PSHDK-ja ndihet e tradhtuar nga Thaçi

Arkivi | admin | 25.03.11 | 19:22

Kryetari i Partisë Shqiptare Demokristiane, Marjan Demaj ka thënë se ndihet i tradhtuar nga partneri i koalicionit parazgjedhor PDK, i cili nuk e ka respektuar marrëveshjen e koalicionit.

Marrëveshja që kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, e ka nënshkruar me partnerin e vetëm parazgjedhor në zgjedhjet e 12 dhjetorit, PSHDK-në, i ka disa kushte.

 

“PDK-ja dhe PSHDK-ja do të jenë koalicion qeverisës ku PSHDK do të ketë përfaqësim në një post të ministrit dhe dy zëvendësministra”, thuhet në tekstin e marrëveshjes së nënshkruar më 11 nëntor të vitit të kaluar.

Qeveria e Kosovës është votuar të martën dhe asnjë nga ministrat nuk vjen nga radhët e PSHDK-së, ndërsa kreu i kësaj partie është ankuar se Thaçi nuk ka pranuar as të fliste me të, shkruan “Koha Ditore”.

“Kam kërkuar vetëm pesë minuta takim, le të më tregojë partneri i koalicionit se cili është problemi”, ka thënë Demaj. “Ka dy muaj e gjysmë që unë pres edhe e lus zotin Hajredin Kuçi, … ai ende nuk më ka kontaktuar”.

Demaj, i cili është profesor i matematikës në UP, ka vlerësuar se ka bërë nder kur është bashkuar me PDK-në, por nderi nuk i është kthyer.

Kreu i PSHDK-së ka treguar se nuk i ka fituar votat e mjaftueshme për të qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, mungesën e të cilave e sheh si të dyshimtë, por megjithatë thotë se “në marrëveshjen e koalicionit askund nuk thuhet se duhet të fitoni kaq apo kaq vota, por vetëm se ne do të jemi koalicion”.

Nga ndihma e PSHDK-së, Demaj vlerëson se në Gjakovë PDK-ja ka pasur dyfishim të votave, ashtu edhe në Klinë. “Kam bërë sakrificë për Kosovën, duke i ndihmuar PDK-së dhe i kam merituar pesë minuta të m’i kushtonte”.

Në anën tjetër, në Partinë Demokratike të kryeministrit Thaçi nuk kanë pranuar të deklarohen për ketë çështje. Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, nuk ka pranuar të komentojë fare. “Prej se e kam marrë postin e ministrit nuk preferoj të prononcohem për çështje të partisë”, ka thënë Stavileci. /Telegrafi/

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen