Fantazma e çrregullimit – kërcënon Shqipërinë

Arkivi | admin | 14.06.11 | 08:30

Shqiperia
Shkruan: Gani MEHMETAJ
Lideri i opozitës shqiptare E. Rama para se të mbylleshin kutitë e votimit bëri me dije se nuk do ta pranonte rezultatin, nëse nuk do të ishte fitues ai. Këtë frymë të tensionit e pati që nga fillimi i fushatës zgjedhore, e vazhdoi edhe gjatë numërimit të votave, duke i dhënë kapak me kushtrimin për turbullira që i ngjanë ftesës për kryengritje popullore. Me të marr vesh se mund të mos jetë fitues, filloi me istrumentalizimin e jugut të vendit deri të Shkumbini, pastaj nëse do t’i ecën do të vazhdojë edhe me pjesën tjetër mbi Shkumbin. Janë këto skema të vjetra të majtizmit kriminal dhe qarqeve antishqiptare. Jugu komunist dhe veriu antikomunist, i kultivuar me djallëzi nga diktatori Hoxha vazhdon të mëkohet më shumë fanatizëm nga nipat e tij po aq të djallëzuar. 
Fryma majtiste agresive, në kufijtë e arrogancës kriminale, është duke i kushtuar shtrenjtë Shqipërisë. Nipat e Enver Hoxhës kërcëllojnë sërish dhëmbët, duke e rrezikuar paqen në vend dhe qetësinë në kontinent. Një herë kërcënimin e tyre ata e bënë realitet: makthi i viti 1997 mos u harroftë- lutën akoma bashkëkombësit e mi, të cilëve nuk po u hiqet fantazma e kryengritjes komuniste si mallkim. Vlora simbol i pavarësisë e i flamurit, është bërë edhe simbol i kaosit dhe vrasjeve makabre nga nipat e Enver Hoxhës. Nuk lënë gjë të shenjtë ata. Dhe çuditërisht njerëzit që do të duhej të ishin me mend në kokë, në vend se të turpërohen për ato që ndodhen atë vit të mbrapsht 1997, e përsërisin jo rrallë para medieve si mburrje dhe si kërcënim edhe me 2011- kryengritjen e armatosur. 
Të mençurit mësojnë nga pësimet e të tjerëve, ndërkaq, ata që nuk shquhen për këtë dhunti natyre, nuk mësojnë as nga pësimet e veta. A po u ngjanë kjo gjë edhe bashkëkombësve të mi përtej alpeve shqiptare? Po i dëgjove strukturat socialiste sikur e kanë për mburrje t’ua përmendin bashkëkombësve vitin e mbrapshtë 1997 dhe ta kërcënojnë vendin me të njëjtën skemë rrënimi. Edhe me 21 janar u veprua sipas të njëjtës skenar. Mbase edhe nga të njëjtët njerëz. Dështuan, por shihet se nuk hoqën dorë, nuk u dekurajuan, pavarësisht cili qe preteksti. Një herë që hapja e kutive, tash është mbyllja e kutive. Janë këto arsye të mjaftueshme për turbullira me pasoja të paparashikuara? Për popullin me mend në kokë, them që nuk janë arsye për turbullira. Madje-madje as për demonstrim paqësor. Secili të shoh punën e vet e institucionet punën e tyre. Por për ata që jetojnë nga turbullirat e kaosi, duket se lutën: bëje Zot rrëmujë! Sepse askush nuk i ndëshkoi me 1997, askush nuk i ndëshkoi as me 21 janar 2011. Pse duhet të frikohen tash për ndonjë dackë turinjve. 
Përvoja e fqinjve
Nga kush duhej të mësonin historikisht bijtë e shqipes? Nga ata që i kanë më së afërmi. Përcaktimi majtist pas Luftës së Dytë Botërore i pati kushtuar shtrenjtë Greqisë. Lufta civile gati e shthuri këtë shtet, po të mos ishte Britania e Madhe dhe SHBA-të që e nxorën nga bataku. Por prirjen drejtë kaosit ende nuk ua shkulen nga mendja helenëve qejfli. Nga ky ndikim dolën zëra sikur Greqia duhet të dal nga BE-ja! Forca më e madhe opozitare në Shqipëri tash sa kohë është duke bërë përpjekje titanike që ta pengojë Shqipërinë të inkuadrohet në strukturat e BE-së. Sa herë paralajmërohet vizita e ndonjë delegacioni të lartë nga Brukseli, opozita thërret për turbullira, apo bënë turbullira që e frikësojnë BE-në. Kush i koordinon dhe kush i urdhëron kaq zi? 
Sikur të donim bijtë e shqipes mund të merrnim mësim nga pësimi grek, por ata ia morën më të keqen këtij vendi-tërbimin majtist. 
Pse Shqipëria e vuan të kaluarën më shumë se të gjitha shtetet ish- komuniste? Ato gati e harruan këtë murtajë, ndërsa shqiptarët janë nda gjysma -gjysma. E para, sepse forcat komuniste në Shqipëri për dallim nga i gjithë blloku komunist, nuk u transformuan fare, vetëm emër ndërruan-nga Partia Komuniste u bënë Partia Socialist, ndërsa trashëguan të gjithë njerëzit, infrastrukturën, gazetat, kapitalin. E dyta, vetëm në Shqipëri nuk kaloi ligji për dënimin e krimeve komuniste, megjithëse krimet komuniste qenë më të frikshmet në kontinent. E treta, derisa në ish-bllokun komunist kasta e vjetër u tërhoq paqësisht e vetëdijshme se koha e tyre perëndoi, në Shqipëri kasta e vjetër mori të gjitha postet kyçe dhe u bë kërcënim i frikshëm i demokracisë. E katërta, rruga, dhuna dhe rebelimi për çdo gjë dhe në çdo situatë të pavolitshme për ta i bëri të imponohen para faktorit të brendshëm dhe para atij ndërkombëtar. Dhe faktori ndërkombëtar e përfill forcën e brendshme të një shteti për hir të qetësisë së vet. 
Për këto arsye dhe të tjera fatkeqësia e komunizmit po e ndjek si mallkim Shqipërinë edhe sot e kësaj dite. Ndikimi i fuqishëm i kësaj rryme është bërë gurë që po i fundos, që e rrezikon shtetin e shqiptarëve. Asnjë shtet në rajon dhe në Evropën Lindore nuk u goditë më shumë nga murtaja komuniste se sa Shqipëria. Asnjërin shtet në rajon dhe në Evropë nuk e turpëroi kryengritja e armatosur e komunisteve edhe pasi fitoi demokracia, sikurse kryengritja e vitit 1997 që gati e zhduku shtetin. Dhe kush mund të mburret për këtë krim ndaj institucioneve dhe ndaj kombit? Vetëm kriminelet. 
Kushtrimi për kryengritje-në mbrojtje të bashkiakut të skaduar 
Rreziku i kryengritjes së armatosur u rri mbi krye shqiptarëve edhe në majin e vitit 2011. Kushtrimin për kryengritje: “në mbrojtje të votave” , përkatësissht në mbroje të E. Ramës e dhanë disa nga krerët e Partisë Socialiste. Pasojat e para të këtij kërcënimi janë mosardhja e delegacionit evropian në Tiranë. Pra, edhe për të vazhduar tratativat për BE. Pasojat tjera pritën, por shpresojmë turbullirat e kaluara të mos përsëritën. Shteti duhet të tregojë vendosmërinë. Me ata që e rrezikojnë vendin nuk bëhen negociata. 
Po tiransat ku janë? Sepse e gjithë kjo rrëmujë po bëhet për të shaluar Tiranën. Si lejojnë tironsat që fantazmat të qarkullojë lirisht nëpër qytetin e tyre, duke ua rrezikuar jetën, pasurinë dhe të ardhmen. Athua gjërat të jenë ngatërruar aq keq? Qyteti, thonë është ndarë në dysh! Edhe këtu do e bëjmë një digresion historik: askush më shumë se shqiptarët nuk vuajtën nga mizoritë e Perandorisë Turke, por askush sikur shqiptarët nuk e përqafuan më shumë ideologjinë e kësaj perandorie-islamizmin. Këtë gjë bëjnë edhe nipat e Enverit, me ideologjinë majtiste. Pasojat e komunizmit këtu ndjehen më shumë se kudo tjetër. Pesëdhjetë vjet e shkretuan dhe e sterilizuan Tiranën, sollën pinjollët e kastës së tyre, u shtrinë gjithandej, u dhanë privilegjet, u dhanë poste e fuqi, të cilat ata tash kanë frikë se do t’ua marrin, prandaj një pjesë e tyre mbahen shtrengushëm pas flamujve të vjetër punistë dhe pas fantazmave të frikshme. Dhe vazhdojnë të mbajnë në pushtet e në mendësi atë kastë që do të duhej t’i takonte historisë. E tiransat e vjetër ku janë? Sipas Portokallinjve tiransat e vjetër kanë mbet në evgjitë e turkooriental që të argëtojnë telespektatorët me batuta banale dhe një gjuhë të zvetënuar për probleme banale. 
Dhe gjithë kjo përplasje bie mbi qytetarët (të rinj e të vjetër ) të Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë. Deri kur? 
 Burimi:QIK

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen