Romani im është një dramë

Analiza & Komente | admin | 22.01.12 | 19:07

Pal Ndrecaj pas mbarimit të studimeve për Letërsi dhe gjuhë shqipe ne Prishtinë, kthehet të punojë mësimdhënes, por njëkohësisht, nuk e lë prapa as krijimtarinë letrare, pas botimit të shumë poezive në shtypin letar si student, por njëkohësisht ushtron edhe profesionin e gazetarit në „Koha ditore“. Deri në fillim te luftës ishte anëtar i LDK-së, ndërsa gjatë luftës, e sidomos gjatë sulmeve të NATO-s qëndroi në fshatin e tij, ku me bashkëvendasit jetoi për afërsisht 3 muaj në kushte të një shtetrrethimi të plotë: ushtria serbe nuk lejonte shpërnguljen e këtyre fshatrave me qëllim të përdorimit të banorëve si mburoja të gjalla në rast të ndonjë invazioni tokësor të NATO-s.Deri në vitin 2004, ka jetuar në fshatin e vet ku ka punuar si mësimdhënës dhe si gazetar njëkohësisht, kur mërgon në SHBA, i shtyer nga rrethanat që janë temë trajtimi edhe në romain e tij. Pikërisht romani i tij „Lista e zezë“, na shtyri që ta bëjmë këtë intervistë me të.

Jeni nga shkrimtarët e rrallë, për të mos thënë i vetmi, që trajtoni një temë të ndijshme dhe aktuale, madje në një hapësirë të ngushtë shoqërore si është Kosova, ku ende janë të freskëta plagët e vrasjeve enigmatike. Përpilimi i listave të vrasjeve, që në praktikën e eliminimeve politike dhe fizike quhen „të zeza“, sa ju ka provokuar si njeri dhe sa ju ka nxitur si shkrimtar t’i qaseni kësaj tematike delikate që ka vazhduar ta shqetësojë shoqërinë kosovare edhe pas botimit të romanit.

Pal Ndrecaj: Vetë mënyrat aq të sofistikuara të vrasjeve u bënë “skica” e romanit tim. Ai është i ndërtuar mbi një realitet të jetuar, është i bazuar në ngjarje krejtësisht të vërteta dhe është i vendosur në një kohë dhe hapësirë të afërt. Fabula dhe personazhet janë vetë jeta dhe njerëzit që e kanë jetuar atë në dy vitet e pasluftës. Janë heronjtë e vërtetë dhe antiheronjtë, janë të mashtruarit dhe mashtruesit, janë idealistët e tipit të Uran Budit, që humb gjthçka të veten për lirinë e Kosovës, por që manipulohet nga grupe me synime krejt të tjera, dhe, janë indiferentët që nuk i zgjon asnjë zë, asnjë thirrje… Si gazetar, kisha mundësinë të njihesha për së afërmi me planet dhe synimet e personave dhe grupeve të fuqishme dhe kështu filluan të thuren fijet e romanit të ardhshëm.

Në përpilimin e listave dhe në eliminimin fizik të kundërshtarëve, si e përshkruani në roman, implikohen grupe brenda një pushteti të brishtë, ku krimit i shërbejnë edhe policë, gjykatës etj., për ta forcuar kështu pushtetin duke terrorizuar kundërshtarët dhe duke tronditur popullatën, si ka ndodhur në vendet e bllokut komunist pas Luftës së Dytë Botërore ku dhuna ka pacifikuar popuj dhe grupe politike nga partia-shtet. Sa është e dhimbshme kjo për një shkrimtar që i bie barra ta trajtojë një temë, që përsëritet me të gjitha segmentet, por në një dritë tjetër dhe në realitete të tjera?

Pal Ndrecaj: Është pikërisht ashtu, siç e thoni ju ne pyetjen tuaj. Prandaj, jo rastesisht, heroi i romanit që perpilon lista te zeza, që vendos për kokat që do të bien është funksionar i lartë partiak. Në shërbim të këtij qëllimi vihen edhe struktura të tjera të shoqërisë, siç është fjala me Komandantin e policisë, si dhe një industri propagandistike që e mbështet krimin, e falsifikon të vertetën dhe i mjegullon rrugët që shpien tek ajo.Kështu, mund të them se romani im është një dramë që, për fat të keq, u luajt në skenën ë vertetë të jetës kosovare në vitet e pasluftës. Jam munduar të jap pamje të kthjellëta se si lidhen interesat politike të grupeve të caktuara me ato ekonomike. Jam munduar, gjithashtu, të vë në dukje se si lidhen fijet e këtij interesi edhe mes grupeve të tjera jashtë Kosovës, pra se si shtrihet dhe si përthekon trojet tona zinxhiri i krimit të organizuar dhe si lidhen hallkat e këtij zinxhiri me hallkat e tjera në Serbi, në Kosovë e në Shqipëri.

Prekja e kësaj teme të ndieshme dhe në një distancë kohore fare të afërt ka lënë edhe mundësinë e shumë keqkuptimeve. Disa e kanë quajtur tendencioz dhe qëllimkeq romanin, kurse disa të tjerë e kanë parë si një pasqyrim të dhimbshëm të një gjendjeje, po ashtu, të dhimshme.

Heronj dhe viktima si ekzekutorë të listave janë edhe idealistët e pathyeshëm, si është Liri Albaniku, një shqiptar i mërguar nga viti 1981 në SHBA, i cili kthehet në Kosovë për ta ndihmuar ndërtimin e vendit të vet, me bindje se po ndihmon në ndërtimin e një shoqërie me pastërti kombëtare, më në fund ndodhet edhe ai në „listën e zezë”, për t’u zhdukur gjurmët e krimit. A mendoni se i keni kapur sa duhet anët e fateve të permbytura në lirinë e ëndërruar për shqiptarët.

Pal Ndrecaj: Figura e personazhit Liri Albaniku është një shembull tipik i idealistit shqiptar, i cili vë gjithë mundin e tij në shërbim të popullit. Ai me gjithë kapitalin e madh të krijuar në SHBA, kthehet në Kosovë dhe hap një kompani të madhe, në një kohë kur nuk ekzistonte as më e vogla siguri për jetën dhe pasurinë. Ai ndeshet menjëherë me realitetin e vrazhdë kosovar dhe bëhet pre e synimeve partiake, sidomos të rrymave më radikale. Ai zinxhiri i gjatë i krimit të organizuar e kap atë të parin. Përmes këtij personazhi kam dashur të pasqyroj synimet e qarqeve ekstremiste për të vënë dorë në mënyrë të paligjshme mbi kapitalin, për ta përdorur pastaj atë kapital për rrëmbimin dhe forcimin e pushtetit të tyre. Mirëpo, pos grupeve ekstremiste vendore, në roman vihet në pah edhe roli herë-herë i keq i faktorit ndërkombëtar të instaluar në Kosovë. Burokracia ndërkombëtare, e cila kishte pjesën më të madhe të pushtetit në Kosovë, po ashtu, goditet në romanin tim. Jepen edhe pamje të tilla, ku ata përmbajnë hallkat e veçanta të krimit të organizuar, janë bashkëpunëtorë të zellshëm të krimit dhe njerëz me qëllime thjesht egoiste.

Pas luftës, letërsia dhe krijuesit përgjithësisht, kanë mbetur nën hije. Këtë fat e pësoi edhe romani i juaj „Lista e zezë“, i cili edhe pse trajton një temë te „nxehtë“ dhe delkikate, pothuajse nuk u vërejt fare. Çka do të thoshit për atmosferën letrare në botën shqiptare, ku botimet sasiore, i mbulojnë ato cilësore?

Pal Ndrecaj: Se ndodhemi në një fazë të rrezikshme të akulturimit e thonë të gjitha parametrat e zhvillimeve kulturore në Kosove. Ndodhemi, po ashtu, në një fazë zvetnimi moral e kulturor. Ka një tërheqje nga libri, nga leximi dhe nuk ndërmerret asgjë. Kur them se nuk ndërmerret gjë, mendoj në një varg masash që do ta ngjallnin interesimin, sidomos të të rinjve për të lexuar, siç është fjala: organizimi i tryezave kushtuar librave nëpër mediume, akrivizimi i orëve letrare nëpër shkolla, hapja e rubrikave të posaçme kushtuar librit dhe drejtimi i atyre rubrikave nga kritikë profesionistë, etj. Pastaj si do të mbijetojnë autorët këtë situatë? Ata që i krijojnë vlera popullit të tij a e meritojnë një indiferencë të tillë të shoqërisë? I botojnë veprat me mjete të veta, duke kërkuar lëmoshë! Injorim dhe një përbuzje më të madhe për ta a ka? Tashti, dikush mund të arsyetojë me shprehjen “ekonomi tregu”. Por tregu ynë kulturor nuk i mundëson kulturës të sigurojë farën që i duhet pë ta përtrirë veten. Ajo duhet ndihmuar, duhet përkrahur. Një shkrimtar kroat që kisha rastin ta takoj në New York më tha se Ministria e Kulturës e vendit të tij ia bleka autorit disa qindra ekzemplarë për t`i pajisur bibliotekat e vendit. Çfarë bën Ministria jonë e Kulturës për ta ndihmuar librin dhe për ta shpëtuar autorin?

Sa i përket asaj se sasia e botimit dhe cilësia janë në shpërputhje të plotë, edhe kjo është punë e kritikës, e cila duhet të përcjellë botimet dhe në mënyrë profesionale të veçojë çka është vlerë dhe çka shund.

Cili është raporti i juaj me temën që trajtoni? A do të vazhdoni që në të ardhmen ta shkruani prozën ku do të jenë prezente proceset shoqërore në sinkroni?

Pal Ndrecaj:Proceset shoqërore janë temë që më preokupojnë shumë për krijimtari. Ndoshta edhe profesioni i gazetarit, të cilin e kam ushtruar disa vite më ka afruar më shumë me këtë temë. Pastaj është edhe dëshira ime për të dhënë ndihmesën modeste në mbarëvajtjen e rrjedhave.

Edhe një pyetje paksa të rëndë: Cila është pozita e një shkrimtari shqiptar të mërguar, cili është fati i pritshëm i krijimtarisë së tij?

Pal Ndrecaj: Pozita e shkrimtarit të mërguar është shumë e rëndë. Adaptimi në një vend tjetër merr kohë dhe kjo rrezikon tjetërsimin e tij. Ndodh kështu edhe me shumë shkrimtarë të tjerë të mërguar, arti i të cilëve, pas lënies së vendit nuk ka shënuar përparimin e duhur. Mirëpo, për të mbajtur kondicionin krijues duhet mund e sakrificë dhe unë bëj ç`është e mundur që të mos më gjejë fati i tjetërsimit nga një artist në një njeri që i ka reduktuar synimet e veta, thjesht në ato materiale.

Pal Ndrecaj

Intervistë me shkrimtarin Pal Ndrecaj

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen