Deda: Degradimi i vendit me negociata, nuk po merr fund

Intervista | Zef Prenka | 15.08.13 | 15:58

Degradimi politik i vendit tonë, në këtë proces, nuk po merr fund dhe në qoftë se vjen momenti që duhet të hiqet stema e Republikës së Kosovës dhe fjala Republikë e Kosovës nga fletëvotimet, në të gjithë territorin e vendit, kjo tregon se Kosova në këtë dialog po bën gjithçka që ta neutralizojë vetveten ndaj statusit të vet, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Ilir Deda, drejtor ekzekutiv në Institutin KIPRED.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Deda, që nga 19 prilli, kur edhe është arritur marrëveshja Kosovë – Serbi për normalizim marrëdhëniesh, janë shënuar disa zvarritje në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Ku mendoni se qëndron problemi?

ILIR DEDA
Palët, asnjëra, nuk kanë hyrë në këtë proces më qëllim që me të vërtetë t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe qëllimi i Brukselit në fillim të kësaj agjende të vitit 2011, të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë që të tregohet se ka marrëveshje. Ndërsa, zbatimin fillimisht Brukseli nuk ka dashur ta monitorojë, po pastaj me insistimin e SHBA-së dhe një pjese të institucioneve të Kosovës, është shtyrë që të bëhet pjesë e zbatimit apo të monitorimit të zbatimit.

Po në të njëjtën kohë në çdo marrëveshje të Kosovës dhe Serbisë, si nga dialogu teknik, ashtu edhe ky politik, ka moszbatim. Këtë ne si Institut, (KIPRED) e kemi cekur në raportin e qershorit, kur e kemi monitoruar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve dhe kjo tregon se palët nuk janë me të vërtetë të përkushtuara për normalizim të marrëdhënieve.

Por, qeveritë e të dyja vendeve, apo më saktësisht, kryeministrat e të dyja vendeve e shfrytëzojnë këtë proces politik dhe diplomatik për mbijetesën e tyre politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Kujt po i përgjigjet kjo situatë?

ILIR DEDA
Ngecja u konvenon të dyja palëve. Natyrisht, Serbisë, e cila ka një taktikë negociuese më frytdhënëse, dhe Kosovës, e cila nuk e ka atë. Ndërsa, BE-ja dhe NATO-ja dëshirojnë që të shohin zbatim të marrëveshjeve, sepse NATO-ja dëshiron që brenda dy vjetëve të largohet krejtësisht nga Kosova.

E, Bashkimi Evropian dëshiron që brenda kësaj kohe ta shohë një rajon – Ballkanin Perëndimor, i cili është pak a shumë i parashikueshëm dhe i lidhur me një proces të integrimit evropian. Po, në të njëjtën kohë, këto qëllime, edhe pse janë të mira, duhet të përcillen me marrëveshje afatgjatë.

E, atë që kemi parë nga procesi i deritashëm i dialogut, është një proces me një fokus jashtëzakonisht afatshkurtër. Marrëveshjet janë afatshkurta. Për Kosovën është shumë problem, sepse ende nuk e di se çka dëshiron të nxjerrë nga ky proces gati tre vjet. Kosova nuk e di se cili është qëllimi i vendit tonë.

Me procesin e normalizimit ne kemi pasur mundësi që ta forcojmë pozitën duke kërkuar anëtarësim në OKB. Kjo iu hoq si kusht i Kosovës në prill dhe ky proces tregohet se do të jetë më i gjatë.

Fatkeqësisht, atë që e kërkon një pjesë e stabilishmentit të Gjermanisë, e që është një marrëveshje legale apo marrëveshje kornizë legale, e cila do t’i definonte marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë kur nuk ka njohje të ndërsjellë, kjo do të ishte diçka që do të çonte drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja e 19 prillit nuk i definon këto marrëdhënie. Marrëveshje e 19 prillit e riaranzhon brenda Kosovën dhe marrëveshja e19 prillit në zbatim, do të krijojë edhe më shumë probleme, sepse pika dy e kësaj marrëveshjeje edhe një herë thotë se bashkësia e komunave serbe do ta ketë legjitimitetin juridik të dyfishtë të Kosovës dhe Serbisë.

Në një situatë kur Kosova dhe Serbia nuk njihen mes vete, ky legjitimitet juridik kushtetues i dyfishtë, nuk do të sjellë rezultat afatgjatë, nuk do të sjellë deri te një stabilizim. Ky, absolutisht, nuk është fokus i Qeverisë së Kosovës, normal që nuk është, sepse ata kanë prioritete të tjera, të cilat janë jashtë qeverisjes së mirë.

Nuk është fokus shumë i madh i BE-së, ngase shtrohet çështja pse duhet BE-ja të kujdeset më shumë për Kosovën sesa vetë Kosova për veten. Kështu që, një mënyrë është krijuar një dinamikë tjetër, e cila as nuk po çon te zbutja e pesëshes së BE-së vizavi statusit të Kosovës – e as nuk po jep përgjigje kur do të anëtarësohet Kosova në OKB. Por, është një lloj taktizimi politik dhe edhe një herë po e them është mjet për mbijetimin politik të kryeministrit Hashim Thaçi në Kosovë dhe kryeministrit Ivica Daçiq në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zgjedhjet vendore pritet të mbahen më 3 nëntor, por edhe ky proces të paktën deri tash është shoqëruar me dallime në qëndrime ndërmjet dy palëve siç është rasti me fletëvotimet. Me çfarë rreziqesh përballet procesi zgjedhor i 3 nëntorit në këtë drejtim?

ILIR DEDA
Kosova në këtë proces, me vetëdëshirë e ka pranuar një fusnotë, e cila e mohon shtetësinë e Kosovës, e ka pranuar një qasje neutrale ndaj statusit të shtetit tonë dhe po e shihni se çka po ndodh, domethënë vendimet e gjykatave më nuk do ta kenë stemën e Republikës së Kosovës dhe nuk do të shkruajë Republika e Kosovës.

Të njëjtën kohë është një presion tash që nga të gjitha fletëvotimet të hiqet Republika e Kosovës dhe të mos shkruajë asnjë gjë, ndërsa marrëveshja e 19 prillit thotë se zgjedhjet komunale do të mbahen sipas ligjeve të Kosovës.

Unë mendoj se degradimi politik i vendit tonë në këtë proces nuk po merr fund dhe në qoftë se papajtueshmëria e madhe, dallimet e mëdha në terren, të cilat ekzistojnë ndërmjet serbëve në veri dhe pjesës tjetër të shtetit, po çojnë edhe në reflektim të mirëmbajtjes, apo të mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 3 nëntor, në qoftë se vjen momenti që duhet të hiqet stema e Republikës së Kosovës dhe fjala Republikë e Kosovës nga fletëvotimet në të gjithë territorin e Kosovës. Atëherë kjo tregon se Kosova me të vërtetë në këtë dialog po bën gjithçka që ta neutralizojë vetveten ndaj statusit të vet.

Kjo është qasje joshtetërore dhe joserioze, po edhe nuk ka çka të pritet më shumë prej një udhëheqësie politike, e cila ka ardhur në pushtet nëpërmjet vjedhjes së votave; e cila e ruan pushtetin si një lloj amnistie për vetvete dhe e cila interesin primar e ka korrupsionin marramendës, apo ashtu siç thuhet, në nivelin afrikan të korrupsionit, i cili ekziston në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Për të arritur deri te zgjedhjet, fillimisht, duhet të shuhen strukturat paralele dhe të fuqizohet Ligji për amnisti. Çfarë prisni ju në këtë drejtim, cilat janë gjasat e përmbushjes së këtyre synimeve?

ILIR DEDA
Ligji për amnisti duhet të ndryshojë, tashmë është në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk mund ta komentojmë. Unë vetëm mund të them se atë çka pritet është që të merren parasysh gati 13 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë kërkuar që ky ligj të specifikohet, që të mos jetë ligj gjeneral për amnisti por ligj i cili ka të bëjë kryesisht me njerëz, me banorë të Kosovës që kanë punuar për institucionet e Republikës së Serbisë. Kjo, sepse Ligji për amnisti është produkt i marrëveshjes së Brukselit dhe duhet të vlejë vetëm për ata të cilët kanë punuar në institucionet e Serbisë në Republikën e Kosovës.

Nuk mund të ketë një shpëtim të tillë të keqqeverisjes në Kosovë nëpërmjet këtij Ligji për amnisti dhe kjo është ajo çka presim ne nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka thënë se do ta japë vendimin e vet deri më 16 shtator.

Shuarja e strukturave paralele nuk do të ndodhë aq shpejt siç po trumbetohet në Prishtinë. Ky proces do të zgjasë dhe edhe nëse shuhen policia dhe Gjykatat paralele, ne ende do të kemi institucione tjera jashtë autoritetit të Qeverisë së Kosovës, të cilat nuk janë sqaruar me dialogun në Bruksel dhe me marrëveshjet e Brukselit.

Nuk dua t’i cek tash po kanë të bëjnë kryesisht me gjithë ato sfera. Bashkësia serbe në Kosovë funksionon në sferën ekonomike shoqërore të tyre dhe e cila në një mënyrë duhet të legalizohet me ligjet e Kosovës, por kjo po mbetet anash. Atë çka dua ta them është marrëveshja e Brukselit e ka legjitimuar bashkëqeverisjen e Kosovës dhe Serbisë mbi vendbanimet serbe në Kosovë dhe kjo nuk ka të bëjë aspak as me Planin e Ahtisarit, siç thonë.

Është brengosës kontrabandimi i marrëveshjes, i zbatimit të saj me një ndryshim gjysmak të ligjeve dhe me një interpretim kreativ të ligjeve të Republikës së Kosovës, sepse, për shembull, Ligji për gjykata nuk e parasheh Dhomën e veçantë të Apelit vetëm për komunat serbe.

Ligji për policinë nuk e parasheh rajonin e veriut, ligjet e Kosovës nuk parashohin kompetenca ekzekutive të bashkësisë së komunave serbe, kjo të gjitha i ka. Kështu që, ajo që është shumë e qartë, në Kosovë, është se askujt nuk po i bën përshtypje moszbatimi dhe shkelja e ligjeve – kjo është bërë normë në Kosovë që të shkelen të gjitha ligjet, pa marrë parasysh të gjitha kufizimet kushtetuese, të cilat ekzistojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Me gjithë zvarritjet që u përmendën deri më tash, 19 prilli shënon një kthesë në raportet Kosovë – Serbi dhe në të dyja vendet kjo kthesë ka interpretime të ndryshme: disa e quajnë historike, e të tjerët e quajnë nënshkrim. Për Kosovën ju si do ta quanit?

ILIR DEDA
Marrëveshjen e 19 prillit unë do ta quaja si mundësinë e humbur të Kosovës që ta vendosë në një rrafsh më të qëndrueshëm në normalizim e marrëdhënieve të Serbisë dhe të insistojë që të ketë një dokument, i cili definon marrëdhëniet Kosovë – Serbi dhe që lejon në mënyrë eksplicite inkuadrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera multilaterale ndërkombëtare, që të përfundojë çështja e shtetësisë së Kosovës në botë dhe që çështja e statusit të Kosovë të jetë në nivel bilateral të marrëdhënieve Kosovë- Serbi, e jo në një nivel ku gjysma e botës na njeh e gjysma jo.

Të njëjtën kohë dua ta bëj të qartë se nuk do të ketë kurrfarë normalizimi pa u zgjidhur çështja e personave të pagjetur. Normalizimi ndodh në atë moment kur mbyllen plagët e luftës në shoqëri dhe në atë moment kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëhen të parashikueshme me një marrëveshje e cila është e obligueshme ligjërisht për të dyja vendet dhe që hap rrugën e Kosovës për inkuadrim në mekanizmat ndërkombëtarë.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen