Gëzuar festën kombëtare të 28 nëntorit!

Histori & Fakte | admin | 27.11.11 | 12:49

Ani pse edhe ky Nëntor i gjenë shqiptarët me aspirata të vjetra, dhe të kahershme për çlirimin e të gjitha trojeve tona dhe bashkim të përgjithshëm kombëtar.

Me nderimet më të mëdha ndaj 28 nëntorit ,Shqiptarët e  të gjitha trojeve,më këtë datë të lavdishme historike dëshmojnë se në zemrat e tyre sot e përgjithmonë,Flamuri ynë kombëtar është i pa zëvendësueshëm me asgjë tjetër dhe thellë i ngulitur  si simboli shpirtëror i të gjithë shqiptarëve ,atdheu i të cilëve 99 vjet më parë nën hijen e këtij Flamuri, pati shpallur pavarësinë e të gjitha trojeve të Shqipërisë Etnike.

28 Nentori

Kjo datë festive është era e ngrohtë e lirisë,është liria vet,është  dinjiteti ynë kombëtar që qeli dyert e krijimit të shtetit shqiptar dhe hapi rrugët e shpresave të  mëdha për  pavarësinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve tona.Kurse,vepra e luftëtarëve trima të cilët luftuan për  çlirimin e kombit, i jep vlerë lirisë sonë dhe nder  atdheut të shqiptarëve, për çka ata janë dhe do të mbeten  përgjithmonë të nderuar nga ne.

Pavarësia e Shqipërisë me historikun e saj afro 100 vjeçar është Rilindja e kombit dhe e nderimit më të lartë ndaj heronjve më të mëdhenj  shqiptar, me në krye Ismail Qemalin të cilët  pas përpjekjeve të pareshtura shumë vjeçare më 28 Nëntor të vitit 1912,arritën që në Vlorë ta shpallnin Shqipërinë e pavarur!Ndaj, të gjithë ata që u përpjekën,luftuan dhe u martirizuan për këtë ditë , janë dhe do të mbeten të nderuar për jetë nga shqiptarët.

Duke nderuar Flamurin tonë kombëtar i cili edhe në kohë të vështira kur atdheu kishte nevojë për mbrojtje i bashkonte shqiptarët në betejat për çlirim, ne në këtë ditë feste përulemi para tij,duke kujtuar me nderim sakrificat e atyre që u flijuan për këtë ditë, të  cilët me përpjekjet e tyre të mëdha ,mundësuan që shqiptarët të mbijetojnë dhe krijojnë shtetet e tyre të lira.

Me rastin e festave kombëtare nën shijen e ëmbël të idealeve të lirisë, ende të pa realizuara plotësisht,shqiptarët kremtojnë këtë  festë të madhe si ditëlindjen e kombit. Ata kremtojnë heroizmin e luftëtarëve të të gjitha kohëve  të treguar në luftërat çlirimtare, dhe përkujtojnë rënien e Dëshmorëve të Atdheut si veprën e tyre të pavdekshme kombëtare,për çka ne jemi krenar dhe ndihemi shumë të privilegjuar që tu shprehim atyre nderimet tona të veçanta.

Dita e 28 nëntorit është dita më e ndritur e historisë sonë,dita e përkujtimit më të madh kombëtar dhe përuljes me nderimin e merituar ndaj qindra e mijëra luftëtarëve shqiptarë, të cilët me kryengritjet e tyre të një pas njëshme historike në Kosovë e Malësi, Veri e Jug  dhe  gjithandej trojeve të Shqipërisë etnike,larguan përfundimisht pushtuesit osman dhe pas pesë shekujsh robërie bënë të mundur pavarësinë e Shqipërisë së Skënderbeut e cila u vulos nga Flamuri i tij heroik!

Festa e 28 Nëntorit,gëzim i mërgimtarve

Data e 28 nëntorit,është festim historik edhe për mërgimtarët tanë siç është për tërë kombin shqiptar. Është dita e mirënjohjes dhe nderimit më të thellë ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për  lirinë dhe pavarësinë tonë edhe pse ende jo të plotë. Kjo ditë tek mërgimtarët, ngjallë emocione të veçanta dhe  të mëdha sa lartësitë e  pakapshme të maleve tona mijëravjeçare,si tek pjesëtarët e të gjitha shtresave popullore në gjithë hapësirën tonë etnike,në diasporë dhe kudo jetojnë shqiptarët në rruzullin  tokësorë.

Me rastin e festës së Flamurit siç jemi mësuar ta quajmë ne, kemi përshtypjen se një gëzim të veçantë përjetojnë mërgimtarët të cilët e ndjejnë në shpirt çdo ditë,çdo orë dhe çdo minutë, mungesën e Atdheut të tyre nga distancat mijëra kilometërshe ku ata jetojnë. Ndaj kësaj dite të bekuar kombëtare më shumë se mërgimtarët nuk mund ti gëzohet  asnjë shqiptar,duke mos përjashtuar gëzimin e përgjithshëm popullor që është i natyrshëm dhe për çdo respekt në momente të tilla festive.

Mërgimtarët shqiptar  ishin ata të cilët ditën ta duan gjithmonë pa hile-atdheun e tyre, edhe pse nga përndjekjet e pushtuesit,u detyruan të vendosen jashtë vendit. Ata ishin gjithmonë në shërbim të popullit dhe përherë aktiv për lirinë e vendit dhe përmirësimit të jetës së bashkëkombësve.

Ata e luftuan edhe okupimin me të gjitha mjetet dhe mundësit,herët dhe vonë,në të gjitha kohët dhe nga të gjitha vendet e huaja ku ata jetonin, në çfarëdo situate dhe rrethane ata ruajtën dhe forcuan ndjenjat atdhetare dhe krijuan edhe sistem të veçantë shkollor për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe dhe historisë kombëtare, duke ngritur gjithmonë lart Flamurin tonë kombëtar, gjithandej ku jetonin shqiptarët.

Si përfaqësues të denjë të kombit, mërgimtarët edhe gjatë kohës nën okupim, u angazhuan me forcën dhe dijen e tyre,mjetet materiale e deri te pjesëmarrja direkte në luftërat çlirimtare për mbrojtjen e trojeve  të pushtuara, kundërshtuan vendimet e padrejta ndaj popullit shqiptar, lobuan  për Pavarësinë e vendit të tare në të gjitha shtetet e huaja ku ata jetonin në Evropë dhe Botë kudo, organizuan demonstrata e protesta kundër pushtimit të atdheut, dhe morën pjesë aktive në kryengritjen çlirimtare, e cila çoi vendin në shpalljen e pavarësisë së shtetit Shqiptar.

Mërgimtarët u bënë shembull i shkrimit të një historie sublime kombëtare me plot sakrifica e cila fal angazhimit të rilindësve tanë  edhe nga mërgimi, qoi vendin deri te ngritja e Flamurit  dhe shpallja e Pavarësisë. Përpjekjet e tyre të pareshtura, ndihmuan  rrugën e shenjt të çlirimit dhe të  pavarësisë së shtetit shqiptar edhe pse veprimtaria kombëtare atëbotë  ishte e vështir dhe e rrezikshme dhe kërkonte  guxim të fortë kombëtar e frymëzim të lartë patriotik, në momentet më vendimtare për lirin e kombit shqiptar të cilën ata e patën dhe e dëshmuan në vepër.

Meritë e madhe e udhëheqësve të kombit,ishte  edhe vendimi i tyre historik në të cilin ndikuan edhe mërgimtarët e kohës për përcaktimin properëndimor të vendit i cili atbotë kishte nevojë për përkrahjen e pavarësisë së Shqipërisë nga vendet e Evropës dhe Botës. Shpallja e Pavarësisë  ishte dhe mbetet kulmi i kurorëzimit të shpresave të kombit shqiptar për të cilën shumë breza atdhetarësh kanë sakrifikuar edhe jetën.

Por,me gjithë Pavarësinë e Shqipërisë dhe asaj të Kosovës,Shqiptarët  ende nuk kanë arritur lirianë e plotë kombëtare,ndaj edhe vuajtjet e pjesëve të pushtuara të kombit, ende nuk kanë pushuar tërësisht. Nga ky shkak  edhe në raste festash ne ato i përjetojmë me dhembje,sikurse që për të arriturat i kujtojmë me pietet të lartë, ata që janë përpjekur dhe kanë rënë, për këtë ditë e cila na solli një liri ende të pa kompletuar -kombëtare, me gjithë lindjen e dy shteteve,por në të cilat nuk përfshihen të gjitha trojet tona.

Mosgatishmëria e Evropës dhe Faktorit ndërkombëtar për pranimin e  të drejtës sonë  për bashkim edhe një vit para festimit të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së të gjitha trojeve shqiptare,sado që është shumë e hidhur, për fat të keq ajo është e lidhur edhe me sjelljet e papërgjegjësi të udhëheqësve politik shqiptar dhe egon tonë të ngushtë, të cilat që të dyja bashkë paraqesin një imazh të keq, para qytetërimeve të përparuara të botës,dhe kjo jo vetëm që nuk i bën nder popullit shqiptar por e pengon edhe bashkimin e tij.

Me sjellje të tilla ne nuk mund ta bindim botën  që të respektoj vullnetin tonë dhe të drejtën e popullit shqiptar,për bashkim kombëtar.

Ndaj,edhe pse me rastin e Festës së 28 Nëntorit në Shqipëri dhe Kosovë valëviten flamuj kombëtar me shqiponjën dykrenore dhe parulla gjigante në të cilat shkruan  „J E M I – N J Ë“! ,ndarjen e shqiptarëve nuk arrijnë ta shërojnë fjalimet demagogjike të politikanëve tanë se ne festuakam ditën e pavarësisë dhe të çlirimit më mirë se kurrë më parë, në tërë ekzistencën tonë,me Shqipërinë e lirë dhe Kosovën e pavarur dhe zhvillime tjera të mëdha historike, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO etj.

Nuk duhet harruar se edhe sot ka pjesë të mëdha të trojeve tona, ku emra fshatrash e qytetesh shqiptare, si Mitrovica,Ulqini ,Tuzi ,Bujanovci Presheva, Janina,Arta e Preveza dhe shumë vendbanime të mëdha e të vogla edhe në Iliridë, në të cilat ende nuk mund të festohet lirisht  28 Nëntori. Ndaj,ne duhet ta pranojmë faktin se vërtet JEMI NJË!, por nuk jemi të gjithë të lirë!

Kjo gjendje e jona kombëtare edhe në decenien e dytë  të shekullit të njëzetenjë me gjithë dëshirat tona të mëdha festive, i vë shqiptarët në  pozitë të vështirë e cila na e kujton kohën e hidhur të okupimit dhe të ndarjes sonë kombëtare, ende të pa korrigjuar tërësisht.Ndaj ne duhet ta dijmë dhe të brengosemi seriozisht për mosbashkimin e trojeve tona ngase ndarja e tyre, pengon formimin dhe zhvillimin shpirtëror, intelektual dhe kombëtar  të shqiptarëve, që ka për pasojë edhe ecjen tonë të  vonuar si komb i përparuar,drejtë Evropës së bashkuar.

Përpjekjet shekullore dhe gjaku i derdhur për liri edhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nuk i përmbushën plotësisht aspiratat e popullit të shumëvuajtur shqiptar për të cilat ai u sakrifikua dhe bëri luftëra çlirimtare. Ëndrra e tij për bashkim kombëtar, deri më sot nuk u bë realitet ndaj duhen përpjekje të reja për të mos lejuar asimilimin e shqiptarëve nën robëri dhe për të  shpëtuar shpërfytyrimin e pjesëve të pa çliruara të atdheut.

Flamuri kuq e zi, ishte frymëzim shpirtëror dhe patriotik i  të gjithë shqiptarëve atdhetar në trojet e tyre etnike i cili gjithmonë mbeti në shërbim të lirisë dhe çlirimit të atdheut tonë të ndarë padrejtësisht.

Ai edhe në momentet më të vështira,qëndroi gjithmonë në ballë,që nga fillimi i luftës për liri e deri te shpallja e Shqipërisë të lirë,Pavarësinë e së cilës e vulosi ky Flamuri i kombit!

Ndaj edhe me këtë rast festiv të këtij 28 Nëntori dhe përvjetorit të 99 të Pavarësisë së Shqipërisë, unë shpreh urimet e mia më të përzemërta,për të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet tona etnike dhe diasporë kudo janë bashkatdhetarët tanë. Gëzuar  28 Nëntorin e ngritjes së Flamurit Kombëtar dhe të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë natyrale!

Lavdi të rënëve për liri! Rroftë populli Shqiptare!Rroftë Shqipëria etnike!

 

Cyrih, Nëntor 2011

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen