Prekë Brahimi: PSHDK

Diaspora | admin | 06.01.11 | 12:37

Kështu, në mesin e shumë  veprimtarëve tanë të cilët jetojnë dhe veprojnë në diasporë, përkatësisht në Austri dhe, i cili,  një jetë të tërë ia kushtoi  vendlindjes dhe popullit të tij, është Prekë Brahimi, kryetar aktual dhe shumëvjeçar i PSHDK-së në Austri. 

PSHDK në Austri, ishte një arterie e  gjallë e Partisë Shqiptare Demokristiane, me seli në Prishtinë. Kontributi dhe angazhimi i saj  është i hershëm  dhe i ngjeshur. Pothuajse gjithë aktivitetin dhe angazhimin  që ky subjekt politik ka zhvilluar, kryetari i saj  shumëvjeçarë, Prekë Brahimi, e ka pasqyruar në librin e tij të parë të titulluar,  “Udhëtimi për një copë dhe”, të botuar në vitin 2006.

Libri, “PSHDK – bartëse e veprimtarive politike, kulturore e kombëtare në Austri”, ngërthen në vete po të njëjtin motiv dhe tematikë, të cilën ka pasur libri i mëparshëm, “Udhëtimi i çmallje për një copë dhe”. Pra, me fjalë të tjera, ky libër ngërthen një tematikë përmbajtjesore të ngjashëm me librin e parë, në përjashtim të ndonjë kaptine të caktuar konceptuale, që do të thotë se edhe  ky libër paraqet  një vazhdimësi  të  librit të parë. Sikurse libri i parë, po ashtu, edhe ky  i radhës, shpalosin gjithë aktivitetin politik, kulturor dhe kombëtar të e BD të PSHDK-së për Austri gjatë një periudhe të caktuar.
Vlen të potencohet se aktiviteti i kësaj partie, që nga fillimi i themelimit të saj deri me ditët e sotme është i gjithëmbarshëm dhe i gjithanshëm. Veprimtarët e kësaj partie, me qëllim të mbajtjes gjallë të jetës kombëtare, nëpërmjet organizimit të shumë veprimtarive, kanë mbajtur gjallë këtë jetë.
Ruajtja e identitetit kombëtar për brezat që jetojnë dhe rrite në diasporë është nevojë e kohës. Sepse, të rinjve tanë, të cilët vazhdojnë jetën në mërgatë u  kanoset rreziku  që në një të ardhme t’u shuhet ky identitet.
 
Për ta ruajtur këtë frymë BD e PSHDK-së në Austri ka zhvilluar shumë veprimtari arsimore e kulturore dhe, sot, falë punës dhe angazhimit ë kësaj partie, në Austri, tek të rinjtë shqiptar është ruajtur  identiteti kombëtar. Shpresojmë se edhe në të ardhmen  kjo vlerë do të ruhet.

Pra, siç theksuam edhe më lart, aktivitetet e kësaj partie në Austri janë të shumta dhe të shtrira në shumë veprimtari. Aktiviteti i kësaj BD të PSHDK-së në Austri, po ashtu është orientuar  në realizimin e projekteve për grumbullimin e ndihmave  për në Kosovë e Shqipëri, si dhe vendosjen e kontakteve me administratën austriake, si dhe institucionet ndërkombëtare që vepronin në Austri. Veprimtarët të kësaj partie nuk kursyen asgjë nga vetja vetëm e vetëm që Kosova dhe çështja shqiptare në përgjithësi të  internacionalizohet dhe të njihet e vërteta për Kosovën dhe mbi Kosovën dhe popullin e saj.  Roli i tyre çmohet edhe  në hapjen dhe forcimin e  marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe të Austrisë.

BD e PSHDK-së në Austri, po ashtu ka organizuar edhe  jetën arsimore, kulturore dhe informative në këtë vend, që  ishte një nevojë  shumë  qenësore.

 PSHDK-ja në Austri, po ashtu popullit të Kosovës, i është gjendur  me të gjitha mënyrat duke mos kursyer asgjë për të siguruar jetesën e popullit që kishte ardhur në shkallë ekstreme.  Ndihmat grumbulloheshin dhe mbikëqyreshin  nga Komisioni për Solidaritet, komision që mbikëqyrej nga Kryesia e PSHDK-së. Komisioni funksionoi deri në  themelimin e  Fondit të Republikës së Kosovës. Ky fond ishte ngritur  dhe funksiononte me sukses në këtë vend. Grumbullimi i disa milionë eurove  për Fondin e Qeverisë tregoi se  3 përqindëshi u konsiderua si obligim kombëtar.

Në kuadër të këtij fondi u organizuan disa aksione të rëndësishme për të ndihmuar në shumë situata të rënda që  kishte krijuar regjimi serb në Kosovës.

Prandaj, qëllimi i botimit të këtij libri është për të lërë disa nga gjurmët e aktivitetit të kësaj partie për një periudhë të caktuar  në Austri, është kjo periudha kur Kosova dhe populli i saj kishin  nevojë për ndihmë më shumë se kurdoherë më parë.

Libri, PSHDK – bartëse e veprimtarive politike, kulturore e kombëtare në Austri, është e konceptuar në disa pjesë përmbajtjesore. Pjesa e parë, Analiza raporte, veprimtari…, ngërthen në vete në mënyrë kronologjike disa analiza politike mbi gjendjen në Kosovë, duke filluar që nga viti 1990 deri në vitin 2008, e cila, prezantohet shumë e  rëndë dhe me përmasa tragjike. Në vijim të këtij kapitulli, autori Brahimi, po ashtu  shpalos shumë veprimtari  të kësaj partie që ka zhvilluar dhe raporte të aktiviteteve dhe veprimtarive që ka zhvilluar duke raportuar për gjithë punën dhe  veprimtaritë Kryesisë Qendrore të PSHDK-së në Prishtinë. Informatat dhe raportet e hartuara nga Kryesia e kësaj bashkësie të degëve janë kanë autenticitetin e vet dhe  kanë një nivel të duhur të ndërtimit.

Në këtë pjesë janë të përfshira edhe disa reagime  dhe  politikës serbe  dhe tezave  të kësaj politike e pashkëputur nga  ideologjia e kaluar hegjemoniste dhe këtyre teorive  si pasuese të atyre të mëparshme u prinë ideatori i tyre ish- kryeministri serb Voislav Koshtunica. Këtyre tezave shumë  ogurzeza të kësaj politike në mënyrë kategorike iu përgjigjet  kryesia e BD të PSHDK-së, në krye me kryetarin e saj, z. Brahimi.

Brenda këtij kapitulli janë të përfshira edhe shumë veprimtari të tjera shkencore e kulturore, sidomos me rastin e shënimit të 88-vjetorit të akademik Mark Krasniqit, atëbotë kryetar i PSHDK-së, përvjetorin e vdekjes së humanistes së madhe shqiptare dhe të universit botëror, Gonxhe Bojaxhiut, Nënës Terezë.

Në brendinë e këtij kapitulli vlen për ta vlerësuar edhe një shkrim ekskluziv nga z. Anton Marku, këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në vjen, ku shpreh opinionet e tij mbi pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar në jetën politike dhe shoqërore në Austri.  

Në pjesën e dytë e këtij libri, Promovime dhe recensione,  prezantohen  disa veprimtari rreth promovimit të librit “Udhëtimi i çmallje për një copë dhe”, botuar më 2006, ndërkaq promovimi mbajtur në Graz, po ashtu më 2006, me ç’rast për vlerat e këtij libri folën krijues dhe njohës të letërsisë dhe të artit.   po ashtu me këtë jepen vlerësime të botuara në shtyp  mbi vlerat  e këtij libri. Këtu janë konceptuar edhe recensione dhe vështrime letrare  rreth këtij libri i cili është vlerësuar pozitivisht.

Në kapitullin në vijim, Intervista dhe shkrime, janë përfshirë intervistat që zoti Brahimi u ka dhënë gazetave dhe medieve  të shkruara  që botohen në Kosovë dhe diasporës, si Bota sot, Zëri ditor etj. Këtu, po ashtu, janë përfshirë edhe shkrime të botuara në këto mediume që pasqyrojnë aktivitetin dhe angazhimin e  BD  të PSHDK-së për Austri.

Kapitujt e fundit,  Fotoalbumi dhe  Nga shtypi i kohës, kapituj këta që begatojnë konceptimin e këtij libri, ku kapërthehen  fotografi familjare, po ashtu edhe  të tjera të zotit Brahimi si  dëshmi autentike të komunikimit, veprimit të tij dhe të bashkëpunimit me personalitete të shquara me ndikim relevant në diplomacinë evropiane. Po ashtu në përfundim kemi faksimilet të nxjerra nga shtypi, të cilat, po ashtu që paraqesin momente shumë të rëndësishme dhe me vlerë.

Kështu që, libri „PSHDK –  bartëse e veprimtarive politike, kulturore e kombëtare në Austri“,  është një kontribut i vogël për të shpalosur një katalog të vogël të veprimtarive politike, kulturore dhe kombëtare të BD të PSHDK-së në Austri, veprimtari këto mbase janë të shumta.
 
Edhe ky libër është i një vlere të rëndësishme dokumentare dhe  shumëdimensionale, i cili, po ashtu do ta begatojë këtë zhanër të krijimit shqip.

liber

Prekë Brahimi: PSHDK – bartëse e veprimtarive politike, kulturore dhe kombëtare, botoi PSHDK, Graz – Prishtinë 2010.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen