Petrovci: Kam shitur shtëpitë për të ngritur teatrin

Analiza & Komente | admin | 22.03.13 | 16:05

Aktori e regjisori ndodhet në Tiranë për një tragjikomedi.

Që nga kujtimet e fëmijërisë, te suksesi dhe projekti ku humbi të gjitha kursimet.

Që nga fëmijëria deri më sot, marrëdhënia me prindërit, studimet për aktrim, gjetja e një qëllimi në jetë, ngritja e dy teatrove, humbja e kursimeve të së gjithë jetës… Regjisori e aktori Enver Petrovci rrëfen jetën e tij, në prag të premierës së tragjikomedisë “Hajdutja e bukur”, shkruar nga Ruzhdi Pulaha, në skenën e Teatrit të Metropolit.
Le ta nisim nga fëmijëria juaj, si ka qenë ajo? Ç’kujtime ruani me dashuri edhe sot?
Ka qenë një fëmijëri e bukur. Kam shumë kujtime. I pari përkon me moshën dyvjeçare. Babai im hyri me biçikletë në oborr, isha me motrën, pashë se mbrapa biçikletës kishte një kuti këpucësh. U gëzova dhe thashë: babai na ka blerë këpucë. Hymë brenda në shtëpi. E pashë babanë shumë të zymtë, bashkë me xhaxhain dhe kuptova se nuk ishte puna për këpucët… Dola në oborr dhe, pas një kohe të shkurtër, babai me xhaxhain dolën me një arkivol të vogël nga shtëpia. Motra ime kishte vdekur pas katër ditësh që kishte lindur.
Kujtesë kjo e një dyvjeçari?!

Po, po. E mbaj mend, sepse motra lindi dy vjet pas meje. Madje nga ajo kohë kujtoj dhe një tjetër episod. Një ditë shoh një vezë mbi parvazin e dritares së shtëpisë, doja ta merrja duke menduar se ajo ishte e zier. Mora një shkop dhe e hoqa vezën nga parvazi i dritares, ajo ra poshtë dhe u thye. Aty kuptova se ajo nuk ishte e zier. Kjo ka qenë tendenca ime e parë për vjedhje.

Realisht keni vjedhur ndonjëherë?

Kam qenë në shkollën fillore, diku nga klasa e dytë kur kam vjedhur për herë të parë. Shkova në vetëshërbim (kështu quheshin dyqanet, si sot supermarketet) për të blerë dy kg bukë. Rrugës takova Habiben, shoqen e klasës, e cila më pëlqente. Për herë të parë u solla si mashkull i vërtetë. I them: A po vjen me mua të më bësh shoqëri. Ajo m’u përgjigj: Po. Kur hyra në dyqan, mora bukë dhe para se të dilja pashë qeset e bonboneve. Një prej tyre ishte e hapur dhe bonbonet binin prej qeses. Meqë nuk kisha lekë, i “vodha” dy bonbone dhe i futa në xhepin e majtë, që ishte i shqyer dhe ato ranë në fundin e astarit të xhaketës. Pagova bukën dhe, kur do dilja për të ikur në shtëpi, më erdhi një zotëri, ndoshta roja i dyqanit dhe më pyet: Ke gjë për të paguar? I thashë: Jo, dhe nisa të skuqem. Habibeja më pa që u skuqa. Zotëria më futi dorën në xhep, por nuk gjeti gjë, më pa dhe nga xhepi tjetër dhe përsëri asgjë. Më ftoi në zyrë, ku më kontrolloi më tepër dhe m’i gjeti bonbonet. “Pse i vodhe?”, më tha. “Sepse po më pret Habibeja dhe desha ta qeras”, iu përgjigja.

Si ishte familja juaj? Fëmija i satë ishit në shtëpi?

Zyrtarisht unë jam fëmija i dytë në familje. Jemi tre fëmijë dhe një nga mamaja. Babai ka qenë radiologu i parë në Kosovë dhe, në krahasim me të tjerët, kemi jetuar mirë. Ka qenë ballist gjatë kohës së Luftës, ndërsa pas Luftës u detyrua të jetë komunist. Këtë ma ka treguar kur u bëra 25 vjeç. Mamanë e kam pasur infermiere, por kur lindi vëllai i vogël, shtatëmuajsh dhe me probleme shëndetësore, nëna u detyrua ta lërë punën dhe t’i kushtohet vëllait. Atë vëlla e dua shumë. Prej asaj kohe, ajo nuk hyri më në punë. Që të jem i sinqertë, nuk kishte nevojë se me rrogën e babait jetonim shumë mirë.
Shpesh bëhen ngjasime për fëmijët. Zakonisht thonë: i ngjan nënës, i ngjan babait… Po ju kujt i keni ngjarë?

Tani në këtë moshë po i ngjaj babait, edhe në ecje, në buzëqeshje. Kur shoh veten në pasqyrë, shoh tim atë. I ri më duket se i kam ngjarë dajës. Mamaja ime ka qenë shumë e bukur, por edhe daja. Ne fëmijët, në krahasim me të, kemi qenë majmunë dhe dyshoja për mamanë time atëherë (qesh) duke hyrë në gjynah, se tani vërtet po i ngjaj babait.
Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me ta?

Me babait si fëmijë kam punuar shumë. Ai ndërtoi dy shtëpi pa kredi, me rrogën e vet. Atëkohë Titoja i jepte kredi secilit intelektual. Babait tim nuk i dhanë, prandaj më vjen shumë keq kur këta profesorët e moshuar e shajnë Titon. Për ta sharë duhet ta shaj unë, për babain tim. Ka përfituar secili nga ai nga një shtëpi minimumi, ku kësti i kthimit ka qenë si një paketë cigare në muaj. E pra, kam punuar me babain, më ka hyrë puna në gjak, ndoshta për shkak të tij, ndërsa sipas mamasë kam qenë fëmija i saj më i dashur. Më kujtohet kur u pranova në Beograd, në Akademinë e Arteve, im at u gëzua shumë, ndërsa mamaja nisi të qajë. E pyeta: Mama nuk po gëzohesh? (ishte shumë vështirë të pranoheshe në Akademinë e Beogradit), ajo më tha: “E humba përgjithmonë djalin”. Dhe vërtet ashtu ndodhi, sepse jetoja në Beograd, ajo jetonte me mall për mua. Kur vija në Prishtinë qante nga gëzimi, kur nisesha për të ikur, qante nga pikëllimi. Një ditë i thashë “mama përcaktohu”: o qaj kur vij, ose kur iki.

Kush jua ka vënë emrin?

Im atë, Bajrami. Dua të them se çdo mëhallë ka pasur çezmën e vet. Dhe merrnim secili nga një gjym dhe prisnim në radhë për ujë. Më kujtohet në pritje e sipër, të moshuarit më pyesnin; si quhesh? Unë thosha: Enver. Aty kishte dhe shumë serbë. O Enver Hoxha?!-, më thoshin. Unë nuk e dija kush ishte. Por kur filluan të gjithë të më thërrisnin Enver Hoxha, e pyeta babain: Pse të gjithë më bëjnë hoxhë, askush nuk më bën prift. Babai më tha: Kur të rritesh, e kupton.

Si vendosët të bëheshit aktor? A ishte dikush në familje, në fisin tuaj artist? Ç’nxitje patët për këtë profesion?

Nuk kam pasur asnjë që të merrej me art, as në familje e as në fis. Në moshën 6-vjeçare im atë bleu një televizor të përdorur, e bleu në Shkup. E gjithë mëhalla gëzoi se një shtëpi u bë me televizor. Ne e quanim kinoshtëpiake. Ka pasur program nga ora 6-8. Më kujtohet spikerja, kur dolën lajmet e Radio Televizionit të Beogradit. Mendoja se si është e mundur që ky njeri të zvogëlohet kaq shumë e të hyjë në kuti. Ndoshta është bota e përparuar që e zvogëlon njeriun, e fut brenda. Por kur një ditë pashë orkestrën me 100 veta brenda të zvogëluar shumë, thashë: kjo është e pamundur, si kanë hyrë të gjithë ata në kuti?! Mora një kaçavidë të hapja kutinë. Më pa im atë dhe më tha: Ç’po bën? Dua të shoh si kanë hyrë njerëzit brenda, i thashë. Ai ma shpjegoi me aq sa mundi. Më kujtohet fjalia ime e parë artistike: Baba kur të rritem, dua të jem si ata brenda. Më vonë e kuptova se ata brenda quheshin aktorë. Kjo dëshirë nuk më është zbehur kurrë.

Kur ka qenë koha kur nisët aktrimin?

Kam qenë në shkollë, ndoshta kam qenë në klasën e shtatë të fillores dhe kam luajtur rolin e një plaku dhe për kostum i mora gjyshit tirqet, kapelën e bardhë dhe jelekun, brezin, që më rrinin pak të mëdha. Më kujtohet pas shfaqjes disa mësues më thanë: Është gjynah të mos bëhesh aktor. Unë ua kthej: Normal që do të bëhem. Më ka ndihmuar Zoti që s’kam punuar me teatrot amatorë, sepse do më kishin prishur si aktor. Këtë e kam kuptuar tani që jam pedagog i Aktrimit, kur pranoj amatorë të talentuar, ka shumë punë me ta për të larguar atë mendimin e gabuar që kanë për aktrimin. Këtë hall s’e kam pasur për fatin tim të mirë. Pas gjimnazit shkova në shkollën e lartë pedagogjike në Prishtinë, dega e Aktrimit, e cila ishte hapur dy vjet më parë, e profesor ishte Faruk Begolli. Ai më pranoi dhe pas një viti më tha: Është gjynah të jesh në Prishtinë. Pse nuk tenton të shkosh në Beograd? Beogradi ishte ëndërr atëherë. Para meje kishte qenë vetëm Faruk Begolli dhe Bekim Femiu. E dëgjova dhe shkova, por s’u pranova, për fajin tim.

Pse?

Sepse gënjeva. Kur më pyetën çfarë ke bërë këtë vit pas gjimnazit, unë u thashë: Kam studiuar mjekësi. Gënjeva sepse kisha drojë, pasi kisha dëgjuar se nuk pranojnë studentë që ishin marrë me aktrim përpara. U ktheva i zhgënjyer, por një sekretar, i cili kishte emrin Koço, më tha: Eja vitin tjetër, por eja i sinqertë. U ktheva në Prishtinë, kreva shkollën e lartë dhe shkova sërish në Beograd. Kur me pyetën sërish se çfarë kisha bërë këto dy vite pas gjimnazit, u thashë: Kam studiuar aktrim. “Eh, tani je pjekur”, më thanë dhe më pranuan në Akademi. Ishte viti 1974. S’kisha kujt t’ia thosha gëzimin tim, shkova në një park afër Akademisë që quhej Kalemekdan edhe bërtisja si i çmendur “Jam pranuar në Akademi!” dhe bëja kollotumba.

Keni pasur ndonjë idhull në rrugën tuaj artistike?

Kam pasur idhull Bekim Fehmiun, të cilin pata rast ta njoh personalisht në fund të vitit të tretë të Akademisë së Arteve, në Beograd. Mbetëm përgjithmonë shok. Më vonë, kemi luajtur shah shpesh, kur kishim kohë. Tentuam të luajmë dy herë bashkë në teatër, por nuk luajtëm asnjëherë. Në rastin e parë më morën ushtar dhe e lashë projektin, ndërsa herën e dytë ika nga projekti, pasi nuk më pëlqente ideja e regjisores. Bekimi më inspironte dhe ishte një shtysë për mua që të ecja përpara. Thosha më vete: si mund të shkojë një shqiptar në Beograd, të bëjë karrierë si aktor, kur mundet ai, pse jo unë?
Megjithatë më pas ju u bëtë një yll i skenës.

Cili ka qenë çelësi i suksesit tuaj?

Ia kam hapur rrugën vetes, me punë. Duke e organizuar dhe menaxhuar vendin ku eventualisht me kolegët e mi studentë mund të punoja. Isha student i veçantë, kështu regjisorët e rinj nisën të më dallonin, edhe në provime isha shumë mirë. Një nga shfaqjet më serioze në kohën që isha student, ishte në “Teatrin e Hapur” në qytetin e studentëve. Aty organizova një shfaqje, pas insistimit tim të madh te zv/drejtori, të cilit i kërkova një hapësirë për prova, për të bërë shfaqje. Pas insistimit tim gjashtëmujor, na dha një korridor pak më të gjerë për të bërë prova. Ftova kolegët e mi dhe një regjisor të gjeneratës sime, Egon Savin dhe bëmë shfaqjen ‘Mblesëria’ e Çehovit”, me të cilën më pas shkuam në disa festivale vendëse dhe europiane. Pas kësaj m’u hapën rrugët dhe ishte gjithmonë më e lehtë. Nisa të xhiroja në televizion. Pas diplomimit, më ftoi drejtoresha e famshme botërore e Teatrit “Atele 212”, e cila më dha një rol episodik. Pas atij roli, pata ftesë për në Amerikë, por nuk dija gjuhën angleze. Producenti më tha të mësoj gjuhën dhe për gjashtë muaj të shkoja në Amerikë, në Los Angelos. Shkova në Londër, në një kurs anglishteje, pas asaj shkova te vëllai im në Suedi ta ushtroj pak në praktikë gjuhën. Kur isha aty, më telefonoi Mira Trajiloviç dhe më ftoi të kthehem në Beograd, që të luaja rolin kryesor në shfaqjen “Kurora e Kosancicit nr 7”. Unë iu përgjigja se u nisa për në Amerikë. Ajo më tha: Prej Amerikës nuk ka fat, atje do të jesh gjithmonë i huaj, kurbetçi.
Ishte nder i madh të të ftonte një drejtoreshë e tillë, sidomos mua që isha ende shumë i ri, vetëm 27 vjeç. Nuk guxova t’i thosha jo. U ktheva në Beograd, bëra shfaqjen dhe për “fatin tim” më shpallën “yll i ri i skenës së Teatrit të Beogradit”. Më pas filluan rolet një pas një dhe e harrova Amerikën. Prej atëherë nuk kam pasur krizë pune. Kështu ka nisur karriera.
Nuk shkuat më në Amerikë?

Kam qenë privatisht, shumë më vonë për një çmim që mora nga “Arts Link” në New York si “Aktori më i mirë i Europës Juglindore” në vitin ‘96, për filmin “Migjeni”. Dhe atëherë shkova të merrja çmimin pas pesë vjetësh, pasi kisha shumë punë. Atje m’u dha rasti të punoja në teatrin “La mamma theatre”, por sërish u ktheva.

Çdokush në vendin tuaj nuk do ta linte t’i shpëtonte ky rast. Ju pse u kthyet?
E kuptova se me punën që bëja unë nuk ishte me rëndësi nëse luaja në New York, Paris apo Prishtinë. Çdo njeri që e shijonte teatrin tim, për mua ishte publik. E sidomos më joshte, se gjuhën që flisja unë, ma merrnin vesh shumë më lehtë populli im. Mos harroni edhe edukatën që kam pasur dhe që kam. Pastaj një artist nuk ka për detyrë të bëjë vetëm famë, por edhe një qëllim. Unë ndërkohë e gjeta qëllimin: që me artin tim të vetëdijësoj popullin tim aq sa mundem. Ta kultivoj atë, ta mësoj për të bukurën, sa ka nevojë, pavarësisht kurtheve që më kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë politikanët provincialë. Deri në fund, kjo është arsyeja pse e bëj.

A ju plotësonte vetëm kjo?

Kurrë në jetën time s’kam pasur kohë të mendoj a po më mungon diçka. Edhe kur kam qenë pa shtëpi, apo kur bridhja rrugëve pa shtrat për të fjetur… Kam qenë njeri shumë pozitiv, atë e merrja si diçka normale, si pjesë e karrierës sime. E rëndësishme ishte se kisha një qëllim dhe nuk i lejoja vetes të mendoja për gjendjen time materiale të momentit. E kam ditur se me para do të bëhem një ditë. Mendoj se gjëja më e lehtë në botë është të bësh para. Para mund të bësh edhe po të jesh budalla. Qëllimi për të bërë para është aq i zbrazët! Kam takuar njerëz që kanë bërë para, por asnjë nuk ka qenë i lumtur. Por kam takuar njerëz që e kanë pasur qëllim në jetë dhe kanë arritur të jenë të lumtur.
A ju ka ndjekur sadopak familja në karrierën tuaj?

Motra më ka ndihmuar materialisht në fillim, vitin e parë të studimeve në Beograd. Më pas, prindërit nuk kishin dhe aq mundësi të më ndiqnin. Por as unë nuk i kam lodhur me famën time. Rrija me komshinjtë siç rri dhe sot. Merrja karrocën me mbeturina e hidhja jashtë, pastroja shtëpinë nga bora, ndihmoja babanë si përherë. Me fjalë të tjera, nuk shisja pordhë. Se e kam kuptuar se kur një aktor nis të shes pordhë, karriera e tij ka marrë fund. Ai nuk zhvillohet më. Thjesht ai bëhet pordhac. Kam pasur dhe unë një kohë të tillë krize, por shpejt arrita të kuptoj se si aktor nuk po mundja të zhvillohesha. Në rrugë isha artist i madh, në skenë jo. Dhe shpejt iu ktheva jetës së rëndomtë, që kisha pasur më herët. Ashtu jetoj sot e kësaj dite. Edhe pse familjen time e pengon kjo jeta ime e rëndomtë. Më thonë: duhet të sillesh më me autoritet, sepse ashtu do të të çmojnë më tepër. Shqiptarët kanë qejf ashtu. Ndoshta e kanë mirë, por nga ana tjetër e di që do të bëhem pordhac dhe do të mbetem vetëm autoriteti i së kaluarës

Cilin nga rolet tuaja doni më shumë?

Në gjuhën shqipe ka qenë “Idioti” i Dostojevskit, me të cilin u ktheva në Prishtinë si mysafir. Po me atë shfaqje kam ardhur në Tiranë, të cilën e shfaqja në të gjithë Shqipërinë. Atëherë nuk njihja asnjë në Shqipëri, ishte viti ‘92, por Shqipëria më njohu dhe unë e njoha. Edhe prej atëherë kam pasur kontakte të shkëlqyeshme me Shqipërinë. Kam dhe një dëshirë në lidhje me Shqipërinë, do doja të jepja mësim në Akademinë e Arteve, t’ju fal diçka nga eksperienca ime.

Po me regjinë, pse dhe kur vendosët të merreni?

Pas shfaqjes “Daja Vanja”, me regji të Slobodan Unkovsit, mora forcë që të merrem me regji. Edhe prej atëherë merrem me regji. Për mua është shumë më lehtë të merrem me regji sesa të aktroj. Dhe deri tani nuk kam bërë asnjë shfaqje jo të suksesshme. Jam shumë i kërkuar nga aktorët për të bërë regjinë, kjo tregon se puna që bëj si regjisor ka kuptim.
Ndërkaq, ju hapët në Prishtinë edhe dy teatro.

Cila është gjendja e tyre sot?

Teatri “Dodona” u hap në vitin 1993 dhe, më pas, pas vdekjes së babait tim, e adaptova shtëpinë e tij në teatër dhe e quajta “Teatrin e Babës”.

Ia dedikuat babait?

Kam pasur një shok, Blerim Islamin, i cili më nxiti që të gjitha paratë që kisha fituar gjatë jetës t’i fusja në një projekt të përbashkët. Në të njëjtën ndërtesë, ai do bënte hotelin, ndërsa unë Akademinë e Arteve. Ai më mashtroi, duke mohuar që i kam dhënë paratë dhe për to jemi ende nëpër gjyqe. Unë mbeta pa para. Kur vendosa të bëj teatrin, një prej ndërtuesve më pyeti, “A je ti djali i Bajram Petrovcit?” Po i thashë. “Nëse je ti djali i tij, atëherë unë po ta ndërtoj teatrin me këste, pasi babai yt ka qenë burri i fjalës dhe unë të besoj”, më tha. Pa asnjë lekë në xhep e ndërtova teatrin, pasi babai im, edhe pse i vdekur, ka lënë nam te njerëzit. Ndaj dhe e quajta “Teatri i Babës”, sepse ai e ndërtoi atë teatër. Pastaj e pagova me këste, natyrisht duke shitur një banesë që kisha në Beograd e një në Prishtinë dhe duke hyrë në kredi. Tani ky teatër nuk funksionon pasi ministritë nuk e adhurojnë, por teatri “Dodona’ tani është teatri i qytetit. / Panorama

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen