Jeniçerët e Kërshëndellave

Histori & Fakte | admin | 19.12.11 | 21:16

Aso kohe mesha thuhej vetëm në mëngjes, ashtu ishin disa  rregullore të kishës dhe aryseja tjetër më e madhe ishte se të krishterët nuk guxonin bash ashtu haptas me u tubu me një vend në pikë të ditës. Deri vonë as kumbonës nuk guxonin t’i binin. Sa herë ka ndodhë që zaptitë prej Perzereni kanë ardhë me langojtë e vet e i kanë shkatërru. Patër Pjetri ju patë thanë besimtarëve të vet: Ani, bënë edhe kështu, Zoti s’ka nevojë për kumbonë, ne kemi nevojë. Ju e dini se të dielave është mesha herët, ejani! Ju kishte thënë kështu, edhepse i digjej zemra me dëgju zërin e kumbonës, por turku nuk lejonte një gjë të tillë. Mendonte në vetvete, mirë boll që po na lejojnë të themi meshë të dielave, se një kohë, vetëm të premteve guxonin të mblidheshin në kishë. “E xhumaja është ditë me u falë, jo e diela” i kishën thënë. Kështu edhe të krishtërët si muslimanët, të premtën shkonin në kishë. Por tash kanë kaluar ato kohëra, e si duket don me u bë më mirë, mendonte patri. Që një kohë të gjatë, sulltan Ahmeti nuk i ka rënduar shumë të krishterët, mirrej me vetvetën e mbillte lule të çfarëdo lloji, por më së shumti i preferonte tulipanët e Persisë. Krejt mendja ju kishte bërë tulipan. Nuk e qante kryet shumë për mbretërinë e vet, vetëm për haremin dhe robinjat që i mbante aty. Flitej se sulltani edhe po pi raki. Po fjalë janë këto, gojat e këqija flasin çkamos. Por një gjë dihet se Stambollin e kishte mbushur me shtëpi publike e me hallejka. Sa më shumë që nuk mërzitej për mbretërinë e vet, aq më shumë shtohej zullumi e fukarallëku në popull. Sepse beglerët e agallarët i shkelnin fukaratë e ju pinin gjakun. Kuptohet atyre që kishin mbetur ende të krishterë. Por nuk kalonin shumë më mirë as ata muslimanë që ishin të shkretë e pa toka të veta. Por prap muslimani e kishte një derë ku të ankohej, ose te kadia ose te imami i vet. Po ku kishin me u anku të krishterët e mjerë? S’ju kishte mbetë gjë tjetër veç me u lut e me ju anku Zotit. Ashtu ju thoshte edhe patër Pjetri: lutuni, lutuni. Rruzarën mos e lëshoni prej dore! Po a ndihmon rruzarja kundër turkut të pafe? Krejt këto i sillëshin nëpër mend patrit. Ju kujtuan edhe disa mirditorë që kishin ardhur para disa viteve në Podrime. Atyre ju kishën thënë: “Nëse doni me i punu tokat e agës, mundëni tri vjet. Por mos gaboni me maru shtëpi as gjë tjetër. Veç me gardh e me lloq!”. Kur ju kishte kaluar koha trevjeqare, kishte ardhur aga i kishte nxjerrë prej tokës, i kishte qitë në rrugë të madhe. E mbasi s’kishte gjetur kënd tjetër të ja punoj tokën prap i kishte kthyer. Kështu ishte me të gjithë të krishterët, nuk guxonin të ndërtonin shtëpi me material të fortë, e kur kalonte vadja, duheshin të dilnin në rrugë, më gjithë fëmijë e më gjithë plaçka, e pastaj të kthehen prapë. Kështu me i tregu se nuk je në tokën tënde, se kjo tokë është e padishahut dhe e agës, e kaurri nuk ka gjë tjetër pos shpirtit në krahëror.

Patri ishte humbur në mendime, mendja sa i ikte në Podrime sa në Stamboll, nuk e ndinte as të ftohtin që gati e ngrinte. Mustaqet ju kishin bërë bardh prej mjegullës e shtrezit që ka zakon në këtë kohë në kodrat e Symbit me ndejt edhe nga dy javë. Po as i ftohti e të dridhurat, as mjegulla nuk e zgjuan nga mendimet. U kthye në realitetin e vet vetëm kur kërsiti kumbona e zëri i saj kumboj ndër kodrina. Symbi në atë kohë kishte pak shtëpi, edhe ato të shpërndara gjithandej. Vetëm disa lagje mund ta dëgjonin kumbonën, sepse kjo kumbona që tash e kanë vu është shumë e vogël. Atë të madhën e patën shkatërru zaptitë. Copa copa e patën bërë. Njerëzit mendonin që secili ta merr nga një copë e ta ruaj si relikte, por jo, zaptitë i mblodhën copat e patën thënë se i shkrijnë e marojnë topa prej atij bronzi. Sa çudi, mendontë Marka Kola, çfarë vakti ka ardhë! Deri tash kjo kumbonë, patë thënë, na dukej si zëri i Zotit, me u mbledhë në meshë e në litani, e tash shkrihet e bëhet top që ka me i shkretu zemrën ndonjë nëne fatzezë. Çfarë vakti ka ardhë! Patër Pjetri na fliste prej Ungjillit se Krishti ka me i shndrru shpatat e heshtat në plorë, e tash, edhe kumbonët e kishës shkrihen e bëhen top. Mos Zot ma keq! 
Në tingullin e parë, u dridh patri, edhe pse e kishte kapur litarin me dy duar. Sa herë i binte kumbonës kishte një gëzim e një frikë. Një gëzim se shpejt do të vijnë njerëzit në meshë, e frika se zëri i kumbonës e zgjon edhe djallin prej gjumi. E djalli e armiku nuk flejnë, ata rrijnë zgjuar natë e ditë. Edhe Drini mund të flen, por djalli jo! Vërtetë atë mëngjes kishte ndejt te Kuji i madh, tuj prit, kumbona me i mbledhë të kshtenët rreth kishës. Nuk vonuan shumë e u mblodhën, të rinjë e të vjetër, edhe foshnjet në lulak i kishin sjellë në meshë. Ishte mbushur kisha, pak kush rrinte në shtëpi kur ishin këto kohëra të shenjta. Vetëm ndonjë plak që s’mundë të dilte as në derë të oborrit. Patër Pjetri atë mëngjes predikoi:” Jini të përkormë dhe rrini zgjuar! Armiku juaj, djalli, porsi luan uluritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar kë të përpijë. Të fortë në fe kundërshtoni duke e ditur se po të njejtat vuajtje i pësojnë vëllezërit tuaj në fe të shpërndarë nëpër botë”. As ai vet nuk e dinte se po profetizonte në atë ditë. Por një e dinte, se me ato fjalë i forconte besimtarët e vet dhe njëherit vetit i jepte guxim se shumë shpejt do të takohet hundë për hundë me çaushbashët dhe jeniçerët e Mehmed agës.
Mehmet aga, ishte mbështet te blini para kishës, i mbështjellë me shallvare e një turban sa një rrotë kerri në krye. Nuk hyri mbrenda në kishë sa ishte mesha si e kishin edhe zakon të bëjnë, kur donin ta përdhosnin ndonjë vend të kshtenë. Shpesh herë hynin edhe me kali mbrenda, por të kshtenët i kishin zvogëluar dyer e kishës mos me e zënë kalin, kështu që kur hynin ju duhej të hynin në këmbë. Çemerin e derës e kishin ulë më poshtë në kohën kur frat ishte një italian. Quhej patër Augustini, e njerëzit e thirrnin patër Gustini, kishte qenë shumë inteligjent, e para se të vinte në tokat arbnore kishte mësu mirë për barbaritë e turqëve, dhe u kishte thënë disa burrave me e zvogëlu derën e hyrjes që mos të hynë ndonjë turk me kal në vend të shenjt. I kishte mbledh disa burra që mirrëshin me mjeshtri dhe e kishin goditë një çemer një copësh. Çemeri i parë ju kishte pasë rënë prej dore edhe aty e kishte pas prishë këmbën Gjon Hila i Bytyçit.
 
Kur dolën prej kishës, oborri ishte nxi prej turqëve. Askush prej të pranishmëve gati s’ju tha gjë. Foli Mehmed aga: sabah hajrulla burra! Sabah hajrulla, ja ktheu dikush. Patër Pjetri sa i pa ashtu, të mbështjellun e me jatagana në dorë, e mori vesh se nuk ishte puna mirë. E kishte përjetuar këtë skenë një herë kur ishte frat i ri në Lurë, para shumë viteve. I paska sjellë i prronit për devshirme, tha në vetvete. Nuk foli kush më shumë vetëm u lëshuan çaushbashët si hijenat dhe i kapën fëmijët prej duarve të nënave. Piskama e fëmijëve në kupë të qiellit u ndi. “Ma lësho, mos ma merr, se vetëm këtë e kam për hasret”, u ndi një zë rrënqethës. “Krejt ne jemi hasreta, se si ka pjellë nana dy Mehmeda”, foli aga. Patri ju afrua agës dhe filloi t’ia shpjegoi se tash turku është mjaftë i fortë e s’ka nëvojë për asqerë të rinjë, dhe se është adet mos i marr fëmijët jetima e as ata që janë një djalë i vetëm. S’kam ardhë këtu me marrë mësim prej një kaurri, se ligjet i di më mirë se ti, dhe e shtyu keqas fratin. Malësorët të gjitha i durojnë, por po ju preke fratin ju vlon gjaku. Se frati për ta është viqil i Krishtit në tokë. E pa fenë e Krishti, malësori nuk është asgjë, pos një bishë e malit. Gegë Deda nxorri një thikë prej brezi e ja prishi fytyrën agës. Një jeniçerë i ra nga mbrapa Gegës dhe e prej në qafë. Të gjithë jeniçerët e çaushbashët i nxorën jataganët me e mbrojtë Mehmed agën. Por jo, se nuk lëvizi më kush, se të gjithë të tjerët ishin duarthatë, pos rruzarës që ende ndokush e mbante në dorë.
 
Sërish foli patri: “S’kanë kaluar as katër vjetë kur keni mbledhë sabi. Të paktën çdo pesë vjet është zakon!”.  Por s’e dëgjoi kush, i kapën të gjithë sa ishin aty prej shtatë-tetë vjeqe deri në dy-trembëdhjetë. Gjithësejtë njëzetë e dy, s’kishte më. Në atë tollovi dikush prap i ra patrit e ja nxori syrin. Gjaku i pikonte faqës e ja skuqi mustakun e bardhë, e pikë pikë  rrjedhte në maje të mjekrrës. Një plakë ju kishte afruar Gegës e ja mbylli sytë. Kukama e gjama ushtoi në shtatë kodrinat e Symbit. Të mjerat ne, vajtoni gratë, kush do të na sjellë busmin në votër? Na i morën dritat e syve, kush ka me dalë me këndu me kullanë? Na e vodhën gëzim e Natës së Krishtit!
Në kronikën e kishës patri kishte shkruar:”E diela e katërt e adventit  A.D.1723, në Symb, Mehmed aga mori njëzetë e dy fëmijë për devshirme, sabi të pafaj e të shënjtë, të gjithë i shërbyen lterit të Krishtit deri në këtë ditë, e prej nesër do t’i shërbejnë sulltanit të pafe në Stamboll e në Edirne si jeni-aqserë. Të humbur nëpër dhenë e pafund të padishahut. Kur ti merr malli për prindin e vet, do t’ja puthin këpucën e artë të sulltanit. E kur Zoti do t’ju flet në zemër, s’do të kenë lterë ku me u lut, por do të bejnë ziqërr, si të dehur nëpër teqè e do të shpohen me jatagana. E me shpatat e tyre të brezit në vend që ta ruajnë Arbninë e vet, do të prejnë të pafajshëm në Kaukaz e në Armeni, me e përhapë mbretërinë e të keqës prej ku lind dielli e deri ku perëndon”. Ju kujtua Betlemi dhe Hirudi që i preu fëmijët në lulak e në gji të nënave.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen