Figurat kombëtare të mbrohen me ligj

OP-ED | admin | 20.06.13 | 22:28

Pas deklaratave fyese dhe tronditëse ndaj heroit tonë kombëtar, nga një deputet i pozitës, e cila është zotuar për Kosovën europiane, kohëve të fundit, në mediat shqiptare si dhe në jetën politike, është hapur një debat rreth figurës së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Ky debat, i stisur nga disa persona që kanë kriza identiteti, po rrezikon të polarizojë shoqërinë tonë dhe kombin shqiptar në përgjithësi, në një kohë kur kemi nevojë për unitet dhe harmoni. Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), me shqetësim të thellë i ka analizuar zhvillimet e fundit rreth kësaj çështjeje madhore dhe na brengos fakti se qeveria e as partitë që janë në pushtet, nuk janë deklaruar rreth kësaj çështjeje.

Për ne, përpjekjet për të krijuar tensione fetare, në forma të tilla, në kohën kur vendi ka shumë sfida më të mëdha, janë me qëllime të pastra ogurzeze për vendin dhe të ardhmen e tij. Kosova ka kohë që ka proklamuar rrugën e vet drejt Perëndimit, demokracisë perëndimore dhe vlerave perëndimore. Deklarime e tilla janë tendenca për të ndërprerë rrugën e saj. Deklaratat e një politikani kosovar, deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës dhe nga radhët e një partie që është pjesë e kabinetit qeveritar, se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është hero i katolikëve, nuk duhet neglizhuar dhe parë si çështje të mbyllur. Kjo është një tendencë ogurzeze, që vazhdon të përsëritet nga individ dhe kështu po rrezikon të krijojë tensione të panevojshme dhe tepër të rrezikshme për vendin. Këto elemente, seriozisht mund të dëmtojnë kohezionin e brendshëm kombëtar, për faktin e thjesht se shqiptarët edhe pse jetojnë në disa shtete, kanë një histori kombëtare unike. Andaj, mosreagimi i partive të mëdha në vend për këtë çështje kaq të rëndësishme, për në përbën një precedent të pakuptueshëm.

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), është e bindur se mirëkuptimi dhe bashkëjetesa fetare e shqiptarëve, është një vlerë e veçantë, e kultivuar ndër shekuj, për shkak të rrethanave dhe kontekstit specifik kombëtar. Kjo na ka bërë dhe duhet të na duhet të na bëjë krenar. Mirëpo, sulmet e egra ndaj figurave të mëdha kombëtare, që po ndodhin herë pas here, janë krejtësisht të papranueshme dhe atakojnë substancën kombëtare. Ne ju rikujtojmë të gjithëve, se në themelet e historisë shqiptare, qëndron heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, që u bë motiv për gjitha betejat shqiptare për liri dhe pavarësi. Andaj, sulmet ndaj tij, janë sinjal që duhet të na vetëdijesojnë si shoqëri, ndërkaq institucionet shtetërore, duhet të veprojmë sa më parë në parandalimin e kësaj të keqeje që po rrezikon kombin tonë dhe shtetin që po e ndërtojmë.

PSHDK-ja e bindur se një shtet nuk e mbajnë vetëm kufijtë e tij, por më shumë vlerat shpirtërore dhe historike, heronjtë që janë figura identifikuese të tij, kërkon nga gjitha institucionet qëtë mos qëndrojnë duarkryq përballë kësaj çështjeje shumë të ndjeshme dhe serioze.

Për shqiptarët kudo, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është ati i kombit shqiptar. Ata që duan ta fragmentojnë atë, duan ta ndajnë e përçajnë kombin shqiptar dhe njëherësh me këtë shpalosin ambiciet çmendurake për të amnistuar krejt pushtimin osman mbi shqiptarët. Pikërisht për këtë, qeveria duhet të distancohet nga këto deklarata të papërgjegjshme, që të qetësojë shqiptarët. Po ashtu, ne mendojmë që ka ardhur koha që figurat kombëtare të mbrohen me ligj të posaçëm.

Dr. Ukë Berisha,
Kryetar i PSHDK-së

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen