Kuvendi miratoi rezolutën

Arkivi | admin | 10.03.11 | 11:26

kuvendi i R. Kosoves/rrezore.com

Rezoluta e miratuar është propozuar nga Grupi parlamentar i PDK-së por nuk është përkrahur nga LDK-ja, Vetëvendosja dhe AAK-ja

(I plotësuar) – Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën për bisedime me Serbinë, të cilën e ka propozuar grupi Parlamentar i PDK-së. Kjo rezolutë nuk është përkrahur nga LDK-ja, AAK-ja dhe Vetvendosja.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha para deputetëve se grupet parlamentare nuk kanë arritur të harmonizojnë qëndrimet e tyre, prandaj ai propozoi që të hudhet në votim projektrezoluta e propozuar nga PDK-ja në seancën e kaluar me të cilën i jepet përkrahje bisedimeve me Serbinë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi e hodhi në votim me çrast 63 deputetë votuan pro rezolutës, 48 kundër dhe 1 abstenim.

* * * * * * *

Kuvend: Rezoluta në fund të seancës

Kuvendi i Kosovës ka zhvendosur votimin e rezolutës për bisedimet me Serbinë si pikën e fundit të rendit të ditës.

Ndonëse hedhja në votim e kësaj rezolute ishte në agjendën e punës si pika e parë për seancën e sotme, me shumicë votash është vendosur që të fitohet edhe pak kohë për harmonizime ndërmjet grupeve parlamentare rreth tekstit të kësaj rezolute.

Dje dhe sot, grupet parlamentare kanë diskutuar harmonizimin e tekstit të saj, por nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Propozuesi i rezolutës, Partia Demokratike e Kosovës, sipas opozitës, nuk i ka përfillur propozimet e partive opozitare për 10 pika shtesë në tekstin e kësaj rezolute, andaj ajo edhe nuk ka marrë mbështetjen.

Shtyrja e votimit të rezolutës për pasdite u nënkuptua në Kuvend si mundësi që bisedimet pozitë – opozitë rreth tekstit të kësaj rezolute të vazhdojnë.

Rezoluta për bisedimet me Serbinë është paraqitur të hënën si një përkufizim i vijave të kuqe për qeverinë e Kosovës, për temat të cilat nuk mund t’i bisedojë fare me Serbinë.

* * * * * *

Kuvendi do të debatojë për rezolutën

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot do të debatojë sërish në përpjekje për të miratuar një rezolutë, që do të tregonte vijat e kuqe të Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Ky debat vjen pas seancës së të hënës, pasi Kuvendi nuk e votoi projekt-rezolutën e Qeverisë që do të hapte dyert e fillimit të dialogut teknik me Beogradin.

Seanca e sotme pritet të fillojë në orën 10:00, ndërsa shefat e Grupeve parlamentare të partive nuk kanë arritur t’i harmonizojnë qëndrimet për ta paraqitur para deputetëve një rezolutë të përbashkët lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Pas një takimi dyorësh u njoftua se dy partitë opozitare LDK dhe AAK kanë kërkuar që në rezolutë të përfshihen edhe qëndrimet e këtyre lidhur me dialogun, në mënyrë që rezoluta të marrë miratimin unanim.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Imeri ka njoftuar se nuk do të votojnë rezolutën, pasi, sipas tij, ka dallime thelbësore ndërmjet rezolutës së këtij subjekti opozitar dhe rezolutës që pritet t’i paraqitet Kuvendit.

Ndërkohë, konsultimet e shefave të grupeve parlamentare rreth harmonizimit të rezolutës do të vazhdojnë para fillimit të seancës së Kuvendit.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen