A ka demokraci në Kosovë?!

Analiza & Komente | admin | 08.09.13 | 00:07

Shumë politikanë që sot ndodhen në vende kyqe në Kosovë, dikur betoheshin në programin dhe statusin e Lidhjes Komuniste, sot ju kanë rrekur proceseve demokratike si egjëra grurit. Po ata liderë tani e kanë ndërruar gëzofin por jo metodat e poshtra komuniste. Në demokraci ata politikanë janë bërë demokratë dhe betohen si dje që betoheshin për partinë barbare komuniste, sot derdhin lotë krokodilli gjëja për proceset demokratike dhe demokracinë. Sot shtrohet pyetja se a ka demokracii në Kosovë ? ! Deshëm apo jo ne duhet pranuar se ka demokraci në Kosovë. Por nëse ne pyesim se sa po realizohen metodat demokratike në Kosovë.., pa hamendje themi shumë pakë.

Viteve të fundit Demokracia në Kosovë po shënën progres ajo akoma është e dirigjuar nga njerëz të cilët dikur betoheshin dhe ishin të gatshëm edhe jetën ta flijonin për PK-ste, po ajo farë „arpagjiku“ sot për fat të keqë po udhëheq Institucionet tona shtetërore. Zhvillimi i proceseve demokratike, viteve të fundit ka lëvizur me hapa jo të shpejtë, sepse liderët tanë në vend që ti zbatojnë në jetë metodat demokratike, ata po i pengojnë ato, dhe ne ketë mënyrë po pengohen proceset demokratike, e me te edhe demokratizimi i vendit-shtetit. Funksionimi dhe avancimi i demokracisë është i pa mundshëm pa pjesëmarrjen edhe të qytetarëve në proceset demokratike.Për zhvillimin e demokracisë është e domosdoshme pjesëmarrëja aktive e qytetarëve. Për jetësimin dhe funksionimin e proceseve demokratike kërkohet që të angazhohemi të gjithë qytetarët.

Qeveritarët tanë në vend qe ta luftojë krimin e korrupsionin e shfrenuar,vihen në mbrojtje të interesave e klaneve mafioze. Prekja në esencë e lirisë së medias është vrasje e demokracisë, i cili kërcënon ndërgjegjën dhe interesat shtetërore e kombëtare të shtetit të Kosovës.
Është e dhimbshme kur preket në esencë liria e fjalës dhe demokracia, por edhe më e tmerrshme është, kur kjo vrasje e lirisë mëtohet të sanksionohet edhe me formalitete juridike (metodë e njohur vetëm në sistemet e diktaturave). Klasa politike qe udhëheq aktualisht me Kosovën, gjithnjë e më shumë po dëshmon se është një klikë harbutësh të pacipë, të cilët i kanë sjellur shtetit, demokracisë dhe kombit tonë, dëme të tmerrshme.

Kodi i Ri Penal, është rrënim i vlerave të demokracisë në shoqërinë tonë. Shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë as një dozë të vetme nga principet e sistemet të diktatorëve. Gazetarët në Kosovë gati çdo ditë kërcënohen në mënyra të ndryshme. Më të zëshmit kundër lirisë së medias janë grupet e mafisë së krimit, për të arritur deri tek grupet e interesave të pushtetmbajtësve. Reporterët Pa Kufij (RSF) e cilësojnë si të tmerrshëm, Kodin e ri Penal të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 20 prill 2012, në të cilin gjenden edhe dy nene që kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët që të zbulojnë burimet e informacionit në raste të procedimeve krminale.

“Nenet 37 dhe 38 të KRP-së, qartazi synojnë heshtjen e raportimeve hulumtuese që e bëjnë qeverinë të ndihet jokomod. Kodi i ri Penal e vë lirinë e medias në rrezik dhe përfaqëson një sulm serioz kundër demokracisë”. Në këtë kontekst e drejta për të ushtruar gazetarinë hulumtuese dhe mbrojtja e burimeve konfidenciale duhet të mbetet parim thelbësor i vlerave tona demokratike.

Guximi i gazetarisë hulumtuese në Kosovë mbetet shembulli më i mirë i kultivimit të vlerave të vërteta demokratike për një shoqëri në tranzicion, ku vlerat dhe antivlerat janë në gërshëtim të përhershëm. Përplasja e këtyre dy koncepteve zanafillën e vet e kanë në sistemet qeverisëse dhe tendencat për vendosjen e “diktaturave moderne”, nga institucionalistët. Imponimi i fjalës së shkruar dëshmon përvojën më famëkeqe në periudhat moniste, të cilat për dekada me radhë, gënjeshtrën e mbështillnin me moralizime, ndërkaq të vërtetat dhe vlerat i shantazhonin në forma të ndryshme deri në vrasjen e saj.

Qevritarët tanë, përmes KDRP-së, tentojnë t’i mbyllin gojën të vërtetës e cila shpesh është e dhimbshme për realitetin qeverisës. Andaj hartimi dhe votimi nga Kuvendi i Kodit të i ri Penal, nuk mund të cilësohet si përgjegjësi indiviluale, por dështim kolektiv i elitizmit tonë politik. Miratimi i këtij Kodi nga Kuvendi i Kosovës, dëshmon se kemi të bëjmë me një klasë politike skandaloze, të papërgjegjshme dhe të retarduar. Ata qe kanë këmbëngulur në miratimin e neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal, mund të kenë biografi jo të pastër, mund të jenë të inkriminua në krim dhe korrupsion.

Ndërkaq Kodin e Ri Penal, mund ta perdorin si “murë” mbrojtës nga hulumtuesit e rasteve. Jemi deshmitarë se mediat kanë publikuar shumë raste kriminale rreth shumë personave të inkriminuar në krim dhe korrusion, andaj metoda më “efektive” për mbylljen e rasteve të tilla mëtohet të bëhet duke sanksionuar veprimtarinë e pushtetit të katërt në demokraci, e bashkë më këtë edhe vrasjen e fjalës së lirë.

Është tejet esenciale qe rishikimi të bëhet nën kujdesin ekspertëve të pavarur vendas e ndërkombëtarë, në mënyrë qe rihartimi i neneve të jetë i pranueshëm i zbatueshëm nga të gjithë. Në të kundërten, do të ndodh vetëvrasja e demokracisë në Kosovë, në kontekst të të cilit shkelet akti i Bashkimit Evropian i vitit 2007, por edhe vendimi i këshillit të Evropës, i vitit 2000. Me keto principe me të cilat Kodi Penal ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, do të jetë jofunksional dhe i dëmshëm për perspektivë evropiane të Kosovës. KRP, me nenet 37 dhe 38 mund të referohet si notë e dobët edhe në vlerësimet e raporteve ndërkombëtare rreth të arritura dhe progreseve në vendin tonë.

Kosovës i duhet ligje qe e hapin rrugën drejt BE-së, e jo të atilla qe penalizojnë integrimin tonë drejt strukturave euroatlantike. Pikërisht nga papërgjegjësia e elitave tona politike kemi mbetur vendi më i izoluar në rajon. Liria dhe demoracia në Kosovë janë fituar me shumë sakrificë e gjak, andaj askush nuk ka të drejtë që ta rrënojë ose ta vrasë këtë vlerë të shenjtë të demokracisë.
Punuar me 7-08.2013

Ramiz DËRMAKU

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen