E Lumja Nënë Tereza

Arkivi | Zef Prenka | 29.12.10 | 13:40

E Lumja Nënë Tereza u bë kultura më e lart ndërlidhëse e njohjes së shqiptarëve në botë

“Unë Jam një Pendë në Dorën e Zotit”

13 vjet më parë Vuajtja, mbeti pa shërim. E Lumja Nënë Tereza Ishte dhe Mbeti Dashuri në Vepër. Trupat e Ghand-it të Indisë dhe Xhehral Nehru, (Kryeministër i parë) kishin si privilegj shtratin e topit, për t’u dërguar në banesën e fundit. Këtë fat kishte edhe trupi i bamirëses së famshme botërore Nënë Terezës, i mbuluar me shumë ngjyra lulesh dhe me flamurin kombëtar të Indisë. Në varrimin e Saj, më 13 shtator 1997, morën pjesë 1 milion vetë, në një varg të gjatë prej 9 kilometër dhe 3 miliard teleshikues të tjerë ndoqën direkt ceremoninë për në banesën e fundit.

Por, bota asokohe ishte në zi. Humanistja me origjinë shqiptare, ka ndjerë jetën dhe vuajtjen, për t’ia lehtësuar atë të varfërve midis të varfërve. Njerëz me zemër të madhe e ndërgjegje të pastër, janë të domosdoshëm, për të lehtësuar ato vuajtje, që mori përsipër për 50 vjet të shëronte E Lumja Nënë Tereza e Kalkutës.

Më shumë se kurrë, bota ka mbetur jetime. Bota shtoi pikëllimin mbi Shenjtëreshën e gjallë të kohëve moderne. Njerëzimi, humbi Nënën e Madhe dhe fitoi Shenjtëreshën e Madhe.

U tronditën isntitucionet teologjike, civile, kulturore dhe shkencore. Shkencëtarët, tashmë kanë rënë në heshtje të thellë (për disa çaste), duke respektuar Princeshën e Humanizmit. Kumbimi i këmbanave, mbushi eterin dhe më shumë ato u mbytën nga kumbimet e zemrave njerëzore. Jeta njerëzore humbi drejtpeshimin, ndjeu varfërinë, që papritmas e pllakosi në mënyrë tragjike, përballë pllakosjes së tragjedisë. Ajo ishte dhe është më tepër Njeri-Nënë-Shenjtëreshë.

Atëherë ajo ishte thjesht Gonxhe. Një ditë do të ishte Nëna e të Gjithëve, një Shenjtore Mëshirëplotë, në të gjallë e mbas kalimit në amshim. Tek figura e Saj poliedrike evidentohet si element plot vlerë unisimi mes filozofisë predikuese, përkushtimit shpirtëror, duke dhuruar kompleksin e ndjenjave që quhet mirësi njerëzore dhe formë praktike, si veprim, ku, karakterizohet gjithçka si përkushtim, ndjenjë dhe mesazh filozofik, shoqëror e rezatues. Kjo strukturë vlerash, projekton Atë, jo si një moralizuese, por si objekt kristian, që mishëron diçka më shumë.

Bamirësja e famshme, krijoi një filozofi sociale, me një kurs tokësor, me qëllim; kujdesin tokësor dhe jo pranimin e vuajtjes në emër të shpëtimit të shpirtit me një botë tjetër. I shtrenjtë është ai njeri, i thirrur nga Zoti, në gjithçka që bënte derisa e mori në krahët mikpritës të Tij.

Butësia, buzëqeshja, identifikohen me devocion ndaj asaj shtrese më të varfër midis më të varfërve, më të përbuzur, mdis të përbuzurve, më të uritur midis të uriturve, njerëzve të braktisur si mbeturina të mbeturinave. Ajo, u shtriu dorën e përjetshme të mirësisë. I mori në krahët e Saj të ngrohtë, duke u thënë: “Mos u merzisni! “Unë do t’ju mbaj me ngrohtësinë prindërore…”

Buzëqeshje, lumturi shpirtërore dhe ngrohtësi shoqërore u fali me gëzim përherë E Lumja Nënë Tereza. Ajo u thoshte në shqip bashkëatdhetarëve: “Zoti ju bekoftë!”.

Si një mesazhere biblike, shenjtore e gjallë dhe e prekshme, Ajo sillte e përhapte atë gonxhe jete të mrekullueshme si vetë emri i Saj, atë dashuri njerëzore kaq të zbehur gjatë shekullit XX, kur përbuzja, mjerimi, urretja, luftrat e pakuptimta, kërcenin valle si në shtëpinë e tyre. Ajo ishte një ushtri e vërtetë dashurie.

Thjeshtësia, ishte bashkëudhëtare në jetën e përditshme në shërbim të të varfërve, të sëmurëve me lëbrozë, fëmijëve, antikapatëve, jetimëve, të moshuarëve etj., që padrejtësisht ishin braktisur nga paraardhësit e tyre, fakirëve të Indisë, me të cilët gjithë jetën ndau vuajtjet e kësaj bote. E donte thjeshtësinë, sepse njerëzit me të cilët punonte çdo ditë u jepte me gjithë zemër përkushtimin mbinjerëzor, u dhuronte me ëmbëlsi aq të dashurën fjalën hyjnore plot vlerë: “Dashurinë”.

Ajo, përsonifikonte mirësinë, dashurinë me anë të Jezu Krishtit në Tokë. Me dashuri e përvuajtëri, iu bind fjalëve profetike të Shelbyesit-Jezu Krishtit. Dhe tashmë Ajo është lart në Qiellin e pavdeksisë së përjetshme, në atë banesë që e ëndrronte drejt lumturisë së pasosur në paqe. E Lumnueshmja, është ulur në tryezën e shenjtorëve të historisë së krishtërimit dhe po kuvendon për jetën tokësore me të cilën Ajo u shkëput me dëshirë.

Pak sintezë është mirë të thuhet

“By blood, I am Albanian. By citizenship, an Indian. By faith, I am a Catholic nun. As to my calling, I belong to the world. As to my heart, I belong entirely to the Heart of Jesus.”

Mother Teresa

Është e vërtetë se shqiptarët ndër shekuj, janë ndeshur me të keqen dhe kanë dhuruar vazhdimisht mirësinë. Për më tepër, ndër shekuj, besa, mikpritja, qëndresa, fjala, etj., si institucione të traditës popullore, mbetën kode morale, juridike, etike, kushtetuese, etj., të cilat, sëbashku shpalosin veçoritë e genit shqiptar, atë kumt e formulë magjike shekullore, që humbet në mugëtirat e lindjes së njerëzimit, të transmetuar nga brezi në brez, nga vitet në shekuj.

Edhe fjala, si varg konstitucional, ka me vete esencën e mëshirës, e cila në ballafaqim mendor të shqiptarit shprehet me një semantikë të veçantë, duke pohuar njëherazi bujarinë, dhurimin, dhënien e vetës, flijimin për të tjerë.

Purifikimi i shpirtit njërzor dhe mbushja e vullnetit të tij me dashurinë dhe përkushtimin për të bërë vetëm mirë, e për t’ju ndodhur pranë atij që vuan, se i kërcenohet vdekja, i është gjymtuar trupi, e turturon sëmundja, i mungon dashuria njerëzore, e tmerron braktisja e shoqërisë apo e shpërbën vetmia torturuese, janë abetare të virtytit Terezian, të cilat mishëruan njerëzoren e pamëkatuar dhe bënë që hierarkia e lartë shtetërore të përkulej e të bënte apel përballë trupit të Saj pa jetë tokësore, duke kërkuar një kod të ri moral.

E kësisoj, ky dhurim, kjo fjalë, ky flijim për gjakun shqiptar ka përmasa që kalon kufijtë e lindjes, duke pushtuar hapësira e vizione të reja përjetimi. E Shqipëria e vogël gjeografikisht, a nuk i dhuroi njerëzimit figura të mëdha krenarie, qofshin këto perandorë të tillë (24 perandorë në historinë e Romës antike), si: Konstandini i Madh me origjinë ilire, që në vitin 313 mbas Krishtit, nxori Dekretin e Milanos, tek sanksionoi krishtërimin si fe zyrtare? A nuk u përpoqën të parët e krishterë ilirë, tek të cilët kemi edhe martirët e parë të krishtërimit, si: Shën Lauri, Shën Flori, Shën Asti (emrat e të cilëve përmenden në librin e njohur “Martyriologun romanum”), të cilët në kohën e perendorit Adrian në Ulpianë të Dardanisë, dy gurëgdhendësit (të parët Shën Lauri e Shën Flori) i mbysin në pus, për të mohuar fenë e Krishtit?

A nuk janë ndjekësit më të mëdhenj, në kohën, kur Kisha po legalizohej si institucion shpirtëror, perandorët e gjakut ilir, në mënyrë sistematike përmes Decit, Aurelianit, Dioklecianit, bëjnë që të derdhet gjaku i fatosave të krishterë kudo? Sa kontrast i madh!?

Mirëpo kjo trevë e begatë dhe konkretisht nga Salona (Vlora), në vitin 183 mbas Krishtit, dhuron edhe katër papë, një ndër të famshmit me emrin Gain (nga Salona antike), të pa zbardhur deri tani nga historiografët kishtarë shqiptarë. E gjithsesi, bota e krishtërë dhe Kisha në veçanti, gjatë kësaj periudhe ballafaqohet edhe me herezi të shumta, që të parë në prizmin njerëzor, kanë mundur të jenë edhe fatale. “Mirëpo, këtu shihet Provania Hyjnore dhe elementi Hyjnor i Kishës”, -sintetizon studiuesi i shquar akademik Prof.dr. Zef Mirdita, pedagog i historisë antike në Universitetin e Zagrebit.

Por historia është e lavdishme, sepse të tillë e bëjnë njerëzit e kësaj toke, duke kulmuar më tej me një nga prelatët më të mëdhenj të krishtërimit, si: Papa Klementi XI (Gjon Albani), i lindur nga prindërit me origjinë të trungut të mirëfilltë arbëror në Urbino, duke qenë kësisoj i 250-i papë në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Ai, ishte përkrah papëve të famshëm, si: Gjoni XII, Gregori VII, Piu V, që kishin sukses në organizimin kishtar, etj. Por të mos harrojmë, se lutja e famshme dhe e mbarë krishtërimit “Te Deum”, është shkruar dhe kompozuar nga një peshkop shqiptar. Po Shën Jeronimi ilir (340-420), që përktheu Shkrimin e Shenjtë (Bibla) në latinisht?

Kësaj radhe, Zoti me fisnkëri për shqiptarët dhuroi plot bujari një Nënë të Madhe, që shquhej për nga forca shpirtërore deri në kufijtë e shenjtërisë. E kjo ishte E Lumja Nënë Tereza e Kalkutës, e lindur në dekadën e parë të shekullit XX.

Sa dorëlëshuar jemi treguar ne shqiptarët, sa shumë kemi dhuruar si komb deri aty, sa i falem njerëzimit Nënë Terezën! E famshme sa trimëria dhe vendosmëria e Gjergj Kastriotit legjendar, që si “Atlet i Krishtërimit”, u bë mburoja e civilizimit evropian, ndërsa Nënë Tereza e Kalkutës së mjerë, u bë mburojë dhe histori e gjallë feje, përkushtimi, duke ndryshuar fytyrën e botës së mjeruar. Ajo jetoi në varfëri, me të varfërit midis më të varfërve, duke përjetuar tërësisht filozofinë e Krishtit. A nuk u shndërrua E Lumja si e tillë sepse ishte shqiptare?

Të gjitha këto janë pyetje me përgjigje shembullore të popullit shqiptar. Një Nënë prej gjak shqiptari, që do të lindte trupvogël e imët dhe shëndetlig, do të vinte një ditë që të shpërthente si një trëndafil i mrekullueshëm, të kthehej në trëndafil të dashurisë, duke u dhuruar skamnorëve dashuri të përjetshme. Ajo tronditi botën, duke i apeluar, se kjo substancë e shformuar është pjesë dhe produkt i shoqërisë së sotme, që kontraston me qytetërimin.

Kësisoj e parë në radhën e figurave të ndritura të kombit tonë, mund të them se Nënë Tereza për shqiptarët, mund të krahasohet vetëm me figurën e Gjergj Gjon Kastriotit-Kryetrim i Arbërisë, i cili, me qëndresën e tij në shek. XV, i vuri shqiptarët në krye të listës së popujve heroikë e liridashës, ndërsa E Lumja Nënë Tereza me bamirësinë si vyrtyt, u dha shqiptarëve një vend nderi në hartën botërore të kulturës e humanizmit. Ajo mbetet gjithnjë paradigma udhërrëfyese për gjithë njerëzimin, aq më tepër për shqiptarët, kudo ku flitet dhe shkruhet shqip, në hapësirat shqiptare, por edhe në ato të shpërndara anekënd botës.

Në fund të shekullit XX, Ajo rizgjon imazhin e Jezusit të Nazaretit dhe aksioni i Saj human mori sendertim real, duke shpalosur tipare krejt unikale. Ku t’a dinte babai i Nënë Terezës, ky tregtar i thjeshtë shqiptar, se para thjeshtësisë së bijës së tij, do të përuleshin me respekt të thellë mbretër, presidentë, prelatë të Kishës dhe të gjithë besimeve fetare në botë; ku t’a dinte ai se si një kor gjigand, të gjithë njerëzit e planetit kërkojnë që Ajo të shpallet Shenjtore edhe zyrtarisht nga insitucioni më i lartë i Kishës Katolike (Selia e Shenjtë) në Vatikan.

Në saksinë e botës plot vuajtje të ndryshme, si i lajmëruar prej një fuqie Hyjnore, ai (babai) i vuri emrin e thjeshtë, por kuptimplotë Gonxhe. Dhe Gonxhja, si një syth trëndafili, nuk mund të rrijë plotësisht e tillë…

E Lumja Nënë Tereza, kërkoi me ngulm dritën dhe dashurinë. Ajo ishte një dhuratë e Zotit, për t’i shërbyer me përvujtëri vetëm Atij. Me jetën dhe veprën e Saj, na tregoi, se çdo gjë është e mundur me Zotin. “Mbani qetësinë e zemrave, meditoni, sepse atje do të takojmë Krishtin, sepse edhe ne mund të ecim të takojmë Zotin tonë”-i porosistë bashkëudhëtaret e “Misionit të Dashurisë” kryemurgesha Nënë Tereza. Jeta pa vepra është e kotë, se veprat pa lutje janë të papërkryera. Ajo nuk është e shkëputur nga universi shqiptar.

“Të përkujtosh humanisten e madhe Nëna Terezë në 100-vjetorin e lindjes dhe të përpiqesh ta rrokësh personalitetin e saj madhor me një fjalim modest si ky, është thjesht ambicie e parealizueshme. Prandaj do të duhet t’i referohemi asaj që ajo e mbolli në jetët tona –dashurisë–që të mund të thithim diçka nga nektari i jetës që ajo ia fali kësaj bote. Sepse, në filozofinë e Nënës Terezë, dashuria është jetë, ndërsa bota nuk është asgjë tjetër, pos një rrënjë pa dashuri. Në këtë botë të çoroditur e vrazhdë, ku e keqja është kudo, e paprekur mbetet vetëm dashuria për njeriu, që gëlon në zemrat e njerëzve të mëdhenj. Se, njerëzit e mëdhenj janë para së gjithash të dashuruar me njerëzimin. Ata janë të përkushtuar në përpjekjet e tyre për ta mbajtur dinjitetin njerëzor, të cilin e konsiderojnë të shenjtë”, vlerëson Prof. Dr. Avzi Mustafa.

Mbretëresha e Humanizmit, e Pëllumbit të Paqes tokësore, nuk kishte se si të mos ishte shqiptare, sepse është pjesë e hershme e genit shqiptar. Rastësia nuk e solli Atë që të lindte në këto troje me tradita të pastra, në këto treva ilire të lashta, aty, ku, kanë zanafillën e tyre kozmike erërat, që sollën agimin e lindjes së qytetërimeve më të lashta se sa vetë historia e kontinentit të plakur të Evropës; aty ku ngjizi miti dhe legjenda, kënga e vaji, ninulla e foshnjës mitologjike, aty ku morën udhë shtrati i besimeve dhe drita e dijeve, filozofia e jetës dhe e vdekjes.

Ajo erdhi në jetë, në fillim të shekullit XX, kur ende nuk kishte shtet shqiptar politikisht të krijuar dhe u largua nga kjo botë e zhurmshme në fund të shekullit, duke i mbyllur sytë në një vend të largët nga Atdheu, por shumë të dashur prej Saj, atje, ku në saj të veprës që realizoi, bëri shndërrimin e madh të vetes dhe të moralit njerëzor në përmasa të tilla tronditëse, si rrallëkush tjetër.

Në tryezën e shenjtorëve të Romës, do të ftohet të kuvendojë në paqe, mirësi dhe dashuri Hyjnore edhe Nëna e të gjithë Nënave. Ndoshta, edhe një Nënë, që shëroi plagët e nipave dhe mbesave të atyre shenjtorëve, që përfaqësojnë për nga origjina shtetet ku ato kanë lindur…

Tashmë Nëna në Shqipëri, është një institucion me vlera dashurie ndaj të gjithë atyre, që kërkojnë të triumfojnë mbi kulturën e vdekjes, për t’i dhënë dritë e shpresë kulturës së jetës. Me shtatë pëllumbat e bardhë të veshur në sari ka ngritur folezat e dashurisë Hyjnore, për njeriun e Atdheut të Saj.

Në rrugëtimin e Saj, mbështjellë me një frymë universale, krijoi mitin e shenjtit, të profetit të luftës kundër mjerimit, të Engjëllit Mbrojtës, që komunikoi me botën Hyjnore, të shpresës dhe të guximit për një jetë më të lumtur.

Panteoni i njerëzve të shquar, që me veprën e tyre të shumanshme kanë manifestuar virtyte të larta njerëzore dhe forcën inspiruese për bashkësinë sociale me kalimin në amshim të Të Lumes Nënë Tereza, pësoi një zbrazje të thellë e të gjërë. Porse kur individë të tillë unikal lënë pas një filozofi, një moral dhe një përkushtim nga dishepujt, Ata (në këtë rast) Ajo, njëherësh gjenden në majë të panteoneve të vlerave universale të njerëzimit, duke rrëzuar njëherësh pseudovlerat.

Anjeze Gonxhe Bojaxhiu (1910-1997), bota e nderon mbas vdekjes tragjike të Princeshës së Wellsit Lady Diana, një ndër miket e afërta të Nënë Terezës. Lajmi i dytë është shumë më i hidhur për ne. Kjo vjen nga shpirti me fjalë zemre të pikëlluar, sepse ishte një njeri frymor, që drejtohej drejt Shpirtit të Shenjtë dhe Ajo me shpirtin e paqes ka bërë mrekulli.

E shpirti i mrekullueshëm ishte vetë E Lumja Nënë Tereza. Dhe shpirti e njohu, jetoi me Nënë Terezën, që ishte një njeri i tillë. “Çdo njeri ka lindur Shenjt, por duhet të dëshiroj dhe t’a dëshmoj”-ka përkufizuar bamirësja shpirmadhe Nënë Tereza.

E Lumja Nënë Tereza solli evolucion, ose lëvizje të re në shpirtin e Saj njerëzor. Besonte shumë në familje si një bërthamë solide, që duhet ruajtur nga tjetërsimi i demtuesve mëkatorë. Familja shtonte Ajo, aty lind, krijohet dhe vazhdon t’i jepet shoqërisë, kur shpesh takohej me të rinjtë shqiptarë.

Nënë, kam etje, nënë dua të ha, nënë dua të pi, nënë kam ftohtë, nënë jam sëmurë, nënë o NENE, i thërret fëmija, i riu, i braktisuri, plaku që rënkon nga plagët e gërbulës, në çastet e hidhërimit e të gëzimit…

Mirëpo binomi Njeri-Nënë, që kërkon ndihmë, është një nyje e pazgjidhshme në çastet e hidhërimit të madh, në vuajtje e dhimbje.

Kësisoj, nëna është një titull jete, një ofiq, një gradë, një mision e mbi të gjitha një mesazh jete, buzëqeshjeje, gëzimi e hareje. Në çdo gjuhë të botës, ajo është fjalë e parë dhe më e dashur, që kanë mësuar të shprehin në fillim gjithë njerëzit në këtë planet, por në shenjë dhembshurie e dashurie të pakufi, ajo ka kuptimin e oksigjenit për çdo qënie njerëzore.

E Lumja Nënë Tereza, nuk është asgjë tjetër, veçse një kryenënë e të gjithë nënave të botës, që mirë ose jo, përpiqen të pakësojnë dëshpërimin e madh të kësaj bote të rënduar. Dashurinë për jetën e ka ushqyer përherë.

Ajo me shpirtbutësinë bujare, punoi përmes duarve të rreshkura, që kanë pritur e përcjellë për shumë dekada miliona fëmijë në buzë të vdekjes së sigurtë. Vdekjen e të sëmurëve e ka larguar, duke mëkuar dashuri njerëzore, për ditë të tëra në krye të të lënduarve, ka lidhur miliona plagë, sikurse u ka mbyllur sytë pranë një vdekje të qetë natyrale tek i përkdhelte me uratë në dorë.

Ajo ka ofruar jetën e ka larguar vdekjen e etur për flirte mjeranësh, në çdo kënd të globit; ka dhënë frymë, duke ngrohur trupat e ngrirë në borë pa përkujdesje. Ka ulur urretjen midis njerëzve, duke falur dashurinë midis atyre njerëzve nën shembullin e Jezu Krishtit.

Në shtegtimin e saj të gjatë, si ikonë e gjallë, që adhurohet me dashuri nga të gjithë, është ledhatuar, ndjerë nga miliona njerëz, duke ndezur qiriun e dritës së përjetshme.

Njerëzimit iu dorëzua e gjallë, duke dhuruar trupin, zemrën, mendjen, fjalën, frymën, jetën e Saj dhe gjeneroi me forcë dashurinë, këtë Gonxhe të mrekullueshme të fshehur thellë në skutat e shpirtrave njerëzorë.

Postulatet e Saj janë të thjeshta në formulim, por janë të thekuara si ide:

“Nuk ka paqe pa dashuri”,

“Nuk keni bërë pak nëse keni dhuruar buzëqeshje”,

“Po, dashuria është e vërtetë dhe ju takon juve!”

Duke u endur e palodhur, Nëna e botës arriti ta gjejë, ta këputë këtë gonxhe dhe ua dëshmoi si shembull jetësie, se kjo është dashuria në Hyjin dhe njeriun, që Ai vëtë krijoi për të përballuar mirësitë e natyrës, që sërisht vetë i dhuroi. Njerëzorja, autentike është institucioni më i lartë, më i pastër, më human dhe se institucionet e tjera, si: shteti, propoganda, ceremonitë, janë të vonshme, e jo të sinqerta përballë humanizmit dhe dashurisë.

Kur shihte bebe të vogla, vraponte që t’i përkthelte dhe i merrte në krahët e Saj të ngrohtë, duke u dhuruar dashuri me një buzëqeshje fisnike. Ajo kishte një optikë tjetër, kur vraponte nën moton, se “dhimbja e tjetrit zbutet kur kujdesesh për te, dhe kujdesi kryehet kur vetë jeton thjeshtë e bashkë me te”. Ajo shihte frikë nga vdekja, ndaj edhe jetoi gjatë. Veshja e thjeshtë dhe këmbët e zbathura me sandale, asnjëherë nuk qenë garniturë moralizuese, por sfidë stoicizmi.

E komentonte gjithnjë fjalën “Kam etje” (“I’m thirsty), për dashurinë e njerëzve, ashtu sikurse e thotë Krishti në Kryq. Ajo bëri atë që bënte me dashuri, i jepte ujë të uriturit, veshte të zhveshurit, mëkonte me ngrohtësi prindërore më të braktisurit. Dhe këtë rit e përsëriti për shumë dekada, duke sfiduar përherë moshën e vet, sëmundjet e njëpasnjëshme që e shoqëruan kudo, dhe mbi të gjitha kohën që jetojmë. Dhe asokohe me kalimin në amshim, bota u ul në gjunjë përpara madhështisë së bamirëses së Saj.

Media marramendëse elektronike, nuk e besoi humbjen e Saj dhe bëri që t’a nderonin të gjithë të pasurit dhe me të dashurit e Saj, të varfërit midis më të varfërve, mbasi Ajo dinte të komunikonte me të gjithë qëniet njësoj si Krijesa të Hyjit.

Ajo ndërroi jetë, mbasi shenjtorët nuk vdesin. Përpara kamerave, bliceve, internetit në të gjithë botën shihej qartë se si luksi e grykësia njerëzore, etika e moralit akademik, uniforma e ushtrisë dhe kostumet e diplomatëve, mbetën të shtangur dhe u përulen me veneracion, me pendesë të thellë plot shqetësim përpara atij lëmshi njerëzor, e aq gjigand njëherësh! U këput Gonxhja e Shqiptarëve, Lulja e Njerëzimit. E Lumja Nënë Tereza, është Poezia e Jetës, Poezia e Njerëzve të Varfër.

Kalkuta shumëmilionshe dhe me te, mbarë bota që e nderon si Qytetare Nderi të çdo kombi, race dhe ngjyre, është ulur në gjunjë dhe si një domosdoshmëri pavdekshmërie, kërkon të Shenjtërohet.

Ajo u shpall Shenjtneshë, por nëse altari shpirtëror, do të mbajë në koleksionin e tij si brilant emrin Shenjt, altari i vërtetë i prekshëm tokësor, human, bartë Nënë Terezën e vërtetë, e cila duket tashmë e shpërndarë si eter në veprën e misioneve të Saj, të cilat, me stoicizmin e tyre, janë plazmor si specie Tereziane, aq të mirëpritura e të respektuara kudo nëpër botë…

Me siluetën e Saj të brishtë, të mbështjellë me një pelerinë prej pambuku të bardhë (sary), me shirita ngjyrë blu Nënë Tereza, u shpall E Lumnueme, që do të thotë një hap para Shenjtnisë (më 19 Tetor 2003) nga Papa Gjon Pali II.

Ndërsa ish drejtori i Radios “Zëri i Amerikës” publicisti Frank Shkreli, duke theksuar kontributin e madh që ka dhënë e jep çdo ditë Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale New York, nën drejtimin e bariut shpirtëror Të Përndershmit Dom Pjetër Popaj, në artikullin analitik: “Nënë Tereza: NDERI I KISHËS KATOLIKE DHE KRENARIA E KOMBIT SHQIPTAR”, ndër të tjera vlerëson:

“Në shpirtin tim, jam thellësisht i gëzuar që kam rastin e bukur të jem me ju sonte: me Dom Pjetrin dhe anëtarët e këshillit dhe pjesëtarë të famullisë „Zoja e Shkodrës“, me të gjithë ju, që çdo ditë punoni e flijoni aq shumë për ideale të përbashkëta, në emër të interesave fetare e kombëtare.

Përveç dobisë shpirtërore, që është misioni i parë i kësaj kishe “Zoja e Shkodrës”-binomin „Fe e Atdhe“-e zbaton në flakë e në dritë të fesë, por gjithmonë duke mbajtur gjallë zakone e tradita kulturore, thjesht kombëtare, duke ruajtur e shtuar në këtë vend të madh pasurinë etnike të trashëguar nga të parët tanë, trashëgimi kjo që na bën të mundur ta quajmë veten, krenarisht, Shqiptarë në dheun e George Washington-it dhe Abraham Lincoln-it, në këtë vend të lirisë e demokracisë.

Me të drejtë, ne të gjithë jemi krenarë me veprimtarinë e kësaj kishe në laminë e fesë dhe të shqiptarizmit, veprimtari që është bazuar në terminologjinë e Imzot Pjeter Bogdanit: „Fati i im është fati i popullit tim“, veprimtari kjo për të cilën edhe Nënë Tereza është krenare, në 100-vjetorin e lindjes se Saj.”

klajdkapinova@yahoo.com

Ky artikull është botuar në numërin special me ngjyra të revistës “Jeta Katolike” #59, kushtuar 100-vjetorit të lindjes sw të Lumes Nënë Tereza, New York, 2010, f.26-29

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen