Tregim

Analiza & Komente | admin | 03.05.11 | 18:21

Thuhej se në gjimnaz ishte lidhë me komunsitat. Jo, u kishte thanë prindëve, s’asht e vërtetë. Por kur e caktuen komisar të Batalionit “Cukali”, u muer vesht se ai ishte komunist prej dy vjetësh.
Për herë të fundit tek prindët në Krythë kishte ardhë një javë para se të dilte në mal. Kishte sjellë një qerr me libra prej Shkodre, asgja tjetër.

Gjatë luftës nuk u duk asnjëherë në Krythë. Të atit, Lazër Temalit, nuk i qeshte ma buza qysh kur kishte marrë vesht se i biri ishte ba komunist, bile edhe i randësishëm. Mue do të më buzëqeshë buza, kishte thanë Lazri, kur ta shoh se po ma sjellin në vig.  

Nga janari i 1945 e deri në vjeshtë nuk u muer vesht asgja e saktë për të. Thuhej se kishte kalue me brigadat në Kosovë, ku ishte derdhë ma shumë gjak se gjatë gjithë luftës në anët tona. Po vriten në mes vetit, thonin. Po si, në mes vetit? – pyesnin njerëzit. Ja, partizanët me nacionalista. Partizanët janë ba me serbë.
Kur u muer vesht mirë se partizanët ishin ba me serbë, Lazër Temali as në Kishë nuk shkonte ma, që të mos takohej me të tjerët e t’i thonin: A kam dëgjue, apo Marku po vret shqiptarë atje në Kosovë me urdhën të shkjaut? Shtëpi e arë, kaq bante Lazri. Po ma shumë në shtëpi. Vetëm kur ishte i shtërnguem prej punëve të stinës shkonte në arë.

Mbas disa muejsh dikush solli lajmin se batalioni i komisarit Mark Temali ishte transferue në Tivar. Atje çfarë nuk po ndodhte, thuhej në katund. Gjush Tukun, që kishte thanë se asht derdhë gjak i madh shqiptari në Tivar, e pushkatuen pa gjyq në oborr të Kishës.
Po në vjeshtë Marku u kthye. Nuk ishte i veshun ushtarak. Kishte rroba të bukura, stof anglez, gjithmonë me kravatë e këpucë përherë të lustrueme. I shmangej baltës së rrugëve të katundit sikur kishte frikë mos ngelte në te.

Prindët e pritën si e pritën, nuk u muer vesht shumë. As Lazëri e Tereza, as të afërmit tjerë, nuk tregonin gja. Pse asht kthye Marku? – pyesnin njerëzit. Pse asht i veshun civil? Pse nuk ka grada?
Po nuk merrnin përgjigje. Asgja nuk dihet, thonin të afërmit. Nuk tregon asgja.
Se çka kishte pa Marku në Tivar, nuk dihej, por kur u kthye në shtëpi, shumë shpejt u kuptue se ishte i luejtun mendsh dhe se kishte frikë jashtë mase prej gjamëve e vetëtimave.
– Mark, – i thonin bashkëfshatarët – pse ke kaq frikë?
– Sonte do të vrasin edhe dyqindë të tjerë. Sa herë gjëmon e veton, vrasin dyqindë vetë njëherësh.
– Kush i vret? – e pyesnin.
– Jooo, këte s’e di unë. Ncëk, ncëk, ncëk. Këte s’e di unë – thonte me nxitim dhe largohej me vrap.

Kush nuk ishte përpjekë me e qetësue, se kur gjëmonte e vetëtinte Marku qante dhe tmerrohej keq. Kush nuk ishte përpjekë të kuptonte pse i kishte ai frikë ashtu gjamët, po kur e pyesnin ai largohej me vrap, edhe natë të ishte, aq sa ndodhte që të tijët mezi arrinin ta gjenin mbas kushedi sa ditësh të fshehun në ndonjë pyll.
Më 1948, kur u prishën në mes tyne Tirana e Beogradi, Marku u duk se i kishte ma pak frikë gjamët e vetëtimat.
“Ncëk, ncëk, ncëk, – thonte – tash nuk i vrasin ma. Tash nuk i vrasin ma. Po kur e pyesnin përse tash nuk i vrisnin ma ata dyqindë të rijtë, ikte përseri me vrap dhe shpesh humbiste edhe për një javë të tanë.
Por një ditë, pothuej një vit ma vonë, ai dëgjoi rastësisht një oficer që po fliste rusisht dhe e ngatrroj me serbishten. Iku me vrap dhe nuk u gjet ma.
Komisar Mark Temali edhe sot asht pa vorr.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen