Benedikti XVI: “Shenjtëri nuk do të thotë të bësh gjëra

Arkivi | admin | 14.04.11 | 15:49

Benedikti XVI: “Shenjtëri nuk do të thotë të bësh gjëra të jashtëzakonshme, por të jesh i bashkuar me Krishtin”

14-04-2011 / Gazeta 55

 

 

“Shenjtëria nuk kërkon heroizma të jashtëzakonshme”. Këtë ripohoi sot paradite Papa, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, përqendruar tek tema e shenjtërisë. Shenjtorët, nënvizoi Benedikti XVI, janë krejt të ndryshëm njëri nga tjetri. Ndërmjet tyre ka edhe shenjtorë të thjeshtë, domethënë njerëz të mirë, që i takojmë gjatë jetës e që nuk do të lartohen kurrë në nderimet e elterit. Janë njerëz normalë, në se mund të shprehemi kështu. Jetojnë qetë-qetë e, në dukje, nuk kanë asgjë të përbashkët me heronjtë e me heroizmin. Por në mirësinë e tyre të përditshme shkëlqen e vërteta e fesë.
Me katekizmin e djeshëm Benedikti XVI përfundoi ciklin kushtuar figurave më të rëndësishme të lashtësisë së krishterë, me pohimin se ata na ftojnë të gjithëve të ecim mbi gjurmët e tyre. Duke folur në gjuhën angleze, Papa i drejtoi një videomesazh përshëndetjeje pjesëmarrësve në takimin e tretë australian të familjeve, në Melburn. Historia e krishterë, është histori e shenjtorëve-ikonë, yje të ndritshme, në kupën e qiellit të Kishës. E është edhe histori e shenjtorëve të panjohur, të fshehtë, pa elter, pa devocione e pa heroizma të dukshme, që megjithatë, me mirësinë e tyre, i ndriçojnë njerëzit, që takojnë në rrugët e ndërlikuara të jetës: njerëz që, nganjëherë, mund të jenë vetë papa. E theksoi këtë Benedikti XVI, në një nga fragmentet më prekëse të audiencës së përgjithshme, kushtuar krejtësisht shpjegimit të së vërtetës së lashtë, e gjithnjë të re: shenjtëria u përket të gjithëve. Të gjithë mund të bëhen shenjtorë, mjafton që të duan Zotin e të afërmin. Duke nënvizuar, nga fundi i katekizmit, se shenjtorët, që kremton Kisha, janë shembuj për t’u imituar, Papa bëri këtë dallim: “Për mua jo vetëm disa shenjtorë të mëdhenj, të cilët i dua e i njoh mirë, janë njerëz që tregojnë udhën, por edhe shenjtorët e thjeshtë, njerëzit e mirë, që takoj gjatë jetës, të cilët nuk do të lartohen kurrë në nderimet e elterit. Njerëz normalë, që nuk bëjnë kurrfarë heroizmi të dukshëm, por që, me mirësinë e tyre të përditshme, pasqyrojnë të vërtetën e fesë. Kjo mirësi, e fituar përmes fesë së Kishës, për mua është apologjia e krishterimit dhe shenjë, që tregon se ku mund të gjendet e vërteta”. Na tregojnë udhën! Një udhë impenjative, sigurisht, por jo të papërshkueshme. Do të ishte gabim ta shikonim me këtë sy e të mendonim se shenjtëria është cak, ku arrijnë shumë pak njerëz; se ky cak u përket vetëm të zgjedhurve. Ndërsa Shën Pali na kujton: “Shenjt është Jezusi e atëhere kushdo, duke u bashkuar me të, mund t’i rrijë pranë, mund të shikojë, të dëgjojë e të prekë Zotin vetë: “Shenjtëria nuk kërkon heroizma të jashtëzakonshme. Kërkon të jemi të bashkuar sa më shumë me Jezusin, t’i jetojmë misteret e Tij, të sillemi, të mendojmë e të veprojmë si Krishti. Shenjtëria matet me praninë e Krishtit në shpirtin tonë, me forcën e Shpirtit Shenjt, që na ndihmon ta modelojmë jetën tonë, sipas jetës së Tij”.
Por, a mjaftojnë forcat njerëzore, personale, që njeriu t’i përgjigjet thirrjes për shenjtëri? Përgjigjja, tha Papa, është e qartë. Forca vjen nga lart e hyn në shpirtin e njeriut përmes hirit hyjnor, përmes sakramenteve, duke nisur nga Pagëzimi: “Një jetë shenjte nuk është vetëm fryt i përpjekjes sonë, i veprave tona, sepse është Zoti, tri herë i Shenjtë (cfr Is 6,3), që na bën të shenjtë, është veprimi i Shpirtit Shenjt, që na gjallëron, është vetë jeta e Krishtit të Ngjallur, që na hyn në shpirt e na shndërron (…). Por Hyji e respekton gjithnjë lirinë tonë, kërkon ta pranojmë këtë dhuratë e ta jetojmë si dëshiron Ai, kërkon të pranojmë të shndërrohemi nga veprimi i Shpirtit Shenjt, duke e bërë vullnetin tonë një, me atë të Hyjit”.
Por, si mund të arrijmë që veprimet tona të përkojnë plotësisht me ato të Krishtit? Papa iu përgjigj kësaj pyetjeje me fjalët e Koncilit II të Vatikanit, për të cilin shenjtëria nuk është tjetër, veçse dashuri e krishterë, e jetuar plotësisht. E kjo do të thotë të jetosh sipas stilit të krishterimit, të kryesh detyrat, që të ngarkon feja e krishterë, të cilat Papa i kujtoi, duke i porositur të gjithë besimtarët të mos i lënë kurrë pas dore: “Kryesore është të mos e lësh asnjë të diele pa takimin me Krishtin e Ngjallur në Eukaristi; kjo nuk është barrë e rëndë, por dritë, që ndriçon gjithë javën. Pastaj të mos e nisësh as të mos e përfundosh kurrë ditën, pa një takim sado të shkurtër me Zotin; e kur duhen marrë vendime, të ecësh pas shenjave të udhës, që t’i tregon vetë Zoti e që janë format e ndryshme të dashurisë së krishterë”.
Ne, të krishterët, pohoi Papa, jemi si gurët e mozaikut të madh, që krijon Zoti në histori. E përfundoi me fjalët: “Nuk kemi frikë të synojmë lart, drejt lartësive të Zotit; nuk kemi frikë se Zoti do të na kërkojë shumë: ta lëmë, prandaj, të na prijë, me fjalën e tij, në të gjitha veprimtaritë e përditshme, edhe pse e ndjejmë veten të varfër, të padobishëm, mëkatarë: mos kini frikë: ai do të na shndërrojë, me forcën e dashurisë së Tij”.
Në shkurtoren e katekizmit, në gjuhën angleze, është për t’u vënë në dukje videomesazhi, që Benedikti XVI u drejtoi përfaqësuesve të familjeve australiane të cilët, nga e premtja, deri të dielën e ardhshme, do të marrin pjesë në takimin e tyre të tretë kombëtar, që do të mbahet në Melburn: Kjo ngjarje e rëndësishme, është për ju rast jo vetëm për të dëshmuar lidhjet e dashurisë në gjirin e familjeve, por edhe për ta dashur gjithnjë më shumë familjen e madhe të Hyjit, që është Kisha, për t’u bërë, kështu, protagonistë të një njerëzimi të ri, të një kulture të re, kulturë e dashurisë edhe e bashkimit, e jetës dhe e paqes, duke i dhënë lumni Hyjit, Atit tonë, në çdo çast të jetës”. Ndërmjet grupeve, Papa përshëndeti posaçërisht rregulltaret e Kongregatave, që marrin pjesë në kursin, organizuar nga USMI dhe motrat dishepulle të Mësuesit Hyjnor, të mbledhura në kapitullin e tyre të përgjithshëm.
    Roma shton përgatitjet për manifestimet e Lumnimit të Karol Vojtilës/Numri i shtegtarëve, që priten në Romë për ngjarjen e madhe të 1 majit, mund ta kalojë milionin. E, kuptohet, shtegtarët do të jenë të pranishëm para e pas 1 majit e qyteti dëshiron të jetë gati, për t’i pritur sa më mirë. Dje, në Kapitol, u paraqitën manifestimet dhe shërbimet, që do t’u ofrohen shtegtarëve në këtë çast të madh feste, në përpjekjen për të krijuar një atmosferë sa më të përzemërt e mikpritëse e për ta bërë sa më të njohur figurën e madhe të Gjon Palit II, edhe si ipeshkëv i Romës e si mik i gjithë shoqërisë, edhe asaj laike e jo katolike. Këto janë objektivat, mbi të cilat vuri theksin kryetari i bashkisë, Gianni Alemanno dhe mëkëmbësi i Papës për dioqezën e Romës, kardinali Agostino Valini. “Unë ju kërkova, e ju erdhët. Prandaj ju falënderoj”: janë fjalët e Gjon Palit II, të cilat i prijnë në këto orë makinës së madhe organizative. Kjo makinë, ndërmjet datave 30 prill e 2 maj, do ta bëjë Romën qytet, që ia hap në dy kapakët portat mbarë botës. Roma do të jetë, këto ditë kulmore pranvere, Qytet i hapur, në kuptimin më gazmor të kësaj fjale! Mobilizimi, që për herë të parë bazohet në bashkëpunimin, edhe financiar, të Veprës Romake të Shtegtimeve me Komunën – është i përgjithshëm. Për informim do të funksionojnë qendra telefonie me numër 060608, një faqe e posaçme interneti në Portalin Roma Capitale (Roma Kryeqytet) e, sidomos, 35 pika mikpritjeje, të shpërndara në të gjithë territorin, në mënyrë që, qysh nga çasti i arritjes e deri në çastin e lamtumirës, besimtarë e turistë ta ndjejnë se janë të mirëpritur, të rrethuar nga një atmosferë pozitive, por edhe e thjeshtë. Do të jetë atmosferë e shenjtërisë së një njeriu tejet të madh e, njëkohësisht, simbol i thjeshtësisë. Kështu e shpjegon atmosferën e pritjes së shtegtarëve, kryetari i bashkisë së Romës, Gianni Alemanno: “Pikërisht që të vihet në dukje me forcë të veçantë vlera njerëzore e shpirtërore e kësaj ngjarjeje të madhe, nga pikëpamja materiale duhen ulur tonet. Thjeshtësi, pra, përkorje, kursime e shërbim vullnetar. Vullnetarët do të jenë protagonistët kryesorë të këtyre ditëve: do të jenë së bashku vullnetarët e Romës, rreth 3.500 vetë, me vullnetarët e Veprës Romake të Shtegtimeve e vullnetarët e Unitalsit. Do të jenë të pranishëm në të katër anët e Romës, për të pritur e për të drejtuar shtegtarët”.
Përkrah vullnetarëve, do të jetë edhe shërbimi i përforcuar i emergjencës, me rreth 200 pika shërbimi e 7 zona të ndihmës së shpejtë. Shërbimi i pastrimit të qytetit do të jetë në gatishmëri gjatë 24 orëve ndërsa, për të lehtësuar lëvizjen, në dispozicion të shtegtarëve do të vihen 150 mjete publike më shumë se zakonisht. Mjetet e transportit do të lëvizin ditë-natë në drejtime të ndryshme, duke krijuar lidhje të rregullta e të vazhdueshme aeroport–qytet. Gjatë tri ditëve të festës, shtegtarët do të kenë në dispozicion 5.046 vende autobusi. Por – siç theksojnë, me të drejtë, organizatorët, suksesi i shërbimeve nuk duhet parë i shkëputur nga karakteri shpirtëror i ngjarjes së madhe, që është edhe kryesori. Këtë e theksoi kardinali Agostino Valini: “Lumnimi i Gjon Palit II është ngjarje e madhe shpirtërore; ai ishte dëshmitar modern i Ungjillit. Gjon Pali II pohoi, shkroi e mësoi se kush dëshiron të jetë njeri i vërtetë, mund ta realizojë këtë dëshirë, vetëm përmes besimit në Krishtin e vdekur e të ringjallur. Ai vetë e jetoi dhe e dëshmoi këtë të vërtetë, e ky është edhe mesazhi i madh, ose mund të themi, edhe ushqimi i madh, për të cilin ka aq shumë nevojë njerëzimi. Prej këndej, lumnimi i tij është vërtet rast për ta falënderuar Zotin, që ia dhuroi këtë dëshmitar të madh të fesë, Kishës e botës. Por edhe për të medituar, për të reflektuar e për ta shikuar si model, që duhet imituar“.
Kardinali kujtoi edhe tri etapat fetare të programit: mbrëmësoren e lutjeve të së shtunës, 30 prill, në Circo Massimo, për t’u lutur me Gjon Palin II, duke përshkuar të pesë kontinentet, në trojet e të cilave shkeli gjatë shtegtimeve të tij; kremtimi i Lumnimit, të dielën, me nderimin e relikeve, që do të pasohet nga Mesha Shenjte e falënderimit, më 2 maj. Por Gjon Pali II, kujtoi kardinali, përveçse njeri, që i përkiste botës, ishte edhe njeri që i përkiste Romës, ishte ipeshkvi i Romës, i dashur e i lidhur thellësisht me Qytetin. E jo vetëm me katolikët, por me gjithë shoqërinë laike e jo katolike, që e popullon. Ky aspekt do të jetë zemra e koncertit të 2 majit, në Sheshin e Kapitolit, pasuruar edhe me dëshmitë e Rabinit Toaf; sekretarit privat të Gjon Palit II, kardinalit Dgjivish dhe zëdhënësit të asokohshëm të Sallës vatikanase të Shtypit, Navarro-Valls.
Ndërsa dy ekspozita fotografike do të pasqyrojnë aspekte të ndryshme nga jeta e të Lumit të ri: e para, që do të hapet në sheshin romak Repubblica, titullohet “Karoli, Papa i popujve”; e dyta, në Muzetë Kapitoline, “Në elterin e Zotit”. Por të dëgjojmë edhe këshilltarin e Bashkisë për kulturën, Dino Gasperini: “Do të jetë festë e madhe, në të cilën do të dialogojnë shprehje të ndryshme artistike, në gjirin e manifestimeve të ndryshme. Papa nuk ishte vetëm artist. Në radhë të parë ishte papa i parë, që u mat me mediat; papa i parë, që u duk në internet; papa i parë, që foli nga pjesa tjetër e botës, duke përdorur kanalet e komunikimit, i pari që na e la edhe perëndimin e jetës, të shprehur me gjuhën e artit. Besoj se është e drejtë të nderohet sa më mirë, duke pasur parasysh kush ishte e çfarë bëri”.
Marrë nga Radio Vatikani

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen