Nënë Tereza përçohet mjeshtërisht

Arkivi | admin | 29.12.10 | 20:38

Nënë Tereza përçohet mjeshtërisht nga Don Lush Gjergji

nt
Ministria e Kulturës ndihmon në shumë projekte, në shumë botime që pasurojnë fondin e kulturës shqiptare, por botimi i librit „The mother of Charity“ është një punë që nderon këtë ministri në radhë të parë dhe gjithë faktorët që nxitën botimin e këtij libri, duke konsoliduar kështu gjithë veprimtaritë që zhvilloi vendi ynë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës.

Përse një botim i tillë për Nënë Terezën, mund të pyesë një i huaj apo një shqiptar që di pak për jetën dhe misionin e kësaj gruaje. Ky vend ka nevojë për rrugë dhe po ndërton rrugë; ka nevojë për dije dhe po ecën drejt dijes; ka nevojë për mbarësi dhe po i ecën mbarë.

Por ky vend ka një identitet, një integritet, një biografi të tijën në të cilën çdo njeri që kontribuon, ka pjesën e tij në atë që e quajmë Shqipëri. E mbi të gjitha, vendin e nderit e mban Nënë Tereza, puna e madhe dhe jeta e sakrifikuar në ndihmë të njerëzve.

Shumëkush do të donte ta kishte në regjistrat e kombit të tij atë emër. Është fati i Shqipërisë të nderojë si bijën e saj, Nënë Terezën. Është fati i kësaj Shqipërie, që vuajti një diktaturë të egër, por që Zoti e bekoi me një misionare që i mësoi botës se varfëria e mjerimi nuk kanë atdhe, ato vetëm duhen zhdukur.

Autori i librit „Nëna e mëshirës“, i nderuari Don Lush Gjergji i ka dhuruar lexuesve dhe dashamirëve të Shqipërisë, 7 (shtatë) vepra kushtuar Nënë Terezës, e që kapin tirazhin 4 milionë kopje.

Këto vepra janë shumë të rëndësishme, janë dëshmi e gjallë se kemi të bëjmë me një pendë që po krijon ura afrimi të botës shqiptare, të botës humanitare, në botën e komunitetit evropian…“

Meshtari e publicisti mbrojti me stoicizëm identitetin shqiptar të Nënë Terezës, ndonëse në kohën që kishte botuar librin biografik „Nëna jonë Terezë“, shtypi i atëhershëm jugosllav, kishte mbushur faqet e tij me pretendimin, se Nënë Tereza është jugosllave. Ishte pikërisht serioziteti dhe ofrimi i fakteve autentike që studiuesi i palodhur dr. Don Lush Gjergji i ka bërë kësaj figure madhore të njerëzimit, që ndërgjegjësoi botën për identitetin e vërtetë të Gonxhe Bojaxhiut. Më pas media e shtypi i huaj, ka marrë si pikë referimi e boton shkrime nga jeta e Nënë Terezës, duke u mbështetur në veçanti nga burimet origjinale të hulumtuesit shqiptar dr. Lush Gjergji. Kështu do të vijojnë edhe 6 vepra të tjera që autori ia ka përkushtuar Gonxhe Bojaxhiut.

Libri është një pasqyrë monografike dhe reale me vlera shumëdimensionale për historinë shqiptare, mbasi këtu bëjnë pjesë shënime historike, mbi origjinën, traditën dhe gjuhën shqipe „…që ishte mburojë e pathyeshme e Ballkanit dhe e Evropës“, siç vlerëson edhe vetë biografi i veprës.

Monografia shpalos me dinjitet botën e madhe humanitare të shqiptares. Jepet këndshëm jeta e përkushtimi i nobelistes, si motër nderi e të gjithë botës, duke radhitur me kujdes një mori dokumentash që ka hulumtuar vetë në Indi e kudo, ku ka marrë mesazhe, episode tërheqëse dhe emocionale.

Figura e qetë, fisnikëria, urtësia, dëlirësia, dashuria, përkushtimi, vendosmëria dhe vetëmohimi janë në qendër të gjithë përshkrimit të autorit.

„Madre della carita“ (Nëna e dashurisë), mbasi u botua në shqip në vitin 1990, u përkthye në: italisht, frëngjisht, anglisht, spanjisht, gjermanisht e polonisht. Libri është një publikim i rrallë, i veçantë, duke rrezatur e vendosur një urë afrimi mes botës shqiptare, të mishëruar në piedestal përmes Nënë Terezës, si shembull përsosmërie në tërë botën.

Kjo vepër nuk e ka rëndësinë në numrin e kopjeve të shitura, por në domethënien e saj, në kulturën me të cilën e ka shkruar Don Lush Gjergji, mënyrë të shkruari të cilën shtypi e huaj e përcjell kështu: „…një letrar me talent e kallëzimtar që na e kujton Barlecin, përmes shkrimesh e ngjyrash të gjalla ka përjetuar figurën madhore të Nënë Terezës.“ Varianti në italisht „Madre della carita“, në një numër prej 500 kopjesh janë speciale, pra me një fjalë të mbështjellë me lëkurë ariu të bardhë të zonave polare. 500 ekzemplarë i janë dhënë Atit të Shenjtë Papa Gjon Pali II, i cili ua dhuron autoriteteve botërore të lëmeve të ndryshme.

Ne kemi shumë nevojë për Nënë Terezën. Secili prej nesh ka nevojë të zhdukë çdo grimcë varfërie në mendime, në shërbime, në veprime në të mirë të shoqërisë e sidomos të njerëzve në nevojë.

Të ecësh në gjurmët e jetës dhe punës së saj, do të thotë të dish më shumë për të mirën, të kapësh edhe pikëzat e vogla të shpresës e t’i kthesh në kurajë e mirënjohje ndaj veprës së mirë në shërbim të njerëzimit.

Ne jemi duke ndërtuar një shoqëri më të mirë, sepse kemi hapur zemrën duke ndjekur shembullin e saj. Nuk do të reshtim kurrë së menduari dhe punuari për të lehtësuar çdo dhimbje njerëzore, sepse kemi kuptuar misionin fisnik e njerëzor. Ky mision do të jetë gjithmonë e më i madh, sepse i ngjason një lumi të madh që e ka zanafillën në një burim të pastër e të kulluar. Nënë Tereza, është shqiptarja që pati një zemër burim të kulluar, udhëtoi në një rrugë të mundimshme. Është fati ynë, është fati i Shqipërisë të kemi një model të jashtëzakonshëm, Nënë Terezën.

Jeta e saj ishte një udhëtim nëpër botë, aty ku kishte varfëri, ku kishte vuajtje. Të gjithë do të donin ta kishin të tyren. Dhe të gjithë e kanë të tyren si histori, si eksperiencë të rrallë, si shembull frymëzimi. Kurse ne jo vetëm e kemi, por do ta vështrojmë gjithë kohën sikur të ishte ende mes nesh, sikur të ecë e ledhatojë, sikur të lutet e të mundohet të lehtësojë jetët. Ajo ende na ndihmon, duke na treguar se varfëria e njerëzve shuhet me pasurinë e madhe të shpirtit të njeriut.

Biografi

Dr. Don Lush Gjergji, prift katolik shqiptar i Ipeshkvisë Shkup-Prizren, ka lindur më 21 mars 1949 në Stubëll të Epërme të Karadakut, Komuna e Vitisë (Kosovë). Lushi i vogël, zuri të dallohej në mes shokëve bashkëmoshatarë për urtësi, bujari, zgjuarësi e devotshmëri. Shkolla ishte pjesë e jetës së tij. Katër vitet e para të shkollës fillore i mori në vendlindje. Ishte ndër nxënësit më të dalluar e të dashur me të gjithë që e rrethonin. Mësonte mirë e me rregull, ndonëse në shtëpi nuk kishte kushte të përshtatshme. Studionte mbi një sofër druri karakteristike, që i shërbente si një tryezë për të përgatitur mësimet dhe më pas pjesëtarët e familjes shtronin sofrën për miqtë e shumtë.

Së bashku me të vëllanë dyfish: Në familje e në Krishtin, të devotshmin dhe të nderuarin Don Ndue Gjergjin (famullitar në kishën „Zoja Pajtimtare“ [Shqiptare] në Beverly Hills në Detroit të Michigan në SHBA), mësonin dhe bënin detyrat, për të nesërmen në shkollë. Ende i vogël, duke medituar dhe shkuar shpesh pranë kishës, binte në sy të të tjerëve devocioni i thellë që kishte për të Lumin Jezu Krisht.

Por, mbi të gjitha, në shpirtin e vogël të Lushit dhe në vitet e adoleshencës, do të mbetën të pashlyera gjurmët dhe shembujt e lartë që jepnin meshtarët e kësaj treve pjellore, bijë martirë të Kosovës, përherë kreshnike në historinë e lavdishme të nacionit shqiptar. Ngjarja shpirtërore e gëzim i brendshëm, lumturoi Lushin e vogël, thirrja e Zotit, për ta pasur pranë si shërbestar besnik, duke e pranuar në gjirin e meshtarëve, që i përkushtoheshin Zotit, njeriut dhe vendit, ku ato kryenin misionin baritor të popullit shqiptar.

Mirëpo Stubulla e Epërme, ka ngjarje që ruhen thellë në kujtesën e historisë nacionale e fetare të këtyre trevave, ku kulmojnë ndër të tjera edhe martirët që e falën jetën e tyre, në shërbim të krishtërimit (mbi të cilët sot ekzistojnë edhe libra studimorë, të realizuar nga autorë shqiptarë, në formë monografie me fakte e të dhëna të pasura me ndodhitë e historisë). Këtu ruhen me dashuri, ende si jehonë të shekujve që kanë kaluar afresket e kishës plot kolorit të gjallë, që shfaqen hijshëm nëpër faqet e murale të objektit të kultit, të cilat me stoicizëm i kanë rezistuar erërave të furishme të historisë që ka përjetuar kisha.

Këtu meshtari i ardhshëm lutej dhe vetëm lutej, për vete dhe të tjerët. Ai, do të kujtojë me mall ceremoninë e bukur të krezmimit të tij. Përsëri vitin e pestë, vocrraku që hidhte shtat, do të vijojë çdo ditë shkollën e Vitisë. Ndërsa tre vjetët e fundit nga klasa e pestë deri në të tetë i ndjek në shkollën e fshatit Zheger. I riu, vijon studimet në gjimnazin klasik në Dubrovnik, ku vitin e parë gjendet si student në degën e filozofisë pranë qytetit të Splitit, kurse vitet e tjera të filozofisë, niset për t’i ndjekur në Romë, ku më pas mbron magjistraturën me temë: „Pavdekshmëria e shpirtit në Plotinon“, më 1970.

I etur për të zgjeruar dhe thelluar dijet, me të cilat nuk kënaqej asnjëherë, përsëri në Itali, vijon studimet e arrin të marrë diplomën e teologjisë, pranë Universitetit Papnor të Urbanias ose siç njihet „Propaganda Fide“ në Romë. Hapësirat kulturore për këtë meshtar ende të ri, nuk do të njohin kufi. Paralelisht me studimet e larta universitare të filozofisë e teologjisë, ka bërë pronë të tij asimilimin e plotë të studimeve universitare dhe pasuniversitare në Insitutin e Psikologjisë në Universitetin Shtetëror „La Sapinza“ të Romës, ku ka doktoruar më 1975, duke mbrojtur temën e disertacionit: „Gruaja shqiptare“.

Sipas vlerësuesve profesorë laikë dhe klerikë të famshëm në Itali, që kanë asistuar në këtë eveniment shkencor, theksohet se punimi i autorit shqiptar shquhet për një trajtim korrekt dhe serioz, e pasur me argumente logjike dhe burime të larmishme shkencore shqiptare e botërore në fushën e psikologjisë shoqërore. Dr. Gjergji, ka preferuar të rrokë temën e ndjeshme të një force të shoqërisë shqiptare: „Roli i femrës shqiptare në familje dhe shoqëri“, të cilin nënshkruesi e botoi dhe ribotoi si vepër të veçantë. Shtypi i kohës, i ka kushtuar një kujdes të veçantë në shumë rrafshe. Në veçanti shquhet një artikull vlerësues, konceptuar me kulturë nga studiuesi i letërsisë shqipe prof. Isak Ahmeti, ku midis të tjerave e ka cilësuar këtë vepër, si një „… hap i guximshëm prometik në lëmin përkatës“ („Drita“, 3 maj 1978).

LIBRA TË BOTUAR

Roli i femrës shqiptare në familje dhe shoqëri

Krishti ndër ne

Nëna jonë Terezë

Kah toka e premtuar

Zoti kujdeset për popull

Lule për nënën

Dëshmitarët e Krishtit

Dashuria në vepër, Nënë Tereza

Fitorja e kryqit

Atenagora- profet i bashkimit

Shna Ndou- Shenjti i botës

Jezusi ndërron jetën tonë

Gonxhja jonë- nëna e botës

Zbulimi i zotit dhurata më e çmuar

Poezi dhe uratë

Prej dashurisë në dashuri

I pavdekshmi Gjon Pal II- 1920-2005

Dashuria nuk dashurohet

Shën Pali- Apostulli i popujve

Nënë Tereza, shenjtëresha e dashurisë

Imzot, Nik Prela, Njeriu i Zotit, Kishës dhe popullit

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen