Pesë muaj në parlamentin gjerman – programi i Bundestagut IPS

Diaspora | admin | 07.07.11 | 21:44

Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Estonia, Franca, Gjeorgjia, Izraeli, Kazakistani, Kosova, Kroacia, Letonia, Lituania, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Polonia, Rumania, Rusia, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Çekia, Ukraina, Hungaria, SHBA, Bjellorusia – gjithsej 120 të diplomuar në universitete nga këto 28 vende marrin pjesë aktualisht në programin e këmbimit të Parlamentit Federal gjerman, bursën ndërkombëtare të parlamentit, shkurt IPS (Internationales Parlaments-Stipendium).

Fare pranë procesit politik

Pesë muaj me radhë, bursantët e programit IPS mund të përjetojnë punën e parlamentit gjerman, Bundestagut. Ata bashkëpunojnë ngushtë me një deputet, e shoqërojnë atë në mbedhje, konsulta dhe negociata në Bundestag. Veç kësaj ata krijojnë një përshtypje për detyrat e një parlamentari në qarkun e tij zgjedhor, pra rajonin nga vjen deputeti. Objektivi është të njihen nga afër proceset komplekse të vendimmarrjes politike.

Programi për bursantët e IPS-së ka kërkesa të larta. Ata mund të marrin pjesë edhe në një program shoqërues të universiteteve të Berlinit, si dhe të fondacioneve politike.

Por edhe deputetët e Bundestagut duhet të përfitojnë nga ky bashkëpunim. Ata mësojnë drejtpërdrejt diçka për situatën në vendet pjesëmarrëse dhe marrin nga bursantët informacione, se si shihet demokracia gjermane në vendet e tyre.

Kushtet e pjesëmarrjes

Aplikantët për programin IPS duhet të jenë nën 30 vjeç, të kenë përfunduar studime universitare, të kenë njohuri shumë të mira të gjuhës gjermane dhe të synojnë të punojnë në sektorin publik në vendin e tyre.

Një komision i pavarur nga përfaqësues të Bundestagut dhe universiteteve të Berlinit shkon në vendet e aplikantëve për t’i njohur ata personalish në biseda.

Pjesëmarrësit marrin një bursë prej 450 eurosh në muaj, si dhe u paguhen shpenzimet e banimit dhe të sigurimit. Edhe kostot e udhëtimit merren përsipër nga Gjermania.

Parlamenti federal gjerman e organizon këtë program që prej vitit 1986, asokohe si një program internshipi për të rinjtë amerikanë. Deri tani 1600 bursantë e kanë kryer programin IPS: Shumë prej tyre punojnë ndërkohë në vendet e tyre, në parlamentet përkatëse, në administratë apo në organizatat joqeveritare.

Më shumë informacione për programin IPS gjeni në adresën e internetit:

http://www.bundestag.de/bundestag/europa_internationales/internat_austausch/ips/index.jsp

Autor: Kay-Alexander Scholz / E. Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen