Opinion nga Donika Shahini-Lami

Analiza & Komente | Rrezore | 04.08.23 | 20:54

Përjetësisht në burg, kriminelët aty e kanë vendin.

Burgimi i përjetshëm ishte i vetmi opsion edhepse kur e mendon se të njejtit kriminel ushqehen me taksat tona në burg e frymojnë në jetë, kurse jeta e Marigonës nuk kthehet më….. e rëndë dhe shumë e vështirë!

Autorët e femicidit meritojnë dënim kapital.
Pusho e qetë, Marigonë! Familjës së saj mbase u është lehtësuar dhimbja pak nga shqiptimi i denimit me burg të perjetshëm ndaj kriminelit Krivaqa, por jo edhe për dënimin me 15 vite për psikopatin e dytë që e ndihmoi vrasjen.

Le të jetë ky një mesazh për të gjithë ata që zgjedhin dhunën ndaj grave si mjet.
Dënimet e tilla ne Kosovë parandalojnë rastet e dhunës ndaj grave për të cilat ka ende shume raste të pazgjidhura e që sistemi i drejtësisë duhet të punon shumë në këtë aspekt per t’i zgjidhur ato.

Urgjentisht si shoqëri na duhet ndërgjegjësim social, kulturor, politik mbase edhe kombëtar. Në radhë të parë si qytetar dhe njerëz normal, e pastaj si shoqëri për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave. Dhunën dhe torturën në përgjithësi.

Duhet ta luftojmë abuzimin që shkon në drejtim të dhunës, mohimit dhe cënimit të të drejtave të grave në shoqërinë tonë.

Mirëqenia familjare, prindërimi janë temat që duhet të trajtohen çdo ditë…..Prindërimi i vërtetë me modelim dashurie. Këtu është problemi dhe qelsi kryesor i zgjidhjes së kësaj të keqe të madhe.

Tek ne dhuna dhe diskriminimi fillon qysh në lindje dhe fatkeqësisht ende lulëzon çdo ditë me paragjykime dhe diskriminim direkt karshi vajzave dhe grave të sotme.

Ne nuk duam dhe nuk dijmë me dashtë!

Duhet me e eduku dhe me mësu si djalin ashtu edhe vajzën me dashtë. Me dhuru dashuri!
Me i modelu dashuri….E jo si shumë raste që dëgjoj, „është djalë kurxho nuk është me gabu…I ka hije se është djalë“ !!!

Në vend se me i thanë vajzës mos u vesh shkurt se mos po të ngacmon kush, apo mos bo sjellje të këqija se na merr fytyrën, apo mos e ngrit zërin se burrë e ke, mos e prish familjen……u dashtë dhe duhet me e eduku djalin që fytyra është e njejtë. Si e vajzës ashtu dhe e djalit. Dhe se ai, nuk ka të drejtë me e trajtu vajzën, gruan si leckë… Si objekt seksual….Si hiç… Se nuk guxon dhe dënohet me ngre dorë ndaj vajzës, ndaj gruas!

Dhunë fizike dhe psikologjike dëgjojmë çdo ditë. Burra, ose më mirë me thanë kriminel që dhunojnë çdo ditë. Burra të frustruar mentalisht, seksualisht e si është më keq ….

Viteve të fundit vetëm sa është rënduar gjendja edhe ashtu fort e rëndë e mirëqenies familjare. Burra dhe gra që hyjnë në martesa koti, marrin në qafë fëmijët, familjet e tyre të reja dhe gjithë shoqërinë. Burra që nuk dijnë me dashtë. Që fyejnë moralin, nderin dhe inteligjencen çdo ditë!

Burra që sjelljet e tilla ua modelojnë djemëve të tyre, nëpër shtëpitë e tyre dhe ata turren jashtë dhe ushtrojnë zullum tek të tjerët….
Shumë gra dhe vajza janë tashmë pre e abuzimeve gjithandej duke filluar nga shtëpitë e tyre, të cilat do të duheshin të ishin burim i paqes e qetësisë. Siguria e tyre e përjetshme!

Mirëpo, sa burrat, aq kanë faj edhe gratë.

Ato që për nderë të nënës, babës, fisit e farës heshtin… durojnë dhe nuk e marrin jetën e tyre në duart e veta!
Ato vajza e gra të reja që ju fyhet morali, e grushtohen, ju fyhet dhe dhunohet personaliteti çdo ditë dhe heshtin, biles pas ca kohësh pajtohen edhe me një dhuratë koti apo edhe me vlerë, apo për hirë të…..?
Ato gra që janë mësuar të heshtin e të durojnë dhunimin, modelojnë të njejtën gjë tek vajzat e tyre.

Shkruaj për kategorinë e vajzave të reja që kanë mundësi të edukohen dhe të jenë të zonjat e vetës!

Gjithashtu, jam e vetëdijshme se një pjesë e grave të cilat e marrin guximin të flasin, dhe flasin, ankohen e nuk duan të falin, janë lodhur sepse shteti jonë nuk i trajton si duhet dhe si e meritojnë, andaj lodhen dhe pajtohen të vazhdojnë tutje, ndër grushta dhe dhunë sistematike.
Kriminel dhe dhunues tek ne quhet vetëm ai që vret. Kurse dhuna fizike dhe psikologjike tek ne nuk dënohet. Në shumë raste viktimat dhunohen edhe nga shteti, pikërisht duke i lënë të lirë dhunuesit recidiv.

Kjo shoqëri e jona ka shku për dreq.
Ne jemi shpifsa, dhunues, diskriminues, paragjykues e çka jo se…..

Dhuna në familje në Kosovë është më e përhapur sesa që e paramendojmë dhe pranojmë çdonjëri prej nesh. Dhunë ndaj grave dhe dhunë ndaj fëmijëve gjithandej. Me lëndime të thella shpirtërore e të dukshme fizike. Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj.

Kur vritet vajza, gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ndodhë vonë edhe po zgjat shkurt. Dy apo tri protesta të nesërmen dhe mirupafshim pas vrasjes së ardhshme. Gratë që vriten në familje janë ato që kanë rezistuar ndaj dhunës së burrit. Beteja për barazi gjinore nuk është çështje private.
Kjo dukuri nuk dëmton vetëm gratë dhe vajzat, por dëmton gjithë komunitetin dhe gjjthë shoqërinë.
Është koha që dhuna ndaj grave të shndërrohet në një kapitull të kaluar dhe të fokusohemi në krijimin e një ambienti të sigurtë për të gjithë.

Psikolog nëpër çdo shkollë, me urgjencë….
Psikolog meritor e jo koketa koti sikur i kemi nëpër shkollat tona …. Psikolog gjithandej. Psikoedukim kombëtar.

Prindërim normal…Disa disa prindërimin e konsiderojnë vetëm gjatë atyre pak minutave ose sekondave sa “punojnë” që ti ngjizin fëmijët… e për të tjerat nuk kanë kohë… ua lënë fatit dhe rrugës!

Këto janë rezultate të një shoqerie të frustruar në çdo aspekt, të një shoqërie që institucioni familje me të cilin jemi mburrur ka vdekur. Të një shoqërie që edukatën seksuale e konsideron tabu, kurse të gjitha t’zezat i bënë duke u nisur nga familja e rrethi ku jetojnë.

Djemte për të cilët gëzohemi përçudshëm si shoqëri fort e i priviligjojmë në çdo aspekt, po na i vrasin çikat…. Po na i vrasin fizikisht dhe psikologjikisht çdo ditë. E në vend që me e mësu çiken si me mbyllë gojën e me e shkatërru vehten se nuk bon me fol, e me duru dhunë, u dashtë me e eduku dhe me mësu si djalin ashtu edhe vajzën me dashtë. Me dhuru dashuri!

Kjo dukuri nuk dëmton vetëm gratë dhe vajzat, por dëmton gjithë komunitetin dhe gjjthë shoqërinë.

Prindërimi nuk do të thotë vetëm urata e postime në rrjete sociale se sa i duam fëmijët…. Prindërimi është përkushtim 24/7…. Prindërimi dhe stilet e prindërimit është diçka që ne si shoqëri haberin nuk ia kemi!
Eh, e kam thënë se edhe çudia më ka mbaru në këtë vend.
Sterotipet e ndryshme, paragjykimet e skajshme tek ne nuk e kanë fillin sot, por kanë rrënjë të forta fatkeqësisht. Etiketojmë dhe emrojmë, pohojmë realitete të pista pa pikë vertetësie!

Ndryshimet vijnë dhe duhet të ndodhin në familje, aty ku çdo ditë duhet të komunikojmë dhe të të jemi pranë fëmijeve tanë, në institucione shkollore, në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit.

Fëmijët janë pjellë e jo kulturës tonë ndaj normales dhe civilizimit. Ne çdo ditë nxjerrim vrerë nga goja për vendin dhe njerëzit tonë.
Ne çdo ditë e vjedhim dhe e përbuzim shtetin, institucionet tona që vet I kemi mandatuar dhe çdo ditë para fëmijëve tanë japim shembullin më të keq të qytetarisë.

Një vend që lartëson të paditurit, të pamoralshmit, palaçot, kriminelet institucional e funksional, kurvërinë, hajdutët, injorantët, e nuk i përfillë, nuk lejon vend dhe nuk respekton të ndershmit, studiuesit, punëtorët, leximtarët, ky vend ia ka hapur varrin vetës sepse padituria është humnera që po na përbinë çdo ditë e më shumë!

Injorantët që mbajnë pozita, fyejnë me mosdijen e tyre njerëzit e ditur, intelektualët e vërtetë dhe blejnë lirë ata që shesin vehten, kurse vendi çoroditet si mos më keq.
Vdekja po na vjen nga soji i njerëzve të tillë, hiçat.

Kjo është Kosova e dy dekadave të fundit!

Është koha që të fokusohemi në krijimin e një ambienti të sigurtë për të gjithë . Është koha me i eduku si vajzat ashtu edhe djemtë. Me i mësu me dashtë….Me i mësu me qenë normal, e atëherë kur nuk janë në rrugë normale, këtu jemi …. Të lumtur me ju ndihmu në mirëqenien e shëndetit mendor. Shëndeti mendor miq nuk është lojë. Kurse kjo gjendja jonë mendore ka me na vra si shoqëri.

Drejtësia në Kosovë sot ka treguar se din të shqipton denime të merituara.

Bashkë si shoqëri t’i mbrojmë krejt gratë që dhunohen e dhunuesit të qelben n’burg.
Bashkë të mësojmë me dhuru dashuri më shumë!

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen