Qasja e vetëdijes kritike si vlerë e shkrimit letrar

Analiza & Komente | Mikel Gojani | 21.02.13 | 19:59

Prend Buzhala: “Amëza e Rrëfimit”, botoi SHB “Rozafa” 2012 Prishtinë

Emri i Prend Buzhalës, ka arritur një afirmim të jashtëzakonshëm në Kosovë dhe jashtë kufijve kombëtare, si prozator, poet, publicist, kritik letrar, eseist etj. Këto ditë, ky shkrimtar dhe studiues mjaft i frytshëm dhe kualitativ, në letrat shqipe vjen me librin të titulluar, „Amëza e Rrëfimit“, shkrime kritiko-letrare/ proza e sotme shqipe.

Ameza-e-rrefimit

Libri i studiuesit të mirënjohur P. Buzhala, “Amëza e Rrëfimit”, botuar nga Shtëpia Botuese “Rozafa” në Prishtinë, është një libër me shkrime kritiko – letrare të shumë veprave letrare të prozës së sotme, nga autorë shumë të dëshmuar në letërsinë shqipe, ku për nivelin e tashëm të kritikës sonë, është një libër tepër interesant dhe i rëndësishëm. Interesant, sepse ngërthen dhe trajton edhe disa probleme novatore, nga këndvështrime e aspekte të reja, dhe i rëndësishëm, sepse nga këtu, rrjedhimisht e pasurojnë përvojën dhe dijen tonë për letërsinë. Ndonëse disa shkrime të prezantuara në këtë libër, lexuesit të cilët përcjellin rrjedhat e kritikës sonë i kanë të njohura, disa më herët autori i ka botuar në shtypin tonë letrar e shkencor, mirëpo me këtë rast, këto shkrime të kapërthyera në brendinë e këtij libri ofrojnë një pasqyrë të re, po ashtu, edhe më të qartë e më të plotë, për veçoritë kryesore, dalluese të këtij autori.

prend buzhala 1

Këto shkrime janë krijuar në raste të ndryshme brenda një periudhe të caktuar por, megjithëkëtë, në këtë mënyrë si janë dhënë këtu, përshkohen nga një interesim problemor-tematik në thelb të përbashkët: raporti ndërmjet historisë dhe letërsisë dhe ndërmjet strukturës letrare dhe historike, njëkohësisht. Edhe pse në të shpeshtën e rasteve një kërkesë formale që u shtrohet veprave, me ç’rast ngjeshja e interesimit tematik-problemor përfaqëson një vlerë të librit, aq më parë nëse ai, siç ndodh edhe në këtë libër, i plotëson kërkesat thelbësore, duke sjellë rezultate dhe vlera të reja. Në këtë aspekt të interesimit të vet kritik autori kësaj radhe në këtë libër për shqyrtim merr vetëm zhanrin e prozës, i cili sikur edhe tek gjinitë të tjera letrare, aparatura e tij kritike po dëshmohet në mënyrë shumë efikase. Edhe ky libër i autorit Buzhala është i konceptuar në disa kapituj, Libri i shkrimeve kritike i P.B, “Amëza e Rrëfimit”, edhe me vetë titullin, po në mënyrë të nënkuptueshme, edhe në brendinë e tij, shtron dhe thekson nevojën e një kontakti sa më besnik me veprën letrare.

Në këtë libër, autori Buzhala është marrë me autorë shumë të afirmuar, si me Ismail Kadarenë, Qexhep Qosjen, Vath Koreshin, Nasi Lerën, Fatos Kongolin, Visar Zhitin, Mehmet Kajtazin, Beqir Musliun, Ramiz Kelmendin, Adem Demaçin, Anton Nikë Berishën, Jusuf Buxhovin, Diana ulin, Daut demakun, Petrit Palushin, Elvira Dones, Tonin Cobanin, Reshat Sahitaj e shumë të tjerë, vlera tashmë të njohura në letërsinë tonë. Vlera e shkrimit kritik e autorit Buzhala hetohet edhe në këtë libër, duke sjellë të arritura interesante dhe të rëndësishme. Janë për t’u veçuar këtu për depërtime dhe hulumtime të thella e origjinale shkrimet që merren me studimin e veprave letrare të Vath Koreshi, casino online me të cilin edhe autori e fillon librin, duke u fokusuar në romanin “Rikuiem për një grua”, pastaj Mehmet Kajtazin, me veprën e tij “Santa Ana”, Beqir Musliun, Murat Isakun etj. Një kapitull të tërë autori Buzhala i kushton botës tregimtare të shkrimtarit tonë shumë duke u ndalur te libri me tregime “Njerëzit dhe kërmijtë”, të mirënjohur dhe shumë të frytshëm Ramiz Kelmendit, po ashtu edhe “Vija e vërragë”Ahmet Koshutani, apo librin me novela “Dy rrëfime”.

Sipas autorit Buzhala Tregimi artistik i R. K është i lidhur jo vetëm me fazat e zhvillimit të letërsisë shqipe bashkëkohore në Kosovës, por edhe me fatin dhe formimin e lexuesit të kësaj treve, me afirmimin e prozës shqipe në relacione jashtëkosovare, si dhe me ndikimin që mund të ushtrojë kjo prozë te tregimtarët tjerë shqiptarë”, shprehet Buzhala. Prend Buzhala, siç e potencuam edhe më lart, e zotëron mjaft mirë objektin e shkrimit të tij. Kjo do të thotë se ai nuk ulet të shkruajë para se ta studiojë mirë lëndën, para se ta ketë njohur mirë me vete, por edhe në kontekst të letërsisë në përgjithësi. Ai veprën konkrete të autorit konkret nuk e shikon asnjëherë të shkëputur nga tërësia e krijimtarisë së tij dhe nga konteksti letrar. Njohja e mirë e objektit konkret dhe e tërësisë ka bërë që ky autor me mjaft sukses t“i hetojë veçoritë kryesore që përbëjnë një vepër apo individualitet krijues dhe në këtë mënyrë, nganjëherë edhe shprehimisht, t“ua caktojë vendin në historinë e letërsisë. Kështu ndodh kur merret me autorë si Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Diana Çuli, Ndue Deda, Daut Demaku e të tjerë, deri te prozatorë të brezit më të ri, si Herolinda Zenuni, Vilson Culaj, Ardian Jasiqi etj. Vlerësimi i Buzhalës me shkrirjen elementit shkencor dhe letrar, të lë përshtypjen e ligjërimit të pjesës mjaft të veçantë të kritikës sonë letrare. Në pikëpamje të ligjërimit, kritika e Buzhalës ka pika takimi me ligjërimin e veprave të Ismail Kadaresë, apo të prozës së Rexhep Qosjes, por edhe të Fatos Kongolit dhe Anton Nikë Berishës.

Qasja në mënyrë mjaft shkathtësore bashkë me fjalorin e pasur, i përdorur përgjithësisht me veçanti, shprehjet e sakta, por edhe me ngjyrime të dukshme emocionale, nganjëherë edhe figurative, e bëjnë këtë ligjërim sa komunikativ, aq edhe shprehës. Duke e parë se kërkesa e parashtruar e studimit është e tillë që domosdo e zgjeron këndvështrimin dhe se problemi i motiveve dhe motivacionit të personazheve, tekefundit si dhe çdo problem i rëndësishëm letrar, nuk mund te veçohet rigorizisht për t“u shikuar si i pavarur, i palidhur dhe i pakushtëzuar me problemet tjera, autori merret edhe me shqyrtime analitike e përgjithësuese të prozës së letërsisë shqiptare. Fakti që autori ka arritur t“i hetojë e t“i analizojë disa prej motiveve kryesore që nxisin të veprojnë personazhet e këtij lloj romani flet sa për qëndrimet dhe synimet e tij të qarta teorike-metodologjike aq edhe për aftësinë e tij të konsiderueshme sintetizuese. Marrë në tërësi, çështjet e shtruara në këtë rrafsh, na mundësojnë që ta përfundojmë me konkludimin, se edhe pse llojit të recensionit dhe të niveleve të ndryshme të vlerës, këto shkrime dëshmojnë për një individualitet kritik të formuar, me vetëdije dhe përgjegjësi shumë profesionale dhe më angazhim të sinqertë kritik letrar. Në këtë mënyrë argumentohet konstatimi, se niveli i shkrimit letrar përgjithësisht, prandaj edhe i atij kritik, nuk peshohet me llojin, por me vlerën e sendërtimit dhe të funksionit të tij. Këtyre kritereve i është mbështetur në të gjitha këto vlerësime të prozave që ka marrë në shqyrtim, kritiku i frytshëm, P.B. Mbi të gjithë rëndësia dhe vlera e këtij studimi qëndrojnë në faktin që autori Buzhala e zgjeron dhe e pasuron mendimin tonë letrar, përgjithësisht nga aspekti i llojeve dhe këndvështrimeve, e sidomos nga aspekti i rezultateve që sjell.

Dhe, krejt në fund lirisht mund të konstatojmë se që të dy librat e fundit, “Dëshmia për plagën e ftohtë” dhe “Amëza e Rrëfimit”, të shkrimtarit dhe studiuesit shumë të thellësishëm, Prend Buzhala, janë libra me mjaft vlerë, të cilat do ta begatojnë fondin e librave të këtij zhanri të letërsisë.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen