Asgjë ndaj etnive të ndryshme, çdo gjë për etninë tonë

Analiza & Komente | Zef Prenka | 10.03.13 | 00:16

Diskutimet e kurdohershme për të quajturin “nacionalizëm”, që ndihem më mirë kur mëtoj ta quaj “kombëtarizim”, ndonëse në publik jo shpesh të vazhdueshme, shoqërohen me dyshime, diskutime, shmangie dhe frikë. Domosdo që nuk them dot se asnjëra prej këtyre nuk qëndron. E para, sepse do të dukesha ikanak për një gjë që jam i bindur pa telashe kur e mendoj, flas, shkruaj. E dyta, sepse nuk do të më besonte askush. Tani, pse mendoj të quajturin “nacionalizëm”, që asnjëherë nuk duhet të përbëjë shkas që dikë tjetër ta përçmosh, nëpërkëmbësh apo më keq, ta dhunosh apo shkatërrosh me farë e me fis?

Qetësisht parashtroj një pikëpamje të përhershme, besoj jo vetëm timen, pavarësisht shikimit. Po ja, për shtetet e njehsuara etnikish, apo shumetnikë. Që në fillim po shtoj disa radhë, që të mos marrë menjëherë etiketime të zakonshme “racist”. Atleti im më i pëlqyer ka qenë Karl Ljuis, një amerikan i jashtëzakonshëm në 4 x 100, kërcim së gjati, 100 m dhe 200 m. Ai ishte përherë pranë rekordeve, por rrallë i thyente, sepse nuk mori kurrë drogë. Ai ishte si një thënie e ish-trajnerit të Francës në 1982, Mishel Hidalgo, kur u eliminua nga RFGJ-ja me 11-metërsha. “Franca, – thoshte Hidalgo, – është si çiklisti Pulidor: përherë mes më të mirëve, por kurrë e para.”

Tani për çfarë nisa, po vazhdoj e në fund do të jap edhe një pikëpamje tjetër. Normal, brenda së njëjtës temë.

Gjykimi mbështetur në histori ka dëshmuar se shtetet shumetnike kanë pasur kurdoherë probleme deri në luftëra. Zvicrën nuk e përfshij, sepse vetë ndarja e saj e brendshme ruan pikërisht këtë gjykim, përveçse një flamuri konfederal. Unë personalisht nuk kam pasur, as kam e nuk besoj të kem ndonjë problem me grupe etnike apo pakica kulturore, siç janë grekët në Shqipëri, qoftë edhe nëse quhen “etnikë” për ndokënd që nuk e di që janë të tillë. Përkundrazi, janë të tjerët që me ne shqiptarët kanë pasur probleme. U lutem mos mendoni se po them që ne jemi qelibarë në huqe e zakone, por jemi absolutisht të mbarë ndaj etnive të tjera. Zoti lart e njerëzia në tokë, sado të rrëmojnë, nuk do të gjejnë kurrë ndonjë fushatë spastrimesh apo krimesh të shqiptarëve ndaj kurrkujt.

Mirëpo të tjerët vazhdojnë të bëjnë ndryshe. Në ish-Jugosllavinë e parë, të dytë, të tretë dhe të katërtën e paqëndisur të serbit Sllobodan Millosheviçit me Predrag Bullatoviçin malazez. Fushata të tëra gjenocidiale. Njëlloj si grekët në Çamëri, krahina e Shqipërisë së Jugut, që shtrihet në veriperëndim të Greqisë së sotme.

Sot asnjë ndryshim, edhe pse “Jugosllavirat” ranë. Në shtetit maqedonas nuk lejojnë që shqiptarët të jenë të barabartë në gjuhë e flamur, në simbole e shkollim. Shqiptarët në atë shtet përfundojnë berberë, pastiçerë, byrektarë, kurse maqedonasit bëhen mjekë, dentistë, avokatë, juristë, inxhinierë. Domosdo që kjo nuk ka lidhje me kapacitetet e secilit grup etnik, por qartësisht me dhunimin e çdo të drejte të shqiptarëve. Shqiptarët në Malin e Zi nuk kanë as edhe një gjimnaz në gjuhën shqipe, të drejtat e tyre, siç thuhet në një raport të një ekipi vëzhgimi të drejtuar nga senatori amerikan Tom Lantosh diku nga vitet 2002-2004, janë thuajse si 123 vjet më parë, pra kur territoret e Shqipërisë iu dhanë shtetit malazez. Komuna e Tuzit tani fare afër iu bashkua qytetit entik shqiptar tash në asimilim në hapa të fundit, Podgoricës, kurse Plava me Gucinë po ndahen me nga 200 km katrorë secila, duke ndikuar thellësisht të njëjtën politikë asimiluese. Shqiptarët në Vuthaj, Plavë, Guci, Kullë, Rrozhaj thuajse i kanë të boshatisura zonat e tyre, ngaqë kanë emigruar, gjë që ul përqindjen në atë shtet, por vetëm për shkak të shkatërrimit të identitetit prej malazezëve; nuk grupohen se nuk i lejojnë ligjet zgjedhore e më pas mungojnë hapësirat për të formësuar një entitet të rëndësishëm në Kuvend. Grekët që më 1876, kur pushtuan Artën, kryeqendrën e Çamërisë, vazhdojnë sot e kësaj dite të mos njohin asnjë të drejtë të shqiptarëve. Asnjë shkolle nuk u hapin, ose kur ua hapin, nuk e njohin si pjesë të programeve shtetërore arsimore, por i lënë pa kurrfarë mbështetje. Merren edhe me autobusët, merren edhe me pasaportat, me gjithçka. Pa llogaritur ndoshta 10-15 mijë km katrorë territor etnik shqiptar të Çamërisë dhe viseve të tjera, që janë thuajse të zhdukura me gjithë popullatë. Serbia, më saktë serbët, sikurse grekët dhe jo veç Greqia, e ka ulur në thuajse 40 për qind numrin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Medvegja thuajse është asimiluar si Vranja, Nishi dhe Leskovci. Asnjë abetare nuk bën më punë atje, asnjë deputet nuk kanë shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, po dhe kur e kanë pasur nuk ka bërë dot asgjë. Asnjë shkollë nuk hapet apo funksionon lirshëm. Në Bujanovc shqiptarët fituan kryetarin e komunës para pak vjetësh për herë të parë që nga viti 1946, pikërisht se nëpërmjet ndarjes administrative dhe dhunimit të të drejtave nga serbët shqiptarët janë larguar. Në vendoret në Serbi moslejimi i kthimit të emigrantëve u kushton shqiptarëve thuajse 14-16 këshilltarë e përfundojnë me 5-6. Këto duhen thënë dhe nuk janë aspak agresivitet apo armiqësi ndaj fqinjëve. Më thoni se është ndryshe! Duhen thënë, sepse nuk i përkasin shekullit të Romës, por sot e kësaj dite. Pikërisht për shkak të respektimit të plotë të çdo të drejte njerëzore, që bie fjala, u ka njohur Gjermania apo SHBA-të emigrantëve, përfshi shqiptarët, ata jetojnë të lirë atje dhe pa asnjë problem, gjë që më gëzon jashtëzakonisht, për të gjithë madje. Nuk ua ka bërë as gjermani, as amerikani, as frëngu e as “taljani” emrat nga “Zeqir” në “Sotir”, nga “Ilir” në “Ilia”, nga “Afërdita” në “Afroviti”. A më thoni dot nëse një shqiptar në rajon gëzon të drejta të tilla si në Perëndim, duke kujtuar madje se janë autoktonë?

Pse e bëra këtë shkrim? Natyrisht, ndonëse marr parasysh dyshimet e mëdha të mirëfunksionimit të një shteti të vetëm shqiptar, për shkak të ndarjes së madhe dhjetëravjeçare, nuk ishte ky qëllimi. Por qëllimi ishte që të mos shihet si ndonjë hata e madhe diskutimi për këtë çështje. Shqiptarët e Shqipërisë me shqiptarët jashtë Shqipërisë domosdo që për së paku 120 vjet ndarje me dhunë janë zhvilluar në shoqëri të ndryshme. Ky është një problem serioz për cilindo dashamirës apo planifikues së afërmi apo së largu që të ndërtojë një shtet të vetëm me ta. Mirëkuptimi është ende i mangët. Ne po sajojmë lojtarë “kosovarë”, komb “kosovar”, shtet “kosovar”, prodhime “kosovare”, pra nga Gjirokastra të thonë “hiç o gjë”! Megjithatë, ndasitë nuk anashkalohen dot. Këtë po e bëjnë me pataten, me çimenton, me qumështin, me futbollistët. Edhe me xhudisten Majlinda Kelmendi që donte medoemos të ishte në olimpiadë për Kosovën ose flamurin olimpik, por fare pa dëshirë edhe me Shqipërinë. Madje, kudo shkon Majlinda merr medalje, është në formë, ia del mbanë, ama me Shqipërinë dështoi. Normal, se nuk e ndien.

Nuk duhet të ndodhë më që etiketimi për këtë këndvështrim të jetë zotërues. Pa dyshim që pikëpamjet ndryshojnë te gjithsecili, por imponimi nuk ka vend./Metropol/

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen