Edhe çfarë faktesh duhen për vijimësinë ilire – shqiptare?

Analiza & Komente | Zef Prenka | 24.02.13 | 20:08

Vjenë, 19 shkurt – Duke qenë se çështja e autoktonisë së shqiptarëve në hapësirat e Shqipërisë së sotme është trajtuar shpesh e gjerësisht e drejt nga dijetarë shqiptarë, vërejtjet e mia do të përqendrohen kryesisht në çështje të lidhura me autoktoninë dhe çështje të tjera të banorëve të hapësirës që në harkun kohor para e gjatë pushtimit romak quhej Dardania. Përkitazi me temën me shumë peshë: prejardhja e gjuhës shqipe, vendi i formimit të saj dhe autoktonia e shqiptarëve që trajtohen në këtë intervistë, po ndalem tek deklarimi i autorit se: “Teoria e ilirëve apo origjina pellazge e shqiptarëve u zhvillua në shekullin e 19-të nga pjesëtarët e Lëvizjes Kombëtare shqiptare, […] si një përgjigje direkte kundrejt pretendimeve të nacionalistëve grekë dhe serbë, të cilët i justifikonin pretendimet territoriale me argumentin se Shqipëria ishte një komb pa histori”, por që […] „studiuesit jashtë Ballkanit nuk i marrin seriozisht këto pretendime”.

Nuk ka kurrfarë mundësie të besohet që Schmitt nuk e di se elita intelektuale e Shqipërisë së shek. 19, përkatësisht e periudhës së Rilindjes, ashtu si as ato të popujve sllavë fqinjë të tyre, nuk kishte kapacitete shkencore që do të postulonin teza për prejardhjen e tyre. Një punë të tillë e bëri ndonjë rilindës i diasporës siç ishte psh. arbëreshi Demetrio Camarda (Dhimitër Kamarda) që, duke pasur qasje në fushën e filologjisë së zhvilluar në Perëndim, në veprën e tij monumentale “Saggio di grammatologia comparata sulla lingua Albanese”, të vitit 1866 e kishte përqafuar tezën për prejardhjen pellazge (por edhe ilire) që ishte lansuar nga Johann Georg von Hahn. Poashtu besoj që Schmitt e di se me tezën për prejardhjen pellazge të shqiptarëve nuk është marrë asnjë fililog shqiptar me kompetenca në fushë të helenistikës, me përjashtim të Spiro Kondës, i cili në vitet e ‘60-ta të shekullit të kaluar e botoi veprën monumentale “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”. Pjesa dërmuese absolute e autorëve shqiptarë që shkruajnë artikuj e libra për kinse birësinë pellazge të shqiptarëve bëjnë lavër mini e mbathen si bretkoca pa pasur përgatitje nga fusha e gjuhësisë indoevropiane, e aq më pak nga helenistika dhe jo rrallë as edhe nga dija e mirëfilltë albanologjike, prandaj nuk duhet të merren seriozisht e aq më pak që për shkak syresh të përçmohet dija e mirëfilltë filologjike e shqiptarëve. Ndryshe do të duhej vepruar sikur një tezë të tillë ta përkrahnin akademitë shqiptare të shkencave në Tiranë e në Prishtinë. E, këto dy akademi e kanë përqafuar tezën e prejardhjes ilire dhe të autoktonisë së shqiptarëve vetëm në hapësirat e Illyrii proprie dicti „ilirëve të mirëfilltë” dhe të „dardanëve të mirëfilltë”, përkatësisht vetëm në hapësirat etnolinguistike aktuale kompakte të shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë e më gjerë jo porse edhe në gjithë hapësirën që mbulonin fiset e ilirëve. Ndryshe, dijetarit të merituar Schmitt nuk do t’i ketë shpëtuar pa e ditur që as teza e përqafuar gjithandej e prejardhjes ilire të shqiptarëve dhe e autoktonisë së tyre, nuk është „shpikje” e shqiptarëve. Rrënjët e kësaj teze lis janë tek dija filologjike e Perëndimit. Në përgjigjen pyetjes se si e sheh çështjen e vijimësisë ilire-shqiptare Schmitt thekson: „Mund të ekzistojë një vazhdimësi iliro-shqiptare, por për momentin ku ndodhen kërkimet tona, kjo është vetëm një hipotezë”, për të vazhduar me konstatimin se […] „ka akoma nevojë të vazhdohet të bëhen kërkime e veçanërisht mbi toponimet”. Përkitazi me këtë çështje bën të theksohet se teza (jo hipoteza) e prejardhjes ilire të shqipes e të shqiptarëve është teza më e mbështetur deri tani (krahasuar me tezën për prejardhjen thjesht trakase) dhe se kjo është meritë pikërisht e një morie prej dijetarësh gjermanë, austriakë, hungarezë, ebreitë, holandezë, suedezë, danezë të fushës së indoeuropeistikës, romanistikës, ballkanologjisë, sllavistikës e të albanologjisë, midis të cilëve shquhen gjuhëtarët J. E.Thunmann, J. G. von Hahn, P. Kretschmer, G. Meyer, H. Pedersen, N. Jokl, S. Mladenov, P. Skok, H. Krahe, A. Mayer, H. Barić, I. Popović, R. Katičić. Georg. R. Solta e shumë të tjerë, të cilët kanë dëshmuar bindshëm e qartë se gjuha shqipe është vazhduese e ilirishtes; se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe se vendi i formimit të gjuhës shqipe e të etnisë shqiptare është pikërisht Dardania përkatësisht Kosova, pjesa e Maqedonisë me kryeqytetin Scupi të saj, Serbia e sotme e ashtuquajtur e Jugut, Shqipëria dhe Mali i Zi i sotmi. E rëndësishme për t’u vërejtur në këtë mes është rrethana që dija shqiptare shkoi në hap me dijen e ilirologjisë së zhvilluar në Perëndim. Edhe kjo hoqi dorë nga panilirizmi dhe, përsa i bie autoktonisë, u përqendrua vetëm në hapësirën e cilësuar që në antikë për e Illyrii proprie dicti „ilirëve të mirëfilltë“ dhe në atë atë të dardanëve. Në rrafshin gjuhësor e onomastik, kjo dëshmohet edhe me rrethanën se trajtat e sotme shqipe Nish, Shkup, Shtip, Shar, Ohër, Drin të emrave pararomakë të vendbanimeve Naissus, Scupi, Astibos, të malt Scardus, liqenit Lychnidos e lumit Drinus janë vazhdim i drejtpërdrejt shqiar i trajtave parasllave dhe se lindja e trajtave sllave të tyre Niš, Skopje, Štip, Šar- planina e Ohrid shpjegohet vetëm si rezultat i kapërcimit dhe i zhvillimit të këtyre emrave vendës, parasllavë, nëpër gojën e pasardhësve shqipfolës të dardanëve ilirë. Dijetarë të Perëndimit treguan poashtu se disa nga emra të dëshmuar vendbanimesh në antikë dhe të konsideruar për emra ilirë si Pelagonia, Bora mons (sot Kajmakčalan), Bylazora (sot Veles), Ulcinium (sot Ulqin), Ulciana (më vonë Ulpiana) janë të zbërthyeshëm me brumin leksikor të shqipes. Këtu duhet shtuar që janë pikërisht dijetarët sllavistë I. Duridanov [Illyrische Flussnamen in Serbien, në Linguistique Balkanique VI, Sofia, 1963] e I. Popović [Die Einwanderung der Slaven in das Oströmische Reich im Lichte der Sprachforschung, Zeitschrift für Slawistik, Bd. III, 1958], të cilët treguan (i pari) se 9 nëndegë të sistemit ujor të Kollubarës (në Serbinë Qendrore) mbajnë emra ilirë, shumica e të cilëve mund të zbërthehet me brumin leksikor të shqipes, duke nxjerrë edhe përfundimet: „Popullata më e vjetër e kësaj hapësire ishte popullata ilire” […] dhe „Kur sllavët (serbët) u bënë banorë vendës të regjionit të Kollubarës, këta i morën pjesërisht emrat ilirë të lumenjve dhe pjesërisht krijuan trajta sllave të tyre. Rrethana që u ruajtën 9 emra ilirë të lumenjve, mund të shpjegohet si rezultat i një bashkëjetese paqësore të sllavëve me ilirë të romanziuar, të cilët u bashkëshkrinë në këta të fundit, përkatësisht në sllavë”, ndërsa i dyti tregoi se gjurmë ilire onomastike e madje edhe leksiore dardane ka edhe deri në rrethina të Beogradit (Singidunum-it kelt ose trakas). Në të mirë të autoktonisë së shqiptarëve në hapësirat që i banojnë edhe sot shkon edhe „sjellja e dëshmive të një emri të protoshqipes, i cili do të jetë marrë nga romakët dhe që përsëri do t’i jetë kthyer gjuhës së vendit” – që e kërkonte dijetari gjerman Wolfgang Zeitler dhe që vetë sqaronte në vazhdim se një shembull të këtillë e kemi me emrin Mat të lumit, nga fjala shqipe mat „buzë lumi”, të cilin (emër) romakët e morën si Mathis (fluvius), por që emri Mat-i vazhdoi në popull deri në ditë tonat. Me përafërsisht po aq forcë bindëse do të jetë edhe rasti i përkthimit në latinisht të emrit ilir të ndonjë vendi. Kështu do të ketë ndodhur me emrin Dardania të shtetit të dardanëve që romakët e bënë provincë të perandorisë së tyre. Ata e gjetën dhe e lanë këtë emër ashtu siç ishte para se ta pushtonin, por në një rast tjetër administrata romake e përktheu këtë emër në Pirustae (lat. pirus „dardhë” ) për ta shënjuar me të jo gjithë provincën, porse vetëm një fis të ilirëve, (edhe) emri i të cilit e përmbante porse emrin/fjalën dardan. Kontinuiteti shqiptar shihet edhe në dritën e rrethanës që, shqiptarët, në harmoni me natyrën fonetike të gjuhës së tyre, e ruajtën (madje) edhe përkthimin latin të këtij emri pikërisht si Qafa e Prushit, në hapësirën e banimit të *Dardanëve emrin e të cilëve administrata romake e kishte përkthyer në Pirustae. Ky përkthim dëshmon bindshëm që emri Dardania vërtetë e kishte dhe e ka kuptimin „vend i dardhave”. Me shumë interes për historinë e shqiptarëve është edhe përgjegjja e Schmitt-it pyetjes se si e sheh ky rivalitetin midis shqiptarëve e serbëve për si autoktonë në Kosovë. Schmitt sqaron, midis të tjerash se „[…] proto-shqiptarët jetuan në Kosovë në Antikitet; me ardhjen e komuniteteve sllave, modelet etnike pësuan një ndryshim të madh. Deri tani, ne dimë shumë pak rreth bashkekzistencës së proto-shqiptarëve me Sllavët” dhe se „për shqiptarët, barbarët paganë serbë shkatërruan provincën kristiane të Dardanisë dhe shkatërruan civilizimin e tij roman”. Nuk më besohet që Schmitt të mos e dijë kuptimin e atributit „autokton” dhe që ky historian i shkëlqyeshëm të mos e dijë që çështja nëse janë apo jo autoktonë në Ballkan mund të shtrohet vetëm për shqiptarët e për rumunët, sidomos në rrafshin e vendit të formimit të gjuhëve e të etnive shqiptare e rumune. Për autoktoni nuk mund të flitet për ata që dihet se janë të ardhur, përkatësisht për sllavët e Jugut. Kjo sepse e vetmja dyndje që është shënuar nga historiografia e vjetër është ajo e sllavëve të Jugut për të cilët është thënë që ata janë jo vetëm popull/popuj të pa histori të antikës, porse edhe rrënues të asaj kulture/civilizimi apo, siç shprehej ilirologu Hans Krahe, sllavët janë „varrtarë të kulturës së antikës”. Fundja, historia e sllavëve të Ballkanit (serbëve e bullgarëve) është histori e pushtimeve. Në rrafshin gjuhësor, kjo vërtetohet me mungesën e huazimeve të drejtpërdrejta leksikore nga latinishtja. Në gjuhët sllave dhe hapësirat e banuara nga këta të Ballkanit ka vetëm emra latinë të vendeve e pak leksik që sllavët i morën nga ilirë e trakë të romanizuar. Prandaj, thënia e këtij dijetari të merituar se „Popullsia shqiptare në Kosovë është, ashtu si serbët e Kosovës, produkt i autoktonisë nga Antikiteti apo Mesjeta” lë të kuptohet sikur na paska dy lloj autoktonie: nga antika (për shqiptarët) dhe nga mesjeta (për serbët) ka rrezik të jetë paksa diletante po u pat paraysh kalibri i autorit të një kësi konstatimi.

Përsëri, nuk janë shqiptarët, por autorë të lashtësisë ata që kishin njoftuar se ardhja e sllavëve në Ballkan pati pasoja mneruese, sado që „edhe para këtyre ngjarjeve, […] për shkak të luftërave të shpeshta, të cilat ndhodhën në Ballkan gjatë shekujve 3 e 4 të epokës sonë disa vise të Ballkanit ishin deri në fillimin e shek. 5 plotësisht të shkatërruara. Regjione të tëra kishin mbetur shkret, arat kishin mbetur djerrë dhe qytetet ishin braktisur nga banorët e tyre. Iliria ishte e shkretëruar; gjithashtu edhe Thrakia dhe Dardania dikur e pasur ishin shkretëruar; fushat kishin mbetur të papunuara dhe të mbuluara nga eshtra të të mbyturve”. Në vitin 548 ndodhi pastaj sulmi i sllavëve me ç’rast sllavët – shkruan Prokupios, historiograf i shek. 6 i Bizantit me origjinë nga Palestina – „siç e kanë zakon, nuk e kursyen askënd dhe që kur u gjendën në Bizant s’kishin asgjë tjetër ndërmend përpos që ta mbytnin secilin që ra nën mëshirën e tyre. E gjithë Iliria dhe Thrakia u mbuluan nga kufoma të pavarrosura […] sllavët nuk i therrnin viktimat e tyre me shpatë apo me heshtë, porse për së gjalli i ngulnin në hunj duke i mbytur kështu nën tortura nga më të tmerrshmet” shkruante dijetari serb St. Stanojević, [Vizantija i Srbi II, Novi Sad 1906, fq. 175]. Përveç kësaj, zvogëlimit të numrit të banorëve dhe zhdukjes së rëndësisë së qyteteve si qendra të mundshme kulturore të Dardanëve ndikoi edhe tërmeti katastrofal që më 518 e goditi Dardaninë dhe kryeqytetin e saj Scupi. Historiografi latin Marcellius Comes shkruante në veprën e tij Cronicon ndër të tjera se „Nga tërmetet e vazhdueshme, në provincën dardane, menjëherë u shkatërruan njëzet e katër kështjella. […]. U shkatërrua krejtësisht edhe qyteti kryesor Skupi, megjithëse pa humbjen e qytetarëve të tij, të cilët ikën para armikut”. [Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë 1961, fq. 451-452]. Një pjesë e madhe e popullatës së Dardanisë u shtrëngua kështu t’i braktis qytetet e fushat dhe të kërkojë strehim në male të larta duke u marrë atje me blegtori. Do të ishte prandaj iluzore që nën këso rrethanash të pritet që në truallin e Dardanisë të ruhen, përkatësisht të gjenden, dëshmi shkrimore – bartës të të cilave do të ishin dardanët apo ndonjë popullatë tjetër, gjithsesi parasllave. Përveç kësaj, nuk bën të harrohet që Dardania as në kohën e zenitit të perandorisë romake nuk kishte qendra të mëdha e me peshë kulturore. Popullata parasllave e Dardanisë, protoshqiptarët dhe pjesërisht ajo romane-ballkanike (vllahët), mbeti të jetë bartëse e kontinuitetit etnik e pjesërisht edhe të atij onomastik të antikës, jo porse edhe të kulturës së kësaj periudhe historike. Kjo popullatë i vazhdoi veçoritë etnike nga antika dhe asgjë tjetër: as pushtetin dhe as format e vjetra të organizimit shoqëror romak. Së këndejmi vetëm një numër fort i vockël emrash (kryesisht të maleve të larta, lumenjve të mëdhenj dhe qytetesh e kështjellash të njohura) dhe emrash të njerëzve (të dëshmuara në mbishkrime epigrafike) arriti ta mbijetojë valën e sllavizimit. Përkitazi me sqarimin te Schmitt-it se „Dokumentet e shekullit të 14-të dhe të 15-të qartësisht i tregojnë shqiptarët si fshatarë gjedherritës (S.G: do të duhej thënë blegtorë) sidomos në atë që sot është Kosova Perëndimore, por ka gjithashtu dokumente që i atashojnë shqiptarët p.sh. në Maqedoninë Qendrore. […] dhe „se shumica dërmuese e Shqiptarëve në Kosovë ishin ortodoksë dhe ndiqnin ritus-in sllav”. Duket se edhe Schmitt kujton gabimisht që shqiptarë ishin vetëm ata që nëpër burime kishëtare serbe përmenden si arbanas, qofshin ata individë që në vend të patronimit të mirëfilltë mbanin këtë atribut ose banorë katundesh të cilësuara për të arbanasëve. Në këtë mes bën të shtohen sqarimet se ardhësit sllavë e gjetën në hapësirën etnolinguistike të shqiptarëve variantin e parotacizuar të emrit etnik arbën/arban dhe në krye të herës, në trajtën e metatatetizuar Rabn e përdorën për të shenjuar etninë dhe shtetin e arbënve, por më vonë edhe (vetëm) kategorinë sociale të blegtorëve që, siç e thotë Schmitt kur (në librin e tij për Kosovën) fliste për fiset e shqiptarëve, „nuk ishin shkelur nga asnjë pushtues edhe përbrenda qenies së tyre” dhe bënin jetë paksa më të lirë pa e respektuar shtetin. Se arьbanasь në dokumentacionin kishtar serb të shek. 13-14, ishte një sinonim për „bari, -u”, bëhet e qartë, më tej, edhe nga rrethana që arbanasët në këtë dokumentacion përmenden vetëm atëherë kur kemi të bëjmë me kategorinë sociale të barinjëve. Këtë mendim e kishte edhe historiani serb Čed.(omilj) Mijatović [Studije za istoriju srpske trgovine XIII’og i XIV’og veka, Glasnik Srpskog Učenog Društva, 37 /1873] i cili, kur po e trajtonte këtë çështje, vërente se „Duke qenë se serbët, kur u vendosën në këto vende, i gjetën vllehët duke u marrë me blegtori, emri vllah e mori kuptimin e përgjithshëm të njeriut që merret me blegtori, prandaj kjo fjalë në burimet tona edhe përdoret në këtë kuptim. Edhe shqiptarët kanë qenë kryesisht barinjë, prandaj edhe ky emër merret shpesh për sinonim të „bari,-ut”. Këtë mendim e pranonte tërthorazi edhe historiani St. Novaković – njohës i mirë i mesjetës dhe studiues edhe i katundit mesjetar i cili shkruante se „emri vllah iu dha grupeve të barinjëve pak a shumë të romanizuar porse shumë të ndryshëm përkah përbërja etnike para invadimit sllav dhe që nga ajo epokë ky nocion e kishte sa kuptimin etnografik aq edhe kuptimin thjesht ekonomik. […] Ka shumë shenja që dëshmojnë se midis tyre kishte romanë e shqiptarë (të cilët shpesh janë radhitur nën të njëjtin nocion ekonomik) mirëpo ka edhe shumë raste që dëshmojnë se ata ishin sllavë të mirëfilltë gjë që e provon se vllah në Serbinë e vjetër, qysh në shek. 13, shënonte më parë një klasë sociale, duke e ndarë nga ajo nacionalja”. [Les problèmes serbes I, Archiv für slavische Philologie, 33/1879, fq. 458]. Se atributi arbanas nuk e kishte kuptimin e etnisë, por të kategorissë sociale të blegtorëve ilustrohet edhe me rrethanën midis 9 katueve të arbanasëve numërohet edhe katuni Novaci, (sot Novak në rrethina të Prizrenit), banorët e të cilit janë edhe sot, siç do të kenë qenë edhe në shek. 14, serbë. Nuk më vjen mirë që një historiani të kalibrit të Schmitt-it i ndodh të mos i kujtohet se dokumentet e shekujve 14-15 që i përmend ai janë, përsa i përket onomastikonit të shqiptarëve, të kohës kur kishte përfunduar procesi i sllavizimit onomastik të shqiptarëve që kishin rënë nën sundimin e shtetit dhe të kishës serbe. Kjo don të thotë që në atë kohë shqiptarët mbanin në pjesën absolute dërmuese të tyre antroponime të gjithkrishtera në variantin sllav të tyre dhe antroponime gjuhësisht sllave. Barazimi i përkatësisë gjuhësore të antroponimeve me përkatësinë etnike të bartësve të tyre ka qenë dhe është gabim kardinal, i cili bëhet edhe më i madh nëse në kësi gracke bie edhe një dijetar si Schmitt-i. Kjo don të thotë që shqiptarë nuk ishin vetëm ata pak bartës të emrave të gjithkrishterë që ishin bërë emra popullorë të shqiptarëve dhe ata që në vend të patronimit të mirëfilltë e mbanin atributin „i bir i arbanasit” dhe as vetëm banorët e atyre pak katuneve të cilësuara shprehimisht për të „arbanasëve” porse që shqiptarë etnikë ishin edhe pjesa dërmuese absolute e shqiptarëve të hapësirës së Dardanisë, të cilët mbanin antroponime që i lejonte vetëm uzusi onomastik i kishave serbe e bullgare. Për analogji duhet parë antroponiminë e shqiptarëve pas islamizimit të tyre.

Nuk e shoh për të drejtë as konstatimin e Schmitt-it sipas të cilit „Kosova ishte një shoqëri ortodokse e traditës së kishës serbe, e përbërë nga serbët, shqiptarët dhe vllehët”. Është vështirë të besohet që historianit Schmitt t’i ketë shpëtuar konstatimi që fillet e krishterimit të sllavëve të ardhur paganë në hapësirat e Bizantit nisin tek në shek. 9 të erës sonë, ndërsa pararendësit e shqiptarëve, ilirët e dardanët, janë populli i parë i Ballkanit që e pranoi (që në fillet e lindjes së tij) krishterimin e variantit roman e më vonë (përsëri përpara ngulitjes së sllavëve në Ballkan), si pasojë e ndarjes së Perandorisë më dysh, edhe atë të tipit bizantin dhe se në qytetet e tyre pararomake e romake Naissus, Scupi, Astibos, Bylazora Ulcinium, Ulciana, si edhe në qytetet antike Scodra, Drivastum (Shkodra e Drishti) shqiptarët ishin gjatë Mesjetës -siç thoshte midis të tjerësh K. Jireček, [në Romani u gradovima Dalmacije, Zbornik Konstantina Jirečeka II, Beograd, 1962, fq. 50.] „popullatë e krishterë e vjetër me kulturë qyteti, më e afërt me grekët bizantinë dhe me romanët e Dalmacisë se sa me sllavët”, gjë që e tregon fare mirë edhe terminologjia kryekëput latine kishëtare e shqiptarëve. Konstatimi i mëspërm i Schmitt-it mund të vlejë vetëm për kohën pas pushtimit në vitin 1198 të hapësirës së Kosovës: Zveçanit, Vushtrrisë, Llapit, Lypianit, Prizrenit që vetë pushtuesi St. Nemanja e quante grčka zemlja „tokë e Bizantit” nga principata e Rashës që ishte vazale e Commonwealth-it të Bizantit. Pavarësimi i kishës serbe nga kisha e Bizantit nuk do të thotë edhe instalim i ortodoksisë në këto hapësira sepse që para instalimit të kishës serbe shqiptarët e vllehët e kësaj hapësire ishin qytetarë të perandorisë së Bizantit me traditë kishëtare ortodokse – bizantine. Kjo nënkupton se këta kishin edhe kishat e kapelet e veta, të cilat më vonë u përvetësuan nga kisha serbe. Në rrafshin gjuhësor, këtë e dëshmon ruajtja e disa huazimeve nga greqishtja e mesme (bizantine) në të folme të Kosovës si paraspore, protogjer, keramidhe, perivojth, sinap, sinor, llaqemi, meteh, palare, fli-ja etj, nga fusha terminologjisë së rregullimit social, emrave të perimeve e barishtave dhe të kuzhinës. Sa u bie vllahëve (që merren për ilirë e trakë të romanizuar me pak mbetje kolonësh romakë) të Kosovës dhe të pjesës më të madhe të së Dardanisë, duhet thënë që një bashkëjetesë midis këtyre dy etnive kishte – si pasojë e romanizimit të pjesshëm apo total të tyre – që nga kohë të mugëta e deri në fundin e shek. 15 për kur mund të konstatohet asimilimi i plotë i tyre në shqiptarë me përjashtim të banorëve sllavishtfolës të regjionit të Gorës, dhe në pak raste (vetëm në vendbanime rrafshinore e përreth kishave e manastireve) edhe në serbë. „Zhdukja” e vllehëve në Kosovë dëshmohet fare mirë me disa mbetje leksikore vllahe në të folme shqipe të kësaj hapësire dhe sidomos në dritën e bukur shumë emrave vllehë të vendbanimeve e të vëllazërive/mbiemrave të kosovarëve. Kjo rrethanë tregon, fundja, që shqiptarët nuk ishin në këto hapësira ndonjë pakicë, porse popullatë që mbizotëronte si etni. Çështje që duhet të shkoklohet më imtësisht është edhe pretendimi i Schmitt-it që çështja e autoktonisë së shqiptarëve na qenka politizuar. Në këtë thënie ka bukur shumë të vërtetë, por këtë çështje nuk e politizuan shqiptarët sepse kjo punë është e lidhur me problemin e vendit të formimit të etnisë e të gjuhës së rumunëve dhe të zonave të kontaktit e të simbiozës së tyre me pararendësit e shqiptarëve dhe me vetë këta. Politizimit të kësaj çështjeje filologjike i kontribuan gati më shumë bullgarët me sllavo-maqdonët duke e projektuar pushtimin e Maqedonisë së Egjeut, ndërsa serbët për t’i arsyetuar pushtimet e mëherëshme dhe sidomos për arsyetimin e projekteve të tyre për dëbimin e shqiptarëve. Shqiptarët e politizuan këtë çështje vetëm që duke e mbrojtur një të vërtetë historike t’i mbrojnë tokat që u kanë mbetur pa u gllabëruar nga fqinjët. E, siç thoshte mësuesi ynë i madh Idriz Ajeti, nuk është punë e sllavistikës të merret me çështje të prejardhjes së popujve autoktonë – shqiptarë e rumunë – të hapësirës së Ballkanit- sidomos kur kështu synohet t’u vihet vulë pushtimeve të territoreve ku sot jetojnë, thuase këto i kishin gjetur të pa zot dhe t’i hapin udhë sundimit edhe më tej të tyre duke kërkuar sovranitet edhe mbi ato toka, banorët e të cilave i shpëtuan rrebeshit të sllavizimit. Në këtë kuadër ka mbase vend të thuhet që politizimit të çështjes po i bën argat mjaft edhe vetë autori Schmitt, në stilin ja, aber „po, por”, përkatësisht duke i ballafaquar e duke i vënë në dyshim me të padrejtë, në stil prej politikani e diplomati, rezultatet e dijes së Perëndimit (të përqafuara nga shqiptarët) me ato të historiografisë serbe. Për të paqëndrueshme i konsideroj qëndrimet e Schmitt-it, sipas të cilit Kosova dhe viset e tjera shqiptare dalin si diasporë e Shqipërisë dhe, sidomos se kishte shqiptarizim të serbëve për shkak islamizimit të tyre. Nuk do të diskutoj lidhur këtë sepse nuk e ndjej veten kompetent për këto segmente të historisë së shqiptarëve, sidomos për të dytin.

(Autori është studiues etimolog, me banim në Vjenë. Ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës)/G.Metropol

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen