Intervisë nga N.Y.me z. Mhill Gjuraj

Diaspora | admin | 13.11.11 | 17:00

 

Në Amerikë janë të shumtë ata emra  shqiptarë që kanë arritur të  depërtojnë në jetën  shoqërore, afariste dhe kombëtare  etj. Dhe, kontributi i tyre  për vendlindjen (në momentet ma të nevojshme të saj), ka qenë i madh, po ashtu edhe sot është i frytshëm.

 

Njëri prej atyre personaliteteve që ka bërë  emër në jetën shoqërore dhe afariste dhe veprimtarie kombëtare, që ka vepruar  shumë  për t’i dhënë ndihmë  atdheut të tij Kosovës dhe popullit të saj, është edhe veprimtari shqiptaro-amerikan,  z. Mhill Gjuraj, nga Nju Jorku.

 

 

Këto ditë gjatë qëndrimit të tij në vendlindje, gjegjësisht në Pejë,  shfrytëzuam rastin dhe me zotin Gjuraj zhvilluam këtë  intervistë. 

 

 

● Z. Gjuraj, konsiderojmë se  tek komuniteti shqiptar që jeton dhe vepron në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork, ku dhe veproni, jeni një emër mjaft i njohur në jetën  shoqërore, politike dhe afariste, do të kishte qenë me rëndësi që  të na jepni një letërnjoftim tuajin në mënyrë që edhe opinioni  kosovar t’u njoh edhe më afër.

 

 

Mhill Gjuraj: I  lindur jam në fshatin Sverkë e Thatë të Komunës së Pejës, më 1956. Arsimimin e kam kryer në vendlindje, ndërkaq qysh nga mosha  e re, përkatësisht në moshë  16 vjeçare, bashkë me familjen kam emigruar jashtë atdheut, fillimisht në Itali, pastaj nga Italia (pas 15 muajsh), në Amerikë. Tash ka dyzet vjet që jetoj në Amerikë, në  shtetin e quajtur Connecticut, që gjendet në kufi me shtetin e Nju Jorkut.

 

 

Demokracia amerikane ofron mundësi të mëdha për njerëzit që janë të përkushtuar për të punuar dhe bërë afarizëm

 

 

●  Si ishte fillimi i jetës suaj në „Tokën e ëndërrimeve të mëdha”, në Amerikë?

 

 

Mhill Gjuraj: Pas  arritjes sime në Amerikë, gjegjësisht në Nju Jork, më 1971,  fillimisht jam punësuar në punë të ndryshme, dhe kryesisht në punët nga më të thjeshtat. Pas disa kohe jam punësuar në Stamford, që ishte një qytet afër Nju Jorkut, në një restorant italian. Për mua puna ishte pak më lehtë,  sepse kisha mundësi që të komunikoj dhe të merresha vesh ne gjuhën italiane me personelin e restorantit dhe punëtorët të tjerë. Pas disa kohësh të punës që bëra në këtë restorant, ndërrova vendin e punës  dhe prapë u punësova në një tjetër vend punim,  ku  pagesa ishte më e mirë dhe më ofroheshin mundësitë që të  kursej më shumë. Dhe, kështu fillova të investoj edhe  duke iu falënderuar demokracisë  amerikane, e cila demokraci ofron mundësi të mëdha për njerëzit që janë të përkushtuar për të punuar dhe bërë afarizëm. Pas një kohe, relativisht jo të gjatë të qëndrimit tim në Amerikë, unë me mjetet e kursyera arrita të blejë një binare tregtie dhe me të cilën pata sukses, kështu  filluan ambiciet  për  fillimin e një afarizmi dhe zgjerimin e tij, pra për të vazhduar  me investime të tjera.

 

 

●  Në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork brenda një kohe ju keni krijuar një imazh të një biznesmeni të suksesshëm dhe jo shumë të zhurmshëm?

 

 

Mhill Gjuraj: Pas disa viteve të zhvillimit të veprimtarisë sime në  fushën e afarizmit, kam pasur  suksese të konsiderueshme  rreth shitblerjeve të binareve, që më dhanë mundësi të mëdha për një zgjerim në fushën e  tregtisë dhe kisha  disa fate të pabesueshme në  ngritjen marramendëse të  çmimeve që historikisht nuk kishin ndodhur më parë, e që as sot nuk ndodhin, kështu në këtë realitet  për mua shumë i favorshëm, pata fatin të më përcjellin sukseset dhe të arrijë një biznes shumë të suksesshëm, të cilin e menaxhoj, prapë konsideroj suksesshëm.

 

● Në saje të këtyre konstatimeve tuaja do të thotë se  jeni të kënaqur me arritjet e deritanishme në fushën e afarizmit?

 

Mhill Gjuraj: Hapat e para të suksesit të afarizmit tim ua  tregova, do të thotë se jam plotësisht i kënaqur me çdo të arritur  deri me tash dhe shpresoj se çdo gjë ka shkuar hap pas hapi. Pas një kohe  unë u njoftova me një  biznesmen shumë të suksesshëm amerikan  i cili me krijoi marrëveshje  me një bankë  shumë të suksesshme amerikane, dhe me huazime shumë të volitshme dhe me interesa shumë të ulëta, për mua kjo formë biznesi më solli përfitime shumë të mëdha.

 

Ky fakt dëshmon dhe shumë të tjera  që ngërthehen në biznesin amerikan dëshmon  se filozofia e biznesit amerikan është e njohur për qëndrueshmëri dhe përcaktim se s’ka gjë që s’bëhet, vetëm duhet të jesh i përkushtuar dhe të sakrifikosh për suksesin. Sigurisht se përvojat e fituara nga biznesi dhe kultura amerikane paraqesin platformën e suksesit në biznesin tonë familjar. Falë edhe dhuntisë së Zotit dhe shkathtësive të lindura të kombinuara me shpirtin e ndërmarrësit rezulton kjo që është.

 

 

 ● Cili ka qenë bashkëpunimi juaj me afaristët të tjerë shqiptarë, amerikanë, apo të tjerë, në mënyrë që të arrini një biznes të  suksesshëm?

 

 

Mhill Gjuraj: Kuptohet se pa një bashkëpunim në asnjërën fushë  njeriu nuk mund të korr suksese, aq më tepër në shumën e afarizmit. Bashkëpunimi në këtë fushë është i domosdoshëm  dhe një prej faktorëve më relevantë për të shtrirë  afarizmin dhe për të arritur  suksesin.

 

Edhe unë  gjatë rrugës sime  afariste kam pasur një bashkëpunim të ngushtë, sikurse me afaristë shqiptarë, po ashtu edhe me ata vendës, gjegjësisht amerikan. Dhe konsideroj se në saje të këtij afarizmi unë kam mbërritur në këtë pikë shumë të suksesshme në fushën e biznesit.

 

Kulmin e shkallës së arritjes sime në  këtë fushë, e kam potencuar edhe më lart, se është pikërisht  bashkëpunimi im me  njërin nga afaristët e suksesshëm të  biznesit amerikan, një biznesmen i njohur në Amerikë, gjegjësisht në Nju Jork, po ashtu me origjinë  amerikane, i cili më ofroi  një mundësi shumë të favorshme afërsisht sikur të isha partner i barabartë me të.

 

 

Kam bërë përpjekje që t’u  bashkëngjitëm të gjithë aktiviteteve dhe veprimtarive kombëtare që kanë pasur për qëllim ndihmën dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe te demokratizimin e Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare.

 

● Ky biznes i juaj, gjegjësisht kjo bazë e qëndrueshme ekonomike ju ka mundësuar që  gjatë kohës kur Kosova dhe populli i saj kishte nevojë për  sensibilizimin dhe internacionalizimin e çështjes së Kosovës dhe të hapësirave të tjera etnike, të ndihmoni. Sa keni qenë të angazhuar në këtë drejtim?

 

 

Mhill Gjuraj:Sikur fati i çdo shqiptari që ishte i lidhur me fatin e atdheut të tyre, Kosovës, Shqipërisë dhe të hapësirave të tjera etnike tona, një fat i tillë e kisha të lidhur edhe unë. Unë gjatë gjithë kohës kam qenë i interesuar për gjendjen e vështirë të Kosovës dhe të Shqipërisë, si edhe të të gjitha trojeve  etnike shqiptare.  Kam bërë përpjekje që t’u  bashkëngjitëm të gjithë aktiviteteve dhe veprimtarive kombëtare që kanë pasur për qëllim ndihmën dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe te demokratizimin e Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare. Nuk është modesti për ta  potencuar ndihmën dhe kontributin tonë që kemi dhënë për Kosovën dhe popullin e saj, si në Kongresin Amerikan, Senatin Amerikan, Shtëpinë e Bardhë dhe në të gjitha  institucionet dhe asociacionet më relevante të Shtetit të Amerikës, sepse  këtë kontribut dhe këtë ndihmë  e konsiderojë një borxh të vogël karshi  gjakimit tonë që kemi pasur për ta parë Atdheun/Kosovën tonë të çliruar nga ajo çizmja e  rëndë sllave, e cila shqiptarëve në atdheun e vet për  shekuj me radhë ua ka mohuar lirinë dhe pavarësinë. Tash falë Zotit, ndihmës së Amerikës, Evropës, vendeve të tjera  demokratike dhe popullit shqiptar, populli i Kosovës gëzon lirinë dhe demokracinë, ëndërr shekullore e  shumë brezave tanë.

 

Pra, përgjithësisht mund ta konstatoj se Komuniteti Shqiptaro – Amerikan i Nju Jorkut me rrethe ka bërë shumë për çështjen kombëtare, për lirinë e Kosovës dhe demokratizimin e viseve shqiptare.

 

 

Subjektet politike, shoqatat dhe asociacionet të tjera  shqiptarë që kanë vepruar në Amerikë, kanë pasur një ndikim të madh në jetën politike dhe shoqërore në Amerikë dhe kudo në diasporë

 

 

● Subjektet politike, shoqatat dhe asociacionet të tjera  shqiptare që kanë vepruar në  Amerikë sa kanë qenë të koordinuara  në mënyrë që puna e tyre në të mirë të çështjes shqiptare të jetë  më e frytshme?

 

 

Mhill Gjuraj: Subjektet politike, shoqatat dhe asociacionet të tjera  shqiptarë që kanë vepruar në Amerikë, kanë pasur një ndikim të madh në jetën politike dhe shoqërore në Amerikë dhe kudo në diasporë. Këto parti dhe këto shoqata, edhe përkundër dallimeve  në platformat dhe konceptet e tyre politike dhe filozofike, kur ka qenë çështja e  kauzës kombëtare ato gjithherë kanë qenë  bashkë, në esencë i kanë pasur të koordinuara  veprimet e tyre në mes  vete.  Këto veprime dhe këto aktivitete të përbashkëta i kanë shprehur me rastin e organizimeve të demonstrative me qëllim të sensibilizimit të çështjes së Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi,  Deri me çlirimin e Kosovës këto organizime kanë qenë ashtu çfarë ishin që kur janë formuar pa ndonjë ndryshim, edhe pse këtu mbetet prapa dhe kërkohet shumë për t’u bërë për çështjen shqiptare në përgjithësi. Pra, këto parti politike, shoqata duhet t’u përshtaten nevojave të  atdheut. Pra, roli i tyre patjetër duhet të ndryshojë, ose ato  përpos ndonjërës që ka krijuar një traditë, siç është “Vatra”, dhe ndonjë tjetër, të tjerat mendoj që nuk do të kishte qenë as e nevojshme të ekzistojnë. 

 

Krejt në fund të kësaj pyetje unë do të shpreh mendimin shumë subjektiv, se koordinimi i shoqatave dhe asociacioneve ka qenë i mirë herë pas here dhe  sipas disponimit që vinte nga trojet tona shqiptare.

 

 

● Sot cili është organizimi dhe veprimi i këtyre partive politike dhe shoqatave?

 

Mhill Gjuraj: Sot organizimet dhe veprimtaritë janë të ndryshme nga ato të kohës së para lirisë së Kosovës dhe demokratizimit të trojeve shqiptare. Dhe jemi shumë të kënaqur që ka ndërruar koncepti i këtyre organizimeve, kur tash dihet se  populli shqiptar në Kosovë e fitoi lirinë dhe demokracinë, tash është koha e reformave në shumë segmente të jetës. Kosova dhe populli i saj, edhe sot e kësaj dite ka nevojë  për ndihmën tonë dhe me siguri do ta ketë edhe në të ardhmen. Sot, Kosova ka nevojë për t’u  zhvilluar në aspektin ekonomik dhe  derdhja e kapitalit tonë atje është më së i nevojshëm.

 

Edhe në këtë drejtim akoma duhet punuar dhe angazhuar  edhe partitë politike dhe asociacione të tjera në Amerikë që edhe kjo çështje të zhvillohet në mënyrë të organizuar.

 

 

● Në Nju Jork, përkatësisht në Amerikë gjatë një periudhe relativisht të gjatë  kur Kosova, Shqipëria dhe hapësirat të tjera tona etnike kishin nevojë për  sensibilizimin e çështjeve me të cilat përballeshin këto hapësira dhe ky popull, në Amerikë janë zhvilluar shumë veprimtari dhe janë angazhuar shumë veprimtarë, të cilët i kanë kontribuar shumë  këtyre çështjeve. Çfarë mendoni, a keni mundësi t’i potenconi disa nga këto organizime dhe disa nga këta veprimtarë që kanë lënë gjurmë me angazhimet e tyre në këtë drejtim.

 

 

Mhill Gjuraj: Me qëllim të  sensibilizimit dhe njohjes së faktorit relevantë amerikan, si fuqi relevante e politikës globale, në Amerikë, gjegjësisht në Nju Jork partitë politike, shoqatat dhe organizmat e shumtë kanë zhvilluar një aktivitet të ngjeshur dhe shumë dinamik. Këto organizma dhe këta individ kanë bërë një punë kolosale, kanë investuar me miliona  dollarë, kanë investuar mund të madh, krejt me qëllim që  politika amerikane dhe opinioni amerikan të njihet me të vërtetën e  Kosovës, të popullit të saj, por edhe të Shqipërisë dhe hapësirave të tjera  etnike. Në këtë drejtim LDK-ja dhe veprimtarët e saj ishin  bazamenti relevant i këtyre organizimeve. Rreth platformës politike dhe filozofike të LDK-së, në krye me  ideatorin e kësaj filozofie politike dhe humaniste, dr. Ibrahim Rugova, u rreshtuan personalitete, intelektuale dhe veprimtarë të devotshëm, të dhënë krejt në shërbim të Kosovës dhe kauzës shqiptare në përgjithësi.  Radha e kontributeve dhe i angazhimeve të këtyre veprimtarëve  është tejet i madh dhe i pafundshëm, të cilat nuk mund të përfshihen brenda radhëve të një shkrimi. Janë veprimtarët, me siguri se  ndonjërit prej syresh do t’u hyj në hak, sepse është vështirë t’i potencosh që të gjithë ata njerëz që kanë vepruar dhe kanë kontribuar në ato momentet më të vështira të atdheut dhe popullit të tyre,    mirëpo emrat të veprimtarëve të devotshëm, si të Hajdar Bajraktarit, Rrustem Gecit, Vëllezërve Bytyçi, Leka Gojçajt,  Marjan Cubit, Agim Rexhës, Dr. Gjon Buçaj, Zef Balajt, Syl  Lajqit , Mhill Velajt, Sali Lajqi dhe të shumë të tjerëve, nuk mund të shmangemi pa i potencuar. Këta emra, por edhe i shumë të tjerëve, është shembull  më i mirë se si kontribuohet dhe ndihmohet atdheu në kohërat më të vështira.

 

Investimi në Shtatoren e Nënë Terezës ishte një vepër e vogël imja karshi veprës së madhe të Nënë Terezës

 

 

● Kontributi i juaj në forma të ndryshme për kauzën tonë është i pamohueshëm. Ky kontribut juaji është vërejtur edhe pas luftës në shumë fusha të jetës. Kohë më parë në qytetin tuaj të lindjes në Pejë keni bërë sponsorimin e shtatores së figurës dhe humanistes më të  shquar të kombit tonë dhe të universit botëror, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Terezës, projekt ky që kalon shifrën shpenzimeve prej afro 100 mijë dollarësh. Cili ishte motivi që  bëtë këtë vepër pothuajse mbihumane?

 

Mhill Gjuraj: Këtë vepër thënë kushtimisht e kam bërë nga ndjenjat shumë humane. Për ta realizuar këtë projekt më kanë nxitur disa faktorë. Këtë vepër e kam bërë për disa motive: Për dashurinë që kam  pasur dhe do të kem përherë në jetë për, Pejën, vendlindjen time dhe për respektin e madh që kam dhe do të kem përherë në jetë për të lumturuarën, humanisten dhe figurën më të shquar të kombit tonë dhe të universit botëror, Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës më të madhe. Edhe sot jam tejet i lumtur që në qytetin e vendlindjes sime, rrëze bjeshkëve të bukura dhe magjepse të Pejës krenare reflekton shtatorja e  Nënë Terezës, e cila bëri shumë për kombin shqiptar dhe humanizmin njerëzor në botë. Ajo, me veprën dhe kontributin e vet krijoi shumë miq, siç është shprehur akademik Mark Krasniqi, “krijoi miq në tokë dhe në qiell”, për ta ndihmuar popullin shqiptar dhe njerëzimin në përgjithësi. Ishte një vepër imja e vogël karshi veprës së madhe që ka dhënë në jetë Nënë Tereza, kudo në botë. Mesazhet e kësaj humanisteje, pra të Nënë Terezës duhet të reflektojnë në mendjen dhe shpirtin e gjithë shqiptarëve pa dallim. Andaj, edhe përkundër këtij investimi shumë të madh jam shumë i lumtur që mbërrita ta realizojë këtë  projekt që kam pasur dhe që e kam bërë krejt si shprehje e ndjenjës së humanizmit dhe  respektit që kam pasur dhe  kam për  Nënë Terezën.

 

● Domethënë humanistja e kombit tonë dhe e universit botëror, Nënë Tereza, është frymëzim jo vetëm i juaji, por i gjithë njerëzimit që në shpirtin e tyre mbizotëron humanizmi njerëzor.

 

 

Mhill Gjuraj:  Mua më vjen zor të flas për vlerat e  një figure aq të madhe të kombit tonë dhe të universit botëror, siç ishte Nënë Tereza.

 

Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, humanistja më  madhe e shekullit 20, personalitet krejtësisht i veçantë për epokën të cilës i takoi, e cila  me të gjallë të saj mori mirënjohjet më të mëdha të njerëzimit që nga Kosova e  Shqipëria, që nga India e Kuba e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Humanizmi i saj në vepër, në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, në mbrojtje të jetës, u vlerësua lart edhe u sublimua  me Çmimin Nobël për Paqe më 1979 dhe shumë çmime të tjera nga institucione dhe asociacione nga anembanë bota.

 

Nëna Terezë, për të gjallë të saj dhe më vonë u cilësua luftëtare e denjë e  stolisur me tiparet e bashkëdhimbjes, të besimit dhe të  dashurisë njerëzore. U shërbeu njerëzve duke përhapur idenë e  dinjitetit të tyre, idenë e respektit për veten dhe për ta; iu afrua atyre që i kishte mundur jeta; luftoi kundër mohimit, kundër veçimit të njerëzve. Humanizmi i saj ishte konkret dhe dëshmohej në jetë dhe në angazhimin jetësor e frymëgjatë e mbi të gjitha me tolerancën.

 

E lindur  në Shkup, para mbi një shekull, nga një familje shqiptare nga Prizreni, e  rritur në ato mjedise dhe me ato mendësi, Gonxhe Bojaxhiu qe brumosur me shumë nga vlerat që, në zhvillimet e saj të mëtejme, në rrugët e  formimit dhe të veprimtarisë humaniste, do të bëhen tipare të personalitetit e  pse jo edhe të mënyrës së realizimit të çështjeve të ndjekura, duke tejçuar vlerat humanitare të mjedisit të saj nëpër gjithë botën.

 

Historia komplekse e botës ka shqetësuar gjithmonë njerëzimin, sidomos politikat globale nacionale, duke nxitur krizat sociale politike, andaj për këtë arsye këto situata kërkojnë njerëz të mendjes së shëndoshë, të shpirtit të mirë dhe të sakrificës për të tjerët, sepse 1/3 e njerëzimit i takon  shtresës së skamjes dhe varfërisë së skajshme.

 

Dje, sot, por me siguri edhe nesër në shumë shtete të botës janë bërë  dhe po bëhen  gara për armatim nuklear, duke  shpenzuar me miliarda të tërë  dollarë, duke shkaktuar kriza dhe konflikte të përgjithshme.  Shpeshherë  këto kriza nxiten nga ndikimet e politikave të rekomandimeve jologjike të  institucioneve  politike e  shkencore, të cilat frymëzohen nga nacionalizmi dhe e godasin  nën diktatin e politikave shtetërore.

 

Kur Kosova dhe populli shqiptar i saj, po kalonte kohë të vështira, simboli  i bashkëvuajtjes, i dashurisë, i solidaritetit, Nëna Terezë me mendje dhe shpirt gjithmonë gjendej pranë popullit. Për vlerat që sublimonte dhe simbolizonte jeta dhe vepra e saj, në vitin 1990 u zgjodh anëtare nderi e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Po ashtu, vlen të përkujtojmë vitin 2003 Nëna Tereze, ku  kjo humaniste e madhe për vlerat e saj dhe kontributin e dhënë për njerëzimin, u laureua me aktin më sublim të jetës, lumturimin nga Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II, i cili po ashtu ka luajtur një rol me peshë të veçantë  për paqen në botë dhe për luftën e popullit shqiptar të viteve 1998-1999.

 

Nderimi që i bëjmë kësaj shëmbëlltyre të kombit tonë,  është nderim i vetë neve që e  përkujtojmë,  e  do ta përkujtojmë gjithmonë, këtë Bijë tonën dhe të civilizimit botëror, duke i ngritur shtatore, duke i  vënë emrin e  saj, rrugëve shesheve, shkollave, spitaleve dhe institucioneve të tjera, duke nderuar kështu veprën e saj, e cila është kthim kah njerëzorja, është kthim në cilësitë e vlerat e mirëfillta si individ dhe si popull.

 

Andaj,  ne shqiptarët duhet të ndehemi  krenarë dhe të privilegjuar për faktin që kemi  pasur mundësi t’i jepnin botës një figurë të shenjtë, siç është ajo e Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës.

 

Ngecje e ekonomisë globale do të vështirësojë planet për investime të reja, por me gjithë atë ne duhet doemos  të orvatem për investime në fusha të ndryshme në këto hapësira tona.

 

● Në vitet e fundit Juve dhe afaristëve të tjerë, shoqëria shqiptare, pra e kam fjalën për Kosovë, Shqipëri dhe viset tjera  shqiptare, iu kanë shikuar  përpos si biznesmenë të suksesshëm, edhe si donatorë humanitarë, qoftë në fushën e çlirimit kombëtar, të përparimit arsimor e kulturor, por edhe humanitar. A ka ardhur koha që shoqëria shqiptare t’ju shikojë si investitor serioz dhe të domosdoshëm?

 

Mhill Gjuraj: Sigurisht se shoqëria shqiptare në kuptimin e gjerë të fjalës ka nevojë për investitorë autoktonë dhe vendorë të cilët për dallim nga të huajt e njohën më mirë ambientin dhe kulturën e biznesit në përgjithësi. Me siguri që në të ardhmen do të krijohen kushte edhe më të favorshme për të investuar në  Kosovë, Shqipëri dhe hapësirat të tjera tona etnike.

 

Mendoj se kjo ngecje e ekonomisë globale do të vështirësojë planet për investime të reja, por me gjithë atë ne duhet doemos  të orvatem për investime në fusha të ndryshme në këto hapësira tona.

 

 

● Çfarë mendoni, a shpresoni që në një kohë të shkurtër do të bëni edhe ndonjë investim tjetër në vendlindjen tuaj?

 

Mhill Gjuraj: Mendoj se dëshira ime është për të investuar në vendlindje, mirëpo mendoj  se një investim tjetër do ta bëj kur të bindem  se investimi do të ketë sukses të plotë dhe të sigurt.

 

– Ju faleminderit për intervistën.

 

– Ju faleminderit edhe nga Ju.

 

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen