Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjo’ Luli

Histori & Fakte | admin | 10.03.11 | 10:51

Mjerisht një dukuri e tillë ka bërë që shumë ngjarje të rëndësishme të historisë së pashkruar të popullit shqiptar i ka mbuluar ky pluhur harrese, sepse rrethanat historike, në të cilat u është dashur të jetonin, a më saktë të mbijetonin, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë, kanë bërë që ne sot të kemi njohuri të kufizuara jo vetëm për periudhat e lashta, por edhe për kohë relativisht më të reja të historisë së popullit tonë, një ndër popujt më të vjetër të Ballkanit.

Rrezore.com

Kështu p.sh. ne sot nuk dimë shumë gjëra për qëndresën e paepur të stërgjyshërve tanë për të përballuar përpjekjet asimiluese të pushtuesve të ndryshme, romake, sllave, turq, etj.Por fakti që etnosi shqipar ka mundur të mbijetojë e të ruajë identitetin e tij, dëshmon qartë se gjyshërit e stërgjyshërit tanë i kanë ruajtur si sytë e ballit gjuhën dhe traditat e trashëguara brez pas brezi dhe bashkë me këto edhe vendosmërinë për të jetuar të lirë e të pavarur në trojet e veta. Dhe pikërisht për këtë arsye ata, edhe në kushte shumë të vështira kanë luftuar me guxim kundër armiqsh shumë më të mëdhenj në numër e shumë më mirë të armatosur, duke flijuar edhe jetën për liri e pavarësi. Mjafton të kujtojmë faktin se edhe pas vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kur Shqipëria ra nën sundimin e turqve osmanlli, shqiptarët mbetën kurdoherë nënshtetas të panënshtruar dhe herë pas here ngrinin krye kundër pushtuesit. Shumë nga këto kryengritje i ka mbuluar pluhuri i harresës, sepse mjerisht rrethanat historike nuk i kanë lejuar të parët tanë t’i përjetësonin ato qoftë edhe me disa shënime të shkurtra.

Megjithatë, disa nga këto kryengritje nuk kanë mbetur të paregjistruara. Mjaton të kujtojmë këtu luftërat e pabarabarta të malësorëve kelmendas kundër turqve në shekullin XVII. Një nga këto ngjarje e përmend edhe Bogdani në veprën e tij të mirënjohur Çeta e Profetëvet (1685), Pj. I Ligjërata IV, paragrafi 15, ku thotë:

Kush mundetë me i ram mboh se ma I vobek kje Vuça Pasha, i silli, për të mbëledhë një ushtëri 12 mie vetësh, nuk’i mbastuen shumë miljonj ar, se Kelmendasitë tanë, të sijtë, me nji za Eja kush ashtë trim, mbëledhunë afërë 500 vetë, vranë Vuça Pashënë, vjetit së Krishtit 1639. E ndë nevojë mpsuen me granë lëkurëne qarrit, posi të begatëtë majën’e miellit; ende atyne ajo gjellë ma shije u ka se Pashallarëvet e Sangjakëvet mishi i kingjavet e /i/ vjetavet njomë.

E përmenda këtë ngjarje historike të shekullit XVII, jo vetëm për të vënë në dukje shpirtin kryengritës dhe liridashës të malësorëve tanë të Veriut, por edhe për të theksuar se të tilla ngjarje historike, të përcjella gojë më gojë nga brezi në brez, kanë shërbyer si një shkollë për të formuar e forcuar atë që mund të quhet ndërgjegje kombëtare ndër shqiptarët. E kjo ndërgjegje ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më e ndjeshme gjatë sundimit shumë shekullor turk,derisa mori përmasa mbarëshqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX.

Vështruar me këtë sy, kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, e drejtuar me aq urti, guxim e trimëri nga Dedë Gjo’ Luli, nuk del si diçka e rëndësishme, por si një vazhdim i përpjekjeve të pandërprera të malësorëve tanë dhe të gjithë popullit shqiptar për të jetuar të lirë në trojet e veta të trashëguara brez pas brezi nga të parët e tyre. Dedë Gjo’ Luli dhe malësorët e tij trima ishin edukuar me këtë ndjenjë dashurie për liri pikërisht në shkollën e traditës popullore, nga e cila ata kishin mësuar, ndër të tjera, që të ruanin gjuhën dhe zakonet e të parëve, të ishin të gatshëm për të flijuar edhe jetën për lirinë e Atdheut, dhe për këtë qëllim të mos tuteshin nga asnjë kërcënim, por të luftonin me guxim kundër armiqve me armët, që do t’u rrëmbënin po atyre. E në këtë rast nuk është pa bazë shprehja se historia përsëritet.

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen