“Evladi” dhe neootomanizmi

OP-ED | admin | 12.05.11 | 20:19

 

Pse paradoksalisht Kosova i rri kaq afër Turqisë dhe a po pëson disfatë mendimi perëndimor në Kosovë për t’iu kthyer gjysmëhënës? 

Dy momente, të shpifura ose të qenët,  sado që në të parë s’kanë lidhje njëra me tjetrën e sfidojnë Kosovën, shtetin më të ri, që struket përtej mureve të BE-së dhe pret që dikush i madh, i fuqishëm, me ndikim, t’ia shtrijë dorën. Momenti i parë është një spekulim në median serbe se amerikanët po e kërkojnë një strategji dalëse nga Kosova, duke ia lënë “krahinën jugore serbe” në duar Turqisë, e në këtë kontekst edhe vetë bazën amerikane në Sojevë të Ferizajt “Bondsteel”. Ky spekulim, ndonëse u demantua nga autoritetet amerikane në Prishtinë, është një tezë për debat, sado konspirative dhe sado frikësuese, me gjithë faktin se Turqia është aleati nr. 1 amerikan që “ruan” Grykën e Bosforit, dhe sado që ky vend ushtarakisht dhe ekonomikisht i fuqishëm ka dhënë kontribut të madh në çlirimin e Kosovës, gjatë fushatës ajrore të NATO-s mbi forcat serbe të sigurisë, si dhe pas çlirimit, deri te njohja dhe “marrja nën sqetull” e shtetit të ri në samite dhe nisma rajonale.

Kurse momenti i dytë është miqësia vëllazërore e Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Ankarasë, sidomos “vllaznillëku” mes kryeministrit kosovar Hashim Thaçi dhe homologut të tij turk Rexhep Tayp Erdogan, i cili në disa raste e pret kosovarin në mënyrë spektakolare, duke e marrë përdore si “evlad” dhe pikërisht në këtë moment goxha të rëndë për Thaçin, i cili gjendet në një situatë izolimi ndërkombëtar. 

Pos interesave ekonomike (“Bechtel-Enka” dhe ekspansioni turk në tregun financiar në Shqipëri dhe Kosovë) vrojtues të politikave rajonale dhe globale e shohin këtë shtrirje dore të Turqisë si joshje për rikthimin e ndikimit të shtetit aziatik në Ballkan, si fuqi rajonale dhe më gjerë, për t’i hedhur themelet e një organizmi të ri, që do ta përbënin pikërisht shtetet që gjenden përtej mureve të Evropës së parë, që nga Evropa Juglindore, përmes Mesdheut e deri në Lindjen e Mesme (madje ky ishte edhe një propozim i mëhershëm i presidentit francez Sarkozy.) Një lidhje mes atyre që ulen si të ndrojtur në sofrën e dytë, e jo në të parën, që shtrohet në Bruksel. 

Rrethanat e brendshme politike, të pafavorshme për Thaçin dhe partinë e tij, PDK, kanë bërë që ai të marrë goditje dhe të shihet me sy të keq nga shumë çarqe perëndimore, posaçërisht evropiane. Derisa gjermanët e fyer për dekonspirimin e agjentëve të BND-së në Prishtinë e mbajnë inat; britanikët e shohin si shef që di shumë për organizatat kriminale gjatë dhe pas lufte dhe po bëjnë presion të rritur për t’i prerë lidhjet mes politikës dhe krimit të organizuar; kurse zviceranët, austriakët, holandezët, nordikët, i shmangen kontaktit më kryeministrin kosovar posaçërisht pas publikimit të raportit të Dick Martyt, sado që goditjet e tij ishin nën brez dhe asnjëherë nuk fituan forcë të argumentit. 

E në këto ditë të këqija Thaçit iu gjet pranë vëllai Erdogan, i cili e ka marrë mbi supe nxjerrjen e kosovarit nga izolimi ndërkombëtar. 

Është fatalitet ballkanik dhe posaçërisht shqiptar fakti se asnjë lider në asnjë periudhë historike nuk mund të mbijetojë në politikë dhe në drejtimin e shtetit pa partner (aleat) ndërkombëtar. I tillë ishte Ismail Qemali që “flirtonte” me grekët, Azem Bejta u lidh me Kosta Peçancin dhe mori ndihma e armë për t’u hedhur në luftë kundër austriakëve edhe ashtu në tërheqje e sipër, Isa Boletini po ashtu ra në grackën e serbo-malazezve dhe u hodh kundër austriakëve, pastaj Ahmet Zogu që i “bënte bac” serbët për ta shuar kryengritjen e kundërshtarëve, si dhe qeverinë socialdemokrate të Nolit, pastaj Enver Hoxha që herë i rrinte në supe Josif Stalinit e herë Maos, këndej Bjeshkëve të Nemuna, Fadil Hoxha e Mahmut Bakalli u desh të lidheshin me Titon dhe Jugosllavinë federale, e deri te liderët paskomunistë që bredhin nga prehri i amerikanëve tek turqit, ose mbajnë lidhje të dyfishta mes britanikëve dhe francezëve.

Thaçi e ka zgjedhur partnerin e tij amerikan (ambasadorin Christopher Dell), por edhe mikun e mikut, Erdogan, dhe kjo u shpërblye, sepse i qiti nga loja dy njerëz të fuqishëm të PDK-së, Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin, jo pse këta nuk i rrinin karshi, por pse këta të dy nuk patën në krah asnjë partner ndërkombëtar. 

Spekulimi serb dhe narracioni i “Bondsteelit” që po u falet turqve konstruktohet pikërisht nga narracioni i Thaçit që e ka për Turqinë si vëlla të madh, mirëpo çdo joshje e mëtejshme dhe përdorimi i kësaj vëllazërie për nevojat e luftës së brendshme politike nga kryeministri Thaçi dhe rrëshqitja pa kriter dhe pa rivlerësim të interesave vitale kombëtare nën prehrin e Turqisë është historikisht e gabuar dhe shpie në qorrsokak. Pse? Turqia ka probleme serioze me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe ato civile, lirinë e shprehjes dhe shtypin e lirë (aktualisht dhjetëra gazetarë u akuzuan dhe u arrestuan për përgatitjen e një puçi) brenda shtetit, kurse problemet e jashtme (dekada të tëra që pret në dyert e BE-së) kanë të bëjnë me pranimin e gjenocidit ndaj armenëve gjatë luftërave ballkanike, si dhe probleme me separatistët kurdë të PKK-së.

Në këtë situatë konfuze ndërkombëtare, kur karshi Kosovës po shfaqen dy Evropa, ose një thikë me dy tehe, (mosnjohja e shtetit të ri nga pesë anëtare të BE-së) Thaçi e ka zgjedhur udhën e tij “që shpie në Evropë” – nga Stambolli. 

Kurse oponentët e tij brenda PDK-së e kanë zgjedhur Evropën për Evropë. 

Në këtë debat kundërshtari politik i madh i Thaçit, Jakup Krasniqi, bëri apel më 9 maj (Ditën e Evropës) që të gjitha shtetet e BE-së ta njohin me urgjencë Kosovën, duke lënë të kuptohet se nëse Evropa nuk ia shtrin dorën shtetit të ri, ai mund të “humb në mjegullën neootomane.” 

Dhe pikërisht këtë ditë, një oponencë ndaj “Udhës së Qabesë”, e shfaqi edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e cila e përdori një metaforë letrare që përdorej dendur nga disidentët e Evropës Lindore, gjatë luftës së ftohtë: “Për Kosovën dielli lind në Perëndim”, tha ajo dhe mbeti gjallë!

Sigurisht që presidentja e ka referencë për këtë edhe ideatorin më pa ekuivok e më të bindur të perëndimorizimit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, i cili pa fije dyshimi u rreshtua me Perëndimin, posaçërisht me SHBA-në, dhe ky është kontributi i tij për më shumë dritë historike në orientimin e shoqërisë kosovare nga lind dielli: Me Perëndimin!

Kujt t’i besohet në këtë konfuzion? Kush ka të drejtë? Kush po luan “bixhoz” me Republikën e Kosovës? 

Çfarë po ndodh me vendet anëtare të BE-së e çka në shtetin e ri që shumica e vendeve të bllokut e kanë njohur? 

Thellë në brendi të Kosovës ka çuna serbë që veten e quajnë “Njësit antiterrorist” nga Lëvizja Çlirimtare Serbe që përgatiten për luftë nën sloganin “Gjithmonë para të gjithëve.”

Derisa për sigurinë ende kanë kompetenca KFOR-i dhe EULEX-i, frika për të ardhmen shfaqet kur i baraspeshon politikat që prodhojnë këto “Dy Evropa.”

E para, për shkak se interes i saj është joshja e Serbisë brenda BE-së, nuk do të ndërmarrë asgjë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës nën autoritetin e Prishtinës zyrtare, madje ka vende evropiane që mund të dalin në mbrojtje të “pëllumbave” serbë, sepse me ndëshkimin e këtyre strukturave paralele do të hidhërohej kështu Beogradi dhe natyrisht Moska! 

Çfarë politike e jashtme e pakrye në Kosovë është kjo? Madje aktualisht kjo politikë është shndërruar në “shqiponjë me katër krerë”, me Behgjet Pacollin e Enver Hoxhajn, si rivalë rreth së njëjtës tortë, me Edita Tahirin, që në raport me Serbinë po e luan rolin e ministres së Jashtme, apo edhe me Vlora Çitakun, e cila e luan këtë rol në raport me Brukselin?

Ndërkaq ministri i vetëm i Jashtëm, i fuqishëm, mbetet Hashim Thaçi, “evladi”. 

Ndërkaq “dy Evropat” do të vazhdojnë me pikasjen dhe ngjyrosjen e lajmit për Kosovën sipas qejfit të Boris Tadiqit, ose së paku për të mos e bërë atë nervoz (që t’ua bëjë me sy radikalëve prorusë!?). Po ky Tadiq “proevropian” ende i inkurajon “çlirimtarët e Kosovës” në Veri të Kosovës, që t’i ruajnë ‘kokardat”, duke u dhënë mesazhin më idiotesk të mundshëm, për t’u ngritur kundër shtetit ku jetojnë dhe bëjnë fëmijë. Nëse serbët e Kosovës vazhdojnë t’i provokojnë fqinjët e tyre shqiptarë (fëmijët e tyre) madje edhe t’i kërcënojnë me këso mesazhe që ishin menduar se i përkisnin së kaluarës fashiste serbe, atëherë kush do të përkujdeset pastaj për gjumë të rehatshëm të fëmijëve serbë?

Rexhepi me Hashimin?

Kjo gjendje (dhe ky lajm me dy fytyra) është derivat i dy politikave ose “dy Evropave” dhe i një pazari të madh. 

Ku është pala kosovare në këtë lajm?

Këtë u përpoqën ta thonë Krasniqi e Jahjaga, por në ato momente Thaçi parakalonte nëpër tepih të kuq të Stambollit.

Kurse në qytetin jugor të Kosovës, të cilin politikisht “e shkeli” Thaçi, madje e bëri me universitet, shumë qytetarë, me përkatësi etnike të dëshmuar historikisht, preferojnë të “shkruhen” turq, sepse, së pari, shteti i tyre, Kosova, ka bërë pak për t’i rehatuar, por në këtë “ndërrim identitar” e shohin një mundësi të mirë për privilegje, kryeministri kosovar është vëlla me atë turk.

Neootomanizmi po tenton t’ia ndërrojë fytyrën perëndimore shoqërisë kosovare, dhe ky nuk është akademizëm, por fsheh diçka nga realiteti i prekshëm popullor.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen