Fotografia si fetish

OP-ED | admin | 21.09.11 | 23:00

Për një dëshirë të paplotësuar të Behgjet Pacollit, maninë për fotografi me amerikanë dhe postin e keqkuptuar.

Nga Imer Mushkolaj më 22 shtator 2011 në ora 12:05

Do të jepte para, shumë para po të mund ta siguronte një fotografi të hënën. Me Zonjën Sekretare të Shtetit. Jo fotografi dosido, por duke ia shtrënguar dorën. Por, Hillary Clinton nuk denjoi t’ia ofrojë këtë kënaqësi Behgjet Pacollin. Ua zgjati duart, sa për fotografi, presidentes Atifete Jahjaga dhe kryeministrit Hashim Thaçi. Pacolli u mjaftua me praninë në takim. 

Një ditë më parë, në takimin me sekretarin e përgjithshëm të OKB’së, Ban Ki-moon, Jahjaga e Thaçi u shoqëruan nga shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj. Mendohej se treshja e njëjtë do të pritej edhe nga Sekretarja Clinton. Por nuk ndodhi kështu. “Befasisht” përballë Clinton’it u gjend Pacolli. Sigurisht në cilësinë e Zëvendëskryeministrit të Parë. 

Vite me radhë, Pacolli ka bërë çmos të paraqitet si dashamir i amerikanëve. E kaluara e tij e lidhur me Rusinë vazhdon ta përcjell si hije, pavarësisht përpjekjeve për t’u paraqitur tjetër. Në këtë vazhdë duhet parë edhe atë të së hënës. 

Po çfarë deshi Pacolli në takimin me Clinton? Pse aty nuk ishte ministri Hoxhaj, por Pacolli? Kush është homologu i Sekretares Clinton? A mos do të ishte më mirë që Pacolli të qëndronte në Kosovë, si njeriu i dytë i Qeverisë, në kohën kur Veriu mbetet i bllokuar dhe kur dy udhëheqësit tjerë të vendit gjenden në SHBA? Tekefundit, çfarë kuptimi ka të jesh “Zëvendëskryeministër i Parë” i një qeverie, e të mos e kryesh detyrën që të takon? Apo, është dashur të shpiket një post i tillë për t’ia kënaqur ambiciet politike një njeriu, i cili me çdo kusht duhet të jetë diku, duhet të jetë i rëndësishëm? 

Sa mirë do të ishte që Pacolli, si njeriu i dytë i Qeverisë t’i vizitonte shqiptarët e bllokuar në fshatrat e Veriut, siç bënte dikur kur provonte ta luante sa më mirë rolin prej presidenti dhe kur dëshironte që ta mbante atë post me çdo kusht. 

* * * 
Fotografitë me zyrtarë të lartë amerikanë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një lloj fetishi për politikanët kosovarë. Rastet e tilla ata i kapitalizojnë sa më shumë që munden, për t’i përdorur më pas në fushata zgjedhore dhe në luftë me rivalët, si shembull të përkrahjes amerikane. 

Në fundin e viteve ’90, një fotografi e Dr. Ibrahim Rugovës me presidentin e atëhershëm Bill Clinton ua zgjati shpresat shqiptarëve të Kosovës se lufta me Serbinë mund të shmangej dhe politika paqësore po sillte rezultat. Pas luftës, çështja e fotografive u kthye në obsesion. Shumë politikanë ngarendën të publikojnë fotografi me komandantë, heronj e dëshmorë. Iu ndihmoi edhe photoshop’i. Por, amerikanët mbetën ndër më të dëshiruarit për fotografi. 

Një e tillë me Joseph Biden, bashkë me një lëvdatë të tij, Hashim Thaçi dhe njerëzit e tij nuk ngurruan ta përdorin në fushatë. Para tij, Veton Surroi mbuloi rrugët me fotografinë ku shihej bashkë me George Bushin. Manisë nuk i shpëtuan as kandidatë e kandidate për deputetë. Njëra nga to, madje, në Facebook vendosi fotografinë e retushuar në të cilën shihej afër presidentit Barack Obama, thuajse njeriu i parë i botës i kishte rezervuar pritje vetëm asaj. E kur Atifete Jahjaga u zgjodh presidente, në biografinë e varfër të saj pashmangshmërisht u përfshi edhe një shtrëngim duarsh me Hillary Clinton, në fotografinë e realizuar gjatë një trajnimi në SHBA. Të mos flasim për gratë e shoqërisë civile kosovare, të cilat ende vazhdojnë që në ekranet televizive të prezantojnë fotografinë e përbashkët me Clinton, gjatë vizitës së saj në Kosovë. Vetëm mund ta paramendoni sa e çmueshme do të ishte një e tillë për Pacollin. 

* * * 
Behgjet Pacolli bëri çmos që të paraqitet si serioz në politikë. Harxhoi miliona për të paguar analistë e pensionistë amerikanë, për ta mbështetur në fushata elektorale. Së fundi mblodhi rreth partisë së tij një kalavesh partish të vockla dhe me një koktej të tillë, e sidomos me ndihmën e Partisë së Drejtësisë, ia doli ta kalojë pragun dhe të futet në Parlament. Pas përpjekjes së dështuar që të bëhet president serioz, në pozitën e “të domosdoshmit” u gjet në Qeverinë e Hashim Thaçit, bashkë me aleatët e vet. E bashkë me të, pjesë e Qeverisë u bë edhe Partia e Drejtësisë, një parti islamiste. 

WikiLeaks ka publikuar shqetësimet e diplomatëve amerikanë në Prishtinë për koketimin e Pacollit me këta elementë islamistë, të cilët po kërkojnë që Kosovën ta shndërrojnë në diçka që nuk ka qenë asnjëherë. Kjo, veç tjerash, ka bërë që Pacolli të vazhdojë të mos shihet me sy të mirë nga Washingtoni. Ai mund ta sjell mysafir në shtëpinë e tij presidentin e Hondurasit, mund t’i organizojë edhe një pritje të pa lavd atij, por është joserioze që Pacolli të konsiderohet politikan serioz. Partinë e ka sa për hobi, do të thoshte WikiLeaks. 

Për të ardhur në pushtet, Pacolli pagoi çmim të lartë, duke iu bërë vend në Ekzekutiv edhe Ferid Aganit me shokë. Në këtë mënyrë, ai rrezikoi veten dhe vendin. Si miliarder, ai është mësuar të paguajë për imazhin e vet. Tash i duhet të paguajë edhe me rrezikun e karrierës. 

Injorimi i Pacollit në SHBA është një shuplakë për të dhe vërejtje për Thaçin. Aventurierëve politikë nuk duhet dhënë shans.

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen