Fshati i jetimëve të luftës (Pjesa e dytë)

Arkivi | admin | 04.06.11 | 20:55

Fshati i jetimëve të luftës dhe Humanizmi i mësueses Dile!

 

vijon nga pjesa e parë

 

Dile Prenkpalaj,mësuese dhe profesoreshë e matematikës , për tu shkolluar i atbotë i duhej të udhëtonte çdo ditë në Qytet,ndaj për çdo mëngjes ajo kalonte lumin Drini i bardhë,për të arrit deri në Krushë të Vogël nga kalonte rruga e asfaltuar,ku ajo e priste autobusin për në Prizren . Nga kontaktet e përditshme me Krushjanët, ajo i njihte pothuajse të gjithë banorët e atij fshati me shumicën e të cilëve kishte miqësi.

 

Por tanimë kishin ardh kohë të tjera dhe më të vështira se kurrë më parë, lufta ishte aty dhe fushata e forcave okupuese serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve po zhvillohej nga afër. Me 26 Mars të vitit 1999,ekspedita e soldateskës kriminale serbe,kishte përfshi Krushën e Vogël,duke kidnapuar meshkujt që nga mosha 13 vjeçare,kurse femrat i kishin ndarë nga më të dashurit e tyre, të cilët nuk do ti shihnin më kurrë,dhe i kishin dëbuar me dhunë drejt lumit Drini i Bardhë, duke u thënë të mbyteshin në ujë që të arrinin më lehtë në Shqipëri.

 

Derisa kriminelët serb bënin masakrimin e meshkujve shqiptar, gratë dhe fëmijët e frikësuar dhe të shastisur nga tmerret e krimeve serbe në Krushë të Vogël,pasi që nuk kishin mundur ta kalonin ujin e shumtë të Drinit, ishin ulur pranë ujit duke qajtur me sa zë që kishin,ku zhurma e vajit të tyre ishte dëgjuar deri në fshatin Bregdrin. Dilja me familje,nga shtëpitë e tyre i kishin parë që të gjitha si në pëllëmbë të dorës dhe pasi ishte larguar policia kriminele serbe, gratë dhe fëmijët e mbetur buzë valëve të ujit të rrëmbyeshëm të Drinit,me traktor dhe çfarë kishin mundur, i kishin sjell në shtëpitë e tyre.

 

Para se të hynin brenda,ato kishin dëgjuar krismat e armëve duke kuptuar se ç’po ndodhte me djemtë dhe burrat e kidnapuar të Krushës, matanë lumit,vaji dhe britmat me panik-kishin vazhduar ,kurse Dilja përpiqej ti qetësonte,në momentet më të vështira dhe kohët më të rënda që po kalonin gratë dhe fëmijët e dëbuar, në jetën e tyre.

 

Pas pak ditësh edhe Dilja me familje,së bashku me gratë dhe fëmijët e strehuar nga Krusha,ishin detyruar ta braktisnin fshatin e tyre dhe Kosovën për tu strehuar në Shqipëri, sepse as ne Bregdrin ata nuk ishin më të sigurt nga kriminelët serb. Që nga ajo kohë, Dilja ishte bërë Baba, Nënë dhe Shpëtuese për të gjitha gratë dhe fëmijët e Krushës së Vogël, të cilët kishin humbur burrat,djemtë dhe etërit, kurse ajo ishte dëshmitare e gjithë asaj tragjedie.

Pas lufte, Dilja ndër të parat ishte kthyer në Kosovë dhe kishte filluar të punonte me organizatat humanitare,për lehtësimin e traumave të grave dhe fëmijëve që kishin humbur më të dashurit e tyre gjatë luftës në Kosovë, siç ishte rasti edhe me gratë e veja të Krushës së vogël të cilat kur ishin kthyer,përveç burrave të vrarë e të zhdukur, kishin gjetur të gjitha shtëpitë e djegura, kafshët e therura,dhe plotësisht të vetme,pa asnjë pasuri dhe mbështetje, para atij mjerimi të madh, duhej të fillonin një jetë të „re“ të pa provuar deri atëherë,për të rritur në atë gjendje, fëmijët e tyre jetimë.

 

Atyre vetëm Dilja mund tu ndihmonte, duke u bërë prapë shpëtimtare e mbijetesës së tyre të zorshme,dhe në gjendjen në të cilën ato ndodheshin ajo u kishte propozuar të formonin e një shoqate të grave fermere por, pas gjithë atij tmerri dhe përjetimeve të papërshkruara,ato nuk kishin më forcë, as besim në vetvete për asgjë, përveç vajit të madh për humbjen e çdo gjëje dhe zhdukjen e më të dashurve të cilët të gjallë as të vdekur,nuk do të ktheheshin më kurrë, deri në ditët e sotme.

 

Besimin që nuk e kishin në vete,ato ia kishin falur të tërin Diles, shpëtimtares së tyre të orëve më të vështira,nga e cila kërkuan që, ajo ti ndihmonte dhe udhëhiqte për tejkalimin e gjendjes së tyre të pa shpresë.
Dhe,Dilja jo vetëm se kishte gjetur donatorë, duke filluar që nga organizata FAO për ti ndihmuar ato gra me disa lopë qumështore, por me një projekt të dytë kishte përfituar edhe donacione për lehtësimin e traumave të tyre dhe fëmijëve jetim të luftës në Kosovë”,nga organizata „Heifer Internacional Kosova“duke i nxjerr nga traumat e luftës,vetmia e madhe dhe izolimi i tyre i plotë, përmes bashkëpunimit me to dhe fëmijët e tyre.

 

Ajo tanimë ishte kthyer në Prind të vërtetë dhe udhëheqëse e suksesshme e tërë „kooperativës“ familjare , duke qëndruar me këto gra gjatë tërë kohës,të cilat vetëm fal ndihmës së Diles kishin filluar të komunikojnë me njëra tjetrën,dhe tu kthehen përpjekjeve për mbijetesë duke provuar çdo mundësi për rritjen dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre pa etër.

 

Dilja ishte kujdesur edhe për hapjen e një pike grumbulluese të qumështit,në Krushë të vogël të cilën edhe sot e udhëheqë ku gratë e veja qojnë „tepricën“ e qumështit për ta shitur,kurse për pagesën e tyre me rregull kujdeset gjithmonë Dilja e cila në pikën grumbulluese punon vullnetarisht, dhe trajnon edhe gratë në këtë punë.

 
Duke ju falënderuar punës së saj të madhe dhe përkushtimit me gjithë zemër për ndihmën e dhënë ndaj grave të veja dhe fëmijëve jetim të Krushës së Vogël, në vitin 2006, Dile Prenkpalaj ishte nderuar me shpërblimin WiLD (Women in Livestock Development Award) – „Gruaja në zhvillimin e Blegtorisë“, të cilin me meritë dhe shumë të drejtë, zyra e Qendrës „Heifer Internacional“ nga Little Rock – SHBA, për kontributin e saj,ia kishte ndarë Diles.

 

Ndaj,nëse Nën Tereza, kishte bërë aq shumë punë për të varfëritë, të sëmurët dhe të pa strehët në Kalkutë dhe gjithandej nëpër botë, motër Dilja bëri po të njëjtën gjë, me po aq vendosmëri dhe humanizëm njerëzor,krejt çfarë diti dhe aq sa mundi para dhe pas luftës në Kosovë,duke ndihmuar gratë e veja, fëmijët jetim të luftës dhe gjithë ata që patën nevojë për ndihmën e saj, duke bashkëjetuar me shpirt dhe vepra mbijetesën e tyre të rëndë, edhe pas lufte,që nga fillimi i vështirë dhe pothuajse i pa shpresë, e deri te mbijetesa e zorshme që vazhdon e mundimshme dhe me shumë probleme edhe sot.

 

Ndaj,Dile Prenkpalaj, nëse nuk mund të quhet „Nën“ siç quhej Nënë Tereza, ajo me plot kuptimin e fjalës mund të quhet Motër,e cila jo vetëm se është motër e jona e vërtetë nga Gjaku,Kombi dhe Gjuha, por ajo këtë e meritoi më shumë dhe më mirë se cila do humaniste tjetër në Kosovë me veprat e saj humanitare,përmes të cilave ndihmoi që jeta e shumë nënave të mbetura në mëshirën e fatit,dhe rrita e shumë fëmijëve të mbetur jetim dhe pa përkujdesje prindërore ,të mos ndërpritej por të vazhdohej dhe zhvillohej pa tragjedi të reja duke kaluar edhe sfidën e cila pa ndihmën e saj dukej dhe ishte e pa përballueshme për të gjitha gratë dhe fëmijët e mbijetuar nga tragjedia e Krushës.

 

Dhe për fund,nëse dikush ka merituar një nderim për së gjalli, të cilin nuk mund ta arrijë secili në këtë jetë,për kohët e vështira nëpër të cilat kaloi Populli ynë, ai me siguri duhet ti takojë motrës sonë humaniste,të nderuarës Dile Prenkpalaj,të cilës në mënyrë të veçantë në Krushë të vogël,do duhej ti ngritet një Statujë-Prindërore, në shenjë mirënjohje për ndihmën e pakursyer që ajo ofroi në rritjen e fëmijëve jetim të këtij fshati dhe mbijetesës së nënave të tyre të veja të cilat nuk patën asnjë dorë tjetër ndihme dhe përkujdesjeje, përveç duarve të arta dhe shpirtit të ndritur humanitar, të zonjës Dile Prenkpalaj.

 

Gani Qarri                            Cyrih 4 Qershor 2011

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen