Cila ishte shtiza dhe flamuri që u ‘’naltua’’ në Vlorë?!

Histori & Fakte | Zef Prenka | 23.04.13 | 20:58

Edhe njëherë rreth historisë së flamurit që u ngrit ditën e shpalljes së pavarësisë.

Pak kohë më parë në shtypin e shkruar nisi të citohet prej autorëve të ndryshëm edhe një nga dëshmitë e gojore rreth problemit të pavarësisë shqiptare, publikuar qysh në botimin e parë të librit ‘’Rrno vetëm për me tregue’’, në vitin 1997 ( At Zef Pllumi. Rrno vetëm për me tregue. Pjesa e dytë. 1950-1967. Hylli i dritës. 1997 ).

Është një nga dëshmitë më interesante dhe më të panjohura deri kohë më parë, të cilën, dijetari  At Zef Pllumi e sjell për publikun e gjerë si një document të jashtëzakonshëm dhe të pakundërshtueshëm bazuar në ndërgjegjen e tij prej intelektuali.
Këtë dëshmi at Zef Pllumi ja mori famullitarit të Dushmanit, at David Pepës, kur shkoi që ti bënte atij shërbimet e fundit në prag të vdekjes. Dhe atje në kishë, meshtari plak i tregoi një nga historitë mister të jetës së tij, e cila ka filluar të përdoret gjerësisht në botimet historike dhe publicistike në kuadër të këtij 100 vjetori të pavarësisë së Shqipërisë. Ja seç thotë në kapitullin e titulluar ‘’Baba i Vërtete’’, at Zef Pllumi, në botimin e tij të dytë të veprës së tij me kujtime ‘’Rrno vetëm për me tregue’’.
‘’Ndërsa ishem tue pritë me nxjerrë bukën prej furre, qe se po vjen nji malsuer prej Dushmanit. Nuk e njifshem për emën, por më tha:
-Më ka dërguar Pater David Pepa me të marrë me i dhanë sakramentet e mbrame, se asht tue dekë…..
Me të shpejtë i thirra njanit aty afër Kishe, të cilit i lejshem shtëpinë në kujdes. Hangra me atë malsorin nji kashatë bukë e djathë; mora pak rroba me vedi e u nisa për Dushman….
At David Pepa n’ate vjetë sa kishte mbushë të 75-tat. Pothuaj 40 vjet i kishte kalue n’ate Kishë të Dushmanit, nji ndër vendet ma të vështirat e të thyeshmet t’atyne malevet. Ate natë ndeja pa fjetë, tue bisedue me te.
Studimet në filozofi e teologji i kishte krye në Austri, më duket në Salzburg. Më tha se para vdekjes nuk kishte ma sekrete për të mbajtë. Më tregoi se në vitin e fundit të teologjisë, 1912, nëpunsat e Ministrisë së Jashtme të Vjenës kërkuen kolegun e tij, At Anton Harapin. Mbasi ai ishte kthye në Shqipni, atëherë e muerën me urgjencë e e çuen në Vjenë. Aty e shtinë në nji zyrë e banë me u betue se nuk do t’i nxjerrë kurrë sekretet. E muerën si përkthyes ndër bisedimet që Ministri i Jashtëm Berthold do të zhvillonte më Ismail Kemal Vlorën. Ishte i vetmi përkthyes mes të dyve, ashtu si nji vit ma parë, në 1911, ishte kenë At Antoni. Dy burrat e shtetit, si njani si tjetri, paraqitën gjendjen ushtarake dhe politike të shkaktueme nga Lufta Ballkanike kundra Perandorisë Turke. Atëhere Bertholdi i parashtroi Ismail Kemal Beut që të delte sa ma parë në Shqipni për të shpallë pamvarësinë . Ismaili iu përgjegj: ‘’Mirë flamurin e kam, por nuk kam shtizën ku ta naltoj, dhe flamurin pa shtizë e merr çdo erë që fryn’’. Atëherë konti Berthold iu përgjegj: ‘’Për shtizë të këtij flamuri keni bajonetën austriake!’’
Kishte ba gadi urdhnin që 40 trupa të niseshin nga Bosnja në kufi të Malit të Zi. Ismail Beu plot gëzim ju përgjegj: ‘’Kështu po, jam gadi, se vetëm kjo asht garanci për shtetin e ri’’ ( At Zef Pllumi. ‘’Rrno vetëm për me tregue’’. Shtëpia Botueese 55. Botim i dytë, 2006. Fq 409-411 ).
E përmendëm këtë dëshmi me vlera sepse ajo ka mbetur e pakontestueshme deri më tani megjithëse ajo ka mëse një dekadë e gjysëm që është publikuar nga autori që e gjeti në mënyrën e treguar nga vetë ai mësipër. Ndërkohë që e sollëm të kampionuar dëshminë në fjalë për tu ndalur tek një tjetër ngjarje që ndodhi vetëm dhjetë ditë më vonë pas bisedimeve me kontin Bertold. Bëhet fjalë për zhvillimet që ndodhën në Vlorë pas kuvendit historik, pasi u nënshkrua deklarata e pavarësisë. Dihet tashmë që pasi dolën në ballkonin e shtëpisë së Xhemil Vlorës, e cila u shemb në vitet 1930 nga bashkia e atëhershme e Vlorës dhe gjendej në vendin ku sot ndodhet në sheshin e Flamurit të këtij qyteti, Monumenti i Pavarësisë. Këtu Ismail Qemali valëviti flamurin kombëtar, i cili në mënyrë simbolike, përfaqson sot aktin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Por, problemi është se cilin flamur ngriti Ismail Qemali, pasi në mënyrë figurative tashmë e dimë se ku u ‘’naltua’’ ai në mënyrë figurative. Midis një dyzine dëshmish të shkruara dhe botuara më vonë në formë kujtimesh të disa pjesmarrësve të nderuar në aktin e shpalljes së pavarësisë, se flamurin e solli gjithsecili prej tyre, me të drejtë sot shtrojmë pyetjen se: Cilin flamur ‘’naltoi’’ Ismail Qemali. Ashtu sin ë rastin e mësipërm, duke ecur me arsyen se dëshmitë e intelektualëve të mirfilltë janë më të besueshmet, po citojmë një tjetër prej tyre. Bëhet fjalë për dëshminë e Eqrem Vlorës, një tjetër përfaqsuesi të elitës intelektuale shqiptare të shekullit të XX-të. Në librin e tij ‘’Kujtime’’ botuar dhe në Mynih në vitet 1968, 1973 dhe ribotuar Tiranë në vitin 2003, ai tregon edhe historinë e njohjes së tij me Don Alandro Kastriotin dhe bashkë me të edhe episodin se cili flamur u valëvit në shtëpinë e vlorajve, atë ditë të shpalljes së pavarësisë.
Sipas tij, Don Alandro Kastrioti ishte një princ spanjoll emri i vërtetë i të cilit ishte Juan de Alandro Perez de Velasko. Ai shërbeu gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX-të në diplomacinë spanjolle për shume vite, si në Paris, Vjenë, Bruksel apo gjetkë. Më pas do të drejtonte në Paris një grup aksionerësh franko-spanjollë të hekurudhës së Pirenejve. Dikur në shekullin e XVIII-të, një stërgjysh i tij kish qenë nënmbret i Napolit dhe ky fisnik spanjoll ishte martuar me Markezen Auleta të Kastriotëve të Italisë. Me një origjine të tillë, Don Alandroja e shpalli veten në fillim te viteve 1900 pretendent të fronit të Shqipërise. Me famën që gëzonte, propagandën dhe mjetet financiare të shpenzuara prej tij, thekson Eqrem bej Vlora në ‘’kujtimet’’ e tij, Alandro Kastrioti pati meriten që e bëri të njohur problemin shqiptar në qarqet politike europiane. Diku në vitin 1907, Eqrem Bej Vlora, një nga kushërinjtë e afërt të Ismail Qemalit, që do të bëhej më vonë edhe njëri prej personaliteteve më të shquara të politikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX, pati fatin të vizitonte Don Alandron në Paris (Eqrem BejVlora, ‘’Kujtime 1885-1925’’. Shtëpia e Librit e komunikimit. Tiranë 2003. fq.215). Takimin me këtë “personazh të çuditshëm” ai e përshkruan kështu: “…..Don Alandro na ftoi për darkë në vilën e madhe si pallat ku na njohu me shoqërine e lartë të pranishme. Pasi përfundoi darka një shërbëtor solli një kuti kadifeje të kuqe mbi një tabaka argjendi dhe e vendosi para don Alandros. Ai u ngrit dhe mbajti një fjalim të bukur….. dhe pastaj hapi kutine e kadifenjte dhe nxori prej andej një flamur shqiptar, një shqiponje e zeze dykrenore në fushe të kuqe dhe ma dha mua…..”.
Pese vjet e ruajta këtë flamur në dhomën e gjumit varur me një gozhde anash krevatit, derisa erdhi vertet dita që kishte profetizuar don Alandroja. Krejt papritur e krejt rastesisht ky flamur u ngrit vërtet si simbol ë Pavaresise së Shqipërisë.
Ndërsa pak më poshtë në të njëjtin libër, ‘’Kujtime 1885-1925’’, Eqrem bej Vlora, i cili ditën e ngritjes së flamurit ndodhej në Kuç, në jug të Vlorës, për të mbrojtur vendin nga sulmi i ushtrisë greke tregon:
‘’Një javë pas kthimit tim në Vlorë, çova Murat bej Toptanin dhe Hydai efendin tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin që i pata huajtur. Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Posjo (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri. E pra, më 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti se a mund të merrej pa qenë aty i zoti? Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur don Aleandro Kastrioti më kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte në dritare. Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopësht, duke brohoritur “rroftë, rroftë….“ ( Eqrem Bej Vlora, po aty, fq 313-314 ).
Dhe vërtetë të dhënat dokumentare na mungojnë për flamurin që u ‘’naltua’’ atë ditë në Vlorë. Edhe një foto sesi u zhvillua ceremonia e ngritjes së tij simbolike mungon. Pra, këtu Eqrem beu ka të drejtë, kur flet për ‘’pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore’’. Edhe vetë rrugëtimi ‘’biblik’’ i Ismail Qemalit për dhjetë ditë nga Vjena në Vlorë, me gjithë peripecitë e tij nuk i jepte mundësinë askujt nga grupi që shoqëronte Ismail Qemalin, që të paramendonte sesi do të ngrinte flamurin.
Një gjë e tillë mund të ketë ndodhur vetëm një vit më pas. Kjo gjë mund të shihet qartë tek fotoja që tregon festimet e një vjetorit të Pavarësisë, ku kemi të ‘’fiksuar’’ në celuloid tetë flamuj. Dy flamuj të vegjël janë vendosur në dy nga dritaret e selisë së qeverisë së Vlorës. Një, flamur tjetër i vogël ndodhet i fiksuar në anën e djathtë të ballkonit ku qendron Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë. Ndërsa dy flamuj të mëdhënj janë të vendosur poshtë në dy kolonat mbështetëse të ballkonit, ndërkohë që tre flamuj të tjerë, po të mëdhenj, valëviten prej turmës së popullit që feston. Ndoshta këta flamuj janë ata që u riprodhuan prej dorës së Marigo Pozios, për tu përdorur prej qeverisë së Ismail Qemalit, apo ‘’u mbërthyen prej dikujt në parmakun e ballkonit me sqepar’’.
2
Problemi i flamurit që u ngrit ditën e 28 nëntorit 1912 në Vlorë tashmë po kristalizohet gjithnjë e më shumë. Ai nuk është veçse flamuri i dhuruar prej Don Alandros që ishte prezantuar në Vlorë qysh në vitin 1908, kur Eqrem bej Vlora vuri në skenë dramën vdekja e Pirros. Që prej asaj kohe dihej nga të gjithë Vlora, që në shtëpinë e familjes së vlorajve ruhej flamur i ‘’Skëndërbeut’’ dhe kështu që nuk ishte e nevojshme që dikush të sillte një tjetër flamur nga jashtë. Kjo është arsyeja e vetme që i rrëzon të gjitha hipotezate tjera, përfshirë edhe atë të flamurit që një nga patriotët pjesmarrës ‘’e mbërtheu flamurin në parmak me sqepar’’. Aq më tepër kur mbledhja historike dhe ceremonija e valëvitjes së flamurit u zhvillua në një shtëpi private, si ajo e Xhemil bej Vlorës, ku nuk mungonte rregulli, logjistika apo shërbëtorët e shumtë.
Kështu, duke i ‘’kursyer’’argumentat e tjera për një replikë të mundshme rreth këtij fakti, mund të themi më me siguri se këto janë argumentet rreth historisë së ‘’shtizës’’ dhe flamurit që u ‘’naltua’’ në 28 nëntor të vitit 1912.

Ilirjan Gjika-Urat e  Fierit

 

Ilirjan Gjika- Historian

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen