PSHDK-ja është kundër themelimit të universiteteve të reja në vend

Analiza & Komente | admin | 31.05.13 | 19:20

Vendimi i qeverisë së Kosovës, për të themeluar universitete të reja në vend, për Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK) është një anomali e radhës e kësaj qeverie, të çorientuar dhe pa politika arsimore adekuate dhe të shëndosha për të mirën e vendit. Me qasjen e saj infantile dhe ambiciet e saj të dukshme politike, kjo qeveri tani e dy mandate, vetëm se e ka thelluar degradimin e arsimit në vend, i cili sipas të gjithë parametrave, le shumë për të dëshiruar.

Shteti duhet të bëjë politika të mirëfillta arsimore dhe ato duhet të bazohen në nevojën që ka tregu dhe ekonomia jonë për kuadro. Qeveria nuk duhet të krijojë universitete për të kënaqur egot e grupeve të interesit dhe për të mbyllur rininë kot brenda mureve të universiteteve, sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm se Kosova s’ka kapacitete për të pasur kaq shumë universitete.

Universitet e reja krijohen konform kërkesave të tregut dhe nevojës që ka vendi për kuadro të reja të kualifikuara. Ky vendim i qeverisë, nuk është i bazuar në parallogaritje të tregut, nuk është motivuar nga nevoja që ka vendi, por është një kalkulim thellësisht politike i partisë në pushtet.

PSHDK-ja është bindur se një shtet nuk mund të konsolidohet dhe as të përjetojë zhvillime të hovshme e pozitive, pa një arsimim shumë cilësor. Shkollimi, e sidomos ai i larti, është nga prioritet më të larta të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian, aty ku aspirojmë edhe ne të integrohemi. Kosova këto vite të pasluftës, nuk ka zhvilluar asnjëherë politika të mirëfillta arsimore, prandaj sot gjendjen në arsim e kemi të mjerë.

Qeveria e Kosovës, në vend që të depolitizojë universitetin publik të Prishtinës, të cilin e ka politizuar vet, ajo hap universitete të reja dhe kështu hapë plagë të reja. Qeveria duhet të fokusohet në përmirësimin cilësor të këtyre universiteteve që ka hapur, e që janë pasqyra më e keqe e degradimeve në vend. Prandaj për PSHDK-në, vendimi i qeverisë për krijimin e universiteteve tjera, është një hap tejet i pamenduar dhe jashtë nevojave që ka vendi ynë. Këto universitete, të hapura në shumë qendra të Kosovës, mund të kenë vetëm një të mirë: të bëhën ente sociale dhe assesi të prodhojnë kuadro të ditura e kompetente për të ardhmen e vendit.

Sistemi universitar në Republikën e Kosovës ka degraduar rëndë, prandaj themelimi i universiteteve të reja, vetëm sa e sforcon këtë degradim. Qeveria e Kosovës, nuk duhet assesi të krijojë kontingjente të rinjsh të pajisur me diploma, por pa dije dhe pa kompetenca. Ne të gjithë jemi dëshmitarë se gjatë këtyre viteve ka ndodhur një gjë e tillë, sepse kemi kontingjente të rinjsh me diploma të larta por pa punë.

Ne vlerësojmë se qeveria e Kosovës, do të duhej të përqëndrohej më shumë në mëkëmbjen e Universitetit të Prishtinës dhe futjen e tij në binare normale të funksionimit, si të gjitha universitet moderne, e jo të krijojë universitete të reja sa për sy e faqe.

Kosova me këto universitete, e sidomos me kolegjet e shumta dhe jo cilësore, po i shkakton plagë të mëdha të ardhmes së vendit dhe po krijon një iluzion të rrezikshëm te rinia.

Dr. Ukë Berisha,
Kryetar i PSHDK-së

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen