Misioni që rrezaton në Diasporë

Diaspora | admin | 08.10.10 | 12:27

Në fillim të viteve 80-ta për mërgimtarët besimtarë së pari është kujdesur për shërbesat fetare herë pas here Doktor Don Gaspër Gjini. Mirëpo veprimtaria e tij ka qenë e herëpashershme kurse formën e plotë të veprimit dhe organizimit ky mision e ka marrë në shkurt të vitit 1984.

Sipas shënimeve dhe dëshmive shumë besimtarë rrëfejnë ditët e para të punës të këtij misioni. Me nisjativën e punëtorit social Pjetër Mjedës u bë organizimi i besimtarëve katolik shqiptarë të cilët jetonin dhe punonin në Stuttgart me rrethinë. Në fillim shërbesat fetare i kryenin në bashkëpunim me misionet tjera katolike që vepronin në atë kohë. Duke pasur parasysh ndjenjën e këtyre besimtarëve „sensus Ecclesiae“ (ndjenjë për ngjarje kishtare) vjen misionari i parë nga Kosova Patër Hil Kabashi.

Me një angazhim dhe vullnet të fortë, me një besim të madh Patër Hili filloi punën në shërbim të mërgimtarëve. Ky mision vit pas viti u forcua dhe u organizua në formën më të mirë të mundur. Natyrisht se në fillim ka pasur plot vështirësi, mirëpo vullneti i fortë, nevoja për katekizëm dhe jetë pastorale kanë bërë që ky mision të jetë një shtëpi shumë e nevojshme dhe e dashur për mërgimtarët. Sipas  rrëfimeve të besimtarëve mërgimtarë,  si të Gjergj Kuzhninit, Ndrecë Spaqit, Ndue Përvorfit, Ukë Markajt, Nikollë Ndrecaj, Marjan Musollit etj.  Në atë kohë para 25 viteve kemi pas  shumë vështërsi për tu organizuar në këtë formë siç jemi sot. Ka plotë arsye, thonë ata.  Mungesa e përvojës për jetë të organizuar, vështërsitë në komunikim dhe lëvizjet kanë bërë që  në fillim numri i mërgimtarëve besimtarë të jetë relativisht i vogël. Mirëpo këmbëngulësia dhe vullneti i pashoq i Patër Hil Kabashit , bëri që ne sivjet ta kremtojmë  25 vjetorin e Mosionit Katolik Shqiptar në Gjermani. Para 25 viteve ka pasë më pak mërgimtarë, apo siç quheshin atëherë „gastarbeiter“. Një pjesë e madhe e tyre ka qenë pa familje. Mirëpo situata ndryshoi një qind për qind gjatë viteve 90-ta atëherë kur nga Kosova, për shkak të represionit të vazhdueshëm të Serbisë dhe pushtetit të saj ndaj shqiptarëve, migruan një pjesë e madhe e shqiptarëve. Tani numri i besimtarëve nëpër kisha është shumë më i madh se përpara. Këta mërgimtarë në Gjermani gjetën, këtë Mision, u mbështetën në te me besim të plotë. Këtu duhët theksuar se që nga fillimi në kuadër të këti Misioni ka vepruar edhe zyra për punë sociale të cilën e ka udhëheq i ndjeri zotri Pjetër Mjeda. Shumë ndihme të  madhe  u ka dhenë kjo zyre mërgimtarëve tanë  në çdo pikëpamje .  posaqerisht sa  u përketë problemeve të ndryshme të  natyrës sociale/ Krahas Misonit,kjo zyrë ka meritë të madhe në të gjitha këto rezultate.

Pater Hili Kabashi, ka bashkuar mërgimtarët besimtarë rreth këti Misioni duke biseduar me ta banesë për banësë, derë në derë kurdo që ka pasë kohë dhe më në fund arriti që  këtë Mision ta bëjë shembull për të mirë për Misionet tjera që do të formohen më vonë në  vende të ndryshme.

Misioni Katolik Shqiptar në Gjermani selinë e vetë e ka në Stuttgart kurse meshët i thotë edhe në shumë qendra tjera anë e mbanë Gjermanisë. Në fillim janë formuar këto qendra ku janë mbajtë meshët shejte gjatë të shtunave dhe të dielave.  Pra me qendër në Stuttgart, München,Wangen, Göppingen , Frankfurt-Eschborn, Koblenz, Sigen, Düsseldorf,Kassel, Hanover,  kurse në Berlin. Mannhaim, Nürnberg, dhe Ulm janë mbajtë meshë herë pas here. Pater Hili përveq këtyre qendrave që ka formu dhe organizu është kujdes edhe për besimtarët në Zvicer dhe Francë. Edhe tani ekzistojnë po këto qendra ku mbahën meshtë shejte për besimtarët katolik nga Kosova dhe më gjërë. Duhët theksuar se në vitin 1997 edhe në krahinën e Bayern-it me seli   në   Münich  u hap edhe një qendër e Misionit Katolik Shqiptar ku Misionar u emërua Dom Pashk Dani. Mirëpo pas disa vitesh veprimtarie kjo seli u mbyll. Besimtarët përseri vazhdojnë të marrin pjesë në meshtë e tyre sepse  Misionari i tanishëm Pater Marjan Lorenci mbanë meshë e që herë pas here i ndihmon edhe Pater Shtjefen Doda i cili vjen nga Salzburgu i Austrisë. Siq po vërehet qartë se teritori ku mbahën meshtë është shumë i gjerë atëherë  vetvetiu duhët ti kuptojmë vështërsitë që kanë pasë dhe ka Misionari në realizimin e kësaj detyre. Me qindra-mijëra kilometra udhëtim nëpër autostradat  pa kufi të Gjermanisë, plotë rreziqe gjatë udhëtimit, shumë orë pritje etj. Janë vetëm disa peripeci që ka Misionari bashk me motrat. Besimi në Zotin, vullneti i fortë për predikim të fjalës së Zotit bëjnë që çdo gjë të ecë rrugës së vetë normale në mënyrë që besimtarët çdo të shtunë dhe të diel ta kenë mëshën  shejte.                                                                                                                        

AKTIVITETE  TJERA TË MISIONIT

Dihet mirëfilli se veprimtaria kryesore  e Misionit Katolik Shqiptar në Gjermani është ana fetare, pastorale. Mirëpo ky Mision ka pasë dhe ka shumë aktivitete të ndryshme kulturore dhe fetare.  Këto veprimtari i imponon vetë mënyra e punës dhe vendi se ku veprohet. Mërgimtarët kanë tëpër nevojë për jetë të organizuar kulturore. Pas javës së lodhshme nga puna, me gëzim e presin të dielën për të shkuar në meshë. Përveq meshës e cila është kryesorja, ata bisedojnë me njeri tjetrin, qajnë hallet e përditëshme  që jep jeta e rëndë e mërgimtarit. Në këto raporte të mërgimtarëve, Misioni luan rol shumë të rëndësishem duke organizuar rregullisht takime të ndryshme. Për këto takime mërgimtarët tregojnë interesim të theksuar posaçërisht të rinjtë. Takimet më të rinjtë mbahën për çdo vit në qytete të ndryshme të Gjermanisë. Qellimi i tyre është edukativ dhe argëtues, njoftime, shoqërime etj. Për gjatë këtyre 25 viteve , këto takime janë treguar të suksesshme duke e arritë qëllimin e tyre. Rregullisht mbahen takime me nëna, me vajza, me gra etj. Në këto takime një rol shumë të rëndësishëm luajnë motrat, të cilat me një dashuri shumë të madhe kryejn detyren e vetë. Ato janë shumë të afërta me të gjithë besimtarët e posaçërisht me fëmijtë. Misioni thuajse për çdo vjet organizon shtegtime për në vendet e shejta. Shtegtimi në Lurd është tradicional. Në këto shtegtime ka bashkëpunim edhe me Misionet tjera si të Zvicres dhe të Kroacisë.
Nga veprimtaria kulturore e Misionit, vlenë të theksohet botimi i revistës së Misionit me titull: „ZËRI I MISIONIT“.

Këtë revistë e kanë përgatit dhe udhëheq për 13 vjet Pater Hili dhe Pjetër Mjeda. Revistë fetare, kulturore dhe argëtuese për mërgimtarët, të cilët me andje dhe dëshirë e kanë lexuar kurse disa edhe kanë mësuar prej saj. Botimi i librit me këngë meshtarake „Ti këndojmë Zotit“ Stuttgart 2001 është një ndihmesë e madhe për besimtarët. Në këtë libër janë të përfshira shumë këngë që këndohen në meshën shenjte nga kori i Misionit dhe populli. Pjesmarrja në meshën e së dielës në Stuttgart është një kënaqësi dhe bukuri e veçantë. Këtë bukuri ia shton kori i Misionit  i udhëhequr nga motrat. Këtë rregull e kemi trashëguar nga Misionari i parë Patër Hil Kabashi i cili shërbeu deri në vitin 1995 kurse në fund të vitit 1996 u emërua nga Selia e Shejtë  Ipeshkv dhe u caktua administrator për Shqipërinë e Jugut me seli në Vlorë detyrë të cilën e kryen edhe tani.

Në shtator të vitit 1995 Misionar vjen Patër Anton Nua i cili shërben deri në vitin 2006 kurse Misionar aktual është Patër Marjan Lorenci. Motrat që kanë shërby në këtë Mision kanë qenë Hilda Karrica dhe Irena Pernrecaj kurse aktualisht në shërbim janë Motra Klara Curri dhe Terezina Paluca në vend të motres Angjelina Nikollprenkaj të cilat i takojnë rendit kishtar të Shën Françeskut.

Nga Pater Hili është përgatitë dhe botuar një libër me titull: „Këngë për Advent dhe Krishtlindje“ Stuttgart 1992 dhe një libër për Krezmim „Të rritur në Krishtin“ Stuttgart 1993, një audiokasetë me këngë të përzgjedhura dhe të kompozuara nga vetë autori Pater Hil Kabashi për Krishtlindje.Në kuadër të Misionit, veprojnë me shumë sukses disa grupe si ai muzikor, i valltarëve, grupi dramatik dhe i recitatorëve. Paraqitjet e tyre nëpër festa dhe solemnitete të ndryshme janë kënaqësi e rrallë për mërgimtarët. Janë të shumta paraqitjet e tyre para mërgimtarëve, me të vetmin qëllim, që mërgimtarët të jenë të bashkuar dhe ta ruajnë, ta kultivojnë gjuhën amtare, kulturen  dhe identitetin e tyre kombëtar. Rol shumë të rëndësishen ka pasë dhe ka vijimi i besimit ose përgatitjet për kungimin e parë dhe krezmim. Këto përgatitje bëhën ekskluzivisht në gjuhën shqipe. Kjo do të thotë shumë për fëmijët mërgimtar. Ata mësojnë besimin në gjuhën e tyre amtare, e kultivojnë atë ,çka do të thotë se ajo që mësohet në fëmijëri dhe rini nuk harrohet lehtë kurse e mira është se e mësojnë në gjuhen shqipe. Pra, një shkollë e vërtetë shqipe.

Misioni Katolik Shqiptar në Gjermani me seli në Stuttgart, vepron në kuadër të Dioqezës Rotenburg-Stuttgart në formen e plotë juridike. Kjo do të thotë se puna dhe veprimtaria e Misionit janë të pranuara plotësisht nga Kisha dhe shteti gjerman. Është subkejti i vetëm shqiptar(përpos shkollës shqipe) që ka këtë status veprimi në formë të plotë juridike.

Misionari është gjithnjë në shërbim të mërgimtarëve duke u dalë në ndihmë atyre në çdo rast. Në kuadër të Misionit organizohen për çdo vit vijimi i besimit për fëmijët, përgatitja për kungimin e parë dhe krezmim. Gjerë më tani kungimin e parë e kanë marrë 195 fëmijë. Këtu duhet pasë parasysh se edhe kungimin e parë edhe krezmimin një pjesë e madhe e fëmijëve  e marrin nëpër Kishat gjermane sepse kjo organizohet nga shkollat ku ata vijojnë mësimet. Janë krezmuar 392 fëmijë, janë pagëzuar 738 fëmijë dhe janë kurorëzuar 119 çifte.

Misioni Katolik Shqiptar në Gjermani ka bashkëpunim të mirë me Misionet tjera në Zvicër dhe Kroaci kurse nga Ipeshkvia e Kosovës vijnë shpesh mysafirë të nderuar. Misionin tonë e kanë vizituar Ipeshkvit e Kosovës Imzit Nikë Prela, Imzot Mork Sopi dhe së fundi Imzot Dodë Gjergji. Por kësaj radhe, mendoj se duhët përmendur, një vizitë e veçantë që i është bërë Misionit tënë në Stuttgart në vitin 1992. Fjala është për Pater Zef Pllumin. Posa i liruar nga burgu i gjatë dhe shumë i mundimshëm, me ftesën e Pater Hilit, Pater Zefi pas meshës  na mbajti një ligjëratë të shkurt por interesante për ne. Pasuan pyetje e përgjigje interesante. I qetë, i vëmendëshëm, tepër i qartë dhe shumë konciz në përgjigje Pater Zefi, autori i veprave monumentale „Rrno vetëm për me tregue“ dhe  „Histori kurrë e shkruese“, na tregoj një barsoletë lidhur me tolerancen fetare dhe kohën e islamizimit të shqiptarëve. „Një Pashë paska pasë caktuar një roje për ti përcjell njerëzit që kanë thënë se e kanë ndërruar fenë ,se me këndë po rrijnë gjatë ditës. Dhe kur ia jep raportin në mbrëmje Pashës, roja i thotë: Pashë, gjithë ditën rrijnë bashkë, pijnë raki e pijnë venë, nuk e dinë kush se cili ashtë turk e cili i kështenë“.
Pra, edhe humori ishte dhunti , tipar e njeriut të madh Pater Zef Pllumit.

Mund të konkludojmë lirisht se Misioni Katolik Shqiptar në Gjermani me seli në Stuttgart, gjatë këtyre 25 viteve të veprimtarisë së vetë ka arritë qëllimin kryesor.  Gjatë këtyre viteve, ka pasë punë, angazhim, rezultate të prekshme dhe shumë suksese. Më të drejtë mund të themi se është Misioni që rrezaton në diasporë.Misioni

Shkruan:

Lekë Preçi
Pater Marjan Lorenci

Stuttgart

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen