Ç’është demokracia?

Analiza & Komente | Rrezore | 25.08.23 | 13:49

Demokracia sot është një fjalë e njohur për shumicën dërmuese të shoqërisë. Pra, sot  termi demokraci botërisht kuptohet që rrjedh nga greqishtja: demos-popull dhe kratia-rend. Demokracia është “sistem i qeverisjes që buron nga populli, funsionon me popullin dhe për popullin” (Abraham Lincoln), ky përkufizim i idealit bazohet në idenë e sovranitetit popullor, i cili siguron qeverisjen e drejtpërdrejt ose nëpërmjet organeve përfaqësuese të popullit. Ky koncept edhe pse përfaqëson konceptin burimor nuk shpreh realitetin shoqëror, i cili është përplot kundërthënie konflikte interesash dhe pluralitet e diversitetet shoqërore. Demokracia në fakt nënkupton sistemin që akcepton tërësinë e vlerave qytetëruese të cilat sigurojnë mirëqenien individuale dhe publike nga qytetarët përmes institucioneve demokratike. Në doktrinat bashkëkohore politike dominojnë qasjet realiste për demokracinë, të cilat lënë anash parimin e “sovranitetit popullor” dhe në epiqendër vendosin qytetarin, emancipimin politik të tij dhe pjesëmarjen e drejtpërdrejtë në ndërtimin e politikave publike dhe zgjedhjen e organeve përfaqësuese.

Përkufizimi i demokracisë

Sipas definicionit ontologjik, në fjalorët e ndryshëm gjuhësor, demokracia “është qeverisje e popullit, ku pushteti suprem i takon popullit, i cili atë e ushtron vetë në mënyrë të drejpërdrejtë ose përmes përfaqësuesve të vet të zgjedhur në sistemin e lirë zgjedhor”. Në përkufizimin juridik të demokracisë përmenden dy elemente të demokracisë: e para, ajo shpreh vullnetin politik, dhe e dyta, realizimi i këtij vullneti konsiston në lidhjen e funsionimit të shtetit me popullin, i cili duhet të siguroj zbatimin e vullnetit të tij. Në esencë demokracia është tërësi e ideve dhe parimeve për lirinë. Ajo institucionalizon lirinë dhe krijon kushte për realizimin e saj. Duke pamundësuar tiraninë dhe shtypjen, demokracia afirmon lirinë e popullit, vetëvendosjen e tij dhe institucionet politike popullore, “të cilat dalin nga populli dhe punojnë për të”.

Botëkuptimi tradicional dhe klasik i demokracisë, si sistem i qeverisjes së popullit, sot në kushtet të një zhvillimi të lartë ekonomik, teknologjik dhe kulturor, është mjaft abstrakt, madje edhe fizikisht i pamundur të realizohet. Në kuptimin politik demokracia mund të përkufizohet në kuptimin e gjërë dhe kuptimin e ngushtë. Në kuptimin e ngushtë demokracia nënkupton sistemin politik në të cilin sigurohet qeverisja-sundimi në emër të shumicës së popullit, sistem me të cilin, me kushtetutë dhe ligj është siguruar mundësia reale që qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, të marrin pjesë aktive në jetën politike dhe të kenë ndikim në të gjitha format e vendosjeve politike. Në kuptimin e gjërë demokracia nënkupton marrëdhëniet demokratike në të gjitha sferat e jetës shoqërore, funsionimin e institucioneve politike në kuadër të rregullave të shtetit ligjor, si dhe pozitën aktive dhe liritë politike të qytetarit si subjekt i jetës politike.

Demokracia dhe parlamentarizmi janë të ndërlidhura ngushtë në mes veti, në kuptim më të gjërë demokracia nënkupton parlamentarizmin dhe pluralizmin, si proces politik përmes të cilave artikulohet vullneti politik i qytetarëve. Parlamentarizmi krahas sovranitetit popullor, shtetit ligjor dhe qytetarit të lirë, paraqet element themelor të çdo sistemi dhe rendi demokratik. Me parlamentarizëm në kuptimin e përgjithshëm nënkuptohet një sistem përfaqësues në të cilin parlamenti si organ qendror i zgjedhur, luan rol qendror në procesin e marrjes së vendimeve të rëndësishme politike.

Atributet themelore të demokracisë

Sistemi dhe rendi demokratik presupozon ekzistimin dhe sigurimin e parakushteve të cilat mundësojnë zhvillimin e marrëdhënive demokratike. Atributet themelore të demokracisë janë: 1.Sovraniteti popullor i cili nënkupton realizimin e vullnetit politik të popullit nëpërmjet konceptit të qeverisjes së shumicës, që realizohet drejpërdrejt nga qytetarët ose nëpërmjet organeve përfaqësuese të zgjedhur drejtpërdrejtë nga qytetarët. Krahas vullnetit të shumicës, duhet të krijoj edhe hapsirë politike edhe për artikulimin politik të pakicës dhe të inkorporoj atë në jetën politike.

  1. Shteti ligjor i cili nënkupton respektimin e parimit të ligjshmërisë. I gjithë pushteti shtetëror duhet të del nga ligji dhe bazohet në të. Shteti ligjor si koncept modern nënkupton shtetin demokratik të bazuar në të drejtat e qytetarëve, që të zgjedhin organet dhe institucionet përfaqësuese në një anë dhe obligimet e këtyre organeve që në punën e tyre të kufizohen me autorizimet e tyre që burojnë nga ligji. Element themelor i konceptit të shtetit ligjor është ndarja dhe kufizimi i pushtetit shtetëror. Asnjë pushtet nuk është absolut, ai kufizohet nga ligji, i cili cakton kornizën e fushëveprimit të tij. Gjyqësia e pa varur është institut i shtetit ligjor dhe demokratik, që duhet të siguroj mbrojtjen e qytetarëve nga arbitrariteti i pushtetit, mbrojtjen efikase të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, si dhe arbitrimin objektiv të gjykatave, në zgjedhjen e kontesteve publike dhe private. Pavarësia e gjyqësisë realizohet duke siguruar pavarësinë e gjyqtarëve, të cilët në punën e tyre duhet të udhëhiqen vetëm nga ligji. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria paraqet esencën e shtetit ligjor, i cili është në funsion të realizimit trë së drejtës.
  2. Parimi i ndarjes dhe i kufizimit të pushtetit është një nga parakushtet elementare të demokracisë. Vendosja e një ekuilibri midis tre pushteteve është bazë për funsionimin e demokracisë në një shtet. Balanca dhe ekuilibri i pushteteve në shtetet demokratike parlamentare duhet të arrijë dy qëllime: e para të siguroj pavarësinë e pushteteve dhe e dyta të kufizojë pushtetet, duke përcaktuar mekanizma të kontrollit të tyre reciprok. Varësisht nga mënyra e përcaktimit të balancës midis pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, funksionojnë tri modele të qeverisjes shtetërore: sistemi parlementar, presidencial dhe i kombinuar.
  3. Zgjedhjet e lira, të drejtpërdrejta dhe demokratike paraqesin institucionin qendror të sistemeve demokratike. Zgjedhjet e lire dhe demokratike, sigurojnë konkurrencën midis subjekteve me opsioneve dhe alternativa të ndryshme politike. Në demokraci nuk ka mandate të përhershme, të gjitha organet dhe bartësit e pushtetit , marrin votëbesimin për interval të caktuar kohor, pas skadimit të cilët duhet sërish t’i nënshtrohen procesit zgjedhor.
  4. Sigurimi dhe garantimi i lirivedhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit është në funksion të personalitetit dhe rolit aktiv të qytetarit në jetën politike. Liritë dhe të drejtat e qytetarit dhe sigurimi i mekanizmave kushtetues, për mbrojtjen e tyre janë tregues i mirëfilltë i demokratizimit të shoqërisë. Për sigurimin e rolit aktiv të qytetaroit në shoqëri, rëndësi të posaçme kanë të drejtat dhe liritë politike, siç janë: liria e të menduarit, liria e bashkimit politik, liria e fjalës. E shtypit, e informimit etj.
  5. Pluralizmi politik dhe ekonomik është një parakusht tjetër i demokracisë. Pluralizmi politik nënkupton mundësinë e lirë të veprimit të partive politike si forma institucionale të artikulimit të aspiratave të tyre politike dhe si subjekte themelore të jetës parlamentare. Pluralizmi afirmon shprehjen e lirë të qëndrimeve, alternativave dhe opsioneve të ndryshme politike, ballafaqimin dhe konkurencën e tyre.
  6. Kultura dhe toleranca politikekonsiston në sjelljen në pajtim me praktikën dhe normat me të cilat vërtetohet aftësia e popullit, që të qeverisë me veten. Toleranca politike si element i demokracisë kupton sjelljen korrekte të jetës politike, respektimin e tyre reciprok dhe gatishmërinë për të bërë kompromise politike. Kompromiset në jetën politike nuk “janë alternativë, por një domosdoshmëri e sjelljes politike”

Tipet-llojet e demokracisë

Ekzistojnë klasifikime të ndryshme të demokracisë dhe sistemeve demokratike duke marr për bazë tri kritere kryesore: kriterin historik; raportin e demokracisë me marrëdhëniet shoqërore dhe mënyrën e realizimit të demokravis. Në bazë të kriterit që ka të bëj me realizimin e demokracis janë të njohura: demokracia e drejtpërdrejtë dhe ajo parlamentare.

Demokracia e drejtpërdrejtë-bazohet në qeverisjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe popullit me pushtetin shtetëror. Esenca e saj më së miri shprehet në parimin se “sovraniteti buron nga populli dhe i takon atij”. Format më të njohura të realizimit të demokracisë së drejtpërdrejtë jan: referendumi, plebishiti, iniciativa popullore, tubimete zgjedhësve dhe forma të tjera të deklarimit personal të qytetarëve.

Demokracia parlamentare- sovraniteti dhe qeverisja e popullit nuk sendërtohet drejtoërdrejt nga populli por përmes organeve përfaqësuese të zgjedhura nga populli dhe të fuqizuara me mandatin për qeverisjen e shtetit. Demokracia parlamentare (përfaqësuese) funksionon dhe realizohet në ndërlidhjen e ngushtë të tri institucioneve themelore: trupit elektoral, organit përfaqësues dhe qendrës së vendosjes politike. Trupi elektoral është bartës i pushtetit sovran, pasi që këtë pushtet nuk mund ta ushtroj drejtpërdrejtë, ai zgjedh përfaqësuesit e tij që përbëjnë organin përfaqësues-parlamentin. Ky trup përfaqësues nga trupi elektoral ngarkohet me mandatin dhe përgjegjësinë e qeverisjes së shtetit në afat të caktuar kohor. Roli i trupit elektoral në sistemin e demokracisë parlamentare është i dyfisht: ai zgjedh organet përfaqësuese, duke i ngarkuar me mandat dhe përgjegjësi për qeverisje të shtetit dhe ushtron kontrollin politik ndaj punës së tyre përmes zgjedhjeve.

Nga Qani  Osmani

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen