De Rada

Analiza & Komente | admin | 24.03.11 | 18:16

Pallati De Rada, Lice Klasik me bustin e De Radës, Insituti De Rada, muze për De Radën, çmime De Rada, qendër ndërkombëtare studimesh deradiane, programe deradiane, bursa deradiane…

Të gjitha këto ia kushtojnë atij dhe vetëm atij. Jeronim De Radës (1814-1903), poetit dhe shkrimtarit më të rëndësishëm italo-shqiptar të periudhës romantike. „Siç ai iu kushtoi poezitë e shpirtit, duke u folur në gjuhën mëmë, edhe arbëreshët pas Skënderbeut atë ruajnë ende në shpirt si legjendë, e cila zë hapësirat parësore në gjithçka arbërore.“, analizon drejtori i Muzeut të Kostumografisë në San Cosmos Albanese, prof. Francesco Perri.

De Rada/rrezore.com

Nëse Skënderbeut i mbetën eshtrat larg syve të arbërshëve të mërguar dhe u bë ëngjëlli shpirtëror i paprekshëm, De Rada jetoi pranë tyre në ato shtëpi, në ato shkolla, në ato rrugë që mbetën edhe pas vdekjes së tij po aty. „Skënderbeu është miti i lartësuar dhe i paarritshëm, por fill pas tij, De Rada, me veçoritë e frymëzimit të lartësuar shpirtëror artistik në popull, mbetet ende më i prekshmi dhe i pranishmi në gjithë universin atdhetar dhe kulturor që frymëzon arbëreshët.“, shton sërish prof. Francesco Perri.

Liceu Klasik i De Radës

Studioi që fëmijë aty. Por më pas dha edhe mësim aty. Dhe fotoja e De Radës tanimë gjendet mu në krye të këndit. E varur ballore në mur, sapo hyn tek porta kryesore. 

I madhi De Rada ka qenë dy herë bujtës në ‚Liceo Classico di San Adriano‘, më pas i transferuar në San Demetrio Corone, e dikur një nga kolegjet më të rëndësishëm të Kalabrisë. 

Ky lice i moçëm me zanafillë vitin 1732 u ngrit me 12 mijë dukate, të dhëna si dhuratë nga vetë Mbreti Vittorio Emanuele dhe G. Garibaldi për t’ua shpërblyer në njëfarë mënyre arbëreshëve ndihmesën e madhe që ata dhanë për bashkimin e Italisë nën udhëheqjen e Garibaldit. Edhe sot mbi muret e këtij Liceu Klasik, tashmë gati 300-vjeçar, gjendet një pllakat ku renditen të gjitha këto dedikime nga vetë mbreti dhe Garibaldi për ndihmesën e arbëreshëve. 

„Në fillim u përdor për formimin e priftërinjve, pastaj edhe të laikëve. Aty mësohej filozofi greke, latine, humaniste nga ku nisën të dilnin figura të shquara në historinë e komunitetit arbëresh. Dhe në 1900 nisën të mbërrijnë edhe studentët e parë nga Shqipëria“, shpjegon studiuesja e gjuhës shqipe, arbëreshja 33-vjeçare, Adriana Ponte. Një nga këta nxënës nga Shqipëria ka qenë edhe Luigj Gurakuqi, i cili u bë direkt nxënës i De Radës së madh. „Ky kolegj është një gur i çmuar, i cili ka nxjerrë elitën e kulturës arbëreshe dhe Kalabrisë. Këtu lexoheshin libra që në pjesën tjetër të Italisë ishin të ndaluar. Ngjizeshin ide përparimtare të cilat u bënë nxitëse të zhvillimit. Dhe pararojë ishin gjithmonë arbëreshët, falë edhe kësaj shkolle“, thotë kryetari i bashkisë së Vacarizzo Albanese, Aldo Morina. 

Dhe kush studionte aty, mund edhe të flinte në konviktin brenda kolegjit. Edhe pse pas 1912-ës kolegji u shndërrua në lice dhe konviktet u hoqën, Sposato Gennaro, roja prej 20 vjetësh i liceut, tregon me pasion, krenari dhe keqardhje tjetërsimin e dhomave të gjumit, mensës, teatrit. „Ja dhe korridoret ku kalonte De Rada“, thotë Gennaro. „Por këtu ende mësohet gjuha shqipe, duke e ballafaquar me arbërishten apo edhe historia e Shqipërisë, falë një stafi mësuesish arbëreshë, bibliotekës së pasur që kemi edhe me libra shqip. Plus kësaj, merren edhe dije të përgjithshme mbi kulturën italiane, si në çdo lice tjetër klasik“, shpjegon mësuesi arbëresh i këtij liceu, Pino Liguori. 

E nëse hidhesh një hop anash godinës, nga oborri i gjelbëruar, duke ndjekur rojen e zellshëm që dëshiron të zbulojë gjithë ‚thesaret‘ e kësaj shkolle, gjen në qendër bustin e De Radës. E përkarshi bustit, edhe një pllakatë kushtuar nxënësit të tij, Luigj Gurakuqit. 

De Rada nisi të japë mësimin e gjuhës shqipe në këtë lice saktësisht në 1891, por nuk mundi për shumë vite, pasi vdiq në 1903. Ishte me origjinë nga nga Makia, por shumë e identifikojnë edhe sot me San Demetrio Corone, meqë studioi aty dhe u kthye për të jetuar pas ikjes në Napoli, i zhgënjyer nga revolucioni i 1848-ës.

Pallati De Rada 

Ndryshe në italisht: ‚Palazzo De Rada‘ gjendet çuditërisht fare pranë shtëpisë së Zef Serembes në San Cosmos Albanese. Mu në kryqëzimin mes dy udhëve, ku çdonjëra mban emrin e njërit dhe tjetrit poet. Aty si për të plotësuar edhe më paq frymëzimin hyjnor, edhe kisha e San Pietro e San Paolo me mbishkrimin arbërisht „Ka dera Qish’s“. 

Në katin e parë të këtij pallati të shndërruar në muze është vendosur ‚artileria e rëndë‘; karroca që përdorte familja për daljet e saj, një instalacion artistik në qeramikë e që vjen duke u ngushtuar e lartësuar nga dyshemeja drejt tavanit. Por qeramikë edhe me përzierje dylli i shkrirë në pika dhe ngrirë, e kësisoj sikur mbart edhe simbolikën e shpirtit të De Radës. Por edhe krevat, dollapë, karrige, gjithçka që nipi i De Radës ka pasur në shtëpi, e ka dorëzuar aty. 

Në katin e dytë, në njërin kënd janë grumbulluar fotot e familjes dhe mobiljet. Jeronim De Rada (Girolamo De Rada), por edhe djali i tij Giuseppe De Rada dhe nipi, Girolamo De Rada Junior. Ky i fundit, ish-kryetar bashkie i San Cosmos Albanese, është edhe ai që ka dhuruar gjithçka kishte në shtëpinë e tij për këtë muze. Nuk mungon varur në mur edhe një dekoratë ‚Medalje e Artë‘ nga Komiteti i Kryetarëve të Bashkive në Romë, ‚për klas të veçantë me karakter atdhetar“ dhënë pikërisht nipit ‚De Rada Junior‘. Por edhe i biri i Jeronim De Radës, Giuseppe, e vijoi traditën e të atit, si në poezi, ashtu edhe në studimin e gjuhës shqipe. 

Më pas vijon pikërisht nipi, De Rada Junior, i cili bashkë me poetin italian Vincenzo Selvaggi në vitet ’60-’70 botojnë gjithë veprën e De Radës. Një seri e plotë e saj gjendet pikërisht në raftet e bibliotekës në katin e dytë të muzeut, ku është përqendruar gjithçka e dokumentuar e poetit. 

„Por na vjen keq që nuk kemi fonde për të studiuar gjithë dokumentacionin, letërkëmbimin, arkivin e plotë që na ka dhuruar nipi i tij në këtë muze, por i lëmë në rafte nën pluhur e në kuti përtokë“, thotë studiuesja arbëreshe, Annunziata Bua. 

Dhe përveç pjesës së sistemuar mirë të librave, ekziston edhe kaosi i plotë, sidomos tek letërkëmbimet. Ato janë gjithashtu të pahapura fare. Nëse mundesh të hapësh tek-tuk ndonjë prej tyre, zbulon gazeta në shqip, të dërguara nga diaspora shqiptare. Gazeta të kohës kur në Shqipërinë komuniste përbënin herezi. Por që, me sa duket, nipi i De Radës i kishte si dërgime shumë të shpeshta. „Por duhet shumë kohë dhe studime të vërteta që të deshifrohen gjithë këto kuti të mbushura plot. Ende nuk e dimë se çfarë ka aty“, thotë Annunziata. Duke bërë të fantazosh ndoshta dhe shumë zbulime ende të panjohura deradiane si në rrafsh artistik, ashtu dhe privat. 

Ndër librat më të vjetër e ndoshta dhe nga antologjitë më të vjetra të letërsisë shqipe që gjen aty të mbyllur me çelës, por të dukshëm nga xhamat, është: „Antologji shqiptare“ e vitit 1896, e përkthyer në italisht pikërisht nga vetë poeti i madh Jeronim De Rada. Të tjerë libra të vjetër të kyçur mirë janë edhe: ‚Poezi shqiptare‘ (1880), ‚Komiteti politik shqiptar në Napoli‘, ‚Kolonitë italo-shqiptare në Kalabri‘, ‚Poezi shqiptare të Giuseppe De Rada‘ (1880), revista ‚Albania‘ (1920), ‚Gramatika e gjuhës shqipe‘ ( 1871). Dihet që De Rada është nga të parët studiues të strukturës gramatikore të shqipes. Dhe në të dy veprat gramatikore që hartoi (1871, 1894) vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes, që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine, të plotësuara me shenja diakritike. Në veprimtarinë gjuhësore të De Radës ekziston edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro, i dyti (1897) në Lungro (Kongreset gjuhësore arbëreshe).

Në rafte gjen po ashtu të kyçur edhe një botim të vjetër të ‚Këngët e Milosaos‘, por pa datë në kopertinë. Botuar nga Insituti i Studimeve Shqiptare në Romë nën drejtimin e prof. Ernest Koliqit. Ndërkohë që dorëshkrimi origjinal i „Këngët e Milosaos“ gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. 

Dhe veç relikeve deradiane, „Palazzo De Rada‘ shërben edhe si një muze i ikonografisë bizantine, që kanë ruajtur arbëreshët në këto zona. Në këtë muze, në një rresht të gjatë janë ekspozuar edhe ikonostaset. 

Instituti De Rada 

Kurse verore gjuhe, kulturore mesdhetare, festivale filmi,fashion, biznes,histori arti, letërsie etj. Të gjitha ideohen nga një instutut dhe qendër kombëtare me emrin De Rada. Shpesh të emërtuara si; ‚De Rada Summer Institute in Calabria‘, ‚The De Rada Scholarships‘, ‚Girolamo De Rada Grant‘ etj.

Ka rreth dhjetë vjet që vijojnë të tilla veprimtari me qendër San Demetrio Corone, por që aty me përhapje edhe ndërkombëtare. Saktësisht në këtë periudhë Instituti Deradian nuk është operativ sikurse gjatë verës. Drejtuesi i saj, prof. Michelangelo La Luna shpjegon se këto kohë gjendet në SHBA, në Universitetin e Rhode Island ku jep edhe leksione apo ndërmjetëson mes tij dhe De Rada Insitute. 

Ndërsa të tjerë anëtarë gjenden jashtë për motive pune ose shëndeti. Por Adriano Mazziotti, një nga anëtarët e bordit drejtues dhe gazetar për gazetën ‚Il Quotidiano’në Kalabri shpjegon se janë të shumtë projektet që kjo qendër zhvillon sidomos në verë, por edhe gjatë gjithë vitit në bashkëpunim edhe me institucione ndërkombëtare. Ndërsa shtëpia e De Radës prej vitesh është shndërruar në qendër private të familjes, e cila nuk mund të vizitohet më, por vetëm mund të këqyret nga jashtë. Ndërsa dikur shërbente si qendër studimesh, pikërisht për Insitutin De Rada.

Për Luigj Gurakuqin

Në Liceun Klasik të San Cosmos Albanese ku ka dhënë mësim Jeronim De Rada e ku ka qenë nxënës i tij edhe Luigj Gurakuqi, gjendet edhe një pllakat përbri bustit të De Radës, të cilët sikur shohin njëri-tjetrin. Me këtë mbishkrim: 

Patriotit të madh shqiptar, Luigj Gurakuqi 

(1879-1925)

Heroi dhe mësuesi i popullit

Që këtu studioi nxënësi i De Radës. Luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë , për zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare, i vrarë në Bari nga reaksioni zogist. 

Komuna e Shën Mitrit në 100-vjetorin e lindjes. 

1879-1979

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen