Heroizmi i Prof Jeton Gjocit

Arkivi | admin | 20.05.11 | 16:14

Shpëtohet Shqipdoni

Luftë e Jetonit, për jetë a vdekje me dallgët e lumit Drini i Bardhë tek Ura e Shenjtë, për të shpëtuar nxënësin Shqipdon Gjata, nga Fushë Kosova. „Profesori Jeton, na ndali zinë dhe lotët për vëllanë, Shqipdonin“, kanë thënë Gerta dhe Blerta, motrat e vëllait të hasretit

jeton gjoci me shqipdon gjata

Musa KURHASKU 
 
Gjakovë, 20 maj 2011 – Me vite të tëra, lumi Drini i Bardhë, tek „Ura e Shenjtë“, ka marrë jetë nxënësish, të cilët vizitonin këtë vend gjatë ekskursioneve të organizuara nga shkollat e tyre. Në këtë vit, më  15 maj, kobi i zi nga „rrymat“ e fuqishme të këtij lumi, është ndalur, pasi është shpëtuar jeta e Shqipdon Gjatës, nxënës i SHF. „Daut Bugojeci“, nga Fushë-Kosova. Ishte Jeton Gjoci, profesor i Kulturës fizike në SH.F. „Mazllum Këpuska“, nga Gjakova , i cili luftoi për 30 minuta, për shpëtimin e Shqipdonit.

Mëse 300 nxënës nga Fushë-Kosova, ishin për vizitë tek „Ura e Shenjtë“ dhe, papritur, Shqipdoni rrëshqet nga bregu i lumit dhe „rrymat“ e ujit të rrëmbyeshëm e mbështjellin në vete. Asnjë njeri, asnjë profesor i Shqipdonit, nuk kishte guxim e forcë që të luftojë me dallgët e Drinit të Bardhë, për ta shpëtuar Shqipdonin. Dukej një qetësi, pak shpresë dhe ankth i të gjithëve, se Shqipdoni do të jetë viktima e radhës e „Urës së Shenjtë“. 

Mirëpo, guximi, trimëria e më së shumti humanizmi i profesor Jeton Gjocit, nuk lejoi dhe ndërpreu traditën kobzi të lumit Drini i Bardhë, tek „Ura e Shenjtë“. „Po të kisha menduar dhe pritur vetëm 10 sekonda, që të hy apo jo në ujë, nuk do të kisha pasur guximin që të luftoj me ‚rrymat‘ dhe dallgët e fuqishme të Drinit të Bardhë, që kishin rrëmbyer Shqipdonin“, thotë prof Gjoci. Jetoni rrëfen një ngjarje trishtuese, pasi për 30 minuta, bëri luftë që të nxjerrë Shqipdonin, trupi i të cilit, siç thotë, ishte mbushur me ujë, ndërsa e kishte humbur edhe vetëdijen.

„Kam dëgjuar  britmën e Milazim Avdylit, me të cilin ishim bashkë në vikend në bregun e Drinit te ‚Ura e Shenjtë‘, tek thoshte shpëtoni këtë fëmijë“, tregon tash i lumtur ky profesor. Vrapova në breg, ku pashë edhe dy vajza, që qanin e kërkonin ndihmë, rrëfen shpëtimtari i Shqipdonit, i cili më vonë kishte mësuar se ato ishin dy motrat e tij, të cilat, siç u mësua, e kishin vëlla të vetëm në familje. Jeton Gjoci, në një bisedë për „Lajm“, kujton se „rrymat“ e valëve të ujit, ishin të forta, ishte një gjatësi afro 100 metra, ku Shqipdoni, i tëri i humbur, luftonte me jetë. 

„Për një çast m’u ndal edhe mua forca, por në një moment, vendosa që ose ta shpëtoj Shqipdonin, ose të mbytem edhe vetë“, thotë profesor Gjoci. I dërrmuar nga lodhja si pasojë e notimit të gjatë, më në fund arrita që të nxjerri e të vë në krah Shqipdonin, deri në breg, thotë ai i lumtur.

Jetoni, që fatmirësisht arriti ta shpëtojë Shqipdonin, djalin e vetëm të familjes Gjata, nga Fushë-Kosova, nuk mburret me këtë vepër humane, por është shprehur i irrituar nga „sjellja e arsimtarëve të SH.F. „Daut Bugojevci“, që gënjyen se janë nxënës dhe kolektiv i arsimtarëve të ardhur në ekskursion nga SH.F. ‚Mihail Grameno‘, nga Besiana, ish-Podujeva“. Arsimtarët, pas shpëtimit të Shqipdonit, ikën pa bërë zë, tha Jeton Gjoci, sipas të cilit, e vërteta zbulohet pas insistimit të tij, për ta njoftuar familjen e Shqipdonit. „Insistoja për të mësuar se si quhet familja e Shqipdonit, pasi, nga dy motrat e tij, Gerta dhe Blerta, e dija vetëm emrin e Shqipdonit“, tregon profesori Gjoci. Rrugës për në Prishtinë, rastësisht vetura ime u ndal afër SH.F. „Daut Bugujevci“, në Fushë-Kosovë, ku pashë gumëzhimë nxënësish, tregon profesori shpëtimtar. Rastësisht kam identifikuar Gertën e pak më larg edhe Shqipdonin, i cili më njohu dhe më përqafoi, tha Gjoci, duke rrëfyer vizitën që i ka bërë familjes Gjata. Prindi i Shqipdonit, Sahit Gjata, pasi ka kuptuar rastin, ka shprehur falënderimin e tij e të familjes dhe tregoi mirënjohje për këtë akt human. „Jam mirënjohës tërë jetën për profesor Jetonin, që ma shpëtoi të vetmin djalë në familje“, ka thënë Sahit Gjata, babai i Shqipdonit, ndërsa dy motrat, Gerta dhe Blerta, janë shprehur se profesori Jeton, „na ndali zinë dhe lotët për vëllanë Shqipdonin“.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen