Shën Jeronimi prej Ilirie

Arkivi | admin | 14.12.10 | 18:28

Shen Jeronimi

 

Caravaggio „Shën Jeronimi“ (1605-1606)

 

Shën Jeronimi, bashkë me Shën Agostinin, konsiderohen si baballarët e Kishës Përendimore, apo Romane, fill mbas ndamjes së Kishës së Krishtenë në dy: ate të Lindjes (Bizantit), apo ortodokse, dhe ate të Përendimit, Romane, në kohën kur sundonte perandori Teodozio.
Përcaktimi i shejtit me prejardhje ilire si njeni prej dy baballarëve të Kishës Përendimore, apo katoloçizmit, nuk asht një konkluzion personal, por njëzashëm i përcaktuem si i tillë nga të gjithë historianët e katoliçizmit; ma i fundit vetë Papa Benedikti XVI në fjalën e tij gjatë Pritjes së Përgjithëshme të datë 14 Nandor 2007.
Figura e tij, – pa e teprue – e papërsëritëshme, ka tërheqë në shekuj e vazhdon të tërheqë sot e kësaj dite studiues të historisë, teologë e artistë, veçanarisht ata të arteve figurative. Janë me qinda veprat kushtue Shën Jeronimit, po në këte paraqitje të shkurtë do të përmendim në vijim vetëm disa, ndërkohë që do të përpiqem me dhanë përmbbledhtas jetën dhe veprat e tij, tue fillue me përkthimin e parë e të plotë të Biblës në Latinisht drejtpërdrejt nga gjuha origjinale, ajo ebraike.
Nga jeta e Shën Jeronimit dihet pothuej gjithçka, pse na e ka lanë ai vetë në autobiografi; për te do të flasim në vijim. Këtu do të ndalemi tek vendlindja e tij.
Shën Jeronimi thotë se ka le në Stridonë, diku në mes Dalmacisë së lashtë e Panonisë, që te dyja treva të banueme nga ilirët në lashtësi. Dalmacia e lashtë përfshinte trevat prej malësive Karnie, në Friulin e sotëm, Itali Verilindore, sidhe ato treva ku sot ndodhen Sllovenia, Kroacia, Bosnja-Hercegovina e deri në Panoni, Dardania e sotme – kjo e fundit kufinin ma verior kishte Danubin.
Me pushtimet teotonike e ma vonë ato sllave Stridona zhduket si vendbanim, ose të paktën si toponim. Sot nuk ka asnjë qytet apo fshat me një emën të tillë. Gjithësesi, historianë e arkelogë janë të mendimit se ajo duhej të gjindej diku jo larg Mitrovicës. Por mos saktësimi i përpiktë e vendndodhjes nuk ka randësi të veçantë: Dihet se trevat lindore të Detit Adriatik ishin krejtësisht të banueme prej ilirëve, aq sa, aty nga fundi i Luftës së parë Botënore, kroatët e shpallën vendin e tyne Republika e Ilirisë (sa kohë që vendimi i mallkuem në Versajë nuk kishte krijue ende Mbretninë artificiale të Jugosllavisë). Shkencëtari i madh Milan Shuflaj jo rastësisht i kushtoi jetën e tij (deri në flijim) studimit të historisë e gjuhës ilire. Ai ishte i vetëdijshëm se kroatet autoktonë (pa ardhacaktë sllavë), para sllavizimit, kishin qenë ilirë.
Si përfundim, mund të themi se në historinë e katoliçizmit (mbas përçamjes në ortodoksë e katolikë) katër figurat ma karizmatike janë Shën Jeronimi, Shën Agostini, Shën Françesku dhe Nanë Tereza. Dy prej tyne u përkasin trojeve tona iliro shqiptare.
Shën Jeronimi ka hy në Historinë e Krishtnimit si një njeri i jashtëzakonshëm në shumë drejtime. Gjatë gjithë jetës Ai asht grindë me të padijtut e me dijetarë, me shejtën e me mëkatarë; ka qenë një ndër figurat ma të adhurueme të kohës së tij, ashtu edhe një ndër ma të urryemit. Pavarësisht karakterit të tij të rrëmbyeshëm, mbetët gurthemel i kulturës së kohë së tij dhe Kisha e nderon si një nga themelusit e saj të vërtetë.
I lindun në vitin 347 në një familje në gjendje të mirë ekonomike, e dërgojnë në Romë për studime. E do të studjojë për gjithë jetën e jo vetëm në Romë, por edhe në vende të tjera të Europës e në Lindjen e Afërme.
Në rininë e parë Ai u josh deri në tepri mbas jetës mondane, si e pohon edhe vetë në një letër (Epistolari, 22,7), por shumë shpejt e pushtoi dëshira dhe interesi për besimin e krishten. Pagëzohet në moshë të pjekun, 19-vjeçar, në vitin 366, dhe menjëherë u orientue për nga jeta e përvujtë dhe, si u vendos në Aquileia, hyni në një grup kristianësh të zjarrtë, që ishin mbledhë rreth Ipeshkvit Valeriano. Në vitin 375, mbas një sëmundje të randë, Ai filloi studimin e Biblës me një pasion që e pushtoi të tanin. U nis për në Kostandinopul (Stambolli i sotëm) ku studioi me themel greqishten, që ta njihte Biblen në gjuhen nga ishte përkthye deri atëherë. Por edhe këte nuk e konsideroi të mjaftueshme, prandaj shkoi në Kalcidë, në Sirinë Jugtore, që të studjonte edhe ebraishten, prej nga ishte përkthye Bibla në greqisht. Meditimi i thellë, vetmia e asaj treve shkretinore, kontakti pothuej fiziologjik me Fjalën e Zotit, banë që të rritej ma tej ndjeshmënia e tij kristiane. Veçanarisht tashti ndjente peshën e jetës së çthurun të rinisë së parë dhe kuptoi kontrastin në mes jetës pagane dhe jetës së krishtenë: një kontrast që e bani të famshëm pikërisht për dramacitetin e kandvështrimit të tij të ri, që na e ka tregue ai vetë në komentarët e Biblës e në epistolar.
Ishte tashma 32 vjeç kur u shugurue meshtar.
Mbas pak, më 382, kthehet në Romë, pse Papa Damazo e kishte thirrë të shërbente si sekretar i tij. Papa e ngarkoi të rishikonte tekstin e versionit të Biblës që qarkullonte në atë kohë, e që nuk ishte përkthye prej origjinalit, po prej greqishtes. Do të ishte fillimi i një pune që do t’i linte emën në shekuj.
Gjatë qendrimit në Romë personaliteti i tij u shfaq ashtu si ishte: i vrullshëm e i ashpër, veçanarisht kundër prelatëve pak të dejë, që nuk i kurseu, tue ba jo pak anmiq, por edhe shumë miq.
Me vdekjen e Damazos (viti 384) shkon në Palestinë. Jeton në një manastir afër Betlemit, shkruen tekste historike, doktrinale, edukative dhe mban një korrispondencë të pandërpreme me miqtë në Romë, që për fat asht ruejtë e shfaq në te gjithë ashpërsinë e tij zemrimin për jeten pak të dejë të disa prelatëve. I atillë kishte lindë ai, ashtu shfaqej, pa iu dridhë dora kur shkruente ato letra të ashpra, qoftë edhe kundër perandorëve. Akuzon Vatikanin se ishte mbushë me njerëz hipokritë e dinakë, sidomos qysh kur Teodozio kishte shpallë krishtnimin fe Shtetnore, tue penalizue kështu kultet tjera. Vëreni: Ai ishte kundër përjashtimit të kulteve të tjera në jetën shoqnore! E kjo 1600 vjet ma parë!
Ndërkohë vazhdon punën me Biblën tue mbajtë fjalën që i kishte dhanë Papës Damazo I. Puna e tij, dora doras, u kthye në një ndërmarrje të patentueme deri atëherë. E ndjen se për t’iu afrue natyrshëm Fjalës së Zotit, duhej shkue drejt burimit. Kështu, për herë të parë, ai përkthen Biblen në latinsiht nga origjinali në ebraisht. Punon çdo faqe edhe tue i përshkue fizikisht vendngjarjet biblike në shoqni ebrejsh të dijtun. Rishikon nderkohë edhe Ungjijt tue i krahasue me dorëshkrime greke ma të vjetra nga ato që ishin përdorë deri atëherë sidhe Testamentin e Ri.
Përkthimet e plota e të saktësueme që ai u dha në dorë të krishtenëve do të përdorëshin ndër shekuj e sot e kësaj dite, ashtu si na e solli Ai, si asnjë tjetër para zemrakut Jeronim.
E i atillë mbeti deri në fund, i ashpër e zemrak, tue vazhdue polemikat doktrinale me vrullin e përhershëm, që ishte natyrë e tij, deri edhe me Shën Agostinin, që përkundrazi i përgjigjej me shumë dashuni. Difektet e tij mbeten proverbiale ndër shekuj, ashtu si mbeti e do të mbesë madhështia e veprës së tij. 
I kaloi vitet e fundit në trishtim nga vdekja e miqëve të tij të shumtë, pse ai, si kishte jo pak anmiq, kishte edhe ma shumë miq, e kudo në botën e atëherëshme; sidomos e goditi randë plaçkitja e Romës më 410 nga Alariku. Megjithate, edhe pse tashma i mplakun, ai vazhdoi të bajë komente, sot e kësaj dite shumë të vlefëshme, të Fjalës së Zotit, vazhdoi të mbronte fenë tue iu kundërvu me forcë herezive të ndryshme, deri sa u shue në afërsi të shpellës së Betlemit me 30 shtator  të vitit 420.
Përgatitja e naltë letrare dhe erudicioni i jashtëzakonshëm për kohën, i lejuen Atij të bante revizionimin e plotë të teksteve biblike të përkthyeme ma heret. Ishte një punë shumë e vlefëshme jo vetëm për  Kishën, por edhe për kulturen europiane në përgjithësi, që, qysh me ramjen e kultures helenike, gjente tek iliriku i madh një naltësi të papame deri atëherë prej vdekjes së Jezusit në fushen e doktrinës kristiane e të kulturës në përgjithësi.
Në bazë të teksteve origjinale në greqisht dhe ebraisht të varianteve të maparëshme, ai bani edhe rishikimin e katër Ungjijve në latinisht, ashtu edhe te Testamentit të Vjetër. Përkthimet e tij u banë tekste zyrtare të Kishës dhe me pak ndreqje janë punë e tij edhe botimet e tyne sot e kësaj dite.
Asht me vlerë të kujtohen kriteret që ai zbatoi gjatë punës për përkthim. Koncepti i tij se “« Unë, në fakt, jo vetëm pranoj, por edhe proklamoj lirisht se në përkthimin e teksteve greke, … nuk përkthej fjalën me fjalë, por kuptimin me kuptim” . (Epistulari 57, 5, perkth. R. Palla), asht ndër konceptet ma modrene në fushën e përkthimit sot e kësaj dite. Asht kjo dëshmi e kluturës së tij të gjanë e të thellë.
Një vlerë jashtë mase të madhe patën e kanë ende komentarët e tij, të cilët, simbas tij, duhet të paraqesin opinione të ndryshme, «në mënyrë që lexuesi, si të ketë lexue shpjegime të ndryshme e mbasi të ketë njohë pikëpamje të ndryshme, të gjykojë vetë cili asht ma i besueshmi dhe, si një ekspert i kembimit të valutave, te refuzojë monedhën fallso”. (Kundër Rufinum 1,16).
Iu kundërvue me forcë dhe energji heretikëve që kontestonin fenë dhe traditat. Shpjegoi randësinë e letersisë së krishtenë, që ishte ba një kulturë e vërtetë, e denjë të ballafaqohej me ate klasike: e realizoj këte sidomos nëpërmjet hartimit të 135 biografive të përsonave të shquem, tue fillue nga jeta e Shën Pjetrit, me analiza e shtjellime filozofike e teologjike nga ma befasueset për kohën, gjithësej 78 biografi të personazheve që kishin jetue para tij dhe 67 biografi të bashkëkohësve, tue ba edhe shpjegime shumë të randësishme mbi veprimtarinë e filozofinë e tyne. Ai gjithashtu përktheu në latinisht edhe shumë autorë grekë, hartoi epistolarin (letërkëmbimin), një kryevepër letrare e llojit, ku shfaqet ma së miri Jeronimi i dijtun, i përvujtun e udhëheqës shpirtnor, i tillë që do të mbeste shembull për shekuj me radhë, deri sa do të shfaqej mbas nandë shekujsh Shën Françesku, e mbas shtatë shekujsh të tjerë Nanë Tereza.
Çfarë mund të mësojmë na sot nga Shën Jeronimi? – pyet Papa Benedikti i XVI. Dhe përgjigjet: “Më duket se sidomos këte: të duem Fjalen e Zotit nëpërmjet Shkrimeve të Shejta”.
E shkrimet e shejta krishtnimi i ka prej tij tash 16 shekuj.
Ndër shekuj kanë qenë të shumta përkujtimet ndaj Shën Jeronimit; prej kuvendeve e manastireve, tek urdhna e Kisha e Katedrale.
Eshtnat e tij ruhen në një arkë të argjentë në Altarin Papnor në Shën Pjetër.
Veprat e përkthyeme
Shën Jeronimi ishte një studiues i shquem i latinisht e njëherësh ndër njohësit ma të mirë të greqishtes. U transferue përfundimisht në Betlem pikërsiht pse donte të njihte me rrajë ebraishten, që të përkthente Shkrimet e Shejta drejtpërdrejt nga origjinali.
Bibla
E njohun në gjuhen e kohës si Vulgata, ishte përkthimi i parë i plotë në latinsiht i Biblës, së cilës i kushtoi pjesën ma të madhe të jetës së tij të gjatë e me podhimtari letrare të jashtëzakonshme, plot 23 vjet punë. Vepër e tij janë gjithashtu Ungjijt e rishikuem fjalë për fjalë, tekste që ruhen sot e kësaj dite me ndryshime fare të vogla, ashtu sidhe Testamenti i Vjeter.
Një liber me vlerë të madhe për kohën ka qenë ai me titull “Rreth virgjënisë”, shkrue me 393, ku egzalton virgjëninë e Marisë dhe përvujtninë në jetë si virtut të çmueshëm njerëzor.
“Jetë të shqueme”, fillue më 392, kishte për synim të tregonte se si letersia e krishtene ishte në gjendje të ballafaqohej me veprat ma te mira klasike; në fakt ajo u ba pak e nga pak një enciklopedi e kohës, ku përmblidhen biografitë e 135 figurave të shqueme e trajtohen argomente nga ma të ndryshmet e ma pikantet.
Biografitë fillojnë me ate të Shën Pjetrit dhe mbyllen me autobiografinë e vetë Shën Jeronimit, ku përmenden, ndër të tjera, përkatësia e tij ilirike dhe vendlindja e tij, Stridona po ilirike.
Kisha e përkujton ate me 30 shtator, që njihet edhe si dita e Shën Jeronimit.
Për faktin që ai njihet ndoshta si përkthyesi ma i shquem i të të gjitha kohnave, Shën Jeronimi asht edhe Mbrojtësi i Përkthyesëve, e për lidhjet e tij me lashtësinë, konsiderohet edhe Mbrojtësi i Arkeologëve.
Autorë ndër ma të famshmit në botë u frymzuen nga Shën Jeronimi. Po përmendim vetëm autorët e veprat ma kryesore: 
Masaccio, Shën Jeronimi (1426), Piero della Francesca, Shën Jeronimi dhe dhuruesi (rreth 1440-1450) sidhe  Shën Jeronimi në pendim (1450), Jan van Eyck,  Shën Jeronimi në studio (1442), Filippo Lippi, Eshtnat e Shën Jeronimi (1452-1460), Antonello da Messina, Shën Jeronimi në studio (1474-1475), Pinturicchio,  Shën Jeronimi në shkretinë (rreth 1475-1480), Leonardo da Vinci, Shën Jeronimi në pendim (rreth 1480), Giovanni Bellini,  Shën Jeronimi e Contini Bonacossi (rreth 1480) dhe  Shën Jeronimi  tue lexue në shkretinë (rreth 1505), Albrecht Dürer, Shën Jeronimi në pyllë (1494) dhe Shën Jeronimi në studio, Sandro Botticelli, Krezmimi i Shën Jeronimit (rreth 1495), Vittore Carpaccio,  Shën Jeronimi dhe luani në kuvend (1502) dhe Funerali i Shën Jeronimit  (1502), Hieronymus Bosch, Shën Jeronimi në lutje (1505), Agostino Carracci, Krezmimi i Shën Jeronimit (1592), Caravaggio, Shën Jeronimi në meditim (1605-1606),  dhe  Shën Jeronimi në studio tue shkrue (1608)
Po i mbylli këto shënime të shkurta mbi Shën Jeronmimin me një thanje lapidare të biografit e teologut të shquem Arnaldo Fortini: “Ndaj këtij njeriu të patrajtueshëm kanë një borxh tejet të madh kultura dhe kristianët e të të gjitha kohnave.”

Bibliografia:
De Leo Pietro, Vita di San Girolamo, Rubbettino Editore, 2007 – 140 pagine
Girolamo (san), Gli uomini illustri, Città Nuova, 2000 – 216 pagine
Arns Paulo E., La tecnica del libro secondo san Girolamo, Biblioteca Francescana Edizioni, 2005 – 256 pagine
Girolamo (san), Lettere [vol_4] / Indici 117-157, Città Nuova, 1997 – 704 pagine
Girolamo (san), Le lettere [vol_3] / Lettere 80-116, Città Nuova, 1997 – 456 pagine
Girolamo (san), Le lettere [vol_2] / Lettere 53-79, Città Nuova, 1997 – 424 pagine
Girolamo (san), Le lettere [vol_1] / Lettere 1-52, Città Nuova, 1996 – 472 pagine

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen