Zhgënjimi

OP-ED | Zef Prenka | 10.04.13 | 19:52

Askush nuk mund të ma mohojë hidhërimin, brengën apo urrejtjen. Pritëm me vite të tëra, por pritja nuk mbaroi. Pritja dhe trishtimi ynë u kthyen në përjetësi përballë pjesës tjetër gjakatare e cila duket se nuk e ka lëshuar nga duart pushtetin e saj.

Në vendin tonë llahtari dhe tmerri i kanë rrënjët të thella dhe ne vazhdojmë të presim të zhgënjyer. Por kjo nuk do të thotë se do mbyllemi kurrë në dhimbje dhe as do të zhytemi në mjegullën e shpresës. Nuk u trembëm as njëherë nga fati që na dërrmoi dhe nuk na theu, as çfarë erdhi pas tij.

Klithmat e dëshpërimit të pangushëlluara me një makth të llahtarshëm nuk na lenë të qetë.

Premtimi nuk u mbajt.

Të gjithë e dinë, por askush nuk guxon të prekë të kaluarën gjakatare. Ne nuk duam dënimin e së shkuarës komuniste vetëm në nivele deklaratash, por edhe konkretisht.Këtu nuk u prekën aspak ata që gatuan këtë tragjedi kombëtare.

Pinjollët e tyre mbahen afër e punësohen në vendet kyçe e shumë të rëndësishme të shtetit, ndërsa për ne s’mendon askush. Bijve të komunistëve dhe të Sigurimit u hapen dyert të bëjnë ç’të duan e të merren me ç’të duan, për të shtuar mundësitë e trashëguara dhe miliardat e fituara në këto 20 vitet e fundit.

Pse nuk bëhet e njëjta gjë me ne?

Pse duan të na lënë në varfëri apo sepse nuk i lidh asgjë me këtë shtresë? Dokumentet e nevojshme për të denoncuar këta vrasës ekzistojnë, por arbitri shtet nuk ka dëshirën e mirë ta bëjë këtë.
Një demokraci pa kujtesë, është një demokraci në vuajtje që përpiqen ta ndërtojnë mbeturinat e të kaluarës. Pra, kam të drejtë të them me plot gojën se zhgënjimi është plaga që nuk do të gjejë kurrë shërim.
Tmerret e historisë duhen parë me shumë kujdes nga njerëz qe s’kanë asnjë lidhje me komunizmin. As me këta neokomunistë se këtë gjëmë e kanë shkaktuar baballarët e këtyre që na sundojnë. Ata janë shumë të kënaqur nga puna e baballarëve të tyre sepse ju siguruan dhe të ardhmen ne pushtet.
Ata që janë dëmtuar nga këto tmerre, nuk do t’i harrojnë kurrë ato. Mund të zbehen përkohësisht, por ne nuk do t’i harrojmë kurrë shkaktarët e katrahurës së hidhur e tronditëse.

Qëndrimi që mbahet ndaj nesh, na e bën më të gjallë dhimbjen e shkuar dhe na e përforcon më tepër urrejtjen, duke plaguar në ndërgjegjen tonë armiqësinë e shkaktuar nga e kaluara.
Ata që u veshën me partesytë e bardha të mbrojtur nga xhupat e zinj arritën të mashtrojnë opinionin ndërkombëtarë duke u paraqitur si “MESIA”Po ata që morën përsipër të na kthenin në jetën normale, jo vetëm që na lanë ende mbi shpinë të kaluarën e tmerrshme, por ne po shohim se si po adhurohen xhelatët tanë.

Atyre që na premtuan, nuk u pëlqen të zbardhet historia e përgjakur 45-vjeçare, por edhe ne nuk mund të harrojmë ç’ka ndodhi mbi kurrizin tonë. Na mohuan ekzistencën, apo, ca më keq akoma, na vranë e na zhdukën.

Lufta civile në Shqipëri i hapi rrugën terrorit, kaosit e urisë 45 VJECARE. Verbëria politike vazhdon ende edhe sot e kësaj dite. U lindëm dhe u rritëm në kohën kur vendi u pushtua nga frika, dhuna dhe dhunimi total i fjalës së lirë, ku na priste lufta e ashpër e klasave dhe fundi i llahtarshëm, vdekja.

Pluhuri i kohës dhe i kujtesës nuk do të na pengojnë, por tashmë një gjë e kemi të qartë se objektivi dhe synimi për ne klasën e përmbysur mbetet po ai i vjetri: të na lenë në harresë. Skenari është po ai, kanë ndryshuar vetëm koha dhe aktorët që janë të rinj. Ata duan të na hedhin në kaosin rënkues përjetësisht.

Arsyet për të dënuar regjimin gjakatar komunist, i cili ishte i imponuar nga një grup barbarësh, janë shumë të forta. Ky regjim shtypës shpronësoi popullin, burgosi,shkatërroi me mijëra familje, vrau e zhduku me mijëra njerëz të cilët mendonin ndryshe nga propaganda bajate dhe e gënjeshtërt.

Kërkesat e palës, që pësoi ato ç’ka përmendëm më sipër, për dënimin e komunizmit nuk u mbështetën nga askush. I vetmi, që na përkrahu ne të burgosurve politikë, ishte deputeti dhe ministri i MTKRS-së, zoti Bukaj Leskaj. Ai kërkoi me forcë në parlament, që për të gjithë të rënët e të pushkatuarit gjatë diktaturës, të caktohej një parcelë e veçantë te Varrezat e Dëshmorëve.
Ai kërkoi që 21 maji i vitit 1973 të shpallej ditë zyrtare në përkujtim të revoltës së Spaçit. Gjithashtu ai kërkoi ngritjen e një memoriali në nderim të viktimave të diktaturës. Zoti Bujar Leskaj ishte deputeti i vetëm që nga salla e parlamentit demaskoi bashkëpunëtorët e Sigurimit.
Mospërkrahja do të thotë se nuk duan ta shpallin përgjegjësin e kësaj katrahure 45-vjeçare. Parlamenti i sotëm e mbron atë ligjërisht. E them këtë, pasi parlamenti ynë edhe pse e ratifikoi rezolutën e KE-së, për dënimin e krimeve të komunizmit, nuk e vuri në zbatim. As ligjin për pastrimin e figurave që kanë lidhje me Sigurimin gjakatar. Pse heshtet?! A nuk janë të mjaftueshme këto fakte për të treguar se nuk është prishur kontrata me të kaluarën?!
Parlamenti shqiptar edhe pse ka dijeni për të gjitha këto gjëma, asnjëherë nuk e zë me gojë diktatorin i cili sot e kësaj dite ende mban dekoratat më të larta. Sot askush nuk mendon të shërojë plagët e së kaluarës që rrjedhin gjak.
Sot, askush nuk mendon për nënat shamizeza që shkuan në atë botë të pikëlluara duke mos e marrë vesh kurrë fundin e bijve, vëllezërve apo bashkëshortëve të tyre të zhdukur. E demokraci, pse na e shove atë pak shpresë?
Ne besuam në ato që u thanë më ’91. Ne besuam se në fund të tunelit të errët do të ndizeshe drita jeshile. Ne besuam se do gëdhinte nata e errët 45 vjecare për të ndricuar përgjithmonë dritë.Por kjo nuk ndodhi.
Të besosh nuk përbën ndonjë gabim, por të vazhdosh të besosh,kur zhgënjehesh është faj i rëndë. U mbushën 20 vjet që thuhet ish-pronarët, ish-të burgosurit politikë, por kur do të thuhet ish-komunistët dhe ish-Sigurimi? A do të ndodhë ndonjëherë kjo? Kurrë! “Mjerë i munduri!” thoshte Napolen Bonaparti.
Shumëkujt kur ia do puna, nëpër takime ndërkombëtare apo edhe në vend, thotë se Shqipëria ka kaluar diktaturën më të egër e se janë kryer shumë krime, por vetëm kaq, nuk shkohet më tej.
Të gjithë aktorët, me në krye diktatorin, e shtruan rrugën e komunizmit me lumenj gjaku, rënkime dhe ulërima dhimbjesh. Shuma nga ne po largohen nga kjo jetë dalëngadalë me kujën e dhimbjes që s’ka dëshirë ta dëgjojë askush.
Sakrificat tona të përgjakura, të dhimbshme dhe mundimin e tejzgjatur na e marrin për dobësi. Varfëria materiale e morale ndaj nesh nuk duhet të vazhdojë më.
Na mjaftoi përballja me eksperimentin e tejzgjatur të regjimit totalitar e absurd. Mbi ne po fle ende çmimi i shtypjes, i mënjanimit dhe i harresës së qëllimshme.
Në të Djathtën e Shqipërisë kanë zënë vend Sigurimi i Shtetit dhe spiunët dhe bijtë e komunistëve të cilët me format e tyre ndjekin e mbrojnë baballarët gjakatarë.
Dëshmitarët e rremë dhe bashkëpunëtorët e sigurimit mbajnë detyra të larta si kryetarë partie, zv/prefektë, ambasadorë. E ku nuk i gjen ata! Dhe, po i preke këta, si spiunë e si bashkëpunëtorë të Sigurimit, ndëshkohesh. Që të kesh përkrahje të plotë, sot duhet me patjetër të kesh dy lidhje të forta: të kesh pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit ose me komunizmin.
Kur e kush do të përgjigjet për mijëra të zhdukur, të varur e të pushkatuar?
Kur e kush do të përgjigjet për mijëra të burgosur, të internuar e të çmendur nga torturat të cilët edhe sot e kësaj dite gjenden të mbyllur në çmendina? Kur e kush do të përgjigjet për këto krime të komunizmit? A është ky, kushti i KE-së?
Nuk kërkoj të bëj zëdhënësin e atyre të cilët kanë frikë të thonë të vërtetën, të zgjidh enigmën e së vërtetës apo të bëj rolin e historianit, por e vërteta duhet thënë në funksion të respektimit të rregullave të demokracisë dhe të dinjitetit njerëzor.
Krimet e komunizmit duhet të analizohen e të dënohen në emër të vlerave demokratike.
Kaloni nëpër korridoret e errëta dhe hapni ato qindra dhoma të krimit ku shpirtrat ende rënkojnë,bëni grafinë e krimeve. Mos ua shtrëngoni duart vrasësve, por detyrojini të përgjigjen.
Për ne kujtesa mbetet e shenjtë!
Këtu po e përfundoj rrëfimin për tragjizmin 45 vjeçar dhe harresën e qëllimshme 20 vjeçare!
Jam i bindur se shumë do të hidhërohen e ndokush mund të mendojë se po bëj shumë armiq.
Kjo s’është aspak e vërtetë! Unë po zbuloj të gjithë mekanizmin se si funksiononte sigurimi famëkeq dhe keqbërësit e katrahurës familjare për 45 vjet rresht. Ky rrëfim nuk është vetëm imi, por i të gjithë atyre njerëzve që s’u kanë munguar kurrë uria,turturat, vuajtjet, padrejtësitë, tmerret e terrori komunist.

Cfarë do bëhet? Kush do ta bëjë?

Këtë e bën një ndërgjegjje shumë e pastër duke dhënë prova se e urren të kaluarën me të vertetë .Të cilët s’kanë arsye ta mohojnë për çka ndodhur.
Ky rrëfim është një mozaik krahinash e shumëllojshmëri dhimbjesh e lotësh .Jam përpjekur që të mos ja kthej shpinën të vërtetës e të fle në gjumin e gënjeshtrës .Besoj se kam shprehur thjeshtë e cdo kush do ta kuptojë atë cka kam dashur të them e të mos i harroj kurrë.
Këtë dhimbje e kanë mijëra familje shqiptare .Unë u bëj thirrje dhe ju them rrëfejini tmerret e familjeve tuaja mos i lini në harresë sepse brezat e ardhshëm nuk do t’ua falin kurre as dhe historia.As toka që po i mbanë fshehur dhe po treten dalëngadalë.Nuk do ti harrojnë kurre këto rënkime shpirtrash që u sakrifikuan vetëm pse deshën vendin e tyre.
Këto materiale arkivore besoj se janë të vlefshëm për ata që vuajtën fizikisht,por dhe për brezat që do vinë.Dhe një herë thërras flisni dhe tregoni katrahurat e ndodhura,Të gjithë e dimë se jan ë me qindrae mijratë zhdukur ,mijra të pushkatuar që janë pa varre .Por dhe për të gjithë këta nuk ka fajtor.

Ekstrakt nga libri Terrori Komunist.

bedri-blloshmi

 

Bedri  Blloshmi

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen