Përkujtohet në Shtutgart figura e Nënës Tereze

Diaspora | admin | 20.10.11 | 14:37

Në një ceremoni rasti të mbajtur në Stuttgart, ambasadorit Vilson Mirëdita iu dorëzua fotografia e Nënës Tereze dhe Papës Benedikti XVI.
 
 Ambasadori Dr.V. Mirdita dhe z. Tahir Shabani
 
Mesha e Pater Marjanit  mbledh çdo të diel në kishën e St. Konradit në Stuttgart besimtarët shqiptarë katolikë të famullisë së këtij qyteti dhe të rrethinës së tij. Kisha është pothuajse përherë plot, shqiptarët i kanë qëndruar besnikë kishës së tyre që prej themelimit të Misionit Katolik Shqiptar në Gjermani me qendër në këtë qytet, i cili që prej disa vitesh udhëhiqet nga Pater Marjan Lorenci.
 Valmir Prenka
 
Kështu ishte edhe të dielën e kaluar kur u mbajt mesha e rregulltë, vetëm se këtë herë mesha i kishte kaluar caqet e saj, jo vetëm sepse në të ishte ftuar dhe mori pjesë dr. Vilson Mirdita, amabasador i Republikës së Kosovës në Gjermani dhe Konsulli Faket Kajtazi, por edhe sepse shumë shqiptarë të besimit muslimanë apo, më saktë,  me origjinë familjare muslimane që jetojnë në këtë qytet dhe në qytete të tjera në Gjermani, të cilët përbënin rreth një të tretën e pjesëmarrësve në meshë, disa prej tyre për të marrë pjesë në këtë meshë  kishin udhëtuar edhe me qindra kilometra, ishin pjesë e këtij aktiviteti fetar dhe kulturor që lidhet edhe me vizitën e fundit të Atit të Shenjtë Benedikti XVI në Gjermani ku, siç dihet, ai u prit në mënyrë madhështore nga besimtarët gjermanë dhe me nderimet më të larta nga krerët shtetërorë në Berlin. Në fjalimin e tij në Bundestagun gjerman ishte i ftuar si mysafir edhe ambasadori i Kosovës, kurse në pritjen e Tij në Freiburg morën pjesë së bashku shqiptarët katolikë dhe muslimanë. Këtë fenomen, pra pritjen e përbashkët nga ana e shqiptarëve të Papës Benedikti XVI në Freiburg, mediat gjermane e shënuan dhe bën komente pozitive mbi harmoninë fetare mes shqiptarëve.
 
 Mesha e të dielës dhe pritja e përbashkët e Papës dëshmuan para botës se e shumëpërfolura tolerancë fetare mes shqiptarëve nuk është një mit propagandistik shqiptar, por një realitet i gjallë, i cili në  një botë që tronditet  nga intolernaca fetare në rritje përbën një përjashtim të madh dhe ndoshta edhe  një fenomen singular në përmasa planetare. Nëse i hedhim një vështrim zhvillimeve të fundit në Kosovë, në Shqipëri, por edhe dhe në Maqedoni, pra në hapësirën tonë kombëtare në Ballkan, shohim se pas rënjes së komunizmit në hapësirën tonë etnike janë futur edhe elementë që i iriton kjo paqe fetare mes shqiptarëve dhe prirja e tyre për të mirëkuptuar vëllaun e tyre që i ka mbetur besnik fesë së parë monoteiste shqiptare. Por ajo që ndodhi në Freiburg dhe kësaj here në Stuttgart dëshmojnë se impulset destruktive që vijnë nga jashtë dhe që për qëllim kanë rrënimin themeleve të mirëkuptimit e harmonisë fetare mes shqiptarëve, nuk kanë gjetur përkrahës dhe se sponzorët e tyre do të kutpojnë herët a vonë se resurset financiare që kanë vënë në shërbim të krijimit dhe mbajtjes gjallë të frymës të përçarjes mes vëllezërve janë resurse të shpërdoruara në dobi të spekulantëve. 
 
 
 
Në mjediset shqiptare nuk do ta ketë askush leht të bëjë punën e kolonës së pestë, pavarësisht emrit dhe rangut që gëzon apo ka gëzuar dikur. Porosia e Pashko Vasës që të mos lëmë pas dore kisha e xhamia, por para së gjithash e mbi të gjitha të mos harrojmë se feja e shqiptarit është shqiptaria, të dielën e kaluar në kishën e St. Konradit u dëshmua më e gjallë se kurrë.
 
 znj.Shabani,znj.Karrica,znj.Prenka,znj...
Shqiptarët nuk e kanë harruar atë dhe as vargjet e Fishtës që vazhdojnë të mbajnë ndezur në shpirtin e tyre: “Qoftë mallkue kush qet ngatërrime, ndër kto vllazën shoq me shoq, kush e dan me flak’ e shkrime, çka natyra vet’ përpoq”.

Nisma për këtë meshë  ku do t’i dorëzohej në mënyrë solemne amabasadorit  tonë në Berlin fotografia e Nënës Tereze dhe e Atit të Shenjtë erdhi nga Lon Karrica, Ukë Zefi , Viktor Spaqi dhe Zef Prenka, të cilët ftuan nga Emmedingen-i kryetarin Tahir Shabani dhe aktivistët e shoqatës „Yjet e Kosovës“, të cilët kanë qenë ideatorët dhe organizatorët  e pjesëmarrjes shqiptare në pritjen e Papës.  

Pas përfundimit të meshës, Pater Marjani ia dha fjalën ambasadorit dr. Vilson Mirdita. Ambasadori pasi falënderoi Pater Marjanin për ftesën tha ndër të tjera se fakti që shqiptarët e të dy feve ishin së bashku në pritjen e Papës bart në vetëvete një simbolikë domethënëse. Në këto manifestime popullore “u shfaq edhe një pamje e rrallë, një fotografi e fundit të viteve ’70 që e tregonte Papën e sotëm dhe kardinalin e djeshëm Ratzinger tek lutej pranë Nënës Tereze.” Mirdita tha më tej se “kësaj fotografie te cilën ne mënyrë simbolike duam te ja dorëzojmë Pater Marjanit, do të mund t’i venim këto fjalë të Papës Benedikti XVI si diçitur: „E lumtura Terezja nga Kalkuta është një shembull shumë i qartë nga fakti se koha kushtuar Zotit në lutje jo vetëm që e dëshmon  veprimin e dashurisë ndaj të afërmit, po në të vërtetë është burim i pashtershëm“. Ambasadori i Kosovës e vlerësoi punën e Nënë Terezës para së gjithash për shkak se ajo u shërbeu njerëzve pa bërë dallime se cilën përkatësi etnike a fetare ata kishin. Ajo u lut për ta dhe i ndihmoi në çastet më të vështira të jetës, “ por lutjet e Saj ndaj Zotit i përkisnin para së gjithash vendit të Saj, Shqipërisë, e cila me mjete të dhunës shtetërore u përpoq të dëbonte Zotin nga mendja dhe zemra e shqiptarëve. Ajo kishte mbyllur të gjitha portat me botën dhe ishte kredhur në vetminë ateiste me shpresën se do të ndodhte jo që nuk kishte ndodhur asnjëherë e askund, parajsa, ndërtimi i saj  mbi tokën shqiptare. Ne e dimë gjithashtu fundin e mjerë të  kësaj aventure komuniste dhe çmimin e lartë për shqiptarët, i dimë dhe vuajtjet që i shkaktoi atdheu i Saj Nënë Terezës. Nëna Drane dhe motra Age, kjo është një pjesë e dhimbshme e historisë së kësaj familje,  vdiqën njëra pas tjetrës brenda një viti pa parë bijën a motrën e tyre Gonxhe, e cila mijëra kilometra në lindje qau me lot të nxehtë vdekjen  e tyre, sepse shteti komunist nuk e lejoi dot vizitën e Saj në Tiranë tek nëna dhe motra e sëmurë në shtratin e vdekjes. Ishte dhimbje e madhe për të, padyshim, një dhimbje e tillë që do të rrënonte çdo zemër njeriu,  por Ajo  nuk u thye, e vazhdoi misionin e Saj të bamirësisë dhe nuk pranoi të fliste kurrë një fjalë të vetme të  keqe për atdheun e Saj.  Nëse kujtojmë vizitën e saj në Tiranë, kthimin e saj pas mbi 60 vjetësh në Shqipëri, nuk e kemi të vështirë të kuptojmë zemrën e madhe të saj.” Megjithatë, sipas dr. Mirditës, realiteti shqiptar kishte edhe një fytyrë tjetër. “Pjesa tjetër e atdheut, Kosova, që po hiqte të zitë e ullirit nën pushtimin serb, e nderoi, krenohej me të. Presidenti Rugova e njohu domethënien e misionit të saj, sepse ai e dinte që Nëna Tereze i binte kryq e tërthor botës me zjarrin e dashurisë për atdheun e saj dhe lutej e tubonte miq për të ardhmen e tij që kërcënohej ekzistencialisht. Kur u çlirua Kosova nga thundra serbe presidenti Clinton tha: e kreva porosinë e Nënës Tereze. Me imazhin e saj në botë shqiptarët ishin më të fortë dhe jo të vetmuar para makinerisë kolosale të Millosheviqit, kësaj makinerie, të cilës i tha ndalë!  Adem Jashari, i cili mishëron flijimin e mijëra  bijave dhe bijve të kombit tonë në rrugën e  vështirë nëpër të cilin ai eci i palëkundur drejt lirisë.” Duke folur për situatën nëpër të cilën po kalojnë shqiptarët, dr. Mirdita tha se “sado të pakënaqur të jemi sot me gjendjen që po kalojmë, përparimet nuk mund t’i mohojë askush. Mbi të gjitha faktin që sot kemi shtetin e pavarur të Kosovës, shtet ky që ka një rini tepër  vitale. Kosova me popullin e saj më të ri, me përcaktimin e vendosur për të ndërtuar një shoqëri demokratike sipas modelit perëndimor dhe përshpejtimin e integrimeve euroatlantike, e ka tashmë të qartë se ku është vendi i saj në të ardhmen. Armiqtë e saj do të donin një orientim krejt tjetër, në fakt një mungesë të plotë orientimi, duke iu shmangur testamentit politik të Rilindjes sonë kombëtare. Themelet e ndërtuara nga rilindasit tanë nuk lëvizin: ka një konsensus të përgjithshëm të të gjitha komuniteteve kombëtare e fetare për t`u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Një popull që i ka dhënë njerëzimit  një personalitet të tillë si Nëna Tereze ka të drejtë të ëndërrojë  për  një të ardhme të ndritshme.” Fjalën e tij  ambasadori i Kosovës e përfundoi me fjalët e Papa Gjon Palit I, cili  shkruante se „Nënë Tereza e ka shënuar historinë e shekullit XX. E ka mbrojtur me guxim të pashoq jetën, i ka shërbyer qenies njerëzore për të mbrojtur dinjitetin dhe nderimin e atyre që i kishte thyer jeta për t’i dëshmuar dashurinë e Zotit çdo krijese njerëzore. Nëna Terezë e ka bërë emrin shqiptar të famshëm në mbarë botën.“
 
Pas fjalës së ambasadorit, të pranishmit i përshëndeti edhe konsulli i Stuttgart-it Faket Kajtazi, i cili tha se konsullata e përcjellë me vëmendje punën e Misionit Katolik Shqiptar dhe e vlerëson lartë punën e tij. Ai gjithashtu e vlerësoj larte tolerancën fetare ndërshqiptare .  
 

Tahir Shabani, duke parafrazuar një thënje të Nënës Tereze tha se „ne kemi bërë diçka të vogël, por me zemër të madhe.“  Shabani tha se „ne kemi vendosur për t’i dhuruar një fotografi të Nënës Tereze ambasadorit të shtetit tonë dhe një tjetër Pater Marjanit, sepse historikisht dihet që ky institucion  e ka ruajtur ndër shekuj gjenin shqiptar.“ Fjalët e ngrohta të Tahir Shabanit bën që publiku të shpërthente në duartrokitje të forta për disa minuta, kurse të moshuarëve që e njihnin më mirë peshën e këtyre fjalëve  iu  mbushën sytë me lotë. 
 
 Misioni Katolik Shqiptar në Gjermani me seli në Stuttgart kremton meshat edhe në qytete të tjera  të Gjermanisë si Hamburg-Barmbek-Süd, Hannover-Altwarmbüchen, Düsseldorf, Koblenz-Metternich, Siegen, Frankfurt-Eschborn Mannheim,Gppingen dhe Wangen im Allgäu, pra në ato mjedise ku janë të përqendruar besimtarët shqiptarë. Veprimtaria e Misionit filloi në vitin 1984. Prej vitit 1997 për disa vite në landin e Bayern-it me seli në München pati funksionuar qendra e Misionit Katolik Shqiptar. Më vonë kjo qendër u mbyll, kështu që tani për këta besimtarë kujdeset nga Stuttgart-i Pater Marjan Lorenci, i cili nga viti 2007 ndihmohet edhe nga Pater Shtjefen Doda, i cili ndodhet në studimet postdiplomike në Austri, në Innsbruck. Një herë në muaj në kishën “Dymbëdhjetë Apostujt” në München kremtohet mesha në gjuhën shqipe për besimtarët shqiptarë.
 
Xhevat Ukshini
 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen