Kush i ka në dorë detyrat publike të qytetarit?

OP-ED | admin | 30.11.11 | 21:15

Kanë kaluar dy dekada dhe kur bisedon jo thjesht me qytetarë të zakonshëm, por shpesh edhe me studentët në auditorët e Shkencave Politike, duket se perceptimi për këtë raport dikotomik midis përgjegjësive të qytetarit dhe detyrave të qeverisë nuk është i qartë. Idetë herë supersociale dhe të pamundura, që ngrenë peshën e qeverisë dhe ulin përgjegjësinë e qytetarit, dhe pastaj ato superliberale, që ngrenë përgjegjësinë e qytetarit si inpid dhe pakësojnë përgjegjësinë sociale të shtetit, janë ato që ndikojnë negativisht që ky raport të mos konceptohet në sensin e duhur. 

qeveria

Në shoqërinë tonë, sidomos në perceptimin empirik të problemit, që është perceptimi më i prekshëm dhe jetik, duket se janë ngatërruar rolet, përgjegjësitë dhe detyrat e ndara midis qeverisë dhe qytetarit. Kjo ka bërë që shpeshherë të kërkojmë gjënë e duhur në vendin e gabuar apo të ngatërrojmë territoret dhe përgjegjësitë e ndara qartësisht midis qytetarit dhe qeverisë. Kjo mund të konsiderohet si një nga problemet më polivalente të kohës, që nganjëherë nuk ndahet qartë nëse është produkt i determinuar i tranzicionit demokratik të shoqërisë tonë, mangësi e kulturës demokratike të qytetarit apo e nivelit të qeverisjes. Sipas mendimit tim, duke e parë në kompleksitetin e vet, duket se kjo situatë është pasojë e ndikimit e të gjithave, që të marra së bashku kanë peshën e përgjegjësisë së tyre. Megjithatë, sociologjikisht çështja është e tillë që të krijohet ideja se njerëzit përgjithësisht ndodhen në një situatë paqartësie të nevojës për që qenë politikisht dhe qytetarisht pjesëmarrës apo t’i lënë gjërat në dorë të politikës dhe qeverisë dhe vetë të kujdesen vetëm për pasurinë, duke mbetur vetëm një qytetar që jeton pasivisht. Ndaj problemi duhet parë më gjerë, me një sy më afër së vërtetës sociale që zhvillohet në shoqërinë shqiptare aktualisht. Pa dyshim që askush nuk do të kishte kuraja civile dhe guxim sociologjik që të mos pranonte se defektet që ka shoqëria jonë janë së pari e mbi të gjitha të lidhura në njëfarë mase edhe me cilësinë e zhvillimit të politikës sonë. Por kjo gjë, që është e vërtetë, nuk është në të njëjtën kohë e vërtetë tërësore. Ajo është pjesore, që do të thotë se nuk është e barabartë me të tërë të vërtetën në marrëdhëniet e qytetarit me qeverinë që zhvillohen në shoqërinë shqiptare. Sepse në shoqëri përveç atyre që janë nën përgjegjësisë e cilësisë së politikës dhe aftësive qeverisëse të këtij vendi, në këto dy dekada ka edhe ca gjëra të tjera, që janë të rëndësishme, që kanë peshë dhe impakt në jetën politike dhe sociale dhe që nuk janë deri në fund të determinuara as nga cilësitë e politikës, as nga cilësia e qeverisjes. Me sa duket, në situatën aktuale ka ca arsye të tjera, që janë jashtë territoreve të politikës dhe qeverisjes dhe që më së shumti janë të lidhura me nivelin e qëndrimit publik qytetar. Ky nuk është një koncept i thjeshtë socio-politik, por është thelbi i asaj që na mungon dhe që na duhet. Sepse po sjell mjaft mangësi në jetën tonë. Në këtë kontekst ne duhet të jemi koshientë për të vërtetën se shumica e qytetarëve tanë e mendojnë veten se janë qytetarë vetëm ngaqë jetojnë fizikisht në këtë vend, ngaqë kanë marrëdhënie të caktuara biologjike, politike dhe sociale me veten, shoqërinë dhe shtetin.  

Nëse i vlerësojmë problemet që kemi, duhet të pranojmë se ende jemi larg konceptimit të vërtetë të qytetarit, i cili jo domosdoshmërisht është një koncept i ngushtë gjeodemografik. Përkundrazi, ajo që ne ndiejmë se na mungon në krijimin e qëndrimit publik qytetar është mungesa e respektimit nga qytetarët tanë të bazave kushtetuese dhe vlerave politike të jetës së përbashkët qytetare. Është një handikap i madh fakti që ende në jetën tonë qytetare nuk procedojmë si duhet, ngaqë nuk kemi vënë në përdorim në jetën e përbashkët sociale dhe qytetare arsyen publike qytetare, si mjet i përbashkët që krijohet kur ravijëzojmë vlerat politike të mënyrës së të jetuarit në shoqëri. Që nuk kanë fare lidhje objektive dhe të determinuar, as me cilësinë e politikës, as me mënyrën e qeverisjes. Qëndrimi publik qytetar është një ndjenjë e thellë, që buron nga vlerësimi prej qytetarëve tanë i bazave kushtetuese të shtetit ligjor, që garanton të drejtat dhe liritë e qytetarit, të cilat nga ana e tyre është e bazuar në aftësinë sociale për të ndërtuar vlera politike qytetare që janë të përbashkëta për shoqërinë dhe ravijëzimin e qytetërimit tonë.  

Ne vijmë nga një shoqëri që për shkak të natyrës totalitare të organizimit dhe funksionimit të dikurshëm është krijuar ideja se të gjitha vlerat e qëndrimit qytetar kanë qenë në dorën e shtetit dhe janë përgjegjësi dhe atribute ekskluzive të qeverisë. Kjo është arsyeja pse nga një shoqëri që kishte në qendër të jetës sociale qytetarin-kukull në duart e qeverisë, që nuk mund të bënte asgjë jashtë, pavarësisht apo kundër shtetit, duket se kemi mbërritur te shoqëria që ka në qendër një qytetar që përpëlitet “pa busull” të bëhet i mirë. Por pa qenë në gjendje të kuptojë se jeta demokratike ka nevojë për vlera politike, që duhet të bëhen virtyte të përbashkëta të jetës publike të qytetarit.  

Mund të kemi shumë mangësi që na pengojnë në kultivimin e kulturës publike të qytetarëve tanë, por kryesore dhe me shumë rëndësi janë aftësitë e qytetarit për të mos e perceptuar veten si qenie apolitike, që nuk pranon nevojën e kristalizimit të disa virtyteve qytetare, që janë përveçse me natyrë humane edhe me bazë të fortë politike dhe kushtetuese. Të tilla vlera si qëndrimi social i arsyeshëm, ndershmëria qytetare para ligjit dhe tjetrit, fryma e kompromisit dhe jo e konfliktit, janë vlera pa të cilat nuk mund të ndërtohet jeta e përbashkët sociale, e cila ka në qendër si kusht ekzistencial jo aq politikën dhe qeverinë, por forcimin e qëndrimit publik të qytetarit tonë.  

Ne nuk mund të jemi të kënaqur me faktin që shoqëria jonë dikur ishte me qytetarin-pelte dhe qenien politikisht të nënshtruar, sot është në situatën e pavarësisë së imagjinuar si pavarësi nga detyrat kushtetuese të qytetarit dhe që sjelljet e veta i lidh me aftësinë e qeverisë për të vënë rregull sipas stilit të vjetër. Kjo është arsyeja pse shoqëria jonë është kaq shumë neurotike dhe konfliktuale. Nuk është faji vetëm i politikës apo qeverisjes që në shoqërinë tonë një ideologji që nënshtronte qytetarin ndaj politikës dhe shtetit, por zëvendësohet nga një tjetër ideologji e vjetër, që nuk funksionon për një kohë të gjatë që nuk mbahet mend në shoqërinë moderne dhe që ka sjellë në kulturën tonë publike idenë se që të “ekzistosh duhet të konfrontohesh”.  

Vlerat politike qytetare të kthyera në kulturë publike është pasuria më e madhe e munguar në shoqërinë tonë. Në njëfarë mënyre ne duhet ta njohim defektin e qytetërimit tonë, që ka kaq shumë nevojë të krijojë kapital politik qytetar si kusht për të ndërtuar sjelljen publike qytetare si vlerë të përbashkët. Pa dyshim, kapitali politik është një vlerë që nuk krijohet në dy dekada liri, pasi procesi i krijimit të tij është i ngadaltë dhe në mënyrë të natyrshme është proces që kërkon kohë. Sepse edhe në këtë periudhë kohore, ngaqë mezi dolëm më në fund nga “stalla e kolektivizmit”, duket që shoqëria ka marrë një drejtim dhe orientim të thellë inpidualist të jetës.  

Madje, kjo tendencë është aq shumë e thellë dhe ekscentrike në shumë raste, saqë po na pengon në krijimin e kushteve për të bindur qytetarët tanë për nevojën e përbashkët të ravijëzimit të kulturës politike, si kulturë publike qytetare e përbashkët. Ajo nuk mund të kultivohet nëse filozofia e njëanshmërisë së interesave të natyrshme inpiduale na pengon të kuptojmë dhe pranojmë nevojën e kulturës publike qytetare. Pa rregulluar këtë karakter politik të qytetarëve tanë nuk mund të realizojmë procesin e madh sfidues të rregullimit të cilësisë morale të jetës sonë publike, të marrëdhënieve dhe relacioneve sociale, që jo domosdoshmërisht janë të lidhura dhe nën vartësinë e politikës dhe qeverisjes. Ato kanë vendin e tyre dhe në të njëjtën kohë edhe peshën e përgjegjësisë. Por kjo nuk mjafton për të justifikuar pengesat që kemi në kulturën qytetare dhe marrëdhëniet e jetës sociale. Ndërtimi i botës sociale të shoqërisë sonë, jo tërësisht për faj të tyre, është bërë një proces kaq shumë i vështirë. Me sa duket, ne kemi situatën e disfavorshme që botën tonë sociale të dhënë nga historia e kemi pasur problematike, me defekte të njohura, të cilat në kohën tonë e tregojnë hapur se janë të lidhura me kulturën e jetës publike dhe sensin kushtetues të qytetarëve tanë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të nxitojmë që të bëjmë gjënë e duhur në kohën e duhur.  

Kjo do të thotë se bota sociale e shoqërisë sonë duhet rregulluar. Kjo tashmë nuk është më as në dorën e historisë që ka kaluar ashtu siç ka kaluar dhe siç e dimë të gjithë ne, as të politikës dhe cilësisë së qeverisjes aktuale. Të gjitha ato kanë rolin e vet. Por kjo gjë nuk përmirësohet nëse si popull nuk fillojmë të mendojmë se së pari kjo çështje është në dorën tone. Ne jemi popull i qytetëruar, që duhet të kuptojmë se jemi përballë ambicies për të rindërtuar kulturën politike qytetare, si kusht për ndërtuar edhe kulturën publike të qytetërimit tonë, pa të cilin çfarëdo politike dhe qeverisje që të kemi, nuk mund të bëhemi shqiptarë europianë. Ky është kushti që kemi përpara si shqiptarë, në mënyrë që të angazhohemi qytetarisht dhe së bashku për të ndërtuar shoqërinë sociale me rendin e duhur qytetar. 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen