Anti-shqiptarët e BE dhe anti-shqiptarët e Shqipërisë

Arkivi | admin | 17.04.11 | 08:44

 

Në lajmet e djeshme u dha debati i Kryeparlamentares sonë Jozefina Topalli me Viktor Boshtinaru, europarlamentar europian (rumun) i krahut socialist europian, i caktuar për integrimin e Ballkanit.

Replika e znj. Jozefina Topalli me europarlamentarin Viktor Boshtinaru për shkak të një fraze të përdorur në parlamentin shqiptar në seancën e 24 shkurtit në të cilën Kryetarja e parlamentit jone e parlamentit e kishte cilësuar europarlamentarin në fjalë si antishqiptar, racist dhe të korruptuar. Gjithashtu u dha edhe lajmi për replikën e europarlamentarit rumun Boshtinaru në të cilën theksohej se “…akuzat janë të pa-bazuara…”
Në fakt mesa duket ekziston një deklarim i europaramentarit në janar 2011, për çështjet e Ballkanit Boshtinaru në të cilën thuhej (pak a shumë) se… “Shqipëria e ka të parakohshme heqjen e vizave për shaka të ngërçit politik aty…”.
Replika e këtij parlamentari europian e thënë në gjuhë të ashpër: “Kur akuzat vijnë nga një kryetare Kuvendi e një vendi që aspiron për anëtarësim në BE janë thjesht të çuditshme dhe të patolerueshme. Duket që sjellja e disa politikanëve shqiptarë është si një përpjekje për të diskretituar të gjithë ata njerëz të cilët dënojnë gabimet e tyre. E thënë në pak fjalë të gjithë ata që i konsiderojnë armiq politik. Por, nëse kjo është mënyra sesi funksionon me politikanë të tillë si zonja Jozefina Topalli dhe anëtarë të tjerë të partisë demokratike të Shqipërisë duhet të jem i qartë: Ky nuk është rregulli që zbatohet në Parlamentin Europian dhe në Bashkimin Europian”, – janë një antitezë e vërtetë dhe në kundërshtim të plotë me kundër-replikën e Kryeparlamentares tonë të deklaruar në Bruksel: “Boshtinaru propozoi për t’i bllokuar shqiptaret pa asnjë arsye për të lëvizur lirisht dhe t’u imponojë atyre sërish „Murin e Berlinit“. „Në të vërtetë unë jam plotësisht dakord me zotin Boshtinaru kur thotë se janë krejtësisht të padobishme të gjitha ato që tha ai. Këtu nuk kemi të bëjmë me një incident Topalli-Boshtinaru. Por ka një propozim të Boshtinarut për t’i bllokuar shqiptarët, pa asnjë arsye, që të përfitojnë nga lëvizja e lirë, për t’ju imponuar atyre sërish ‚Murin e Berlinit‘. Dhe në mes të 3.2 milionë shqiptarëve, jam unë, Jozefina Topalli, që e konsiderova për të ardhur keq këtë propozim antishqiptar, racist, të ulët dhe të motivuar nga interesa të ulta. Propozime të tilla janë ‚alla Caushesku‘, qartësisht të sponsorizuar nga qarqet antishqiptare. Unë nënvizoj se një propozim i tillë, ‚alla Caushesku‘, është qartësisht i sponsorizuar nga qarqet antishqiptare. Ky është realiteti. Nëse çdokush ofendohet nga realiteti, atëherë falsiteti nuk i përket as realitetit, as 3.2 milionë shqiptarëve”.
Viktor Bostinaru ka qenë kryetar i delegacionit të PE nga 17 shtatori 2009 për marrëdhëniet me vendet e Ballkanit, Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Serbi, Mal i Zi, Maqedoni, dhe sot këto marrëdhënie janë ri-përditësuar (upgrade- përmirësuar) në 2010 me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (SAA), e për pasojë europarlamentarët e PE dhe parlamentarët nga Shqipëria dhe Mali i Zi takohen 2 herë në vit në komitetet të veçanta të SAA. Marrëdhënie me këto dy vendet e fundit (Shqipëri dhe Mal i Zi) janë akoma përgjegjësi e D-SEE por secili vend realizon takime të veçanta me grupin e punës të D-SEE të cilat drejtohen nga Kryetari i D-SEE (Delegacionet e Europës Jug-lindore).
Debatet për Shqipërinë nuk kanë të sosur në Parlamentin europian biles që nga krijimi i BE dhe i PE, për shkak të situatave politike aspak normale që kalon vendi ynë që pas vendosjes së sistemit demokratik. Problemi i kësaj polemike të ashpër që ka shpërthyer mendoj se ka dy aspekte të cilat sipas koncepteve të ndryshme mund të jenë dhe kontradiktore. Janë të tilla sepse është e vërtetë që ky person si europarlamentar ka qenë nga të parët që nuk ka patur ndonjë respekt për Shqipërinë si vend i vogël për këto arsye:
– Së pari, nuk ka kurrfarë dyshimi që Boshtinaru është i ndikuar (në mos nga shtetet e tjera të Ballkanit) negativisht ndaj Shqipërisë duke patur parasysh se Shqipëria në të kaluarën osmane (pashallarët shqiptarë) ka qenë një vend aleat i Turqisë e për pasojë ishte armik. 
– Së dyti, problemet kanë qenë të njëjta edhe në kohën e komunizmit kur diktaturat nga më të egrat shtypën popujt e Rumanisë dhe të Shqipërisë e në këtë rast Boshtinaru me sa duket ka marrë informacion që në Shqipëri ish-nomeklatura e kuqe është ende nëpër këmbët e shqiptarëve duke drejtuar politikën shqiptare që prej mëse 20 vitesh.
– Së treti, Boshtinaru si pjesë e të majtës europarlamentare nuk mund të mos jetë detyruar të mbrojë të majtën shqiptare në akuzat e saj kundër mazhorancës qeverisëse, pjesë e së cilës është dhe Kryeparlamentarja Topalli. 
Vlen për tu theksuar se Boshtinaru si kryesues i delegacionit për marrëdhëniet me Ballkanin, duke patur dhe një Currikulum të pasur aktivitetesh si europarlamentar jashtë Ballkanit është në fakt një europarlamentar i njohur në PE kundër komunizmit dhe mbeturinave të tij në ish vendet e Europës lindore dhe qendrore.
“Armiqësia” e tij me Shqipërinë del jashtë caqeve të luftës kundër ngërçit politik në Shqipëri dhe për zgjidhjen e problemeve pa destabilizuar vendin, por retorika e tij në drejtim të rritjes dhe theksimit të presioneve ndaj Shqipërisë më shumë (e më pak ose aspak ndaj vendeve të tjera të Ballkanit të cilat kanë të njëjtat probleme si p.sh, Bosnja e cila ka 6 muaj pa qeveri!?), sidomos përsëritja e idesë së rivendosjes përsëri të vizave të për Shqipërinë- ka shkaktuar me të drejtë reagimin e znj. Topalli e cila e ka vënë re këtë manovër. 
Sigurisht kjo manovër e Boshtinarus në drejtim të rritjes së presionit ndaj Shqipërisë nuk mund të jetë thjesht për qëllim që të mund ta vendosë Shqipërinë dhe klasën politike shqiptare në pozita pune në drejtim të rritjes së luftës kundër korrupsionit dhe varfërisë si dhe në drejtim të asaj që ai e ka me shumë dëshirë: “të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”.
Mesa duket, qëllimi i tij i vërtetë është ashtu si thotë znj. Topalli: ta vendosë Shqipërinë “me shpatulla për muri” me akuzën se qeveria nuk punon, vret njerëz, ka korrupsion galopant, ka varfëri dhe papunësi. Akuzat do të mund të qëndronin nëse ai do të akuzonte dhe opozitën e cila nuk ka marrë pjesë fare në parlament por është fokusuar kryesisht në luftën politike kundër disa individëve si Berisha e ndonjë tjetër, por në aspektin e debatit dhe kritikës ndaj programeve, në pjesëmarrjen për përmirësimin e sistemit gjyqësor, në pjesëmarrjen për votimin e ligjeve me votë 3/5, kjo opozitë nuk ka dhënë asgjë. Pra Boshtinaru ka vepruar si një europarlamentar i “blerë” nga opozita shqiptare dhe ka në fakt sipas argumenteve që ka nxjerrë deri tani- një opinion të keq ndaj shqiptarëve në përgjithësi për shkak të atyre që thamë më lart por në veçanti ndaj mazhorancës e cila për fatin e tij të keq e ka future Shqipërinë në NATO, ka hequr regjimin e vizave dhe ka një program për ta integruar Shqipërinë ne BE, program i cili do të ishte edhe më i mirë nëse do të miratohej e përmirësohej nga opozita shqiptare.
Atëhere del pyetja tjetër:mos ka Boshtinaru ndonjë porosi tjetër jo nga opozita shqiptare për ta nxirë realitetin në Shqipëri dhe për ta vonuar integrimin e saj në BE? 
Unë mendoj se po. Argumentet janë të pakta por domethënëse sepse së pari:
– Nuk është i vetmi që ka goditur dhe kritikuar ashpër Shqipërinë, sepse është Del Ponte dhe Dick Marty të cilët kanë kërkuar nëpërmjet argumenteve pa baza ta nxjerrin Shqipërinë bashkëpunëtore të ekstremizmit dhe të mafies së organeve, e për pasojë të pengojnë integrimin e vendit në BE
– Boshtinaru mund të përkrahet nga lobet antishqiptare europinae të cilat nuk kanë të bëjnë fare me dëshirën e BE për të ndihmuar Shqipërinë por vetëm për ta penguar atë.
– Përveç lobeve antishqiptare në BE ka dhe lobe antishqitare jashtë BE e pikërisht në Ballkan që janë të interesuar që Shqipëria të pengohet e të vonohet në integrim.
Arsyet se përse duan këto lobe të vonojnë integrimin e Shqipërisë në BE janë të qarta vetëm se politika shqiptare dhe politikanët shqiptarë miopë përpiqen të përdorin këto lobe në favor të përfitimeve partiake dhe individuale të tyre, duke harruar dëmin e madh që mund ti shkaktohet interesave gjeo-strategjike të Shqipërisë. Kjo të kujton fabulën e dhelprës e cila donte të merrte pjesë të barabartë mishi me luanin, e për pasojë luani ia mori dhe atë pjesë mishi që i takonte dhelprës.
Këtu futet pjesë anti-shqiptare e vetë shqiptarëve, të cilët veprojnë me idenë e nuses që për inat të vjehrrës vajti e fjeti me mullixhiun fqinj… 
Kush janë këta plang-prishës?
– Së pari, janë ish nomeklatura e kuqe pjesëmarrëse drejtuese e politikës shqiptare të 20 viteve, së bashku me servilët e saj të cilët për 20 vite rresht pasi kanë ngrënë lugën ë çorbës së ustait R. Alia, kanë gëlltitur e shitur veten porsi Juda për 500 aspra shpirtin e tyre vetëm e vetëm për të qëndruar në krye duke na kujtuar pashallarët e djeshëm të cilët gjithashtu u bënë aleatë të osmanllinjve duke i shkaktuar një dëm të pallogaritshëm vendit qoftë në territore qoftë në popullsi.
– Së dyti, klanet politike të lidhura me grupet financiare të huaja të cilat edhe ato janë të drejtuara me sa duket nga individë të fiksuar për të mbajtur Shqipërinë e pa-stabilizuar dhe të dobët politikisht dhe ekonomikisht.
– Së treti, mungesa e një “këshilli të të urtëve” të cilët duhet të bënin pjesë në parlament ose jashtë tij me qëllim që të menaxhonin opsionet strategjike të vendit. Mungesa e një bashkëpunimi dhe bashkëpunimi të faktorit gjithë-shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, ndikon në dobësinë e Shqipërisë dhe indirekt, individët shqiptarë që pengojnë formimin e këtij këshilli mbarë shqiptar janë në fakt armiq të Shqipërisë. Së fundmi mund të them se nuk është e rastit që i vetmi Hymn në botë i cili flet për tradhtarët është hymni shqiptar; Asdreni e ka ditur që atëhere që Shqipëria gjithmonë është rrënuar nga tradhtarët e spiunët shqiptarë.
Të shpresojmë që Zoti të na ndihmojë.

 

 

17 Prill 2011 

Nga Pirro PRIFTI 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen