Mozaiku i Mesaplikut

Histori & Fakte | Zef Prenka | 24.04.13 | 17:05

Mesapliku – është një nga vendbanimet e shumtë të krahinës etnografike të Labërisë. Si pjesë përbërëse e rrethit të Vlorës ai ndodhet në bregun e majtë të lumit Shushica, në mikrozonën e quajtur “Lumi i Vlorës“, e cila nis nga Armeni, aty ku Shushica bashkohet me Vjosën për të përfunduar në lartësinë e Kuçit në jug.

I përmëndur për prodhimet blegtorale dhe njerëzit trima dhe punëtorë, Mesapliku është kthyer tanimë edhe në një emër të lakuar nga gjuhëtarët, të cilët shumë syrësh e lidhin atë me Mesapet e Apulisë antike, ashtu si edhe Labërinë (kah Labëria), me Kalabrinë e brigjeve përballë të gadishullit Apenin.

Por Mesapliku është i njohur edhe për mozaikun e famshëm të gjetur në truallin e tij dhe i konsideruar si një nga perlat e artit Paleokristjan.

bazilika-Mesaplikut_muzeu_tirane

Mozaik i Mesaplikut – E shkruar ; Ha pak qe te hash

Mozaiku i Mesaplikut u zbulua në vitin 1979 nga arkeologu Damian Komata, në rrënojat e një kishe Paleokristjane (Revista “Iliria“’, I, 1984) të ndërtuar diku në shekullin e VI, e cila përbëhej nga tre anijata. E gjetur në vendin e quajtur “Bregu i Kishës“, faltorja kishte një gjatësi prej 13.8 m si dhe një gjërësi prej 11 m. Nefi, ose hapësira qëndrore ishte më e lartë dhe më e gjërë se dy nefet e tjerë, të cilët kishin përmasa prej 2.5 m secili.

Kisha përbëhej nga Naosi (salla), kthina e altarit, absida e të cilit ishte tre-faqëshe dhe ikonostasi, bazamenti i të cilit ishte prej guri. E gjithë ndërtesa mbulohej me çati druri dhe tjegullash, gozhdët e së cilës u gjenden brënda rrënojes së saj.

Dyshemeja ishte e shtruar dikur me mozaik, ku në nefin qëndror u gjet fragmenti, të cilin e kemi si objektin kryesor të këtij shkrimi.
Në altarin e Bazilikës arkeologet gjetën edhe nje varr, fakt që vërteton tezën se shumica e Bazilikave të krishtërimit të hershëm shërbenin edhe si mauzoleume të figurave të shquara të kohës qoftë asaj laike, si dhe fetare.

Gjurmët e djegjeve të gjetura nga arkeologu D. Komata të çojnë tek idea se, Bazilika është shkatërruar ndoshta gjatë periudhës së dyndjeve Sllave, ose gjatë shekujve VIII-IX, kohë kur në Bizant lufta e ikonave nuk i kurseu veprat më të mira të artit figurativ, sepse në dyshemenë e saj përveç gozhdëve, copave të qelqit, enëve dhe tjegullave të thyera u gjet dhe një shtresë e trashë hiri.

Në shekullin e VI kur ndërtohej dhe funksiononte si një tempull kishtar Bazilika e Mesaplikut, Amantia dhe Vlora ishin dy peshkopata në varësi të Metropolisë së Durrësit, ashtu si Skampa, Bylisi, Linhidi dhe Listra. Peshkopata e Amantias, e cila e kishte në varësi këtë Bazilikë përmëndet pak në dokumentat historike. I vetmi njoftim që na jepet për të i përket shekullit te IV, kur peshkopi Eulalis, mer pjesë në një koncil kishtar të organizuar në Filipopolis, i cili ndodhet në Bullgarinë e sotme (Acta Albaniae l, I).

Kurse të dhënat mbi Peshkopatën e Vlorës i kemi më të shumta dhe më të hershme. Ato i ndeshim qysh në shekullin e II, kur nga Roma erdhi i emëruar Peshkopi i qytetit të Vlorës: Shën Eleuteri (Lefteri), i cili do të ekzekutohet nga autoritetet romake në vitin 120 (Andrea Llukani, “Shënjtorët e Perandorisë Iliro-shqiptare“, Tiranë 2005). Vite më vonë historia e persekutimit të të krishterëve do të përsëritej, ku gjatë sundimit të Perandorit Numerian do të ekzekutohej në vitin 300, Danaksi, shërbyes në kishën e Vlorës.

Ndërkohë pas zyrtarizimit të krishterimit si fe zyrtare në vitin 313 nga Perandori Kostandin i Madh, Peshkopët e Vlorës do të përmënden dëndur në analet e historisë. Kështu në vitin 458 përmëndet në letrën e Perandorit Leon I, Peshkopi Nazar (ACTA ALBANIAE, I. 23.35.29.), kurse në vitin 519 një peshkop tjetër i Vlorës pret të dërguarin e Papës Hormisdas. Disa vite më vonë, pikërisht në vitin 553, Peshkopi Sotir i Vlorës mori pjesë në Koncilin kishtar të Kostandinopojës. (Po aty).

Njoftime të tjera mbi peshkopatën e Vlorës i hasim përsëri, siç janë ato të vitit 998 në noticien e Perandorit Joan Cimisku, dhe në vitin 1307 në krisovulën e Perandorit Androniku II Paleolog, derisa në vitin 1417 kjo Peshkopatë mer fund dhe bie në varësi të Peshkopatës së Beratit. (Koço Bozhori, “Dokumente të periudhës Bizantine në Shqipëri“. Tiranë 1978, fq 75).

Mozaiku i Mesaplikut është ndërtuar mbi një shtresë betoni të përbërë nga gëlqere dhe pluhur tulle, një teknike tipike romake (Damian Komata. “Bazilika Paleokristiane e Mesaplikut“. Iliria 1. Tiranë 1984.fq 184-197).

Mbi të, mjeshtrat artistë kanë vendosur gurë të vegjël kubikë me përmasa nga 1-1.5 cm. Gurët i përkasin disa spektrave të ngjyrave si: të bardhës, të verdhës, jeshiles, rozës, grisë etj. Me ta janë krijuar figura zoomorfe si: zogj dhe peshq, të cilët janë ndërthurur më rrathë dhe motive bimore siç janë lulet dhe frutat, ku nuk mungojnë edhe mollët dhe dardhat. Nga pjesët e ruajtura të tij mund të veçojmë atë të aniatës jugore e cila përbëhet nga shtatë medalionë tetëkëndësh dhe atë të nefit qëndror me përmasa 349×230 cm (D. Komata, po aty).

Figura kryesore në këtë vepër të mirëfilltë artistike është ajo e një burri. Ai është paraqitur në profil duke buzëqeshur dhe në kokë mban një kësulë me antenë, në të cilën është lidhur një kordele dyshe. Përpara fytyrës së personit e cila është plot jetë me një qëndrim pozant dhe me floke të gjatë është shkruar vetëm një frazë e vendosur në formë kolone që lexohet A ΠAϘ KE AC.

Pikërish kjo frazë nxiti tezat dhe antitezat e autorëve të ndryshëm, të cilat nuk kanë dhënë deri tanimë një sintezë përfundimtare. Midis morisë së tyre janë shprehur mendime se A PAR KE AS, ishte emri i financuesit të ndërtimit të bazilikës. Studjues të tjerë kishin supozuar në APARKEAS ishte kleriku i varrosur në Altar, apo ndoshta ndonjë martir lokal i persekutuar nga autoritetet romake përpara vitit 313.

Ndërkohë studjuesi Moikom Zeqo në librin e tij: “Arkeologjia, Gramatikë e fakteve“, botuar në Tiranë në vitin 2009, në faqen 27, thotë se APARKEAS është emri i hyjnisë Abraxas, perëndisë kryesore të sektit të Bazilitëve, që u krijua dikur në Aleksandri të Egjiptit i cili ka konkuruar dikur krishterimin në fazat e para të zhvillimit të tij.

M Zeqo e lidh figurën e hyjnorit Abraxas si ndikim të ekzistencës së komunitetit Hebre që ka jetuar në qytetin e Vlorës gjatë periudhës së antikitetit të vonë. (M Zeqo, “Shekulli“, 08-02-2005.)
Ndërsa studjuesi Niko Stillo një njohës i mbishkrimeve Pellazgo-Ilire na jep një tjetër ide. Në librin e tij: “Historia e shenjtë e Arvanitëve“, botuar në Prishtinë në vitin 2004, thekson se: APARKEAS është mbishkrim në gjuhën Ilire i bërë me shkronja greke, i cili përmban një sentencë të jetës së murgjve. Sentenca e tyre shprehet në formën:

…që në mënyrë të koduar do të thotë: HA PAK, KE TE HASH, dhe ka të bëjë me filozofinë modeste të jetës monastike. Kurse burri me kësule sipas N.Stillos, nuk është gjë tjetër veçse figura e një murgu, ku edhe kësula që ai mban në kokë i përshtatet veshjes së këtyre njerëzve që jetonin në kuvende dhe manastire.

Ndërkohë ekziston edhe një tezë e tretë e cila është më e hershme se dy tezat e mësipërme. Ajo u formulua menjëherë pas gërmimeve në rrënojën e bazilikës dhe i meshonte idesë se figura e burrit me kësule të mozaikut ishte imazhi i A ΠAϘ KE AC që simbolizonte për kulturën Greke erën e veriut.

E hedhur si ide nga studjusja e artit kishtar Dhorka Dhamo edhe kjo tezë ka një sërë argumentesh si: vendosjen e mozaikut me kokë nga veriu, konfiguracionin e tij, valëvitjen e kordeleve nga era, apo ngjashmërinë e figurës së mozaikut me figurat që simbolizojnë erërat në hartat antike etj.

I fotografuar tridhjetë e pak vite më parë kur bazilika u zbulua në vitin 1979, mozaiku i Mesaplikut ka bërë tashmë xhiron e botës. Imazhet e tij i gjen në librat e historisë së Shqipërisë, Historisë së artit, kartolina, guida dhe albume turistike, etj. Madje edhe departamenti i dikurshëm i anikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme i institutit arkeologjik kishte “kokën“ e Aparkeasit si logo (simbol) të tij.

I vendosur që nga viti 1981 në Muzeun Historik në Tiranë, Mozaiku i Mesaplikut mund të vizitohet në mënyre komode në ç’do kohë. Vetëm në një pikë studjuesit e tij bien dakort me njëri-tjetrin. Pikërisht për vlerat e tij si simboli i mirëfilltë i Artit Kishtar Shqiptar, vazhdues i traditës antike.

Ndërsa për identitetin se ç’fare ka qënë APARKEAS debatet vazhdojnë se: ç’kuptim ka kjo fjalë dhe se cili ka qënë burri me kësule? Po antena siper tij ç’fare simbolizon?! E kështu studimet dhe polemikat nuk reshtin. Të nisura me tone të larta në vitin 2005 në shtypin e shkruar ato janë perfeksionuar në forma nga më të specializuarat në site e ndryshme në internet.
Kështu secili është vendosur në llogoren e vet, e ndërsa “Aparkeas“ qëndron në Muze, në pritje. Në pritje të së nesërmes….
…“Me shpresën“ se një ditë e vërteta do të dalë në dritë.

Ilirjan Gjika_Urat e Fierit

 

Ilirjan Gjika – Historian

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen