Opinion: Urtësi

OP-ED | admin | 16.05.11 | 17:19

 

1) DO T’ISHTE MIRË

Kalo me qetësi përmes poterës dhe nxitimit, dhe kujto sa paqë ka në heshtje.

Sa të mundesh, por pa u përulë, mbaj marëdhanje të mira me të gjithë.

Parashtro opinionin tand me qetësi e qartësi, dhe dëgjo të tjerët, edhe nëse janë të mërzitshëm e të padijtun: edhe ata kanë një histori të tyne.

Shmangu prej personave vulgarë e prepotentë: ata janë një stërmundim i vërtetë për shpirtin tand.

Nëse kambëngulë të ballafaqohesh me të tjerët, rrezikon të bahesh kapadai e i helmtë, sepse do të ketë gjithmonë njerëz ma të mirë e ma të këqijë se ti.

Gëzoju sukseseve që arrin e projekteve tueja. Rueje interesin për profesionin, sado i përvujtë të jetë; ai asht një pasuni e vërtetë në ecejaket e fatit në jetë.

Tregoju i matun në punë tueja, sepse bota asht e mbushun me mashtrues. Por kjo nuk duhet të të bajë të verbër ndaj virtytit: janë të shumtë ata që u përkushtohen idelave të nalta dhe jeta asht plot heroizma.

Të jesh gjithmonë vetvetja. Sidomos mos u shtijë në dashuni. Mos trego cinizëm ndaj dashunisë, sepse, edhe nëse përjeton zhgënjime, ajo mbetet përjetësisht pema e vetme gjithmonë e gjelbër.

Prano urtësinë e moshës, leni pa keqardhje dëshirat rinore.

Kultivo forcën e shpirtit per t’u mbrojtë në rast fatkeqësishë të paprituna. 

Mos e mundo veten me fantazina: shpesh frika lindë nga lodhja dhe vetmia.

Mbaj në jetë një disiplinë të shëndetëshme, por të jesh njëherësh edhe tolerant me vetveten.

Ti je bir i gjithësisë jo ma pak se pemët dhe yjet, dhe ke plotësisht të drejtë të egzistojsh.

Dhe, i bindun apo jo i bindun ti të jesh, nuk ka dyshim që gjithësia evolon ashtu si duhet.

Prandaj të jesh në paqë me Zotin, pavarësisht nga konceptimi i Tij prej teje. Dhe, cilatdoqofshin shqetësimet dhe aspiratat tueja, në konfuzionin e zhurmshëm të egzistencës, ruej qetësinë shpirtnore.

Pavarësisht nga mashtrimet, shqetësimet e andrrat e thyeme, kjo asht gjithësesi një botë e mrekullueshme. 

Jij i kujdesëshëm.

Përpiqu të jesh i lumtun.

Dorëshkrim i vitit 1692 gjetë në Baltimora në Kishën e vjetër të Shën Palit.

2) QUHEJ FLEMING

Quhej Fleming dhe ishte një fshatar i vorfën skocez.

Një ditë, ndërsa po punonte, dëgjoi një thirrje për ndihmë, që vinte nga një kënetë aty afër. Atje, i zhytun deri në brez në baltën e murrme, ishte një fëmijë i terrorizuem që bërtiste e përpiqej të lirohej.

Bujku Fleming e shpëtoi djalin nga një vdekje e ngadalëshme dhe e llahtarëshme.

Të nesërmen një karrocë e bukur përshkoi arat mjerane të skocezit; zbriti prej saj një zotni i veshun me elegancë, që u paraqit si baba i djalit që Flemingu kishte shpëtue një ditë ma parë: „Do të doja t’ju shpërbleja“, i tha zotnia, „Keni shpëtue jetën e birit tim“.

„Nuk mund të pranoj asnjë pagesë për ate që kam ba”, ia ktheu fshatari skocez tue zmbrapsë ofertën.

Atë çast i biri i fshatarit u duk tek dera e kasollës së tyne.

„Asht djali juej?“, pyeti zotnia. „Po“, u përgjegj krenar fshatari.

„Po ju propozoj një marrëveshje: më lini që të kujdesem unë për t’i dhanë djalit tuej të njejtin nivel shkollimi që do të ketë edhe im biri. Nëse djali i ngjet babës, nuk ka pikë dyshimi se do të bahet një burrë për të cilin që të dy do të jemi krenarë „.

Dhe kështu ndodhi.

I biri i bujkut Fleming ndoq shkollat ma të mira të asaj kohe, u diplomue pranë shkollës së mjeksisë të Spitalit St. Mary të Londrës dhe u ba i shquem në botë si sër Alexander Fleming, zbuluesi i penicilinës.

Vite ma vonë, po ai djalë i zotnisë së pasun, që fshatari Fleming e kishte shpëtue nga këneta, u smue nga polmoniti. Kësaj here qé penicilina që i shpëtoi jetën. Emni i zotnisë ishte lord Randolph Churchill dhe ai i të birit sër Winston Churchill. 

3) VIRTYTI

VOLTAIRE: FJALORI FILOZOFIK

Çfarë asht virtyti?  T’i bajsh mirë të afërmit. A mund ta quej virtyt diçka që nuk më ban mirë? Unë jam i vobektë, ti je bujar; unë jam në rrezik, ti më vjen në ndihmë; më mashtrojnë, ti më thue të vërtetën; jam i shpërfillun, ti më ngushllon; jam i padijtun, ti më mëson: do të të quej pa ngurrim i virtytshëm. Po si do t’i bahet me virtytet themelore e teologjike? 

E ç’më duhet si ti je njeri i përkorë? Asht një  normë shëndetësore, që ti e respekton; do të ndjehesh ma mirë e unë do të gëzohem për ty. Ti beson e shpreson, e unë gëzohem edhe ma shumë për ty. Ato do të të sigurojnë jetën e amshueme. Virtytet tueja teologjike janë dhunti qiellore; virtytet tueja themelore janë të një cilësie të shkelqyeshme e do të të shërbejnë për të rregullue jetën; por ata nuk janë virtyte në marëdhanje me të afërmin tand. Matunia të ban mirë vetë ty, virtyti u ban mirë të tjerëve. Shën Pali ka pasë të drejtë të thonte që dhimbshunia vlen ma shumë se sa besimi dhe shpresa.

4) HIMN DHIMBSHUNISË

Shën Pali: Nga letra dërgue korithnsave (fragment)

Dhuntitë shpirtnore nuk vlejnë asgja pa dhimbshuninë.

Kur unë flas gjuhën e njerëzve dhe të engjëjve, nëse nuk kam dhimbshuni, jam si një bronz që tingullon e një dajre që zhurmon.

Edhe nëse kam gjithë profecitë, dhe njoh të gjithë misteret e çdo shkence, edhe kur zotnoj gjithë besimin fetar, deri sa me luejtë edhe malet, nëse nuk kam dhimbshuninë, jam një asgja.

Edhe nëse shpërndaj gjithë pasuninë time për të ushqye të vorfnit, edhe nëse sakrifikoj trupin tim e të digjem, nëse nuk kam dhimbshuninë, asgja nuk më gëzon.

Karakteri i dhimbshunisë

Dhimbshunia asht e durueshme, asht bamirëse, dhimbshinia nuk njeh smirën, nuk asht e pacipë, nuk mburret, nuk asht ambicioze, nuk shikon interesin e saj, nuk rrëmbehet, nuk mendon keq, nuk i gezohet padrejtësisë, por i gëzohet së vërtetës.

Dhimbshunia nuk do të mungojë kurrë

Dhimbshunia nuk do të mungojë kurrë. Profecitë do të kalojnë, gjuhët do të shuhen, shkenca do të ketë një fund. Sepse njohim në mënyrë jo të përsosun e në mënyrë jo të përsosun profecojmë, e kur të vijë përsosmënia çka asht jo e përsosun do të zhduket.

Mbesin tashti për tashti që te tria: besimi, shpresa dhe dhimbshunia; por ma e madhja ndër to asht dhimbshunia.

 

 

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen