Pyetjet jashtë teme…

Diaspora | admin | 29.09.11 | 17:22

Si për dhjetëra e qindra bashkëmërgimtar të tjerë edhe për ne, në vendet e huaja ku ne jetojmë, larg vendlindjeve tona që nga braktisja e atdheut, për të jetuar gjithmonë me përmalljen e madhe dhe kujtimet e paharruara të tij.

 

Ndaj lajm i veçantë për shqiptarët e Cyrihut me rrethinë dhe të gjithë kantoneve zvicerane, ishte lajmi për ardhjen e ministrit të diasporës dhe ambasadorit të shtetit,i cili kishte gëzuar pa masë të gjithë mërgimtarët pa dallim duke na bërë të gjithëve të shpresonim më shumë seç ishim mësuar deri më tani me tubimet tona „jetime“ pa pjesëmarrjen e ndonjë funksionari shtetëror, bile edhe përtej nostalgjisë sonë tashmë gati të harruar të një takimi të thjeshtë bashkëmërgimtarësh,pasi që ne këtë në intuitën tonë emocionale e kishim menduar si një takim thuaja se „historik“ të posaçëm dhe të një rëndësie të veçantë.

 

Kështu që më 27 shtator të këtij viti ,në lokalet e Konsullatës së Kosovës në Cyrih të Zvicrës, në një sallë të vogël të improvizuar dhe me pak vende ku nuk kishte më shumë se 25-6 ulëse u mbajt edhe mbledhja e parë e përfaqësuesve të ministrisë së diasporës me mërgimtarët shqiptar në Zvicër për diskutimin e projektligjit mbi diasporën. Tubimi ishte paraparë të fillonte më Orën 18,mirëpo filloi me vonesë, në Orën 19.20 minuta, por që njerëzit vazhdonin të vinin edhe pas orës-njëzet,ku përveç ambasadorit Malaj ishte paralajmëruare edhe ardhja e ministrit për diasporën, z. I. Makolli,i cili për shkaqe objektive,nuk arriti të vinte,derisa të pranishëm ishin z.Besim Kajtazi, përfaqësues i zyrës së Kryeministrit, z. Naim Malaj Ambasador i Kosovës në Zvicër dhe z. Muharrem Xhemajli si përfaqësues i ministrisë së diasporës.

 

Përkundër dëshirave të mëdha dhe pritjeve ndoshta paksa të ekzagjeruara të mërgimtarëve për përkrahjen e munguar institucionale nga ana e shtetit tonë, sikur harruam për një çast- se jo fort larg në kohë, ne vet ishim dëshmitarë të mënyrës se si u bë përzgjedhja e përfaqësuesve të Kosovës jashtë vendit, një pjesë e të cilëve përkundër shpresës të shumë atyre që besuan se pa marrë parasysh mënyrën e katapultimit të tyre në këto ofiqe të nderuara, ata do ti arsyetonin emërimet në këto poste duke dëshmuar aftësi dhe autoritet konform seriozitetit të pozitës që momentalisht mbajnë, me punë konstruktive të cilën natyra e funksionit të tyre shtetëror e kërkon,por që në masën më të madhe ato nuk u arritën asnjë herë.

Ne jemi të vetëdijshëm për kapacitetet e kufizuara të tyre,ndaj nga përfaqësuesit shtetëror ne nuk presim e as dëshirojmë që ata të përdorin fjalë të mëdha dhe premtime të parealizueshme për ne, por të shprehje të thjeshta, të qarta dhe të kuptueshme për të gjithë, gjë që e prisnim pas krijimit të shtetit tonë të lirë me kaq mund e sakrifica të të gjithë shqiptarëve,me shpresë se edhe ne mërgimtarët,më në fund do të trajtoheshim si të barabartë, ne të shumëvuajturit ndër vite e dekada, dhe të paktën të pranoheshim si shtetas dhe njerëz të këtij vendi,nga ata që sot përfaqësojnë institucionet e shtetit, të arritur me vuajtje e sakrifica dhe përpjekje të panumërta,për krijimin e tij.

 

Por sipas zhvillimeve në vend dhe asaj që ne shohim përmes këtyre takimeve,lind përshtypja se domosdo na duhet një freskim institucional, sidomos tek njerëzit që mbajnë shenjën e privilexhimit, nëse duam të ndihmojmë të ardhmen tonë, duke mos lejuar vazhdimin në pafundësi të padrejtësive ndaj njerëzve të pafajshëm të diasporës sonë, por të zgjidhen njerëz që dinë të zhvillojnë trajtim të barabartë për të gjithë dhe të pranojnë e respektojnë të drejtën njerëzore të secilit, si në vend ashtu edhe ndaj mërgimtarëve në diasporë të cilët nuk duan asgjë më shumë përveç asaj që u është “mohuar” për vite me radhë, regjistrimin dhe pranimin si shtetas me të drejta të plota,nga vendi të cilit i takojnë.

 

Edhe pas disa zhvillimeve të përsëritura të cilat në thumb kanë shqiptarët si tërësi, e që siç edhe dihet këto tanimë nuk janë të parat e as të vetmet këtu në Zvicrën gjermanishtfolëse, ne kishim përshtypjen se ambasadori ynë, nuk do të mjaftohej vetëm me një reagimi të zakonshëm,por me gjithë pritjet tona ai nuk doli me ndonjë deklaratë të fuqishme dhe të vendosur diplomatike në mbrojtjen e shqiptarëve për t’iu kundërvënë në mënyrë më bindëse atakeve kontinuitive dhe të pa ndalshme ndër vite dhe dekada,të cilat si të tilla datojnë që nga kohët tona më të vështira,të vitit 1998 dhe vazhdojnë edhe sot,nga partia popullore zvicerane SVP, ndaj shqiptarëve në këtu.

 

Megjithëse disa pjesëmarrës të cilët gjatë diskutimeve të tyre të gjata edhe pse vet nga disa herë deklaroheshin se nuk ishin jurist,ata (ndoshta) si të porositur që takimi të përkufizohej vetëm në atë „rreth“ vicioz, morën shumë kohë duke diskutuar përmbajtjen juridike, pa qenë në gjendje të japin përgjigje konkrete juridike,rreth propozimligjit për Diasporën,me ç`rast nuk munguan edhe kritikat e drejta për mangësitë e mëdha gjuhësore të propozimligjit për diasporën.

 

Pjesë e këtij takimi isha edhe unë,ku thënë të drejtën, më tepër mora pjesë nga kureshtja dhe dëshira për të qenë pjesëmarrës i një takimi të tillë ku mendoja se me vet pranin e përfaqësuesve tanë shtetëror nuk do të shihnim një tubim të zakonshëm por një më ndryshe dhe të organizuar më mirë,ndaj pasi isha pak i ftohur, doja vetëm të dëgjoja dhe nuk e kisha ndërmend të diskutoja,se më ishte marrë edhe zëri nga Gripi që më mundonte, por pasi që të tjerët propozuan,pyetën dhe diskutuan për shumë gjëra,por sipas bindjes sime jo edhe për problemet konkrete që neve si mërgatë dhe shqiptar na mundojnë, nuk mu durua që të mos pyesja dhe unë me sa vijon:

 

 Përshëndetje z. ambasador,i nderuari përfaqësues i zyrës së Kryeministrit dhe ministrisë së diasporës;

 

1. Zotëri Xhemajli, ju si përfaqësues i ministrisë së diasporës desha t`iu pyes se përse nuk regjistrohet mërgata,derisa thuhet se ka rreth dyqindmijë shqiptar në Zvicër(treqindmijë më përmirësoi ambasadori me gjithë shqiptarët nën Maqedoni ) A ka dikush nga ministritë përkatëse njohuri apo,shënime se sa nga mërgimtarët tanë janë të regjistruar si shtetas të Kosovës e sa jo dhe kur do të regjistrohen edhe ata që nuk kanë mund të regjistrohen deri më tani, që siç dihet janë të shumtë në numër.

 

2. Zotëri Kajtazi, pasi që ju si përfaqësues i zyrës së Kryeministrit e përsëritët disa herë se kishit takime bilaterale me qeveritarët turq për hapjen e qendrave reciproke- kulturore, në takimet tuaja bilaterale me qeveritarët turq, a keni kërkuar ju që edhe ata të lejojnë hapjen shkollave shqipe në Turqi,kur dihet se atje ekzistojnë rreth katër milion shqiptar të cilët siç kishim rastin ti shihnim në televizion ata edhe sot flasin shqip, dhe nëse nuk e keni kërkuar deri më tani,a ka mundësi që ju ta bëni këtë zoti Kajtazi për shqiptarët tanë atje, në takimet tuaja të ardhshme si përfaqësues i zyrës së kryeministrit?

 

3. Zoti Ambasador lidhur me sulmet e përsëritura kolektive mediale të Partisë popullore zvicerane kundër gjithë diasporës shqiptare në Zvicër, a ka mundësi të reagohet më shpesh dhe më fuqishëm me argumente si nga ambasada jonë në Bernë ashtu edhe nga Konsullatat tona, ngase ne atakohemi pa të drejtë,dhe sulmet me breshëritë e shigjetimeve të SVP-s, kundër nesh nuk kanë të reshtur që nga viti 1998 ndaj shqiptarëve si tërësi këtu,por deri më tani nuk kishim përfaqësues shtetëror që të dilnin në mbrojtjen e të drejtës sonë, kurse tani ne e presim këtë nga juve. A ka mundësi të reagohet më fuqishëm nga ju si nga Ambasada ashtu edhe nga Konsullatat tona në Zvicër?

 

Me gjithë përpjekje,që ambasadori bënte,për të lënë përshtypjen e një zyrtari të mirësjellshëm,shtrimi i pyetjeve mbi mosreagimin e mjaftueshëm ndaj atakimeve të mërgatës sonë nga SVP-në Zvicër,nuk e la të qetë dhe përveç skuqjes së momentit ai nxitoi për ti quajtur ato edhe „pyetje jashtë temës“ dhe nuk lejoi përgjigje për asnjërën nga tri pyetjet e ndryshme të parashtruara të tre zyrtarëve tanë shtetëror,me arsyetimin se ato nuk përkojnë me temën, anipse ne për afro tri orë, vetëm rreth atyre temave biseduam. Madje ai nuk pranoi të diskutohej fare as rreth temës së nxehtë për atakimin e padrejtë dhe kolektiv të shqiptarëve në Zvicër që brengos gjithë „Diasporën“ me arsyetimin se paska reaguar,dhe ata që kanë dashur duhet ta kishin përcjell për ta par reagimin e tij, dhe e kanë parë, kush ka dashtë e ka përcjell…..e kështu me radhë….

 

Ne këtu jemi mësuar të dëgjojmë se për të arsyetuar pozitën e një ambasadori dhe peshën e funksionit të tij ,përfshi edhe përgjegjësit që t’iu qaset realisht problemeve me të cilat ballafaqohen mërgimtarët,një ambasador duhet të reagoj shpejt dhe fuqishëm sa herë paraqitet nevoja-konform obligimeve të tij zyrtare që i ka të përcaktuara edhe më Kushtetutën e shtetit që përfaqëson,duke u deklaruar në mënyrë zyrtare me argumente autentike para opinionit vendor e ndërkombëtar, sa herë paraqitet nevoja kur atakohen interesat e shtetit dhe sulmohet pa të drejtë dhe kolektivisht e gjithë diaspora,si kjo e jona,në këtë vend.

 

Pasi që tanimë për të gjithë është e njohur se qëndrime të ngjashme janë vërejtur edhe me rastin e zgjedhjes së kuadrove tjera në postet e ambasadorëve të Kosovës, sjellje të tilla të lënë të kuptosh se ngritja e disa njerëzve në karrierë nuk duket të ketë ardhur për shkak të arritjeve të tyre shkollore dhe aftësive të treguara politike, apo mungesës së konkurrentëve që kanë mund të ofrojnë më shumë për Shtetin dhe diasporën tonë,por për shkak të lidhjeve familjare apo politike,që mund të kishin me Kryeministrin apo ish-Presidentin Sejdiu.

 

Ndaj shumë pyetjeve të parashtruara,vërehej haptas përpjekja për tu dhënë të njëjtën përgjigje të shprehur me fjalë tjera por të pa definuar asnjëherë qartë,të cilat nuk lidheshin fare me asnjë afat të përcaktuar kohor për aprovimin dhe hyrjen në funksion të ndihmimit apo institucionalizimit të diçkaje, qoftë edhe të arsimimit në gjuhën shqipe në Zvicër dhe gjithandej në diasporën shqiptare.

Ndaj ne jemi thellësisht të bindur se shumica e mërgatës shqiptare në Zvicër, Evropë, Azi e Amerikë,dhe gjithandej ku ajo ekziston,dëshiron më shumë sqarime konkrete të afatizuara në kohë dhe të aplikuara në vepër për aprovimin e ligjeve për diasporën dhe startimin e funksionalizimit të tyre në dobi të mërgatës së madhe shqiptare me shumë halle, kudo ajo ekziston.

 

Përfaqësuesit e shtetit duhet të dalin hapur në mbrojtjen e interesave shtetërore kur ato atakohen nga kushdo qoftë,dhe të përkrahin e ndihmojnë edhe mërgatën tonë kur ajo pa të drejtë sulmohet kolektivisht,ngase ata janë aty për t’i mbrojtur qytetarët dhe të drejtat e tyre të cenuara dhe jo ti anashkalojnë kërkesat e tyre pa dhënë asnjë shpjegim për brengat e tyre të shumta dhe të pazgjidhura asnjëherë institucionalisht nga ana e përfaqësuesve tanë shtetëror.

 

Organizimi i këtij tubimi,me gjithë optimizmin tonë të madh dhe diskutimet disaorëshe, la përshtypjen se është organizuar për plotësimin e agjendës sipas radhës,sa për sy e faqe,pasi që nuk u premtua asgjë konkrete dhe nuk u dha asnjë përcaktim i qartë kohor, të paktën për institucionalizimin e shkollës në gjuhën shqipe në diasporë,gjë e cila u kërkua në mënyrë të përsëritur për disa herë nga përfaqësuesi i LAP-shit, në pranin e përfaqësuesve të ministrisë së diasporës dhe ambasadorit,por nuk mori asnjë përgjigje konkrete dhe as afat të përcaktuar kohorë,se kur mund të ndodhte një institucionalizim i tillë.

 

 Me sa arrijmë ne të kuptojmë ,ambasadori përfaqëson shtetin jashtë vendit,ndaj ai duhet të jetë më i afërt edhe me mërgimtarët dhe ti dëgjoj më me vëmendje hallet e tyre,të deklarohet më shpesh dhe fuqishëm kur konsiderohet se atakimet ndaj shqiptarëve janë të dëmshme për ta dhe interesat legjitime të Republikës së Kosovës,ngase mërgata edhe pse është në dijeni të hezitimit nga organet zvicerane kur ishte në pyetje emërimi z. Malajt Ambasador, dëshiron ta dijë a kemi vërtetë ne-një ambasador të shtetit apo një figurë reprezentative të shqiptarëve me punë dhe banim në Zvicër, i cili ndoshta në të ardhmen e afërt,nga ne do të kujtohet si një nga ambasadorët e emëruar për përmbushjen e vakancës së radhës, emri i të cilit rastësisht u nxor nga xhepi i ish presidentit Fatmir Sejdiu,duke u arsyetuar edhe emërtimi i tij, para hezitimit të organeve zvicerane si balancim për ruajtjen e baraspeshës së emërtimeve politiko-partiake në Kosovë….

 

 

 

Cyrih 28 Shtator 2011

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen