Flet Egin Ceka, diplomati që u atakua nga kreu i PS-së.

OP-ED | Zef Prenka | 26.04.13 | 21:07

Ceka: Nga debati në dhunë, si ndodhi incidenti me Ramën.

“Rama tërhoqi dorën me aq sa mund të kapte nga flokët dhe veshi im, tejkaloi kufirin njerëzor”

“Me një ton arrogant përtej çdo norme komunikimi më urdhëroi të largohem nga salla e Akademisë Diplomatike.

Kur iu përgjigja që s’kisha arsye të largohesha nga një ambient dhe institucion më se familjar për mua, zoti Rama vendosi dorën e tij të djathtë mbi veshin tim të majtë, duke krijuar në vështrim të parë një lloj afiniteti, dhe bëri një tërheqje të dorës me aq sa mund të kapte nga flokët dhe veshi im”. Është kjo një pjesë e dëshmisë së diplomatit Egin Ceka, dhënë ekskluzivisht për gazetën “Panorama”, pasi Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë konfirmoi incidentin mes tij dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në Vjenë. Madje Ceka thekson se ky rrëfim është e vetmja intervistë e dhënë dhe e miratuar nga ai, duke sqaruar se deklarimet në emër të tij, që mund të jenë publikuar gjatë ditës së djeshme, janë sajesa mediatike. Egin Ceka është sekretari i Parë i Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë. Në CV-në e tij, ndër të tjera, vihet re se diplomati 37-vjeçar ka mbaruar Master Shkencor dhe studime pasuniversitare, me përvojë edhe si lektor. Egini është djali i politikanit të njohur Neritan Ceka, aktualisht edhe ai diplomat në Itali, por që në këtë intervistë ai e lë të atin “jashtë incidentit”…
Z. Ceka, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka konfirmuar një incident mes jush dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Për të qartësuar opinionin publik që në nisje, ku dhe kur ka ndodhur ky incident?
Më datë 24 prill 2013, në Akademinë Diplomatike të Vjenës u organizua një diskutim publik me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Në aktivitet ishin të pranishëm qeveritarë dhe zyrtarë austriakë, diplomatë të Trupit Diplomatik të akredituar në Austri, pjesëtarë të komunitetit shqiptar nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe qytetarë austriakë të interesuar. Gjatë takimit z. Rama përsëriti dy herë tezën se shërbimi diplomatik shqiptar është krejtësisht i politizuar dhe se për këtë arsye nuk mund të mbahen zgjedhje në ambasada për emigrantët shqiptarë. Duke mos pasur autorizim për t’u prononcuar në lidhje me këtë tezë, vendosa të takohem me z. Rama pas takimit, për t’i shprehur qëndrimin tim. Këtë vendim e mora edhe për arsyen që reagimi mos të interpretohej si provokim ose ndërhyrje politike. Vendimin e bisedimit me z. Rama e mora duke marrë parasysh se një bisedë e hapur mes dy njerëzve duhet të jetë e mundur në çdo kohë dhe në çdo vend, sidomos në Akademinë Diplomatike të Vjenës. E gjitha kjo, nisur edhe nga përvoja në auditorët e Universitetit të Vjenës, ku kam marrë dhe kam dhënë mësim, si dhe në debatet e shumta, në të cilat kam marrë pjesë përpara dhe pasi kam nisur punën në shërbimin diplomatik shqiptar. Pas takimit iu prezantova z. Rama me emër dhe mbiemër dhe si diplomat shqiptar në Vjenë. I shpreha mendimin se teza e diplomacisë tërësisht të politizuar nuk reflekton realitetin në shërbimin e jashtëm shqiptar dhe i garantova nga eksperienca e punës me kolegët e tjerë diplomatë, se çdo zgjedhje që do të ishte mbajtur në Ambasadën Shqiptare në Austri do të ishte zhvilluar rregullisht. Gjithashtu thashë se e quaj të padrejtë përmendjen e përsëritur të emrit tim në publik nga disa politikanë, të cilët nuk kanë denjuar të kërkojnë një herë CV-në time.
Si u përgjigj z.Rama?
Z. Rama nuk iu përgjigj qëndrimit tim dhe reagoi duke kërkuar llogari se “kush më kishte dërguar?”. Me një ton arrogant përtej çdo norme komunikimi më urdhëroi të largohem nga salla e Akademisë Diplomatike. Kur iu përgjigja që s’kisha arsye të largohesha nga një ambient dhe institucion më se familjar për mua, z. Rama vendosi dorën e tij të djathtë mbi veshin tim të majtë, duke krijuar në vështrim të parë një lloj afiniteti, dhe bëri një tërheqje të dorës me aq sa mund të kapte nga flokët dhe veshi im. Ky ishte një gjest i dhunshëm dhe një tejkalim eklatant i çdo kufiri të një komunikimi ndërnjerëzor.
Po ju si reaguat?
Sqaroj se nuk iu përgjigja këtij gjesti me ndonjë veprim të ngjashëm, por reagova verbalisht.
Po më pas, çfarë ndodhi? Cili ka qenë dialogu mes jush dhe Ramës, pra çfarë i keni thënë njëri-tjetrit?
I shpreha, nga ky moment me një ton të ngritur, se në 20 vitet që jetoj në Europën Perëndimore nuk më ka ndodhur një gjë e tillë. I shpreha mendimin se një njeri që sillet në këtë mënyrë me një bashkëbisedues nuk e meriton t’i qeverisë shqiptarët as për një minutë. Gjithashtu i përshkrova edhe atributin “plehrë” si fjalën e vetme të rëndë të përdorur. Z. Rama, i cili siç duket kish pritur një reagim fizik të ngjashëm me të tijin nga ana ime, përsëriti disa herë shprehjen “provokator”. Gjithashtu, z. Rama e pranoi verbalisht gjestin e tij, duke thënë: “Të tërhoqa pak veshin që të marrësh vesh”. Jam i bindur se shumë prej të pranishmëve në sallë kanë mundur ta shohin gjestin e sipërpërmendur dhe mund të konfirmojnë përshkrimin e mësipërm.
Ndërkohë, të pranishmit që u vendosën mes meje dhe z. Rama e informuan për faktin që unë jam i biri i Neritan Cekës. Nga ky moment ai m’u drejtua me zë të lartë në distancë dhe me një ton habie me fjalët: “Pse, i biri i Neritanit je ti? Si i ati, edhe i biri!”. Nuk e pashë të arsyeshme as në këtë rast t’ia ktheja me të njëjtën monedhë.
Nga ana e kreut të maxhorancës, Berisha, u fol se është përdorur “dhunë shtazore”. A është e vërtetë që Rama ka përdorur dhunë fizike ndaj jush? Nëse po, deri në ç’pikë?
Siç e përmenda më sipër, gjesti i z. Rama ishte një tejkalim i kufirit të komunikimit ndërnjerëzor dhe një akt i dhunshëm, një cenim i personalitetit. Përtej këtij kufiri, nuk kam ndonjë masë për të peshuar dhunën.
A u përfshi tjetërkush në incidentin mes jush dhe Ramës?
Askush nga të pranishmit nuk u bë palë me mua apo me Ramën në këtë incident.
A keni pasur më parë ndonjë konflikt personal apo familjar me Edi Ramën?
Nuk kam pasur asnjë komunikim më përpara me z. Rama dhe nuk di as për ndonjë konflikt familjar. Kjo ishte edhe arsyeja që përtej ç’përflitet – dhe të cilën ai e konfirmoi në mënyrën më të shëmtuar – mendova se do të bisedoja me të siç bisedojnë dy njerëz të panjohur, me arsyen si nenin më të vogël të përbashkët.
Nga ana e PS-së është dhënë një deklaratë publike ku thuhet se z. Rama veç sa ka dashur t’ju qetësojë, duke ju cilësuar si provokator. Si do t’iu përgjigjeshit?
Fjalët e mia të mësipërme i japin përgjigje asaj deklarate. Por po jua sqaroj: incidenti ka ndodhur në Akademinë Diplomatike të Vjenës, dhe jo në “Akademinë Politike”, siç cilësohet në deklaratën së cilës i referoheni. Meqë ra fjala, Akademia Politike e Vjenës (PolAk) është institucioni akademik i Partisë Popullore Austriake, oponentes politike të Partisë Socialdemokrate Austriake. Për këtë arsye, aktiviteti nuk u mbajt as në Akademinë Politike dhe as me mbështetjen e saj. Përveç kësaj, z. Rama ka pasur me vete një kameraman, i cili ka filmuar në pjesën më të madhe të aktivitetit, dhe ndoshta edhe gjatë incidentit. Mund të bëjnë publik filmimin.
Çfarë hapash ligjorë do të ndërmerrni lidhur me incidentin?
Nuk kam ndër mend të ndërmarr asnjë hap ligjor. Për mua kjo është një çështje morali dhe edukate.
Duke qenë se babai juaj është politikan me përvojë, çfarë ju tha ai pasi mori vesh për incidentin dhe çfarë ju ka këshilluar?
Gjithmonë kam pasur dhe kam mbështetjen e tim ati, i cili ma njeh natyrën. Preferoj që të mos i përgjigjem pyetjes në detaj, meqenëse bëhet fjalë për një raport familjar.
Dhe në fund, duke u rikthyer tek e gjitha ajo që shkaktoi incidentin; a është i mundur votimi i emigrantëve shqiptarë nëpër ambasada?
Nga përvoja ime profesionale në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë mendoj se kolegët me të cilët kam pasur nderin të punoj në këtë ambasadë kanë zotëruar kulturën administrative dhe vetëdijen e nevojshme për t’iu ofruar qytetarëve shqiptarë me vendbanim në Austri një procedim korrekt të votës së tyre.
CV e Egin Cekes
Tetor 1999 – Tetor 2005: Studim master i arteve në Shkenca Politike, Histori dhe Filozofi në Universitetin e Münster-it, Gjermani. Pjesëmarrje në seminare dhe projekte kërkimore mbi minoritetet dhe konfliktet në Ballkan dhe Lindjen e Mesme. Përfundim i studimeve “Master” me tezën “Statusi i ardhshëm i Kosovës. Aktorë, pozicione, opsione. The future status of Kosovo. Actors, positions, options”.
Tetor 2004 – Korrik 2005: Bursë e fondacionit gjerman “Alfred-Toepfer” për studime në Universitetin e Vjenës.
Tetor 2005 në vijim: Studime pasuniversitare në Shkenca Politike dhe Histori në Universitetin e Vjenës. Doktorant i shkencave politike me temën “Politika shtetërore ndaj feve në Shqipëri gjatë periudhës komuniste 1944-1990”, me mentor Prof. Dieter Segert (Fakulteti i Shkencave Politike) dhe Prof. Oliver J. Schmitt (Instituti i Historisë së Evropës Lindore).
Korrik – Dhjetor 2007: Bursë Robert-Bosch pranë Institutit për Shkenca Humane (IWM) Vjenë.
Shkurt – Gusht 2008: Asistent në Universitetin e Vjenës, Instituti i Shkencave Politike. 2008-2009: Vazhdimësi e aktivitetit si lektor i jashtëm.
Gusht 2008: Pranim në shërbimin diplomatik të Republikës së Shqipërisë.
Tetor 2008 – Janar 2013: Sekretar i Parë në Ambasadën e Shqipërisë në Austri.
Qershor 2009 – Maj 2010: I Ngarkuar me Punë a.i. në Ambasadën e Shqipërisë në Austri.
Janar 2013 – First Secretary at the Permanent Mission of the Republic of Albania to the International Organizations in Vienna.
Publikime:
Ceka, Egin: Muzeu Kombëtar dhe Muzeu i Skënderbeut si institucione të religjionit civil shqiptar të komunizmit.
Ceka, Egin: Debati mes Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qoses mbi identitetin kombëtar të shqiptarëve.
Von Kohl, Christine; Vedran Dzihic; Egin Ceka: Balkan Diskurs Nr. 4. Balkan und Europa: (Shkrime dhe punë editoriale)
Ceka, Egin: Tipare kryesore të identitetit kombëtar shqiptar nga socializmi deri sot.
Gjuhët e huaja: Rrjedhshëm në shqip, gjermanisht, anglisht, italisht. • Njohuri në frëngjisht dhe greqisht./Panorama/

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen