Atdheu tjetër, prej fjale!

Analiza & Komente | Zef Prenka | 22.03.13 | 16:07

Ikje dhe Atdhe, dy “shtyllat” ku shkrimtari Faruk Myrtaj i vendos ngjarjet në romanin e tij “Atdhe Tjeter”. Një hapesirë e velur dhe e endur midis të dyjave, me ngjyrë e ankth pëlhure prej Penelope. Përcillen kujtime dhe përjetimet e një njeriu, për shkaqe aspak të varura prej tij, endjet në këtë qerthull, midis ikjes si proces natyral, dhe atdheut, si një barkë në detin e tallazitur, e cila, pas shumë mundimesh e betejash me forcat e natyrës, zë dhé, duke dalë në breg, që besohet se do ti bëhet pastaj të ikurit Atdhe tjetër. Në kuptimin më të gjerë të fjalës…

Për ikjet është shkruar. Dhe do të shkruhet përsëri. Ikjet e tilla nuk janë drama. Janë “aksioma”. Njeriu guxon të kërkoj dhe të vendosë një realitet krejt të ri, duke menduar se do ta përballoj më mirë jetën e tij. Në këtë rast, shoqëria që ai lë pas mbahet peng i politikave të mbrapshta që prekin individin, duke e trajtuar atë thjesht si numër, një votë më pak a më shumë, në ndërrimin e kuajve të pushtetit. Ishte menduar se këto ndodhin vetëm në shoqëritë totalitare, koha tregon se ndodhin edhe në demokracite e brishta. Zgjedhje individuale, ëndërr për shpëtim, për një jetë më të mirë. Eshtë në fund të fundit një provë. Një provë qendrese. Ikja për të ikurit nuk është kurrfargjëje, përveçse “Varka e Noes“, figurativisht.

Ai që mbetet pas është Atdheu. Nuk eshte pak, eshte shume. Atdheu tërheq si magnet. Tepër sinjifikative. Befasuese, dashuri e përkushtim deri në sublim. Këtu shqiptarët s’falin as veten. Shkaqet dhe arsyet per ikjet jane shume, por Myrtaj në “Atdhe tjetër” në një stil kafkian, per nga nënteksi, ritmi e metafora, që në rastin tonë konkret është e shfaqet tepër fuqishëm e sjell mjeshtërisht këtë raport midis ikje dhe atdheut. I njohur në prozën shqiptare në keto tre dekadat e fundit, me tregimet e tij, që për mua gjithmonë të zgjojnë mendime, për shkak të mesazheve qytetare që përcjellin ato, por edhe për gjuhën e pasur dhe të pastërt, e krejtësisht figurative, me tharm dhe elokuencë, ku ndjehet një intonacion i fuqishëm folku i zonës ku ka lindur dhe jetuar vite më parë, autori të befason sërish. Pa dyshim që Faruk Myrtaj është tashmë nga prozatorët e tregimtarët tanë më të mirë. Sprova e dytë në roman e Myrtajt në këtë gjini, vjen e shpërvilet po aq mjeshtërisht si në tregim. Ka të njëjtat ngjyra, në stil, dhe në mënyrën e të rrëfyerit e kompozimit, që e dallon krijimin e tij nga plot autorë të tjerë.

“…Më kish ndodhur të udhëtoja me atë tren lokal, por ishim mësuar me të, s’kish pse na dukej i çuditshëm. I çuditshëm po më dukej më vonë, pasi dikush që vizitoi vendlindjen time vërejti se ky tren ecte aq ngadalë sa mund të zbrisje prej vagonit të fundit, të ndizje cigarin te një këmbësor dhe të hipje sërish…”

Kjo situatë, gjendje, e vizatuar nën një ndriçim gati surealist të duket sikur të merr në rrjedhe: Atdhe tjetër!. Jeta dhe fati i një intelektuali, në rastin konkret, që përjeton irealen në një shoqëri me demokraci tepër të brishtë.

“…Njeriu shkon drejt mbylljes, sapo pushon së kërkuari, por hijen e palirisë e ndjenë kur i kufizohet hapësira…”, pohon çiltërsisht personazhi kryesor i romanit të Myrtajt. Dhe pas kësaj natyrisht merr edhe vendimin, ikjen, që në fakt mban brenda asaj dhimbjen, dashurinë, mallin për të afërmit, miqtë e raportet me ta, ambjentin…është vetë atdheu brenda atij përjetimi, që gjithësesi, të krijon një stres, a nostalgji.

Njeriu e ka bërë zgjidhjen…por vjen në ndihmë te dhimbjes poeti:

”…Do duhet të lësh gjithçka që ke dashur më shumë/ kjo është shigjeta që harku i ekzilit godet së pari…”

Realiteti nuk është gjithmonë ai që paramendon. Këtë përjeton edhe personazhi i Myrtajt, ku i duhet të përballë mori problemesh, akomodimi, kurset, ecejaket nëpër zyra deri tek sigurimi i një pune për të jetuar. Eshtë momenti i streseve që në një retrospektivë e bën emigrantin ta vuaj ikjen, si një dramë, a si një kujtim i ndërprerë i mbetur në një celuloid filmi që nuk do ta shoh më.

”…kemi lënë aq shumë gjëra…Lamë prindërit, miqtë, po ndërrojmë gjuhën, dhe, po të lemë edhe cigarin…duket se mbetemi pa gjë…”, thotë ai, ndërsa përballja me realitetin e ri do ta vejë tashmë me sfida krejt të reja. Por ajo që do ta shoqërojë të ikurin gjatë gjithë atij fillimi të vështirë, është brenga që ka lënë pas. Nëna…..letrat e saj që i shuajnë mallin e birit të ikur, kthehet në lejtmotiv. Fotografitë që emigrantët marrin me vete…penelatat plot ngjyra që autori e mban mjeshtërisht lexuesin e tij brenda dramës së personazheve.

Njeriu gjen forcë, nuk qaravitet, shpërvjel mjeshtërisht dimensionin e tij. Personazhi i Faruk Myrtajt, nuk është aspak disfatist, madje i përgjegjshëm për gjithçkah realizon e krijon me punë, edhe atje në mjedis tjetër, me njerëz krejt të huaj.

“…Emigracioni është veç një copë herë e shkurtër e kësaj ikjeje të papushimtë, të cilës i isha dorëzuar prej kohësh, ikje që po arrija ta përshkoja përgjatë një mbylljesysh në terr, brenda kësaj hapësire të limituar, si në një sjfaqje filmi me shpejtësi drite në një ushtrim ëndërritjeje…”

Personazhet e kurbetit Pepe, Kliti, Tina-piktorja, mesuesi Greg, Paulina, madje për këtë të fundit autori shkruan se, ajo nuk ekziston më, por letrat bankare e bëjnë të pranishme përballë personazhit e familjes së tij. Tinën, rasti e kishte sjellë që të njihej në Tiranë. Pikërisht kjo do ti thoshte dhjetë vjet më vonë “Paske ikur edhe ti?!”, Myrtaj i jep dhe i përshkruan me ngrohtësi me nota lirike e realiste, në të gjithë dimensionin e veprës, pa bërë aspak dallime midis bashkombasve të tij, edhe ata të ikur, me të njëjtën dramë, shkaqe e arsye, për një jetë krejt të ndryshme.

Autori vizaton dhe jep pasazhe interesante. Personazhi i tij kalon nëpër dilema kafkiane. Ngjashmëria me personazhet e tij mbase konsiderohej si bindjeje qytetare, në të përditshmen e thjeshtë të jetës së një emigranti, i cili duhet që të mendojë, të veprojë, të përjetojë, të mari vendime e të flasë në një gjuhë tjetër. Kjo është një dilemë që ta shpalosë krejt ndryshe realiteti i ri. Dhe këtu ka një sinqertë të veçantë.

“…nëse bëj mëkat kur pyes: – thotë autori me gojën e personazhit – në a thua vetëm një gjuhë tjetër, ajo e mëmës, ekziston që njeriu të ndjejë e të shfrejë lëndimin e vërtetë? Edhe moskuptimin a keqkuptimin shkaktuar në gjuhë tjetër? Nuk pyesja, s’kërkoja përgjigje. Më qè shndërruar në mjegull gjithçka, ku kolovitesha si fëmijë që të ardhmen e pret fëmijërisht, pa asnjë rè në qiellin e syrit. S’kish pse vrisja mendjen, as të shpjegohesha. Për asgjë, në asnjë gjuhë…”

Faruk Myrtaj, me finesë e art, të shëtit nëpër faqe plot histori qendrese e përballimi, ku tregohet se si individi i ardhur, i ikuri nga atdheu i tij, ze vend me punë e sakrificë, larg çdo dyshimi se dikush mund që ti kufizojë lirinë e tij. Madje kjo e fundit, respektohet, nderohet dhe mbrohet jo vetëm me ligj. Kupton shpejt diferencën, mrekullohet që ka gjetur dhe prekur ëndërën, pikërisht atë që i mungonte në atdhe. Atë që i a kishin uzurpuar dhe i keqpërdorën njerëz të cilët devijuan atdheun nga shinat e demokracisë. Por gjithmonë njeriu, i ikuri e ka një sy dhe një vesh nga pas. Shpreh keqardhjen, edhe pse ai është dhe ka hyrë në rrjedha të tjera, të përditësuara:

“…S’është e lehtë të mbetesh burrë shteti në atë vend…(…në vendin e qeverisur prej tij, njerëzit vazhdojnë të ikin…)”

Dashurinë për dheun që e lindi nuk mund ta pengoj kurrkush:

”…Poeti e bën atdheun prej fjale, kudo ku është. Dhe, sidomos atë dheun tonë, mund ta duash më shumë kur je larg, për të mund të bësh më shumë prej larg tij; se po të jesh atje brenda ta shkoqin trupin çika-çika dhe shpirtin vrerë ta bëjnë…Le që, këto histori ndodhin në tërë botën.”

Në romanin e Myrtajt të mrekullon pamja kur një prej emigrantëve shfaqet në rrugë, gjithnjë, me dy flamuj me vehte: flamurin e vendit nga ka ardhur dhe të NorthLandit, vendit ku rron! Kjo është edhe rruga që ia rezervon e ardhmja. Dhe s’është aq e gjatë.

“Atdhe tjetër” i Faruk Myrtaj, është në fakt një rrëfim biblik për të ikurit në të gjithë dimensionin e saj të vërtetë. Një poemë. Metafora e tyre ndjehet e fuqishme në faqet e librit. Autori nënvizon fuqishëm idenë se kjo masë e të ikurve, që është kthyer në një refren të përdittshëm i kësaj bote “rrezaton” dykuptueshmërine e nocionit Atdhe, që në fund të fundit, përfshin edhe të lënin pas. E figurshme. Të ikurit e duan atdheun, jo ashtu siç e lanë. Sepse… “Ai atdhe ka qenë imi, shumë më pak se ç’më është sot ky këtu…!”

Romani i Myrtajt është një nga krijimet më të mira të këtyre viteve të fundit në letërsinë tonë shqipe. Fati i individit në shoqërinë post-komuniste, përballja me një tranzicion tejet të zgjatur, problemet e mprehta shoqërore, që përzihen me reminishencat e së kaluarës, mungesa e lirisë, baltosja, kaosi psikologjik, pasiguria, bëjnë që individit i duhet të përballet, qoftë edhe “heroikisht” me mjedisin e sëmurë, në një shoqëri që lëngon nga mungesa e hapesirave elementare. I dhënë artistikisht e me kulturë, ai sjell mjeshtërisht mesazhe për një jetë të paqme, shumë dashuri, besim, dhe sinqeritet njerëzor.

“Atdhe tjetër“ është në fakt një përjetim me shume emocion, që mund ta bëjnë veçse shkrimtarë të fuqishëm dhe me përvojë. Faruk Myrtaj, me një shqetësim e nerv qytetar, e ka sjellë atdheun tjetër të tij prej fjale, duke i thënë të gjitha të vërtetat, si një artist.

Dhe, në këtë pikë, ka qenë dhe mbetet i veçantë. /Tema/

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen