën e Malsisë, ashtu dhe pjesën ma të madhe të poezive të tjera.
E ndamë mandjen ta mbanim atë konferencë vetëm na të dy, unë do të përgatisja referatin, shoferi Lekë Celaj do të bante ilustrimin me recitime nga vepra e Fishtës.
Ma në fund dita erdhi. Të paktën na vunë në dispozicion sallën e vogël të Pallatit të Kulturës Lezhë me rreth 120 vende.
Në orën 16 të datës 30 Dhjetor 1990 fillova leximin e referatit. I hodha një sy sallës. Ishte plot. Kryesisht të moshuem. Në mes të të pranishmëve ishin edhe dy komunistë, të moshuem edhe ata; ndoshta diçka kishin lexue prej Fishtës kur kishin qenë në shkollë në vitet ’30 – ’40.
Ndërsa lexoja refertin, kuptova se zani më dridhej, pse ishte hera e parë që flitej për Fishtën publikisht, po shpejt e mora veten.
Nuk pëpëtinte asgja. Do të dëgjohej edhe fluturimi i një mize, po ishte dhjetor i acartë e miza nuk kishte.
Tek i afrohesha fundit të referatit, hidhnja shikimin ma shpesh në sallë. Nuk po kuptoja ç’ishte ajo heshtje gati e ankthëshme: po e pëlqenin, apo po më urrenin nga që po thoja, krejtësisht të kundërten e asaj që kishte thanë “Partia” për 46 vjet me radhë? Aq ma tepër që në analizën time ndalesha ma shumë tek Fishta Atdhetar, pikërisht pika ku e kishin sulmue për një gjysëm shekulli.
Mbas rreth 40 minutash lexova edhe rreshtin e fundit.
Përsëri heshtje. M’u duk se heshtja zgjati një shekull. Mandaj papritë shpërthyen duertrokitjet, të përmbajtuna, por të forta, të pandërpreme, gjithnjë e ma të forta. Tashti pjesëmarrësit, të gjithë në kambë, nuk dinin të ndaleshin. Pash burra me sy të përlotun.
Shumë prej tyne u ndalen e më dhanë dorën e më falnderuen. U ndalen edhe dy komunistët. Njeni prej tyne me tha i emoconuem: “Na zgjate jetën dhjetë vjet”.
Kanë kalue plot 20 vjet prej atëherë, po shumëkush mundohet sot e kësaj dite, në mos me vazhdue me hedhë baltë mbi te, të pakten me e lanë në harresë, prandaj edhe mendova se pak e gja ka ndryshue, e pikërisht për këte po ju paraqes fjalen që mbajta atë ditë.

Fjala e mbajtun në Pallatin e Kulturës Lezhë
me datë 30.12.1990, ora 16,°°.

Këtu e 46 vjet ma parë re të zeza, ngarkue me llohë stepash ruse e zgjyre serbe, u shfaqen në qiellin e letrave shqipe, si në gjithë jetën shqiptare, e zunë yjet ma të ndritun; ndër ta yllin e kalvarit të mundimeve shekullore, At Gjergj Fishtën. Por ai:
Ndërtue kishte ‘i pomenodre,
rr’fe as mot mos m’e dërmue.
Nuk mund të shkatrrohej vepra e tij gdhenë me daltë hutash e martinash drejtpërdrejt mbi shkambijtë alpinë; nuk mund të shuhej ai vullkan, shpërthye ma shumë prej zemres se sa prej mendjes së Poetit erudit. Kujtuen përbindshat xhuxhë se vullkanin do të mund ta shuenin përgjithmonë tue hedhë baltë mbi te, po më kot: ai shfaqej e rishfaqej me një shkelqim lëbyrës në qiellin shqiptar të letrave.
Dhe ja, yjet e rralluem po zanë përsëri vend në Panteon. Njeni prej tyne na grishë sot t’i përkujtojmë 50-vjetorin e vdekjes.
Lezha, që pesë shekuj ma parë do të merrte në gji përjetësisht Gjergjin e Madh të Historisë, katër shekuj ma vonë do t’i jepte kombit në një fshat të vogël të Zadrimës, Gjergjin e dytë, apostullin e lirisë. Fishta, ky fshat shpeshherë i pashënuem në harta, asht sot në gojën, mendjen e zemrat e shqiptarëve kudo që janë në trojet e tyne sidhe kudo që gjendet “gjaku ynë i shprishur”.
Ishte fund i asaj nate të gjatë osmane, “natë tri herë minore”, që kishte rrënue qytete e fshatra, kështjella e kisha, kur lindi Ai me 31 tetor 1871. Atdheu kishte në trup nandë varrë, Atdheu ynë i brishtë ishte tretë në dhimbjen e vet. Bijtë e tij të ligun, por të paepun, sa kishin fillue me thurë andërrat e para për një Shqipni “zonjë më vete”. Ndërkohë, çapojtë gllabrues të sllavëve të jugut e ata të helenëve kishin shkëputë mish e gjak nga Atdheu ynë brijëdalë e lakmia e tyne ishte me të vërtetë rrënqethëse.
Që ky komb i lashtë i Mesdheut të bahej shtet e të mund t’i dilte zot vetes, nuk mjaftonin martinat e topat e kohës mbarë; duhesh dituni, pa të cilen asnjë komb nuk mundi t’u bajë ballë rrebesheve të historisë. Asht kjo arësyeja që pushtuesit kudo në botë, ma parë se kështjelalt, rrafshojnë shkollat, themelin e ndërgjegjes kombëtare e liridashëse.
Ndër ata që për shtatë shekuj me radhë nuk u tërhoqen kurrë e nuk rreshtën një çast përpjekjet për liri, qenë françeskanët, të cilët, kur Ai ishte 9 vjeç, çelën në Troshan një shkollë e ndër nxanësit e parë qé edhe Zefi i vogël, i biri i Ndokë Simonit.
Treva në mes Lezhës e Shkodrës, Zadrima e sotme, e quejtun para pushtimit sllav Sapë, kishte njohë ndër shekuj zhvillime të mbara. Në aq pak hapsinë kishin lulëzue qytezat e Dejës, Krythës, Blinishtit e Sapës prej nga kishte marrë emnin gjithë krahina. Ajo kishte nxjerrë bijë të shquem si Gjon Gàzulli, Frang Bardhi e Pjetër Zarishi, por turku ndërkohë kishte rrënue gjithçka lidhej me dituninë e gjuhën shqipe.
Kur Fishta erdhi në Troshan (se dy vitet e para i pat krye në Kolegjin Françeskan në Shkodër), pat për mësues Leonardo de Martino-n, italo-arbneshin e shquem, poet ndër ma të mirët e kohës.
Më 1886, Zefin 15-vjeçar e nisën për në Bosnje që të vazhdonte ma tej studimet. Mbas një viti, simbas rregullave françeskane, ndërroi emnin nga Zef në Gjergj. Ishte një përkim fatlum të merrte emnin e Kastriotit të Madh, emën që e mbajti me nder sa qé gjallë.
Ndërkohë qiri i Frashërllijëve ishte ba pishtar. Prizreni shpërndante anë e kand Shqipnisë flakë lirie e atdhetarie. Shkodra e vjetër, dikur portë e Ballkanit, po zgjohej nga letargjia e hashashit osman. Malet po shkundnin supet e pluhnosuna nga zgjedha disashekullore.
Zadrimori i ri, atje në dhé të huej, mes murene të Kuvendeve të Guçjagorës e Livnos, mallin e tij vullkanik filloi ta shprehte në vargje, i ndikuem edhe nga poetët dalmatë Andrea Kaqçiç e Gega Martiç, edhe ata të përvëluem për liri.
Më 1893 Fishta i ri u kthye në Atdhe. Me 25 shkurt 1894 meshoi për herë të parë në Troshan, pikërisht aty ku kishte hedhë hapat e parë drejt një bote të trazueme e që quhej bota e shkronjave dhe ditunisë.
Më 1897-1898 shërbeu si kapelan në Lezhë, ku do të kthehej herë mbas here, sidomos për të gjetë prehje e për të shkrue disa prej kangëve ma të bukura të Lahutës, këtu, në mes zadrimorëve të tij e Lekëve të Malësisë, që rrethonin Lezhën. Ku tjetër mund të gjente prehje e frymëzim si në Lezhë ku ishin:
qielli i kaltër, toka e blerë,
njeti dimën, këtu pranverë …
Por nuk do të ishte gabim të shprehemi se e përpjeta drejt lavdisë e At Gjergj Fishtës nis pikërisht në Gomsiqe, ku pat rastin e fatin të njihej me Abatain e Mirditës, Imzot Prengë Doçi, atdhetar i flaktë, luftëtar i paepun, por edhe poet e burrë me kulturë të rrallë për kohën: kishte rrahë botën në mërgimin e tij të detyruem, prej Njufëlandit të SHBA, deri në Indi.
Në janar 1899, Imzot Doçi bahet nismëtar i themelimit të Shoqnisë “Bashkimi”, tue mbledhë rreth vetes anëtarë të shquem, si Dom Ndoc Nikajn e At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin e Dom Ndre mjeden. E nisun si shoqni kulturore, ajo luejti rol të dorës së parë jo vetëm me botimin e fjalorit të quejtun “i Bashkimit”, e të 34 librave të tjerë, por sidomos në krijimin e një votre atdhetarësh të shquem, që banë historinë, ashtu si i njohim sot, pa zhigatjet komuniste.
Në nandor 1902 At Fishta emnohet drejtor i Shkollës Françeskane në Shkodër, shkollë laike, por që quhej kështu vetëm pse administrohej nga françeskanët. Ai ishte i pari drejtor shqiptar qysh prej themelimit të shkollës më 1861. Asht ky një çast në jetën i Fishtës që nuk mund të kalohet lehtë, pse:
Kur në shkollë zbutun shqiptari,
N’mni t’ket marrun ai gjakun dhe dhunën
E me dije të ket kapun ai punën,
Shqipnisë fati do t’i çilet taman.
Fishta ishte klerik, por, sa e sa herë, kur fjala ishte për fatet e Atdheut a çashtje të shejta të kombit, tregoi se ç’ peshë të randë zinte shqiptaria tek ai. Deri në atë kohë në shkollë mësimet baheshin italisht. Fishta, menjëherë, vuni gjuhë mësimi shqipen. Ishte një vendim që nuk pëlqehej nga adminsitrata osmane, as nga Arqipeshkvia, as nga austriakët, që e financonin; ishte një vendim që nuk miratohej as nga qytetarët shkodranë, që nuk kishin mjaft besim te shqipja si gjuhë ditunie. Por Ai ishte i vendosun të mos zmbrapsej para asgjaje, pse, si thonë bashkëkohësit, kur luftonte për një çashtje të shejtë, nuk dinte kurrë të tërhiqej dhe pak kush i bante ballë.
Tashma në qytetin e lashtë të kontrasteve të thella, nga dita në ditë konturohej figura shumëplanëshe e fratit 30-vjeçar. Qysh në penelatat e para u duk qartë se veprat e tij nuk do të ishin përvijime të lëmueta e aq ma pak laramanime orientale, por gjithçka do të ishte e ashpër, diçka rembrandiane. Gëteja dhe Manxoni, Shën Françesku dhe Da Vinçi, e kishin po fisniknue fytyrën e fratit të ri, por landa mbet ajo që ishte: shkamb i gjallë hedhë prej vullkanit të shpirtit shqiptar.
Lëvizja shqiptare për çlirim nga zgjedha turke pat karakteristikat e saja krejt të dallueshme prej lëvizjeve pararendëse ballkanike, pse krejt e veçantë ishte dhe historia e popullit tonë. Kombi ynë, ma i lashti në Ballkan, ishte një mozaik i çuditshëm, pothuej jashtë kohe. Përplasjet me sllavët dhe osmanët kishin lanë gjurmë të thella dhe tre besime të ndryshme fetare. Organizimi fisnor me bajraqe, me një bashkim fare të shkurtë 25-vjeçar në kohën e Kastriotit, ndryshimet e thella nga një trevë në tjetrën, e sa diversitete të tjera të papërsëritëshme në kombet europiane, banë që edhe lëvizja kombëtare të kishte karakter mozaiku, jo homogjen, pa një kolonë qendrore e në të njëjtën kohë lëvizja për çlirim duhej t’i bante llogaritë edhe me pushtuesit e ri sllavë, që përgatitëshin të zinin vendin e të sëmuetit të Bosforit.
Ishte një përplasje makabër në mes koufomës aziatike në të ikun, të hijenave përreth, dhe lehonës me shtatzaninë ma të gjatë në Ballkan, që shkumbëzonte në zemrën e Fishtës, aq sa një ditë, si llavë vullkani, shpërtheu në kangët e pamort të Lahutës së Malësisë. Ato kangë nuk linden në laboratorët e sofistikuem krijues poetësh klasikë, që numëronin rrokjet e sistemonin rimat; ashtu si në Eposin e lashtë të Veriut, kangët e Lahutës ishin jehonë malesh e betejash, pabesie e babëzitjeje, një kapërthim i egër ndjenjash, siç ishte e ashpër, deri në dhimbje, vetë historia e këtij populli. Lufta e tij: një çetë fatosash në male, një grusht trimash në grykë, një pritë skifterash në rranza, njeni në Kosovë, tjetri në Hot, këndej kundër turkut, andej përballë sllavit. Kush e kërkon Lahutën një poemë simbas rregullave klasike, nuk njeh historinë e popullit të cilit i këndoi.
Ka vërtetë një hark kohor në të cilin zhvillohen ngjarjet e Lahutës, që kap vitet 1858-1913, por tue mos qenë aspak një kronikë, si me dashakeqësi e ka quejtë ndokush, por përthyemje e ndjenjave që rrezatonin ngjarjet e kohës, ajo po, me plot të drejtë, asht quejtë Epope e Kombit. E kjo epope gjet jo mjeshtrin zanatçi, por bardin jeleshkumbëzuem, që e ndërtoi godinën e tij maje kreshtatsh alpine, me një gjuhë mrekullisht shqiptare, me një sintaksë pa asnjë ndikim të huej, me një figuracion e ngjyrime marrë drejtpërdrejt nga natyra shqiptare. Lahuta ka në themele shkambij ciklopikë, në dukje pak të pagdhenun, herë-herë arkaikë, por aq të harmonsihëm e të natyrëshem, sa të duket se nuk patën nevojë për daltë, por arkitekti e hartoi drejtpërdrejt në masivet e Alpeve, sa të papërsëritshme, aq edhe brilante.
Sa mjeranë, pak të thuesh, janë ata që guxojnë dhe e quejnë këte kryevepër “kronikë sterile”! Zot na ruej prej zilisë e vërbimit! Zilia e të padijtunit, në mos tjetër, falet. Zilia e të dijtunit e çon njeriun deri në krim. E krimet kundër Fishtës në këto ma sa 46 vjet nuk kanë të numruem. Po nuk asht me u çuditë: kjo kohë krijoi antinjeriun. Ajo u përpoq të shkatrronte çdo gja kombëtare, pse e kishte të qartë se pikërisht tradita, psikologjia kombëtare, vetëdija kombëtare, ishin pengesat ma të pakapërcyeshme për ideologjinë sllavo-komuniste. Ajo e akuzoi Fishtën si nacionalist e shovinist pse ishte kundër gllabrimit, kundër asimilimit e çdo gjaje ndjellakeqe sllave, çka i ka vërtetue historia e herëshme dhe e sotmja.
Nuk due të sjell këtu shembuj se si Fishta ua lavdron trimninë sllavëve, si ua çmon përpjekjet për liri, pse ato në Lahutë janë plot, por, nëse kanga e tij asht një britmë deri në dëshprim, sa herojëve që nisen në luftë u thotë:
S’kan shka bajn? Po a thue të desin?
T’desin pra, nuk kan shka presin!
Apo:
P’r ‘i grusht eshtna, pashi Zotin,
t’mos korisim Gjergj Kastriotin,
t’mos korisim na sot Hotin …
e ban këte, jo për mëni ndaj sllavëve, por, sepse, siç e ka thanë në një intervistë, po të rihumbëte lirinë Shqipnia, “kishin me plasë dhime sa janë bjeshkët tona”.
Si mund të quhet shovinist Poeti i një kombi 12 shekuj nën robni sllave e osmane pse lëshon anatemën ndaj pushtuesëve të ardhun prej stepave ruse e na e quejnë sot e kësaj dite Kosovën martire Serbi e vjetër?! ..
Atyne po, u thotë:
t’i mësojnë fëmijtë mbas sotit
mos t’lakmojnë tokës s’Kastriotit,
se u bjen shtrejt, qe besa e Zotit!
Fishta nuk ngurron t’i lëshojë namen as Europës në London, në Versajë, pse e la këte dhé të coptuem, prandaj:
Me gjithj këta, por larg nuk shkon
e me i vra ka rr’feja e Zotit
t’shtat mbledhë si janë n’London.
Gjuha e tij asht thellësisht popullore, pse ishte i vetëdijshëm se po shkruente një vepër që do të ishte universitet atdhetarie për malet tona ku mungonin edhe shkollat fillore.
Por që të gjykosh Lahutën, duhet të rijetosh historinë me dhimbje, siç e jetoi Poeti.
Në këto rrethana, aty nga viti 1904, zu e lëshoi akordet e para Lauta e tij ngjethëse.
Le t’ua lamë studiuesëve të letërsisë gjykimin sa shkencor e të paanshëm të Lahutës e të ndjekim Poetin në jetën e tij përherë në kreshtë të dallgëve.
Para shëndrrimit epokal, rilindasit tanë kishin kuptue se kusht i parë ishte BASHKIMI i kombit. Nuk ishte një zgjedhje e rastit emni i Shoqnisë “Bashkimi”, që bashkë me simotrat, do të çonte ma tej përpjekjet shumëvjeçare të rilindasve për një alfabet unik e që u kunorëzue me aktin historik të Manastitit më 1908 e ku Fishta qé Kryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuem. Alfabeti nuk ishte një çashtje teknike akademikësh, por një çashtje kombëtare që kërkonte BASHKIM e ngritje mbi çdo ndasì, mbi çdo grindje, mni, bile edhe mbi gjak. Qè Fishta vetë një shembull i shkëlqyeshëm i mbylljes së tragjedisë së gjakmarrjes, sa kur i vranë të vëllanë, Çupin, jo vetëm e fali vrasësin, por edhe lëshoi thirrjen:
Ndalnju, burra! Ku veni!
Pashi Zotin, lëshoni hutat,
se mjaft gjak asht derdhë! …
Anton Çeta në Kosovë me këto vargje do t’i ketë çelë kuvendet e pajtimit.
Në prag të ditës së madhe të 28 Nandorit Ai tashma naltohej si lis vigan me rrajë thellë në truellin arbnor e degë që piqeshin me bjeshkët. Penës së tij, veç kangëve të para të Lahutës, i përkisnin sa vepra të tjera, ato “Pika vese” që dridheshin mbi petale, “Anzat”, vepër satirike e pashoqe deri më sot në letërsinë shqipe, ato anza të lëshueme rrugëve të Shkodrës e të mbarë Shqipnisë, ku tue përqeshë me humorin e hollë shkodran, here tue thumbue keq e jo rrallë tue fishkullue pa mëshirë. Penës së tij i përkisnin veprat e para dramatike, origjinale, të përshtatuna a të përkthyeme, ndër të cilat “Shqiptari i qytetnuem”, vu në skenë prej Atij vetë më 1909, sidhe plot libra për shkollat.
Por edhe 28 Nandori la shumëçka mangut. Përgjysë andërrat, përgjysë shpresat, përgjysë vetë Atdheu sot e kësaj dite e që Ai e qau me “LOT GJAKU”.
Fati i vendit do të vazhdonte të ishte i trazuem edhe pothuej për një 10-vjeçar. Filloi me rrethimin malazez të Shkodrës, mandej me forcat e Fuqive të Mëdha, me një fare princi të huej në Durrës, me pushtimin austriak në Veri, me pushtimin italian e francez në Jug, që e kthyen Shqipninë në një katrahurë që mbante erë përzhitjeje mishi e gjaku shqiptar.
As në ato dit të vështira Fishta nuk u step. Qé në ballë të luftës për mbrojtjen e Shkodrës prej knjazit të Cetinës, botoi të parën revistë shprese mbrenda Atdheut që e quejti “Hylli i dritës”; bashkë me Gurakuqin, Mjedën, Logorecin themeluen “Komisinë letrare”, e në fund të Luftës së Madhe, po bashkë me Gurakuqin e Bumçin shkuen t’i dilnin zot Atdheut në Versajën hijerandë. Ai kapërceu edhe Atllantikun, deri në Amerikë, për të shpëtue ç’mund të shpëtohej nga e shumëvuejtuna Shqiptari.
Frati me zhgun nuk i la asgja mangut detyrës ndaj Atdheut, Nëse la mangut diku, i la pikërisht detyrës së tij si klerik. Por, do të thotë ndokush, si arrijti atëherë aq nalt edhe në hierarkinë ekleziastike? .. Asht rast i rrallë, ndoshta i vetëm, që pikërisht vepra letrare dhe atdhetaria e ngritën edhe në hierarkinë fetare, që për nevoja të Atdheut i ishte dashtë ta linte shpesh mënjëanë.
Sa shqiptar ishte Ai dhe sa klerik, e shprehin qartë vargjet e maposhtëme, ku, mbasi andërron me çelë një shkollë të naltë në Shkodër, thotë:
Por n’Shqipni pse nji meshtar
Posë se prift do t’jetë shqiptar,
Shqiptar, po pa dredha.
Unë rektor e profesorë
Sakristan e baçevan
T’gjithë shqiptarë i zgjodha.
Mbasi ndreqa këto punë t’mbara,
Jezuit’t t’i vuna para
Me kamzhik në dorë.
T’u dhaç det e t’u dhaç mal,
N’kolegj t’tyne nji spital
Bana për malsorë.
Këto vargje të shkëputuna nga poemthi satirik “Kur pata kenë ba Papë”, që kalon deri në realizëm të ashpër, nuk i lanë shteg asnjë studiusi për hamendësime: Fishta desht një kler krejt shqiptar, thellësisht shqiptar, të dalun nga shkolla shqiptare e në shërbim të Kombit, ashtu si edhe të Fesë. Ky poemth me një filozofi të thellë mbrapa humorit, do të mjaftonte me hedhë poshtë çdo akuzë mjerane që iu ba ndër vite.
Por le t’i kthehemi rishtas rrjedhës së ngjarjeve.
Kur lufta mbaroi dhe paqa mirë a keq u vendos, punët sërishmi nuk shkuen dhe aq mbarë. Mehmurët që kishin heqë fesat dhe ishin veshë allafranga, mendonin si të banin zap popullin e jo si ta udhëhiqnin atë. Këta “batalla fytyrë-fudullë, batakçij e me nji lasker kulturë, sa me mzi me shkrue emnin e vet”, si i pikturon me mllef Fishta, e ndjenin veten ma shumë turq se shqiptarë, të gatshëm të bashkëpunonin me sllavin e me djallin, mjaft qe të përmbushnin nepset e tyne prej lubishë. Shumë kohë ma parë Poeti i kishte jetue këto mënxyra dhe kishte parandje zvarritjen e tyne të lyrosun, sa kishte humbë durimin tue iu drejtue Zotit:
O perendi, a ndjeve?
Tradhëtarët na lan pa Atdhe
e ti rrin e gjuen n’errfe
lisat n’per male kot.
Ishin kohë të tutbullta-turbullta, kur, si thotë Poeti, “tash qi u ba Shqipnia, duhen ba shiptarët”.
Me 6 qershor 1921, në zgjedhjet e para parlamentare në historinë e Shqipnisë, Shkodra e dërgon përfaqësues të vetin bashkë me miqtë e tij Gurakuqin e Mjedën dhe Parlamenti e zgjedh Nënkryetar të Kuvendit Kombëtar. Ky polemist i shkelqyeshëm në lamen e gazetarisë, me prodhimtari ma të madhe se çdo gazetar profesionist, do të shfaqej në Parlament një orator i pashoq, një atdhetar i flaktë në akuzën kundër Serbisë për masakrat mbi vëllaznit kosovarë; por edhe ekonomist, gjeolog, pedagog e agronom, jurist e diplomat “sa me pasë nder me e pasë çdo parlament i Europës”, siç shkruente një gazetar i huej që ndiqte punimet.
Por koha ishte e vështirë dhe e turbullt, pse çibanë si Esat Pashë Topani e mbas tij Zogu, të tjera plane të zeza sendertonin. Megjithate, lufta e tij në Parlament e në shtypin e kohës përkrah Nolit, Gurakuqit, Hasan Prishtinës, Vinjaut etj., asht një shembull i shkëlqyeshëm i demokratit.
Po në ato vite Ai jo vetëm hapi gjimnazin “Iliricum”, i të cilit ishte edhe drejtor, por edhe zhvilloi një polemikë të ashpër për nevojat e arsimit e të kulturës në përgjithësi, me vlera të mëdha edhe për ditët tona.
Në trazimet e vitit 1924 qé përkrah Nolit, Currit, Gurakuqit, dhe s’kishte si të ishte ndrysh. Atyne që fenë dhe klerikët i kanë gjykue vetëm si antikombëtar, mjaft t’u kujtojmë se ndër figurat madhore të atij viti demokratik qenë një pop, Noli, dhe një frat, Fishta.
Më 1925 detyrohet të mërgojë në Itali për të mos pasë fatin e Currit, mbytë në Shpellën e Dragobisë, e të Dom Gjon Gàzullit, varë në Shkodër, Mbas kthimit prej mërgimit, murgu poet, prozator, dramaturg, pedagog e gjuhëtar, arkeolog e muzeolog, gazetar e diplomat, piktor e arkitekt, u tërhoq nga jeta politike. Po prap Ai asht shembull i shkëlqyeshëm i intelektualit që e vijon luftën ku drejtpërdrejt e ku tërthoras, nëpërmjet shtypit. Sikur Fishta të na kishte lanë vetëm publiçistikën e tij plot vlera, përsëri do të kishte zanë vend nderi në Enciklopedinë Shqiptare, ashtu siç kishte zanë vend nderi në enciklopeditë e Europës për së gjalli jo vetëm si epik i madh, por edhe një ndër satirikët ma të shquem të kontinentit, me veprat madhore “Anzat e Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit”.
Polemikës së Fishtës i jep shpirt satira, me ndihmën e së cilës realizoi pikturën estetike të së keqes. Ai godet me forcë të gjitha llojet e devijimeve morale, sidomos ato të zyrtarëve ma të naltë. Këte luftë e ban me guxim, pa pyetë se me cilin binte në kontraditë. Prandaj edhe asht quejtë mbreti i polemikës shqiptare. Nuk trajtoi në to asnjëherë çashtje vetjake, pse si synimi i polemikës së tij të ashpër ishte lufta kundër pseodoatdhetarëve “me barkun kodër”.
“Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizmin e shtetit civil nji njeri malok, matrahul, qi me m’zi ndoshta ka krye dy a tri klasë fillore e qi djerset kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradicjoni shpijak e edukata familjare, qi shumëkend ndër ta e ban krejt të neveritshëm e ekcentrik. Ky babën gjaks, gjyshin katil, stvrgjyshin mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intriganta, batakçij, vagabonda, rrugaça, me njerëz hasëm të kulturës e të gjytetnisë, kah mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e nji kombi ende primitiv? Pse me sundue nji shtet nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçilleku, rrena, tradhëtija; duhet nder dhe urtì, burrnì: qe se shka duhet. Po, por pa dije, urtija, ndera, burrnija u nxejshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana t’Europës e mejhane paçaxhihane të Tiranvs, tuj luejtë “tavell” e “bigjoz” e tuj pi “mastikë”.
Legjenda e gjallë, tashma 60-vjeçar, merrte rrugën e Athinës, të Stambollit e të Bukureshtit, tue i lanë nder Atdheut me përfaqësimin e tij e njëherësh tue akuzua mbrapaskenat e Beogradit e të Athinës. Ndërkohë përfundonte kangët e Lahutës, të cilën e botoi të plotë në vitin 1937, sidhe plotësonte e përmirësonte “Mrizin e Zanave” me lirika nga ma brilantet në shqip.
Në Europë shtoheshin përditë bajonetat e paksoheshin lodrat e fëmijëve. Regjimi i Zogollit, një karikaturë monarkishë euro-aziatike, kishte ezaurue tanë energjinë e vet hanore, tue lanë vendin në agoni pikërisht në udhëkryqin fatal të mbarë njerëzimit.
Tashma Fishta, i lodhun nga vitet, shëndeti dhe andërrat e gjysmueme, vetëm sa harton ndonjë projekt ribotimesh, i vetëdijshëm se nejrëzimi ishte në prag të katastrofës.
Pushtimi fashist nuk mund të ishte tjetër veç se vdekja e tij shpirtnore. Dhe, si për ironi të fatit, një muej mbas pushtimit Italia i jep titullin “Akademik i Italisë”. Ishte një titull që do ta ksihte meritue me kohë, dhe që do t’i bante nder çdo shkrimtari bashkëkohor, por në rrethanat e kohën kur iu dha, ishte thjeshtë një mjet propogande fyese e mbi të cilën asht abuzue kaq shumë e me ligësi për 46 vjet me radhë. Ai nuk kishte nevojë për atë titull. Vlerësimin ma të naltë ia kishte dhanë Atdheu tue e quejtë për së gjalli Poet Kombëtar, ia kishin dhanë idhëtarët e tij kudo ku flitej shqip e jo vetëm ku flitej shqip: prej Joklit te Lamberzi etj.
Mbas një viti, tashma në mospërputhje edhe biologjike me ajrin e randë të barutit të luftës, me 30 dhjetor 1940, Fishtra u largue si meteor në qiellin që nxinte.

Nuk marr përsipër të baj vlerësimin e këtij vigani, as due të përsëris epitetet superlative të bashkëkohësve të vendit e të huej. Do të duheshin pena të shqueme për me ba analizën e veprës së tij madhore.
Jemi mbledhë në këte përkujtimore për t’i kërkue ndjesë për mohimin barbar 46 vjeçar. Dhe ai do të na falë, pse si askush tjetër do të kuptonte se edhe na ishim të mohuem e të përbuzun, të fyem në gjithçka kishim të shejtë.
Dhe ja ku e kemi përsëri në mes nesh, jo një përmendore e ftohtë mermeri, por të gjallë, pse vepra e tij vullkanike ka qenë, asht e do të jetë prush atdhetarie. E sa kohë do të ketë Shqipni e do të ketë shqiptarë, i gjallë do të jetë Ai, e gjallë vepra e Tij, dhe poaq e zjarrtë dashunia e popullit dhe e kombit të cilit i kushtoi jetën prej artisti të papërsëritshëm e të luftëtarit të paepun.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen