Shqiponja jonë me dy koka,simboli më i vjetër në botë

Arkivi | admin | 02.10.10 | 11:24

Këto dhe pyetje të tjera kanë qenë objekt i shumë studimeve, të cilat janë bërë në lidhje me të. Një nga këto është ai që shpjegimin në lidhje me simboliken e shqiponjës me dy koka e jep nëpërmjet okultizmit.

Për të kuptuar se çfarë simbolizon shqiponja me dy koka duhet të shikosh shumë larg në lashtësi. Janë rreth 4300 vjet që na ndajnë që nga gdhendja më e lashtë që tregon një shqiponjë me dy koka (e gjetur në Babiloni).

Në tempullin e vjetër Summer, në qytetin Eshnunna (Tell Asmar), shfaqet simboli i një shqiponjë me dy koka. Shqiponja me dy koka ishte simboli i zotëve dhe prezantonte pushtetin dhe absoluten. Ky simbol shfaqet në monumentet e perandorisë së parë Hittite dhe i atribuohej perëndisë Nergal. Gjithashtu, ai ishte një nga simbolet më të fuqishme të kulturës fenikase.

Pra, lashtësia e këtij simboli daton që në fillimet e qytetërimeve. Më e veçanta e tij qëndron në përdorjen e elementit të dy kokave. Është pikërisht ky detaj ai që është edhe çelësi i shpjegimit të kuptimit të kësaj embleme të lashtë.

Po si ka mundësi që ky simbol i fuqishëm i botës antike dhe i qytetërimeve më të njohura pagane të qëndronte në të njëjtin rang, të ishte përsëri më i fuqishmi i heraldikës mesjetare, të behej paradoksalisht simbol i krishterimit (perandoria bizantine e kishte simbol kryesor ndërsa kisha ortodokse edhe sot e kësaj dite e ka simbol shqiponjën së florinjtë me dy koka) dhe të jetë edhe sot simbol i shumë shteteve, ushtrive e shoqërive?! Për të bërë një lloj krahasimi, ndahet në dy periudha përdorimi i këtij simboli, në erën tonë dhe para erës sonë.

Studiues të ndryshëm të cilët japin shpjegimin në lidhje me këtë simbol, janë dakord në të njëjtën pikë. Ky simbol, në fillimet e erës sonë pavarësisht se u përdor nga mbretër e perandori, qëndroi vetëm si kompozim figurativ pasi kuptimi që fshihte në vetvete, u kamuflua qëllimisht.

Prej kohësh është arritur në përfundimin se ky simbol nuk është shqiponjë me dy koka, ashtu si emërtohet nga e gjithë bota, por është një feniks, një shpend legjendash e mistik, i cili në lashtësi ishte qenia më magjike. Për të kuptuar se përse e nga kush ky simbol u transformua dhe u emërtua shqiponjë me dy koka. duhet të dimë se çfarë simbolizonin këto dy shpendë, shqiponja dhe feniksi në antikitet.

Simboli i shqiponjës gjatë shekujve

Ka simbolizuar diellin, zjarrin, ajrin, jetën, qiellin dhe zotat e diellit. Zeusi në skeptrin e tij mbante një shqiponjë. Ajo ishte simbol i perëndisë që drejtonte gjithë hierarkinë qiellore (sipas mitologjisë së grekëve të lashtë, të cilët e trashëguan ketë të fundit nga pellazgët.) Për paganët, shqiponja, ajo natyralja (me një kokë), ishte një emblemë e Jupiterit, i cili ishte Zot i moralit, ligjit, rregullit dhe dënues i fajtoreve. Tek Druidet ajo ishte simbol i qenies hyjnore.

Në Enciklopedinë e Keltëve thuhet se, „Shqiponja është emblemë e Zotëve të Qiejve dhe e Diellit që mbyt errësirën. Shqiponja me dy krerë, është simbol i zotëve binjake dhe simbolizon pushtet dhe gjithëdije të dyfishtë. Ky është një simbol me origjinë lindore dhe shfaqet gjithashtu edhe në traditat e Uellsit dhe të Irlandës, por në traditën kelte shfaqet më rrallë“. Shqiponja dhe luani i Innishoen ishin të përdorura si simbole kryesore keltiko-druide.

Sipas indianeve të Amerikës, shqiponja është pika nëpër të cilën rrjedh energjia në Botë. Shqiponja gjithashtu kryen „udhërrëfimin eterik mes botëve“, ku ajo shndërrohet në udhëheqëse dhe u sjell personave energjinë dhe informacionin për të kaluar në botë të tjera.

Në vitin 102 para erës sonë, konsulli romak Marius, dekretoi që shqiponja me një kokë të bëhej simbol i Perandorisë së Romës (më poshtë do të shohim se përse Perandoria e Romës pati ndikimin e shqiponjës me dy koka dhe kush e solli atë).

Besohet se flamuri i parë standard i Profetit Muhamed, në shekullin VII të erës sonë, ishte një flamur pa asnjë lloj simbolike në të, kjo për të qenë në kundërshtim me flamurin kombëtar standard të fisit pagan Quraish tribe, Al -Uqaab, i cili kishte një shqiponjë të zezë të vendosur mbi një sfond të bardhë. Shqiponja e tyre ishte e konsideruar si e shenjtë dhe besohej se merrte shpirtrat nga toka për në qiell.

Shamanët turq të Azisë Qendrore gjatë ritualeve të tyre ndërtonin një shkalle me 7-të ose 9-të stika druri dhe në majë vendosnin shqiponjën. Për ta, shqiponja ishte simbol i hyjnores dhe ajo konsiderohej si roje dhe shoqëruese e shpirtrave në momentin e lënies së tokës pas vdekjes.

Gdhendjet e gjetura në shkëmbinj në këto zona tregojnë se sa e rëndësishme ishte kjo simbolikë. Religjioni shaman turk mbijetoi edhe për shumë kohë pas pranimit të Islamit. Tougrul Beig (993-1063 era jonë), themeluesi i shteti Selxhuk kishte emërtimin metaforik „Shqiponjë“. Në heraldiken e mesjetës dhe në atë moderne, shqiponja është simbol i guximit dhe mbahet pikërisht për të treguar një gjë të tillë.

Shikim i shkurtër mbi shqiponjën me dy koka dhe heraldiken

Për të lashtët, shqiponja me dy koka ishte emblemë e ekuilibrit, i cili konsistonte në një trup të përbashkët që udhëhiqej nga dy koka – njëra femra, tjetra mashkulli. Gjithashtu, ajo simbolizonte universin në tërësi, i cili ishte i ndërtuar nga dy forca, ato superiore dhe ato inferiore.

Kjo qenie është perfekte nga të gjitha pikat e shikimit dhe perfeksioni është i tipizuar në të dyja kokat, të cilat kanë të njëjtin dinjitet. Është emblemë e finalizimit të individit, ku shpirti arrin ciklin final dhe fuqinë absolute. Duke pasur një simbolikë kaq të fuqishme, ajo u përdor gjerësisht nga shumë popuj.

Shqiponjat janë të përdorura në heraldikë si në formën e pikturave ashtu edhe në atë të gdhendjes. Jo vetëm shqiponja e plotë, por edhe pjesë të saja si koka, flatrat apo kthetrat, janë përdorur si simbolika nga shumë vende.

Ashtu si luani që konsiderohet mbreti i kafshëve, ashtu dhe shqiponja konsiderohet mbreti i shpendëve. Duke qenë se ka një simbolikë kaq të fuqishme, shqiponja është përdorur gjerësisht në të gjithë anët e globit. Ajo ka ekzistuar paralelisht si simbol me një, ashtu edhe me dy koka. Simboli i shqiponjës (si me një dhe me dy koka) është përdorur më shumë në Evropën Kontinentale sesa në heraldiken angleze. Kur mbretëronte Henry III (1216-1272), shqiponja haset vetëm në tre raste. Shpesh shqiponjat (përjashto heraldiken italiane), janë të pikturuara me sqepin, gjuhën dhe majat e flatrave me ngjyra të ndryshme nga ajo e trupit. Një shqiponjë mund të jetë e paraqitur me një apo edhe me dy koka dhe të paktën në një rast (në Gjermani) ekziston edhe një variant ku shqiponja është me tre koka. Versioni i thjeshtë, ku dy kokat shohin në drejtime të kundërta dhe shqiponja ka vetëm një trup, është edhe simboli i cili trajtohet si ai origjinali. Ndryshimet e tjera dhe shtesat që i janë bërë si p.sh. kryqe, armë, kurora, luanë etj. i përkasin kryesisht periudhës së shekullit XI, periudhë e cila mbahet edhe si lulëzim i heraldikes.

Monedha islamike të periudhës së Khalif Nasreddin Mahmoud bin Mohammad (vitet 1200) mbajnë në njërën anë shqiponjën me dy koka dhe në anën tjetër yllin e Davidit. Ndërsa shqiponja me dy koka e Bizantit është shfaqur fuqishëm, rreth shekullit XIII në heraldiken perëndimore.

Një rast i veçantë është edhe përdorimi i emblemës së shqiponjës me dy koka nga heraldika e hebrenjve. Ky është një nga faktet më interesante – veçanërisht sepse bëhet fjalë për periudhën e mesjetës. Dihet botërisht që hebrenjtë, nuk kanë preferenca për të tjerët e kësaj botë, pasi konsiderojnë vetën si popull i zgjedhur. Në një dorëshkrim Mahzor (libër hebre) të shek. XV, i cili ndodhet në Bibliotekën Ambrosiana të Milanos, tregohet një koleksion armësh, ku një shqiponjë me dy koka shfaqet para të gjitha shenjave të tjera.

Rusia dhe ndikimi i fuqishëm i shqiponjës me dy koka te sllavët

Ky simbol, një ndikim të fuqishëm pati edhe në Rusi. Aktualisht, shqiponja me dy koka është emblemë shteti në Rusi. Ajo është vendosur mbi monedha, flamuj, dokumente zyrtare, vula etj.

Ky simbol u shfaq për herë të parë në Rusi në vitin 1472 me dhënien e të drejtave të fronit për Sofiya Paleolog, për shkak të martesës së saj me Ivan Vasilevich III. Sofiya Paleolog ishte mbesa e perandorit të fundit të Bizantit, perandorisë e cila pati shqiponjën me dy koka si simbol kryesor.

Carët rusë e konsideronin veten si perandorë të perandorisë së tretë, ku e para ishte Roma (në Romë u përdor shqiponja si simbol) ndërsa e dyta ishte Kostandinopoja e më pas Bizanti (po ashtu me shqiponjën me dy koka si simbol). Edhe vete emri i tyre, Car, ishte transformim i emrit Cezar.

Në gjoksin e shqiponjës më 1730 u vendos shenjtori Georgy Pobedonosec, i cili shfaqet hipur mbi një kalë të bardhë duke vrarë një dragua. Ky ishte simboli i triumfit të së mirës mbi të keqen. Këtë ndikim ata e përcollën edhe në vendet e tjera sllave, të cilat kishin qenë pjesë e perandorisë bizantine. Aktualisht, shqiponja me dy koka përdoret nga Serbia dhe nga Mali i Zi.

Ngjyra e zezë e shqiponjës dhe kuptimi i saj

Ngjyrat e ndryshme të shqiponjës kishin të bënin me rangjet e ndryshme, të cilat përfaqësoheshin me këtë shenjë. Sipas shpjegimeve të autorëve të ndryshëm, shqiponja e artë me dy koka, ishte simboli mbretëror.

Kështu me radhë do të vinin edhe ngjyrat e tjera, ku e argjendta ishte për rangje me të ulëta, ato me ngjyra të ndryshme (unike apo të përziera) i përkisnin shtresave të tjera apo edhe momenteve e vende të ndryshme sipas të cilave përdoreshin. Ndër këto klasifikime, vend të veçantë ka shqiponja e zezë, e cila nuk kishte shkëlqimin e artë të shqiponjës mbretërore, por me hijen që ka impononte seriozitet dhe autoritet. Ajo ishte shqiponja që përdorej në luftë. Shqiponjat e zeza përdoreshin kur kryheshin luftëra dhe ngjyra e tyre nuk kishte të bënte me rangun, pasi të gjithë mbanin shqiponjë të zezë në betejë.

Simboli i Feniksit, një prej qenieve më mistike

Tregojnë për të emrat e njohur të botës antike latine dhe greke.

Për të parë se çfarë lidhje ka simboli i shqiponjës me dy koka me atë të feniksit legjendar, duhet të sqarojmë më parë se çfarë simbolizonte feniksi. Në lidhje me feniksin kanë shkruajtur edhe disa prej emrave më të njohur të antikitetit. Ja se ç’thonë dy prej tyre.

Sipas historianit latin, Ovid:

Ovidi e përshkruan kështu feniksin: „Shumica e qenieve të gjalla lindin nga qenie të tjera, por ekziston një specie e cila riprodhon vetveten. E quajnë feniks. Ky nuk jeton me fruta apo me bimë, por me rrëshirë dhe me lëngje pemësh aromatike. Kur ai ka jetuar 500 vjet, ndërton një fole në maje të një peme arre apo palme. Në të ai akumulon kanelle dhe gjithfarë lloje bimësh të tjera aromatike, nga të cilat nxirren esencat e parfumeve. Ndërton me to një fole në të cilën vendoset dhe ndërsa vdes, nxjerr jashtë frymën e tij të fundit e cila përzihet me erën e bimëve aromatike. Nga trupi i feniksit që vdiq del një feniks i ri, i destinuar që të jetojë po aq gjatë sa edhe paraardhësi i tij. Sapo rritet ai largohet nga pema, e cila ishte vendlindja e tij dhe varri i paraardhësit. Ai merr me vetë hirin e të parit dhe e çon në tempullin e diellit në Heliopolis, në Egjipt. Ai jeton në vetmi“.

Herodoti ka shkruar për Feniksin se, „Një shpend tjetër i shenjtë është feniksi. Unë vetë nuk kam parë ndonjë feniks, përveç rasteve kur e kam parë të pikturuar, por është një shpend shumë i rrallë dhe viziton qytetin e diellit, Heliopolis, në intervale që zgjasin afërsisht 500 vjet. Ai është momenti në të cilin feniksi vdes dhe nga hiri i tij lind pasardhësi“.

Këtu shihet qartë se feniksi ka të bëjë me kultin e lashtë egjiptian të diellit. Shpjegimin e këtij simboli dhe lidhjen që ka ky me atë të shqiponjës me dy koka e japin studiuesit e okultit dhe të Masonerisë. Masoneria është bazuar pikërisht në religjionet e lashta misterioze të Egjiptit dhe të Babilonisë.

Çfarë është Masoneria, ç’simbolizon, ku dhe si lindi ajo?

Filozofia materialiste e Egjiptit të vjetër vazhdoi së ekzistuari edhe pas zhdukjes së këtij civilizimi. Ishte adoptuar nga disa çifutë dhe e mbajtën të gjallë brenda në doktrinën kabaliste. Nga ana tjetër, një numër i mendimtarëve grekë kishin adoptuar filozofinë e njëjtë dhe e riinterpretuan dhe e përjetësuan në formë të shkollës së mendimit të njohur si „Hermeticizëm“.

Studiuesi turk, Dr. Selami Isindag, e shpjegon kështu origjinën e kësaj filozofie dhe vendin e saj në masonerinë moderne:

„Në Egjiptin e vjetër ekzistonte një shoqëri fetare, që la si trashëgim një sistem të besimit dhe të menduarit në hermeticizëm. Edhe Masoneria kishte diçka të ngjashme. P.sh., ata që kishin arritur deri në një nivel të caktuar, përcillnin ceremonitë e shoqërisë, zbulimet mbi mendimet dhe ndjenjat e tyre shpirtërore dhe mandej i pasonin tek ata që ishin në nivele më të ulëta.

Pitagora ishte një ndër hermeticistet që shkollohej në këto shkolla. Organizatat dhe sistemet filozofike të shkollës së Aleksandrisë dhe Neoplatonizmit i kishin rrënjët e tyre në Egjiptin e vjetër dhe atje gjendeshin disa ngjashmëri mes tyre dhe ritualeve masonike. Isindag është shumë i qartë në lidhje me ndikimin e Egjiptit të vjetër në origjinën e Masonerisë kur deklaron: „Frankmasoneria është organizatë shoqërore dhe rituale që i ka fillet e saj në Egjiptin e vjetër“.

Edhe shumë autoritete të tjera masonike thonë se origjina e Masonerisë është në shoqëritë sekrete të kulturave të lashta pagane, siç janë ato nga Egjipti i vjetër dhe Greqia antike. Një mason i vjetër, i deklaruar turk, Celil Layiketez, në revistën „Mimar Sinan“, në artikullin me titull „Fshehtësia masonike: Çfarë është sekrete e çfarë jo?“, shkruan:

„Në civilizimet e vjetra greke, egjiptiane dhe romake ekzistonin shkolla mistike që ndeshen në kontekst të një shkence të caktuar apo njohuri sekrete. Anëtarët e këtyre shkollave mistike ishin pranuar vetëm pas një periudhe të gjatë të studimeve dhe të riteve të pranimit.

Në mesin e këtyre shkollave, e para që mendohet të jetë hapur, ka qenë shkolla e „Ozirisit“. Ajo bazohej në ngjarjet e lindjes së këtij Zoti, rinisë, luftës kundër errësirës, vdekjes dhe ringjalljes së tij. Këto çështje ishin dramatizuar ritualisht në ceremonitë e përformuara dhe në ketë mënyrë ritet dhe simbolet që prezantoheshin ishin më shumë efektive për shkak të pjesëmarrjes aktuale.

Vite më vonë, këto rite themelojnë qarkun e parë të rendit të vëllazërisë, që aktualisht vazhdon me emrin e Masonerisë. Vëllazëritë e tilla çdo herë vendosin ideale të njëjta dhe kur janë në presion janë në gjendje që të jetojnë në mënyrë sekrete. Ata ishin në gjendje që të mbijetojnë deri më sot, pasi ata vazhdimisht ndërronin emrat dhe format e tyre.

Por, ata i mbetën besnik simbolizmit të lashtë dhe karakterit të tyre të veçantë, i cili kalon dorë më dorë si trashëgimi (Mimar Sinan, 1992, Nr. 84, f. 27?29). Pra, ruajtja e simbolikes dhe trashëgimi i saj deri në ditët aktuale ka të bëjë edhe me përdorimin prej tyre të simbolit të shqiponjës me dy koka apo ndryshe simbolit të feniksit.

Pse simboli i feniksit u emërtua shqiponjë me dy koka dhe ç’simbolizon ai realisht?

Masoneria është e mbushur me simbole magjike. Po ç’është një simbol magjik? Simbol magjik, sipas studiuesit amerikan Fredrick Goodman, është një imazh i cili fsheh një kuptim të brendshëm në vetvete, pra një imazh që ka dykuptimësi, por që kuptimi i vërtetë fshihet nga pamja, e cila shërben vetëm për kamuflim.

Po të ekzaminosh simbolet masonike dalin në pah kuptime të fshehta, që tregojnë përshkallëzimin e pushtetit, hyjnores, të keqes e kështu me radhë. Shqiponja me dy koka është simboli apo shenja më e dallueshme masonike. Për të është folur shumë, sepse ajo ka një shpërndarje të gjithanshme. („Magic Symbols“ nga Fredrick Goodman, fq.6).

Që në momentin e parë, në atë të emërimit, njerëzit gabohen, pasi në dukje ajo është një shqiponjë me dy koka, por simbolet magjike kanë pikërisht këtë qëllim, të kamuflojnë kuptimin. E vërteta është se ky imazh simbolizon një shpend tjetër, feniksin.

Në Egjiptin e lashtë ky simbol ishte simbol i shkollave të misterit. Shqiponja ishte një shpend, të cilit i atribuoheshin fuqi magjike, ashtu si shpjeguam më lart. Emërtimi i simbolit të feniksit në shqiponjë me dy koka ishte i thjeshtë, sepse shqiponja ishte një shpend që qëndronte përkrah feniksit në hierarkinë e të mbinatyrshmes dhe kishin edhe ngjashmëri fizike mes tyre. Kështu që pati një ndërrim të emrave, por simboli ruajti të njëjtin pozicion dhe ngeli shenja më e pushtetshme.

Në shekujt e erës sonë emri i feniksit do të harrohej dhe simboli do të quhej shqiponjë me dy koka. Shpjegimi jepet nga autori masonik, Manly P. Hall në librin e tij „The Phoenix: An Illustrated Review of Occultism and Philosophy“ (Feniksi: Një shikim i ilustruar mbi okultizmin dhe filozofinë):

„Mes të lashtëve ekzistonin historira për një zog përrallor të quajtur feniks. Ai është përshkruar nga shkrimtarët e hershëm si një zog që i përngjan nga forma shqiponjës, por me disa dallime të vogla. Trupi i feniksit është i mbuluar me pupla të purpurta, ndërsa pendët e flatrave i ka me ngjyrë blu dhe të kuqe. Kokën e ka të bardhë dhe në qafë ka një rreth me ngjyrë të artë. Në fund të shpinës së feniksit gjendet një tufë puplash me ngjyrë të ndezur.

Është besuar se ky shpend jeton për 500 vjet dhe gjatë vdekjes së tij trupi hapet dhe del prej andej një feniks i ri. Për shkak të këtij simbolizmi, feniksi është parë gjithmonë si prezantues i pavdekësisë dhe i ringjalljes. Feniksi është një nga shenjat e shoqërive apo vëllazërive sekrete, të cilat zanafillën e ekzistencës së tyre e kanë në lashtësi.

Këto shoqëri sekrete studionin misterin dhe synonin ringjalljen e njeriut pas vdekjes. Kjo është edhe arsyeja pse feniksi ishte simbol i tyre, pasi ata besonin te ringjallja. Megjithatë, ky simbol (shqiponja me dy koka apo feniksi) nuk është simbol që lindi në qytetërimin egjiptian. Ai ka qenë fillimisht i përdorur nga sumerët e më pas nga qytetërimi hitit dhe persian.

Ja pse feniksi (nga ne njihet si shqiponjë me dy koka) simbolizon Djallin

Ka një fazë kur bota pagane u shndërrua në të krishtere. Për të pasur sukses në ndjekjen e doktrinës së krishterë, Perandoria e Romës, e cila u bë nismëtarja kryesore e këtij procesi, mitet dhe festat pagane i shndërroi në të krishtera. Pjesë e këtij shndërrimi ishte edhe identifikimi i të keqes universale, me një qenie të vetme të mbinatyrshme. Kjo qenie ishte Luciferi, apo ndryshe edhe djalli apo engjëlli rebel i dritës që u hodh nga qielli në flakët e ferrit.

Ai do të jetë, që nga viti 0 deri në ditët tona, kundërshtari i vetëm i qiellit. Me të drejtë lind pyetja, po në vitet para erës sonë kur njerëzit besonin në shumë perëndi kush ishte ai që u rebelua? Kush ishte e keqja? Te grekët e lashtë, miti i Prometeusit, i cili u premtoi dhe u dha njerëzve dritën dhe dijen, është ai që njihet si simboli i rebelimit ndaj perëndive. Ky mit nuk është autentik, por është thjesht riprodhim i mitologjive më të lashta si hitite e fenikase, të cilat kanë përdorur një mit të tillë më përpara se të lindte figura e Prometeusit.

Në erën tonë djallin e kanë paraqitur si premtues dijesh në shkëmbim të shpirtit. Paralel me këtë figurë mund të shihet Prometeusi, i cili solli zjarrin (simboli i dritës dhe dijes), por me vete solli edhe mërinë e perëndive dhe si pasojë vuajtjet për njerëzit. Në librin e saj mbi okultin „Now Is The Dawning“ faqe 281, Barbara Walker, një feministe radikale, bën një lidhje të simbolit të feniksit me Luciferin.

„Egjiptianët besonin se feniksi ishte përfaqësues ose simbol i një perëndie, e cila simbolizonte dritën në qiell dhe pas shkëlqimit (si Luciferi apo ndryshe Satana sipas kristianizmit është engjëlli i dritës) pati një dënim apo flijim në zjarr ku vdiste dhe rilindte. Ky është një detaj i cili, si shumë të tjerë, tregon se feniksi është simbol i asaj perëndie që në ditët e sotme quhet Lucifer apo edhe Satana.“

Ndërsa William Schnoebelen, një tjetër studiues i okultit, në librin „Satan’s Door Revisited“ faqe 4, shkruan: „Nga egjiptianët besohej se feniksi ishte një zog hyjnor. Feniksi digjet në momentin e fundit të jetës dhe rilind nga hiri i tij. Shumica e studiuesve të okultizmit mendojnë se ky shpend simbolizon Luciferin, i cili u dënua duke u hedhur në flakë, por që një ditë do të rilindë përsëri dhe do të ketë të njëjtin pushtet si më parë“. Pra, nëse kjo perëndi ekzistonte që para krishtërimit, atëherë pse duhet besuar që simbolizon Luciferin? Pyetje të kësaj natyre janë të shumta, por fenomeni më i çuditshëm është se feniksi është simbol i krishtërimit në të njëjtën kohë.

Shqiponja me dy koka u bë e njohur si simboli i Perandorisë së Bizantit, por shpjegimi i përdorimit të një shqiponjë me dy koka, në vend të asaj me një, ishte se simbolizonte shpërndarjen nga Lindja në Perëndim të perandorisë. Natyrisht që ky ishte vetëm një shpjegim formal, sepse e vërteta është krejt ndryshe. Ja se ç’thotë një prej emrave më të njohur të studimit të historisë dhe teologjisë.

Studiuesi i religjioneve Godfrey Higgins, në veprën e tij Anacalypsis (kapitulli ii., f. 441), jep një shpjegim të saktë mbi jetëgjatësinë e këtij shpendi. Kjo vepër unikale për llojin e saj, është botuar në vitin 1833, pas vdekjes së tij, në një tirazh të limituar dhe përmban përfundime që vijnë nga studimi i më shumë se 200 veprave.

Autori jep një shpjegim të detajuar edhe mbi jetëgjatësinë e feniksit dhe simbolikën e tij. Higgins thotë: „Feniksi është simboli i një cikli të përsëritshëm e të pafund, ciklit diellor, i cili zgjat fiks 608 vjet. Ai i referohet fjalës fenikase, e cila është edhe rrënjë e feniks, FE=cikël.

Feniksi u adoptua në fillimet e hershme nga kristianizmi dhe paraqitje të ndryshme të tij janë gjetur edhe nëpër varre. Legjenda e lashtë e këtij simboli dhe ajo që ai simbolizonte (përjetësia), padyshim që u bë shtysë që feniksi të ishte simbol i vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit“.

Ndër të gjitha këto studime dhe përfundime, një gjë është e sigurt: feniksi apo ndryshe dhe simboli i shqiponjës me dy koka, është emblema më e pushtetshme dhe më magjike që ka ekzistuar ndonjëherë.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen