Drejtshkrimi i gjuhes shqipe sipas Institutit albanalogjik të Prishtinës nën administrimin e Jugosllavisë

Analiza & Komente | Zef Prenka | 19.02.23 | 09:59

Drejtshkrimi Prishtinë 1964

ORTOGRAFIJA E GJUHËS SHQIPE

ENTI PËR BOTIMIN E TEKSTEVE I REPUBLIKËS SOCIALISTE TË SERBISË BEOGRAD 1964


Anëtarët e Komisionit dr Idriz Ajeti, kryetar, dr Pjetër Januara, Sulejman Drini, Hasan Vokshi, Mehdi Bardhi, Latif Mulaku, Murat Isaku, Xhevat Gega dhe Luc Lucaj

Kët ortografi e lejoi për përdorim Sekretariati i arsimit e kulturës së Krahinës Autonome të Kosovë-Metohisë me vendimin e vet numër 07-1412 datë 8 qershor 1964

Kët ortografi e përgatiti për shtyp Reparti i Entit për botimin e teksteve i Republikës Socialiste të Sërbisë në Prishtinë

U shtyp në shtypshkronjën e Ndërmarrjes gazetare-botuese „Rilindja“, Prishtinë

DY FJALË MBI PUNËN E KOMISIONIT T’ORTOGRAFISË

Qe, ma në fund, po u lëshojmë në dorë kët Ortografi të gjuhës shqipe të gjithë atyne që mirren me të shkruem të kësaj gjuhe.

Kjo asht hera e tretë që po mirret në shqyrtim çashtja e ortografisë së gjuhës shqipe ndër Shqiptarët e Jugosllavisë.

Herën e parë kjo çashtje u trajtue në vjetin 1952 dhe të dytën më 1957 në Prishtinë. Natyrisht, këto dy mbledhje dhanë kontributin e tyne në shqyrtimin e çashtjeve t’ortografisë shqipe ndër ne.

Mirëpo, në vjetët e fundit, në fushën e ortografisë së shqipes u banë me të madhe lëkundje drejtshkrimore te na, sidomos n’ato pika gjuhësore, ku mungojshin rregullat e preme drejtshkrimore. Në kët mënyrë u krijue nji situatë e re në shkrimin e shqipes te na, punë kjo që kërkoi nevojën e revidimit të nji kompleksi të tanë çashtjesh ortografike.

Komisioni i gjuhës dhe letërsisë pranë Pleqsisë së kulturës të Krahinës Autonome të Kosovë-Metohisë, tue dëshirue që ta zgjidhi kët çashtje të randësishme, në fillim të vjetit 1961 zgjodhi nji Komision për përgatitjen e projektortografisë së gjuhës shqipe me këta anëtarë: dr. Idriz Ajeti, Sulejman Drini, Hasan Vokshi, Mehdi Bardhi dhe Latif Mulaku.

Ky Komision, në fazën e parë të punës së vet, u muer ma tepër me studimin e problematikës sonë drejtshkrimore, ma parë individualisht, në mënyrë që secili antar të njihej mirë me çashtjet gjuhësore, të cilat do të shkoqiteshin në mbledhjet e mavonshme të përbashkëta, ndërsa në fazën e dytë, gjatë disa muejsh, në takimet e përhershme, muer në shqyrtim çdo çashtje, që në shkrimin e deritashëm kishte ngelë e diskutueshme a e kontestueshme.

Për disa çashtje antarët nuk ia duelën t’i pjekin mendimet, prandej për nji numër pikash ortografike ata paraqitën dy mënyra shkrimi, pikëpamje këto që u shoshitën në mbledhjen e lavruesve të gjuhës si dhe arsimtarëve e intelektualëve të tjerë, që më 14, 15 e 16 kallnor të vjetit 1963 e thirri Pleqsija e arsimit dhe kulturës së Krahinës Autonome të Kosovë-Metohisë, në të cilën muerën pjesë lavrues dhe profesorë të gjuhës ndër shkolla të shkallës së dytë dhe të tretë, përfaqsues redaksish të revistave dhe fletoreve të ndryshme në Kosovë-Metohi, Maqedoni dhe Beograd, u muer në shqyrtim e tanë Projektortografija që paraqitte komisioni përkatës.

Gjatë këtij këshillimi u shoshit çdo pikë e drejtshkrimit, e paraqitun në projektortografi. Mandej, pat rasa ku pjesëmarrësit e këshillimit rrokën shum pika të tjera, për shkrimin e të cilave Komisioni paraqitej i nji mendimi – kërkojshin të hetohen edhe njiherë, pse, simbas mendimit të tyne, drejtshkrimi që propozonte Komisioni nuk mund t’i bante ballë nji ortografimi tjetër që paraqitte ky apo ai pjesëmarrës.

Mbasi shqyrtuen të gjitha pikat që i paraqiti Komisioni në Projektortografinë e vet, këshillimi propozoi zgjanimin e Komisionit t’ortografisë edhe me katër antarë të tjerë, të cilët i deleguen Pleqsitë e arsimit dhe kulturës së Republikës Socialiste të Maqedonisë dhe të Malit të Zi (Dr. Pjetër Janura, Xhevat Tahir-Gega, Murat Isaku e Luc Lucaj), që bashkarisht t’i shqyrtojnë vërejtjet dhe propozimet e bame gjatë këshillimit mbi ortografinë e ardhshme.

Si në këshillimin e kallnorit ashtu edhe në mbledhjet e Komisionit të zgjanuem, sadoqë u poqën pikëpamjet për shkrimin e shumicës së pikave në shqyrtim, përsëri nuk qe e mundun të piqen mendimet për të gjitha pikat e ortografisë, prandej ngelën disa dualizma, që po botohen në kët ortografi. Pikat divergjente, u lëshuen si të tilla, tue synue që ato t’i kristalizojë koha, t’i japi përparsi njanës ose tjetrës e që në nji mlbedhje t’ardhshme të gjuhtarëve, të zgjidhet edhe çashtja e tyne.

Ma në fund u vendos që, shokët Dr. Pjetër Janura, Mehdi Bardhi dhe Latif Mulaku, të marrin e t’i formulojnë mendimet e paraqituna, vërejtjet e bame dhe propozimet e dhanuna, qoftë në këshillimin e kallnorit, qoftë në mbledhjet e Komisionit të zgjanuem, siç na i paraqesin të botueme në kët Ortografi.

A. FONETIKAEdit

I. ZANORETEdit

1. TOGJET ZANOREEdit

1. Emnat me togun zanor ie në trup do të shkruhen gjithnji me kët tog: p.sh.: diell-i, miell-i, qiell-i etj.

2. Foljet me grupin zanor ie që mbarojnë me bashkëtingëllore në temë do të shkruhen me je; p.sh.: djeg, çjerr, hjedh, mbështjell, mbjell, mjel, ndjek, nxjerr, pjek, pjell, rjep, rjedh, tjerr, vjell, vjerr etj., kurse në raste tjera me ie: p.sh.: ziej, përziej, ndiej (por në të kryemen e thjeshtë dhe në mënyrën dëshirore zjeva, zjefsha etj.

3. Foljet apofonike me je, në vetën e dytë të shumsit të së tashmes, në të gjitha vetat e së pakryemes së dëftores e të lidhores, n’urdhnore e në trajtat e pësores e vetvetores, e mbledhin togun zanor në i; p.sh. piqni, ndiqni, digjni, vilni, milni, mbillni, sillni, villni; piqsha, ndiqsha, digjsha, vilsha, milsha, mbillsha, sillsha, villsha; të ndiqsha, të piqsha, të digjsha, të milsha, të vilsha, të mbillsha, të sillsha, të villsha; ndiq, piq, digj, mil, vil, mbill, sill, vill; ndiqem, piqem, digjem, milem, vilem, mbillem, sillem, villem.

4. Foljet e këtij tipi që mbarojnë me k, g, kur mblidhet togu zanor në i k-në e bajnë q e g-në gj; p.sh. piqni, piqsha, të piqsha, piq, piqem; digjni, digjsha, të digjsha, digj, digjem.

5. Foljet apofonike që mbarojnë me grykoret k e g në temë, në të kryemen e thjeshtë, togun zanor ie e mbledhin në o dhe k-në e g-në, e kthejnë në q e gj në të gjitha vetat; p.sh.: poqa, poqe, poqi, poqëm, poqët, poqën; dogja, dogje, dogji, dogjëm, dogjët, dogjën.

6. Foljet tjera të këtij grupi togun zanor ie në të kryemen e thjeshtë në vetën e parë e të dytë të njajsit e mbledhin në o, kurse në vetat tjera e kthejnë në ue; p. sh.: mbolla, mbolle, mbuell a mbolli, mbuellëm a mbollëm, mbuellët a mbollët, mbuellën a mbollën; nxora, nxore, nxuer, a nxori, nxuerëm a nxorëm, nxuerën a nxorët, nxuerën a nxorën.

7. Emnat me ye shkruhen në njajës me kët tog zanor, kurse në shumës togun zanor ye e kthejnë në e; p. sh.: kapërcyell, kërcyell, krye, (njajës); kapërcej, kërcej, krenë (shumës). Por: skërfyell. (nj.), skërfyej (sh.), fyell (nj.), fyej (sh.).

8. Foljet me ye në kohën e tashme, në të pakryemen e dëftores e të lidhores dhe n’urdhnore shkruhen me tog zanor; p.sh. lyej, lyejsha, të lyejsha, lyej; fyej, fyejsha, të fyejsha, fyej; kryej, kryejsha, të kryejsha, kryej. Përjashtohen disa folje si me thye, me kthye etj., të cilat togun zanor e mbledhin në e; p.sh.: thej, thejsha, të thejsha, thej; kthej, kthejsha, të kthejsha, kthej.

9. Të gjitha foljet e pikës së sipërme togun zanor ye në njajsin e të së kryemes së thjeshtë e mbledhin në e, kurse në shumës e ruejnë; p. sh.: leva, leve, leu, lyem, lyet, lyen etj.

10. Në pësore e vetvetore këto folje shkruhen me zanore të thjeshtë; p.sh.: lyhem, lyhesha, fyhem, fyhesha etj. Por: kthehem, kthehesha; thehem, lyem, lyet, lyen etj.

11. Emnat me ue si krue, ftue, prrue, patkue, drangue, langue, etj. gjatë lakimit e mbledhin kët tog zanor në o; p.sh.: krue, kroni, kronit, kronin, krojet, krojevet, krojesh etj.

12. Disa emna me togun ue (që në toskënishten shkruhen vetëm me ua) e ruejnë kët tog në të gjitha rasat; p.sh.: buell, muej, duej etj.

13. E ruejnë togun zanor ue në të gjitha rasat edhe emnat veprues; p.sh.: këndues, lexues, lëndues, mësues, pushtues etj.

14. Emnat truell e kapruell togun zanor ue nuk e mbledhin në o vetëm n’emnoren, kallxoren e thirroren e njajsit të pashquem; p.sh.: truell, trolli, trollit, trollin, troje, trojesh, trojevet; kapruell, kaprolli, kaprollit, kaprollin, kaproj, kaprojsh, kaprojvet.

15. Emnat me togun zanor ue do të shkruhen vetëm me o; p. sh.: krahnor, laknor, fjalor, drejtor, profesor, puntor etj. (e jo: krahnuer, laknuer, fjaluer, drejtuer, profesuer, puntuer etj.).

16. Gjithashtu edhe mbiemnat me togun zanor ue, analogjikisht me emnat e pikës 15, do të shkruhen vetëm me o; p.sh.: arsimor, javor, kryesor, popullor, shpirtnor, shtetnor, shoqnor, shkollor etj.

17. Në fjalët tjera, togu zanor ue do të ruhet i plotë; p.sh.: mue, due, muej, shkruej etj., sepse në toskënishtet këtyne fjalëve u përgjigjen mua, dua, muaj, shkruaj, etj. Do të shkruhet me ue edhe fjalza tue.

18. Foljet me ue në trajtën pësore e vetvetore do të shkruhen me zanore të thjeshtë; p.sh.: kruhem, kruhesha; paguhem, paguhesha; shquhem, shquhesha etj. Togun zanor ue e mbledhin në o në të tri vetat e njajsit të së kryemes së thjeshtë në trajtën veprore e pësore, si edhe në të dy trajtat e dëshirores; p.sh.: krova, u krova, krofsha, u krofsha; shkrova, u shkrova, shkrofsha, u shkrofsha etj.

19. Foljet që në pjesore mbarojnë me -jtë, si: gjuejtë, luejtë, ruejtë, vuejtë etj. togun zanor e ruejnë të plotë si në të kryemen e thjeshtë ashtu edhe në mënyrën dëshirore; p.sh.: gjuejta, luejta, quejta, ruejta, vuejta etj.; gjuejtsha, luejtsha, quejtsha, ruejtsha, vuejtsha etj.

20. Me tog zanor ie, ye dhe ue do të shkruhen gjithë mbiemnat që dalin prej foljesh; p.sh.: i ziem, i zieshëm; i përziem, i ndieshëm; i thyem, i thyeshëm; i pëlqyem, i pëlqyeshëm; i ftuem, i këndueshëm; i kuptueshëm etj.

2. SHKRIMI I ë-sëEdit

1. Ë-ja paratheksore nuk duhet të shkruhet në këto raste:

a) në fjalë të parme, si: këmishë por te shkruhet kmish ashtu siç shqiptohet, knaq, këndoj, këpucë, këpus, kësulë etj.

b) në fjalë të prejardhuna prej tyne, si: i kënaqun, këndim, këputje etj.

c) në fjalët të cilat me të shpërngulun të theksit e kanë reduktue zanoren e trupit të fjalës në ë; si gaz – gëzim, gëzoj, gëzue; i madh – të mëdhej, të mëdha; i keq – të këqij, të këqija; këndoj, këndue; dënoj, dënue, dënim etj.

2. Ë-ja do të shkruhet në fjalët kur vështirsohet shqiptimi nga grumbullimi i bashkëtingëlloreve; p.sh.: argëtoj, argëtim, belbëzoj, belbëzim; shërbëtor etj.

3. Ë-ja do të shkruhet n’emna të prejardhun prej mbiemnave që kanë para ë-së dy bashkëtingëllore; p.sh.: drejtësi, lehtësi, naltësi, rreptësi, shpejtësi, shkathtësi etj.

4. Ë-ja e temës bie në fjalë të prejardhuna nëse para saj ndodhet vetëm nji bashkëtingëllore; p.sh.: amtar, amnor, ancak, arsim, arsimtar, botnor, gjallni, Gegni, coptoj, coptim, pjestoj, pjestim, puntor, udhtoj, udhtim, udhtar, etj.

5. Emnat mashkullorë që mbarojnë më -ël, -ëm, -ën, -ër, -ërr, emnat femnorë më -ël, -ëm, -ën, -ër, -ërr, dhe mbiemnat më -ël, -ëm, -ën, -ër, -ët, pos emnores e kallxores së njajsit të pashquem, gjatë lakimit dhe në gjininë femnore të mbiemnave e nxjerrin ë-në, si në njajës ashtu edhe në shumës; p.sh.: tambël, tambli, tamblit, tamblin; vegël, vegle, vegla, veglës, veglën, veglat, veglavet, veglash; i vogël, i vogli, të voglit, të voglin, të vegjlit (por të vegjëlvet); e vogël, e vogla, së voglës, të voglën, të voglat, të voglavet; pezëm, pezmi, pezmi, pezmit, pezmin; i vetëm, i vetmi, të vetmit, të vetmin, të vetmit, (por të vetëmvet); emën, emni, emnit, emnin, emnat, emnavet, emnash; lakën, lakne, lakna, laknës, laknën, laknat, laknavet, laknash; i vorfën, i vorfni, të vorfnit, të vorfnin, të vorfnit (por të forfënvet); e vorfën, e vorfna, së vorfnës, të vorfnën, të vorfnat, të vorfnat, të vorfnavet, së vorfnash; bakër, bakri, bakrit, bakrin; zemër, zemre, zemra, zemrës, zemrën, zemrat, zemravet, zemrash; i ashpër, i ashpri, t’ashprit, t’ashprin, t’ashprit (por t’ashpërvet); e ashpër, e ashpra, t’ashprës, t’ashprën, t’ashprat, t’ashpravet; vjehërr, vjehrri, vjehrrit, vjehrrin, vjehrrit (por vjehërrvet); kokërr, kokrre, kokrra, kokrrës, kokrrën, kokrrat, kokrravet, kokrrash; i ulët, i ulti, t’ultit, t’ultin, t’ultit (por t’ulëtvet); e ulët, e ulta, s’ultës, t’ultën, t’ultat, t’ultavet, s’ultash.

6. Derivatet e sajueme nga fjalët që mbarojnë më -ëm, -ën, -ër e humbin këtë ë; p.sh.: vetëm-vetmi, vetmitar, vetmoj, i vetmuem; gjarpën-gjarpnoj, gjarpnushë; lakën-laknor; emën-emnoj, emnim, emnorsim; urdhën-urdhnoj, urdhnim, urdhnore, urdhnesë; i epër-epror; letër-letrar; afër-afrim, afroj; katër-katror; vepër-veprim, veprimtari, veproj; mjeshtër-mjeshtroj, mjeshtri; zemër-zemroj, zemrim, zemrohem; tepër-teproj, teprim, tepricë, etj.

7. a) Emnat e prejardhun me mbarpashtesën -si duhet ta ruejnë ë-në e temës sa herë që para mbrapashtesës ndodhen dy a ma shum bashkëtingëllore; p.sh.: randësi (e jo randsi), mundësi, nxehtësi, saktësi, mësheftësi, fatbardhësi, ftoftësi, aftësi, shterpësi etj.

b) Emnat e prejardhun me kët -si që dalin prej fjalëvet që kanë vetëm nji bashkëtingëllore para mbrapashtesës mund të shkruhen pa ë të temës; pra: gjuhsi, mirsi, mbarsi, gjithsi, dobsi, butsi, ngutsi, thellsi, kënaqsi, udhëheqsi, bimsi, parsi, gryksi etj., por mund të shkruhen edhe me -ë të temës; pra: gjuhësi, mirësi, mbarësi, gjithësi, dobësi, butësi, ngutësi, thellësi, kënaqësi, udhëheqësi, bimësi, parësi, grykësi etj.

c) Emnat e prejadhun me -si, të cilët dalin prej fjalëvet që s’kanë në temë -ë nuk marrin -ë për analogji para mbrapashtesës, por shkruhen: popullsi, nënshtetësi, miqsi etj.), e jo: popullësi, nënshtetësi, miqësi, etj.).

8. Emnat femnorë paroksitonë duhet të shkruhen me ë në fund në trajtën e pashqueme; p.sh.: bukë, fjalë, hundë, lopë, punë, etj dhe këte do ta mbajnë gjatë lakimit.

9. Analogjikisht me pikën e sipërme duhet të shkruhen me ë në fund edhe emnat mashkullorë që në trajtën e shqueme marrin nyjën a dhe lakohen si emnat femnorë; p.sh.: babë, Gegë, Toskë, Kolë, Llukë, Nikollë etj.

10. Me ë në fund duhet të shkruhen edhe emnat e gjinisë asnjanse, qofshin në trajtën e gjinisë asnjanse qofshin n’ate të mashkullores; p.sh.: ujë-ujët, ujë-uji; djathë-djathët, djathë-djathi; mjaltë-mjaltët, mjaltë-mjalti; bru-më-brumët, brumë-brumi; drithë-drithët, drithë-drithi; dyllë-dyllët, dyllë-dylli; gjalpë-gjalpi, etj.

11. Të shkruhen me ë në fund emnat mashkullorë që shqiptohen me ë në toskënishtet e me zanore të gjatë në gegnishtet; p.sh: burrë, djalë, gjumë, kalë, vjamë etj. Por lum.

12. Emnat femnorë oksitonë me a, e, i, o, u, në rasat e zhdrejta të trajtës së shqueme të numrit njajës do të shkruhen me ë në fund; p.sh.: kala-kalasë, kalanë; rrufe-rrufesë, rrufenë; qershi-qershisë, qershinë, byro-byrosë, byronë; dru-druja, drusë, drunë. Gjithë këta emna n’emnoren, kallxoren e thirroren e shumsit të shquem do të shkruhen me ë në fund, p.sh.: kalatë, rrufetë, qershitë, byrotë, drutë.

13. a) Emnat (mbiemnat) e prejardhun me -ës (-s) duhet ta ruejnë ë-në e temës sa herë që nuk vjen mbas mbrapashtesës -ës (-s) nji zanore; p.sh.: korrës, korrësvet, korrësja; mbjellës, mbjellësvet, mbjellësja, nëpunës, nëpunësvet, nëpunësja; nxanës, nxanësvet, nxanësja; zgjedhës, zgjedhësvet, zgjedhësja etj.

b) Këta emna mund të shkruhen dy mënyrash kur mbas mbrapashtesës -ës (-s) vjen nji zanore; e para – mund ta ruejnë ë-në e temës në të gjitha rasat; si: korrësi, i korrësit, korrësish, korrësit, korrëse, korrësen, korrëset; mbjellësi, mbjellësit, mbjellësin, mbjellëse, mbjellëses, mbjellëset; nëpunësi, i nëpunësit, nëpunësish, nëpunësit, nëpunëse, nëpunësevet, nëpunësesh; zgjedhësi, zgjedhësin, zgjedhësit, zgjedhësish, zgjedhëse, zgjedhëses, zgjedhëset etj.; e dyta – mund të mos e ruejnë ë-në e temës; si: korrsi, i korrsit, korrsish, korrsit, korrse, korrsen, korrset, nëpunsi, e nëpunsit, nëpunsish, nëpunsit, nëpunse, e nëpunses, nëpunses, nëpunsevet, nëpunsesh etj.

c) Kur gjindet para mbrapashtesës -s i njajti tingull (dmth. -s-ja) si edhe tingulli t do të ruhet ë-ja në të gjitha rasat; p.sh.: presës – presësi, vrasës – vrasësi, vrasëse; tutës – tutësi, tutëse, shitës – shitësi, shitëse, i shitëses etj.

Gjithashtu do të ruhet ë-ja kur para mbrapashtesës -s gjinden dy ose mâ shum bashktingëllore: bishtatundësi, i bishtatundësit, bishtatundësin; mundësi, e mundësit, mundësish, mundësit; bartësi, bartëse etj.

14. Ë-ja do të ruhet edhe n’emna të prejardhun më -ësh; p.sh.: pesësh – pesëshi, dhetësh – dhetëshi, katërkambëshit, i dhetëshit, pesëshat, i pesëshit etj.

15. Me t do të mbarojnë në shumsin e shquem emnat që në gegnishtet në trajtën e pashqueme të njajsit kanë nji zanore hundore; p.sh.: kalama-kalamajt; pe-pejt, mulli-mullijt; dru-druni-drujt (e jo kalamajtë, pejtë; mullijtë, drujtë).

16. Emnat femnorë me -ull e -ur që n’emnoren e shqueme të njajsit janë proparoksitonë, si kumbulla, flutura, do të shkruhen n’emnoren e kallxoren e pashqueme të njajsit pa ë në fund; p.sh.: kumbull, flutur.

17. Emnat mashkullorë oksitonë që mbarojnë me i të gjatë në shumsin e shquem duhet të shkruhen me t; p.sh.: barijt, zotnijt etj. (e jo: barijtë e baritë, zotnijtë a zotnitë).

18. Emnat mashkullorë që mbarojnë në shumës të pashquem me rrokje të mbyllun, si edhe emnat abstraktë që vijnë nga mbiemnat njirrokësh në trajtën e shqueme të shumsit duhet të shkruhen me t; p.sh.: fiqt, miqt, zogjt, thojt, të keqt, të kuqt etj. (e jo fiqtë, miqtë, zogjtë, thojtë, të keqtë, të kuqtë etj.).

19. Ë-ja nuk duhet të shkruhet në fjalët e prejardhuna, të cilat në temë nuk e kanë kët ë; p.sh.: paksoj, paksim; shoqni, shoqnoj; tregti etj. (e jo: pakësoj, pakësim; shoqëni, shoqënoj; tregëti etj.).

20. Emnat mashkullorë që e bajnë shumsin më -ën, -ëz e humbin ë-në në trajtën e shqueme; p.sh.: atë-etën, etnit (por etënvet); kunat-kunetën, kunetnit (por kunetënvet); prift-priftën, priftnit (por priftënvet); njeri-njerëz, njerzit (por njerëzvet) etj.

21. Disa emna asnjanës e femnorë që e kanë në njajës ë-në, në shumës e humbin këte; p.sh.: djathë-djathna, ujë-ujna, erë-erna, cohë-cohna, kohë-kohna a kohë etj.

22. Ë-ja fundore e fjalës gjithë bie në fjalët e përngjituna, si: gjithçka, gjithherë, gjithçmos, gjithfarë, gjithkah, gjithkund, gjithkush, gjithmbarë, i gjithmbarshëm, gjithmonë, i gjithmonshëm, gjithnduersh, gjithnji, gjithqysh, gjithsaherë, gjithsecili, gjithsejt, gjithsesi.

23. Ë-ja nuk do të shkruhet në ndajfoljet aq, kaq e shum, si edhe në fjalët e përngjituna me to, si: aqsa, gjithaq, sakaq, shumfish, i shumfishtë, i shumllojshëm, i shumngjyrshëm, shumkush, shumsi. Gjithashtu pa ë do të shkruhen edhe fjalët: shumzim, shumzoj, shumzor, i shumzuemi, shumzuesi.

24. Ë-ja ruhet në kompozita: p.sh.: bashkëpuntor, botëkuptim, qafëjatë, dorëheqje, udhëkryq, vetëdije, vetëvendosje, vetëvrasje, vetëveprim etj. Por: vetvete, vetvetiu, i vetvetishëm.

II. BASHKËTINGËLLORETEdit

1. GRUPET BASHKËTINGËLLORE mb, nd, ng, ngj.Edit

Grupet bashkëtingëllore mb, nd, ng, ngj do të ruhen të plota në shkrim, p.sh.: mbaj, mbret, mbin, mbasi, mbyll; ndaj, ndër, këndoj, këndej, andej; ngarkoj, ngërthej; ngjall, ngjalë, ngjan etj. (e jo maj, mret, min, a bin, masi, myll; naj, nër, knoj a kënoj, kënej, anej; narkoj, nërthej, njall, njalë, njan etj.). Por: njomë, ulem, më, në e jo: i ngjom, ungjem, mbë, ndë).

2. FJALËT ME PARASHTESAT sh (ç), s (z), zh (xhEdit

1. Fjalët që nisin me bashkëtingllore të pazashme e shqiptohen herë me parashtesën sh e herë me parashtesën ç, do të shkruhen me parashtesën sh; p.sh.: shkallmoj, shkarkoj, shkujdesem, shkëmbej, shkul, shkoqitje, shndrit, shpall, shpagim, shpërblim, shpërlaj, shkatrrim, shkëmbim, shkreh, shkëputje, shkokrroj, shkrihem, shlodhje, shlyej, shlyemje, shpërdoroj, shpërdorim, shpërndaj, shpërnderoj, shpërnderim, shpërngul, shpërngulje, shpif, shpifje, shpifës, shpik, shpikës, shpikje, shpoj, shprish, shpronsoj, shpronsim, shpronsues, shpulpoj, shpuploj, shpyllzim, shpyllzoj, shqep, shqetsim, shqetsoj, shqirrem, shquej, i shquem, shqyej, etj. Por: çkëshilloj, çkombtarizim, çkunorzoj, çkurdis, çthur.

2. Fjalët që nisin me bashkëtingëlloren f të ndjekun nga nji zanore, do të shkruhen me parashtesën ç: çfajsoj, çfaq, çfaros, çfuqizoj, çfaqje, çfarosje, çfajsim.

3. Fjalët që nisin me bashkëtingëlloren f të ndjekun nga nji l a r, do të shkruhen me parashtesën sh: shfletoj, shfryj, shfrej, shfrytzim, shfrytzoj.

4. Fjalët që nisin me zanore dhe me bashkëtingëllore l, r, rr, m, n, nj, do të shkruhen me parashtresën ç: çansim, çarmatim, çarmatos, çorganizim, çorientim, çorientoj; çlirim, çliroj, çlirimtar, çlodhje, (por edhe shlodhje); çregjistrim, çregjistroj, çrregullim, çrregulloj, i çrregullt, çrrethoj, çrranjos, çmallem, çmendinë, çmësohem, çmilitarizoj, çmobilizim, çmobilizoj, çnderim, çnderoj (por edhe shnderim, shnderoj), çnjerzor. Por: shlyej, shlyemje.

5. Fjalët që nisin me bashkëtingëlloret e zashme b, d, g, v, do të shkruhen me parashtesën zh, gjegjësisht xh: zhbij, zhbiroj, zhbrej, zhburrnoj; zhdaravis, zhdredhje, i zhddrejtë, zhdukem, i zhdërvjellët, zhdryj; zhgarkoj, zhgardhnoj, zhgreh, zhgrryj, zhgul, zhguris; zhvillim, zhvilloj; xhvesh, xhvoshk (e jo çbij a shbij, çbiroj a shbiroj, çbrej a shbrej, çburrnoj a shburrnoj; çdaravis a shdaravis; çdredhje a shdredhje, i çdrejtë a i shdrejtë, çdukem a shdukem, i çdërvjellët a i shdërvjellët, çdryj a shdryj; çgarkoj a shgarkoj, çgardhnoj a shgardhnoj, çgreh a shgreh, çgrryj a shgrryj, çgul a shgul, çguris a shguris; çvillim a zhvillim, çvilloj a zhvilloj; çvesh a shvesh, çvoshk a shvoshk). Bajnë përjashtim fjalët: çbaj, çgjaksim, çgjaksohem, çvendos, çvidhos, çfleftësoj a çvleftosoj, çvulos.

6. Parashtesa s shkruhet para nji bashkëtingëllorje të pazashme; p. sh.: skamje, skamnor, skamës, skuq etj., kurse parashtesa z para nji bashkëtingëllorje të zashme; p.sh.: zbraz, zbres, zbardh, zgjim, zgjoj etj. Po kështu shkruhen edhe fjalët tjera që fillojnë po me ato togje tingujsh: spastrim, sprovë, skutë, skërfyell, skërmit, stërvit; zbath, zboj, zbokth, zmadhim, zmadhoj, zvetnim, zvetnoj, zverë, zvjerdhë, zvogloj, etj.

3. FJALËT MË r e rrEdit

Fjalët me r e rr do të shkruhen simbas shqiptimit të gegnishtes, pra me rr: rrah, rrafsh, rranjë, rrallë, rrap, rrasë, rrashtë, rregull, rranzë, rrapllimë, rrenë, rreckë, i rreptë, rrenim, rresht, rreth, rreze, rrezik, rrëmbim, rrëmujë, rrësim, rrëshqitje, rrjedhë, rrogë, rrogtar, rrokje, rrobe, rrotë, rrotull, rrudhë, rrufe, rrufë, rrugë, rrush, rruzull, rrymë, rryp; andërr, derr, marr, marrëdhanie, marrëveshje, ndërmarrje, prrallë, prrue, nxjerr, turr, vjerr, tjerr etj. Por do të shkruhen me r fjalët: radhë, ranë, respekt, rënkim, vjershë, rol, Romë, roman, rjep, rob, repë, mora, nxora etj.

4. FJALËT MË s e zEdit

Edhe fjalët që shkruhen herë me s e herë me z, do të shkruhen simbas shqiptimit ma të përhapun të gegnishtes. Me s do të shkruhen: ujdhesë, mëngjes (por mëngjezi), mes, mesatar, haptas, (por haptazi), qartas (por qartazi), lehtas (por lehtazi), baras, barasim, konservim, president, presidium, universitet etj., kurse me z: brez, ekzekutiv, ekzekutoj, ekzistoj, ekzistencë, njerëz, vidhëz etj.

5. FJALËT MË th e fEdit

Fjalët që shkruhen me th e f do të përdoren simbas shqiptimit ma të përhapun, me th: thellë, thellsi, thellsinë, therrë, i kthjellët etj., kurse me f: fëllanzë, ufull etj. (e jo thëllanzë, uthull).

6. FJALËT MË l, ll, dhEdit

Do të shkruhen me l: lurbë, filozof, lokandë, lustër, psikolog, sociolog, valë, vulë etj., me ll: Gadishulli Ballkanik, vullkan, lloç, llom, llogore, llogari, etj., me dh: ndodh, dhomë, dhamb etj.

7. FJALËT MË ç e qEdit

Do të shkruhen me ç: veç, përveç, çadër, çdo, çel, çoj, çekiç, çengel, çerdhe, çarapë, çift, çiflik, çifçi, çibuk, çiban, çikrik, çirak, çizme, çark (vegël) etj., kurse me q: qafë, qark (rreth), qebap, qel, qeros, qelq, qingël, qeramidhe, qerpiç, qerpik, qek, qilim, qira, qiriç, qofte, qokë, squkë etj.

8. FJALËT MË q e k (kj)Edit

Fjalët që shkruhen herë me q e herë me k e kj, do të shkruhen vetëm me q; p.sh.: heq, tërheq, udhëheq, qartë, qartas, qaj, sqep, etj. (e jo: hek, tërhjek, udhëhjek, kjartë, kjartas, kjaj a kaj, skjep etj.). Por: shikoj, parashikim, shikue.

III. THEKSI E APOSTROFIEdit

1. THEKSIEdit

Për punë thjeshtimi e lehtësimi të shkrimit, theksi do të përdoret vetëm në paronime; p.sh.: pusi e pusí, drejtori (person) e drejtorí (zyrë), asht e âsht, bân (me bâ) e ban (me bajtë), pra e prâ etj.

  • Shënim: Nëqoftëse dallohet kuptimi nga konteksti lehtë, atëherë as në këto pak raste nuk duhet me i përdorë theksat.

2. APOSTROFIEdit

Apostrofi do të përdoret vetëm në disa raste kur bie ë-ja.

1. Te përemnat vetorë proklitikë më e të kur ndodhen:

a) përpara proklitikës i; p.sh.: m’i dha, t’idha, m’i muer, t’i muer, etj. (e jo më i dha, të i dha, më i muer, të i muer etj.);

b) përpara të së kryemes së thjeshtë të pësores e vetvetores që e ka përpara zanoren u; p.sh.: m’u muer goja, t’u dha e drejta etj. (e jo: më u muer goja, të u dha e drejta etj.);

c) përpara foljevet që fillojnë me zanore; p.sh.: m’erdhi, t’erdhi, m’arriti, t’arriti, m’agoi, t’agoi etj. (e jo: më erdhi, të erdhi, më arriti, të arriti, më agoi, të agoi etj.).

2. Në lidhzën të kur ndodhet:

a) përpara përemnavet vetorë proklitikë i, u, ia, ju, jua, ua; p.sh.: t’i shkrujesh, t’u japish çka kërkojnë, t’ia them, t’ju vijë mirë, t’jua mbushi mendjen, t’ua marrish librat etj. e jo: të i shkruejsh, të u japish çka kërkojnë, të ia them, të ju vijë mirë, të jua mbushi mendjen, të ua marrish librat etj.);

b) përpara foljevet që fillojnë me zanore; p.sh.: t’iki, t’agojë, t’arrijë, t’arnojë etj. (e jo: të iki, të agojë, të arrijë, të arnojë etj.).

3. Në nyjën të t’emnave të nyjshëm që fillojnë me zanore; p.sh.: t’ardhunat, t’ejten, t’ikunit, t’ecunit, t’endunit etj. (e jo: të ardhunat, të ejten, të ikunit, të ecunit, të endunit etj.).

4. Në nyjet e lidhuna të e së përpara fjalëvet që fillojnë me zanore; p.sh.: djalit t’urtë, prej kallinit t’artë, vajzës s’urtë etj. (e jo: djalit të urtë, prej kallinit të artë, vajzës së urtë etj.).

5. Në parafjalën në kur mbas saj vjen nji fjalë me zanore; p.sh.: n’arë, n’ato, n’Egjipt, n’oborr, n’orën, etj. (e jo: në arë, në ato, në Egjipt, në oborr, në orën etj.).

6. Në përemnin e mbiemnin pyetës ç, si para nji zanorje ashtu edhe para nji bashkëtingëllorje; p.sh.: ç’asht, ç’pyetje, ç’ban, ç’do, ç’burrë etj.

7. Në ndajfoljen e mohimit s’ që shkruhet gjithmonë me apostrof para zanorevet e bashkëtingëllorevet; p.sh.: s’asht, s’e di, s’duhet, s’kam, s’jam, s’punoj etj.

8. Në raste tjera, kur ë-ja fundore e fjalëvet përpiqet me fjalët tjera që nisin me zanore, nuk apostrofohet: p.sh.: vajzë e urtë, djalë i mirë, fushë e gjanë, që atëherë, shkojmë atje, u thanë atyne, shtëpinë e madhe, hanë e pinë etj. (e jo: vajz’ e urtë, djal’ i mirë, fush’ e gjanë, q’atëherë, shkojm’ atje, u than’ atyne, shtëpin’ e madhe, han’ e pinë etj.).

9. Nuk apostrofohen edhe përemnat e mbiemnat çfarë e çdo.

10. E-ja apostrofohet vetëm në mbiemnin pronor jote kur gjindet para emnit amë jot’ amë, (e jo jote amë).

  • Shënim: Për trajtat ma, ta shih kapitullin Morfologjija – Përemnat vetorë.

IV. FJALËT ME BURIM TË HUEJEdit

Fjalët e hueja do të shkruhen simbas këtyne rregullave:

1. FJALËT MË ia, ie, ioEdit

Fjalët greke, latine e neolatine me ia, ie e io, do të shkruhen me i dhe jo me j, si: akcion, aviacion, aziatik, diabetik, diafragmë, diagnozë, diagonale, diagram, dialekt, dialektikë, dialekttologji, dialog, diamant, diametër, entuziazëm, epikurian, esencial, fiasko, financiar, gjenial, hiat, imperialist, industrial, iniciativë, iniciator, italian, kambial, kardiak, kredencialet, kristian, kolegjial, kolonial, labial, labiatet, liliacet, makiavelizëm, material, materialist, materializëm, matriarkat, miazmë, miliardë, miniaturë, miriapodët, noterial, olimpiadë, patriark, patriarkal, patriarkat, pediatri, persian, pianist, piano, potencial, proverbial, provincial, provincializëm, psikiatër, psikiatri, radiator, sekretariat, socialist, socializëm, socializim, special, specialist, specialitet, specializim, arie, abiturient, ambient, bentonier, bankier, barierë, financier, higjienë, infermier, kantier, karierë, karierist, karrocier, kavalier, kamerier, klient, koeficient, korier, magazinier, minierë, motovelier, muzicient, oficiel, portier, premierë, principiel, reliev, rentier, romancier; abstracion, agjitacion, ambicion, ambicioz, akcion, afion, asimilacion, batalion, deklinacion, delegacion, diskriminacion, diversion, divizion, dominion, ekspansionist, ekspansionizëm, ekuacion, embrion, embrional, emigracion, emulacion, emulsion, evolucion, fiziologji, fizionomi, fluktuacion, formacion, funkcion, funkcionim, funkcionar, gjeneracion, iktiologji, iluzion, imitacion, inflamacion, injekcion, inklinacion, inkuzicion, inovacion, inspiracion, institucion, instrukcion, interjekcion, internacional, internacionalizëm, intiucion, investicion, izolacion, juridikcion, kamion, kampion, kampionat, koalicion, kohezion, komunikacion, koncesion, kondicional, kongjestion, konkluzion, kontrakcion, konvencional, kuestionar, legjionar, legjislacion, lekcion, licitacion, lokucion, milion, mision, motivacion, municion, nacional, nacionalitet, nacionalizim, obstrukcion, obstrukcionist, obstrukcionizëm, pozicion, procesion, profesion, profesional, profesionalist, progresion, projekcion, proporcion, prostitucion, provokacion, racion, racional, racionalist, racionalizator, racionalizëm, racionalizim, radio, reakcion, reakcionar, recension, refleksion, revizion, revizionim, revizionizëm, revolucion, revolucionar, sanksion, sekcion, selekcionim, sensacion, studio, supersticion, superstacioz,1 televizion, transmision, union, variacion, vegjetacion, violencë, violinë, violinist, etj.

Fjalët: materje, malarje, sovjet, sovjetik, fjorë, shkruhen me j, sepse janë rranjosë në shqipet me kët shqiptim.

2. FJALËT GREKE MË y (IPSILON)Edit

Fjalët greke me y (ipsilon) në shqipet do të shkruhen me i; p. sh.: analizë, etimologji, fizikë, gjimnaz, gjimnastikë, higjienë, himn, hiperbolë, hipertrofi, hipotezë, hipokrit, hipotenuzë, metonimi, psikologji, sinekdokë, sintaksë, sintezë.

3. FJALËT MË cEdit

Fjalët e hueja me c nga burimi latin a neolatin do të shkruhen me c e jo me s, si: akcion, aviacion, iniciativë, iniciator, financiar, agjitacion, celebrim, central, abstracion, ambicion, ambicioz, asimilacion, delegacion, deklinacion, diskriminacion, ekuacion, emigracion, emulacion, evolucion, formacion, funkcion, gjeneracion, imitacion, infekcion, inklinacion, inkuzicion, inovacion, inspiracion, institucion, instrukcion, interjekcion, internacional, intuicion, investicion, izolacion, juridikcion, koalicion, kolekcion, kombinacion, kompozicion, komunikacion, koncesion, kondicional, koniukcion, kontradikcion, konvencional, legjislacion, lekcion, licitacion, lokucion, motivacion, municion, nacional, obstrukcion, potencial, procedurë, proces, projekcion, proporcion, prostitucion, provokacion, racion, reakcion, revolucion, selekcion, sensacion, special, stacion, supersticion, variacion, vegjetacion.

Fjalët sanksion, seksion e fjalët tjera të nji tipi me to, simbas shqiptimit ma të përgjithshëm, shkruhen me ks e jo me kc.

4. FJALËT MË ks (x)Edit

Fjalët latine me ks do të shkruhen me kz, kur ky grup ndodhet përpara nji zanorje, kurse me ks, kur ai ndodhet përpara nji bashkëtingëllorje, p.sh.: ekzekutiv, ekzekutoj, ekzistencë, ekspeditë, eksperiencë. Fjalët greke e ruejnë ks-në në çdo rast; p.sh.: aksionë, heksametër, oksigjen.

5. FJALËT MË d e tEdit

Fjalët ndërkombëtare të formueme me elemente të burimit grek do të shkruhen me d e t dhe jo me dh e th; p.sh.: dialektikë, pedagogji, Herodot, Iliada, Odiseja, metodë, metodikë, aritmetikë, etnik, etnografi, hipotenuzë, hipotezë, kartotekë, matematikë, ortografi, simpati, sintezë, teatër, tematikë, temë, tez, teolog, Atinë, Etiopi, Teba, Termopilet, Korinti.

6. FJALËT MË gEdit

Fjalët me burim grek a latin që kanë nji g përpara zanorevet i dhe e shkruhen me gj ashtu si shqiptohen; p.sh.: agjenci, agjitacion, borgjezi, elegji, gjeografi, gjeometri, gjeneratë, gjenezë, gjimnastikë, higjienë, legjion, legjislativë, origjinë, vegjetacion etj.

7. FJALËT MË hEdit

Fjalët me h nga burimi grek a latin do të shkruhen me h edhe në shqipet; p.sh.: harmoni, heterogjen, hidraulik, hidrografi, hidrohigjienë, himn, hipodrom, hipokrit, hipotezë, histologji, histori, homogjen, homonim, horizont, horizontal, humanizëm, hemisferë, koherent, kohezion, hiat, heksametër, hibrid, honorar, hiperbolë, hipotekë, Hesiod, Hipokrat, Homer, Horac etj.

8. FJALËT MË kEdit

1. Fjalët e terminologjisë teknike-shkencore, që janë me k në greqishten e vjetër, shkruhen me k edhe në shqipet; p.sh.: kinema, kimi, kitarë, klinikë etj.

Por do të shkruhen me q emnat si Maqedoni, dioqezë etj.

2. Fjalët greke me k përpara një y (ipsiloni) në shqipet shqiptohen e shkruhen me ci; p.sh.: cikël, ciklop, ciklostil, cilindër, cinik, cinizëm.

3. Fjalët me h të fortë në trup të fjalës në greqishten e vjetër në shqipet shkruhen me k, p.sh.: anakronizëm, anarki, arkaizëm, arkeologji, arkitekturë, arkiv, Akileu, Eskili, Arkiloku.

9. FJALËT MË sEdit

Fjalët me burim grek e latin me nji s intervokalike, në shqipet shqiptohen e shkruhen me z, p.sh.: filozofi, fizikë, fiziologji, hipokrizi, hipotenuzë, muzikë, rezolucion, sintezë, muze, Azi.

10. FJALËT MË lEdit

Fjalët me l, që kanë origjinë greke ose vijnë prej ndonji gjuhe tjetër europiane, do të shkruhen me l e jo me ll, p.sh.: analizë, analogji, arkeologji, antologji, biologji, blok, deklaratë, diplomë, fiziologji, gjeologji, ideologji, ilustrim, koloni, komplot, logaritëm, logjikë, mineralogji, neologjizëm, psikologji, silogjizëm, spekulim, etj. Por do të shkruhen me ll: llogari, llogaritar, kontroll, kontrollim, kontrolloj, kontrollor, vullkan (e jo: logari, logaritar, kontrol, kontrolim, kontroloj, kontrolor, vulkan).

Fjalët sllave me l të fortë (ll) në mes të fjalës do të shkruhen edhe në shqipet me ll: Çekosllovaki, Sllav, sllavisht, Jugosllavi, jugosllav, Sllovaki, sllovakisht, Sllavoni, Slloveni, sllovenisht, Slloenski Shollohov, Millan, Milladin, Millovan, Milloje, Millutin, etj. Por, kur mbas këtij tingulli vijnë zanoret i dhe e, që në sllavishtet shqiptohet ma butë se ll-ja e shqipes, do të shkruhen me l dhe jo me ll; p.sh.: Gligorije, Glisha, Milentije, Milica, Mileva etj. (e jo: Glligorije, Gllisha, Millentije, Millica, Milleva etj.).

Fjalët me l në fillim dhe në fund të fjalës shqiptohen dhe shkruhen në shqipet kurdoherë me l, pamvarsisht nga shqiptimi që kanë në gjuhën nga janë marrë; p.sh.: Bajkal, Ladoga, Lenin, Leningrad, Lermontov, Ural etj. Por Llaza Llazareviq.

11. FJALËT MË rEdit

Fjalët e hueja me r do të shkruhen me r dhe jo me rr edhe n’ato raste kur në gjuhën e origjinës shkruhen me dy r (rr); p.sh.: konkurencë, konkurs, korespondent, koridor, rebel, regjistër, rol, Romë, romak, romantizëm etj.

12. FJALËT MË ooEdit

Fjalët e hueja me dy o (oo) do të shkruhen me oo edhe në shqipet; p.sh.: alkool, alkoolik, alkoolizëm; kooperativë, kooperativist, kooperativizëm, kooperim, kooperohem, i kooperuem; kooptim, kooptoj, koordinatat, koordinim, koordinoj; zoolog, zoologji, zoologjik, zootekni, zooteknik.

13. FJALËT MË bEdit

Fjalët me burim të huej, që shkruhen me b, do të shkruhen me b edhe në shqipet; p.sh.: absolut, absolutisht, absolutizëm, absorboj, abstenim, abstenoj, abstrakcion, abstrakt, absurd, absurditet, abshise (e jo: apsolut, apsolutisht, apsolutizëm, apsorboj, apstenim, apstenoj, apstrakcion, apstrakt, apsurd, apsurditet, apshise).

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen