Çamët, drejtësi për shpirtrat e të vdekurve dhe vuajtjet e të gjallëve

Histori & Fakte | admin | 29.06.11 | 19:52

Pas 67 vitesh çamët nga të gjitha trevat ku banojnë aktualisht, u mblodhën dy ditë më parë në fshatin Kllogjër të Sarandës, në përkujtim të të rënëve të tyre gjatë genocidit të pashoq grek të 27 qershorit 1944. Ata u mblodhën në vendin kur dikur çamët që i kishin shpëtuar makinerisë vrastare të gjeneralit grek Napoleon Zervës, kishin ngritur një kamp “të mallkuar”. Një kamp, ku mungesa e ujit dhe ushqimit, shkaktoi një tjetër dramë të rëndë për këta shqiptarë. Mbi 2700 çamë mbetën të vdekur në këtë kazermë ku s’kishte asgjë, përveç disa tendave që prisnin diellin përvëlues të qershorit. Mbi 5500 shqiptarë të Çamërisë humbën jetën gjatë marshimit të tyre të eksodit biblik për të mbërritur në Shqipëri, duke lënë pas të kaluarën dhe të tashmen e tyre, në kërkim për një të ardhme më të mirë. Më 27 qershor 1944 ata nisën marshimin e tyre drejt Shqipërisë duke lënë prapa shtëpitë, pasuritë, pronat e tyre. Masakra u ideua dhe u drejtua nga gjenerali i forcave greke Zerva, i cili nisi genocidin që nga Çamëria, dhe i ndoqi shqiptarët deri në Qafë Botë, aty ku ndodhet dhe pika e sotme kufitare mes dy vendeve. Qafë Bota, për çamët nënkupton vendin e dhimbjes. Është sinjifikativi i portës, e cila bëri të mundur masakrën e ’44-ës. Dhe sot, pas 67 vitesh ata kërkojnë drejtësi për shpirtrat e të vdekurve dhe vuajtjet e të gjallëve. 

 

Çamët

 Dëshmi të mbledhura në homazhet për 67-vjetorin e masakrës greke

 

Ja disa nga dëshmitë që na rrëfyen shqiptarët e Çamërisë dy ditë më parë gjatë homazheve në fshatin Kllogjër, rreth 30 kilometra nga qyteti i Sarandës dhe vetëm 2 kilometra nga pika kufitare e Qafë-Botës 

 

Shqiptarja çame, Gjylo Mehmeti, banore nga Cërriku 

Na vranë e na prenë, na hoqën me dhunë, dhe me dhunë prindërit tanë morën arratinë. Unë kam lindur në Shqipëri, por historinë e kam mësuar nga babai dhe nëna ime. Unë jam 66 vjeçe. Prindërit e mi kishin dy vjet që kishin ardhur në Shqipëri dhe më pas linda unë. Ne të gërmojmë qiell, tokë e dhe, dhe nuk e gjejmë dot të drejtën tonë. 

 

Ç’do të thotë për ju data 27 qershor? 

Kjo datë simbolizon prerjen tonë me thikë. Të lësh vatanin dhe të ikësh është shumë e dhimbshme. Dhe sot, po mundohemi t’i bëjmë respektin të vrarëve nga ky genocid i pashembullt. Unë vetë jam nga Gumenica e Çamërisë. Kemi ligështinë e shpirtit dhe të jetës që na ka shoqëruar gjatë gjithë këtyre viteve. 

 

A keni pasur të vrarë në familjen tuaj? 

Nga familja ime kam të vdekur gjyshin dhe gjyshen, dhe stërgjyshin. Të gjithë i kanë varret e tyre atje (drejton gishtin nga kufiri grek). Nuk më lejohet të shkoj në varret e gjyshërve, dhe nuk e kuptoj se çfarë u kam bërë unë grekëve. 

 

Si ka mundësi që shqiptarët e tjerë, apo pjesa tjetër e shqiptarëve më saktë, që nuk e dinë historinë e çamëve? 

Nuk i interesonte askujt në atë regjim. Ne ishim për pushtetin e atëhershëm të pavlerë fare. “Çamë të djegur, çamë të turpëruar nga greku, e si ka dashtë greku”, – kështu na thërritnin në atë kohë. Por njerëzit e asaj kohe harruan kontributin që dhamë ne në ndërtimin e Shqipërisë së pasluftës. Por pavarësisht se ne nuk e kursyem veten tonë për Shqipërinë tonë, ata nuk ndryshuan asnjëherë, çamë të qelbur na thërritnin gjithmonë. Edhe në atë sistem ne çamët kemi jetuar vetëm me djersën tonë, pa asnjë benefit nga shteti. Ai regjim ku ishte puna më e vështirë, aty punonin çamët. Partia e Punës na mohoi çdo gjë, por me ardhjen na është rritur besueshmëria në realizimin e çështjes sonë. Jemi të lirë, fjala jonë sot po arrin sadopak të dëgjohet. 

 

Edhe sa kohë i duhet çamëve që të realizojnë ëndrrën e tyre, për të vajtur në vendin që i takon? 

20 vjet i kemi humbur deri tani në demokraci, do na duhet të presim edhe 20 të tjera dhe s’i dihet nëse ia kemi dalë deri atëherë. Neve s’na e thotë mendja që ta shohim atë ditë. 

 

Mejreme Brahimi është vajza dhjetëvjeçare që mbërriti në Shqipëri e detyruar nga dhuna greke. 

Kam qenë 10 vjeçe kur kam ardhur së bashku me familjen në Shqipëri. Dhe ai Napoleon Zerva ç’gjeti atje matanë në Taranti, ju çau barkun, i vrau, i la të shtrirë përdhe pleq, plaka, burra, gra e fëmijë. Unë jam nga Margëlliqi, dhe jam çik më afër kufirit. Sa e morëm vesh për ngjarjet që po ndodhnin, kemi ikur që andej këmbëzbathur dhe pa ushqime. Ik të ikim, shyqyr që kemi mbërritur të gjallë në kufi, dhe u futëm në Shqipëri. Me moshën që kisha në atë kohë, i kam parë të gjitha gjërat. Nga karvani i shqiptarëve që po largoheshin nga Çamëria, shumë prej nesh kanë vdekur rrugës, kush për ujë, kush për bukë, kush nga i nxehti dhe më 22 qershor është shpërbërë Çamëria. 

 

Ç’të kujton 27 qershori? 

Më kujton të gjithë luftën e grekut ndaj një populli civil, të cilin e vrau si bagëtitë. Ne ikëm më këmbë që atje, ku lamë pas shtëpitë, pasuri të mëdha, shumë gjëra kemi lënë atje, dhe erdhëm këtu. Ikëm pasi na erdhën në shtëpitë tona një tufë paramilitarësh të tërbuar pa asnjë arsye, të cilën edhe sot e kësaj dite ne nuk e dimë pse ndodhi. Nuk po gjejmë dot as rrugën dhe arsyen se ku e kanë hallin grekërit, që nuk na lënë të vemi e të shikojmë varret e familjarëve tanë. S’ka ende asnjë arsye pse u vranë ata 6000 njerëz, kush doli gjallë nga ajo masakër doli. Kush nuk doli, nuk doli. Dhe e gjithë kjo pa asnjë justifikim. Kam ardhur në Shqipëri 10 vjeçe, por sot të më thonë që mund të kaloj nga kufiri matanë, nisem dhe e bëj sërish në këmbë atë rrugë, pasi çdo gjë më është fiksuar në mendje. Çdo gurë, çdo pemë, çdo kthesë që kemi marrë rrugës, çdo gjë që na shoqëroi në rrugëtimin tonë gjatë braktisjes së vatanit tonë. Dhe kjo s’është e drejtë. 

 

Me kë keni ardhur në Shqipëri? 

Erdha me nënën, babanë, gjyshen, xhaxhanë që jetonte shumë pranë nesh e vranë gjatë rrugës. Ai ishte i ri, 22-23 vjeç dhe ishte i martuar. Ai u vra pasi mbeti prapa nesh, dhe atë e vranë diku afër Pilatit. Ndërsa ne arritëm dhe erdhëm. Na vranë pasi ne nuk kishim as armë dhe asgjë, ishim krejtësisht të paarmatosur, pasi dhe ndërhyrja e tyre ishte e beftë. 

 

Çfarë keni lënë pas në Çamëri, dhe çfarë prisni të gjeni nëse një ditë do shkoni atje? 

Atje kemi shtëpitë, kemi pasuritë. Atje kemi vilat tre katërkatëshe. Të gjitha janë mall. Kemi gjërat tona, kemi tokat, atje kemi një qytet të tërë që është i shqiptarëve. 

 

A keni bërë ndonjë përpjekje për të vajtur, tani pas liberalizimit të vizave?

Nuk kam shkuar akoma. Kam bërë pasaportën, por kanë kthyer shumë prej nesh ndaj ende nuk e kam marrë iniciativën për të vajtur. Po të shikojnë që ke lindur atje, nuk të lënë të kalosh dhe të kthejnë mbrapsht. Kam folur personalisht me Shpëtimin (Shpëtim Idrizin, kreun e PDIU-së), dhe i kam thënë që nuk më tret dheu pa vajtur njëherë atje. Më ka premtuar që do më çoj me patjetër. 

 

Kush është arsyeja që do shkoni atje? 

Dua të shoh shtëpinë time. Varret e gjyshërve, varrin e xhaxhait, shtëpinë që e kam humbur. 

 

Keni ndonjë mesazh për politikën shqiptare? 

Gjatë këtyre viteve të demokracisë, politikanët nuk kanë bërë asgjë për Çamërinë. E vetmja shpresë e jona janë këta dy çamët që i kemi deputetë në Kuvend, që të jenë ata zëri ynë dhe t’u thonë që të aktivizohen në zgjidhjen e këtij problemi, se ky nuk është vetëm një problem i yni, si çamë. Por është një problem për gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi dhe sot që flasim rreziku nga fqinjët jashtë asaj vize, është akoma ekzistent. 

 

Si u soll regjimi komunist me ju? 

Në atë kohë na quanin se ishim pasanikë, dhe sa erdhëm na morën dhe na internuan në Maliq të Korçës. Të gjithë i morën dhe i internuan duke i futur në tharjen e kënetës së famshme të Maliqit. Përveç kësaj sa para kishim marrë me vete kur na shpuri greku, na i mblodhën dhe na i morën të gjitha, se ne çamët kemi pasur pasuri të madhe. Me lira të verdha kemi ardhur nga Çamëria, dhe kur erdhëm këtej, na thanë që paraja e grekut nuk kishte asnjë vlerë këtej. Na dhanë ca thasë sheqeri dhe mielli, si dhe ca lekë si çarçafë letreje. Dhe pas gjithë vuajtjeve në Maliq na sollën në Lushnjë ku dhe banojmë aktualisht. Dhe shtëpitë ku u strehuam i kishim me qira, dhe prej 6 vitesh ne arritëm të blinim shtëpi, pasi shteti shqiptar nuk na dëmshpërbleu për asgjë që kishim hequr në jetën tonë. Por nga ana tjetër, mund t’ju them që tapitë e shtëpive jo vetëm në Çamëri, por edhe të shtëpive që kishim në Maliq i kemi akoma. Dhe kjo na bën që mos të humbim shpresat tek çështja jonë. 

 

Hazbije Brahimi 

Daja im ka ikur përgjatë gjithë natës me të gjithë përfaqësuesit e çamëve me banim në Fier. I plaçkitën çitjanet dhe rrobat e mia dhe të nënës time, na i kanë hequr nga trupi. Dhe djepet e fëmijëve i kanë hapur të gjitha se pandehnin me mos kishim fshehur flori brenda. Çfarë gjetën i morën të gjitha. 

Vargje të krijuara nga Mirush Kabashi 

Nuk mund të ketë dhe pa mëmë 

Se njëra pa tjetrën nuk bëjnë dot mëmëdhe 

Dhe sot në ëndërr më përsëriten fjalët e qëmotshme 

Mëmëdhe jemi tre, unë, ti e dhimbja 

Dhe nëse ti vjen dhimbjen do ta mund me ty, 

Por nëse nuk vjen dhimbja do na mundë të dy. 

Kur flas unë me ty flas me një zë, 

Ëndrra iku dhe ne nuk ishim më. 

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen